Skënderbeu, si magnetizoi mendjet e
historianëve dhe letrarëve të huaj

Skënderbeu, si magnetizoi mendjet e<br />historianëve dhe letrarëve të huaj
Tri veprat tjera të autorëvet të huaj mbi Skënderbeun, të shqipëruara dhe të shtypura me rastin e 500–vjetorit të vdekjes së tij, janë shoqëruar secila nga një parthënie ose mbasthënie.

Prandaj paraqitjes dhe vlerësimit të tyre do t’u biem sa më shkurt që të jetë e mundshëme.
Romanin italisht “Skënderbeu, histori shqiptare e shekullit XV” nga Antonio Xonkada e ka shqipëruar me kompetencë gjuhësore dhe dignitet stilistik Sotir Caci. Shqipërimi bashkëbart një mbasthënie 14 faqesh ku origjinali është bërë objekt i një vlerësimi të përgjithshëm pozitiv, çka ishte krejt e natyrshëme, sepse përndryshe shqipërimi dhe shtypi i tij do të kishin humbur çdo arësye qënieje. Por ky vlerësim përgjithësisht pozitiv është pothuajse neutralizuar nga një numër jo gjithaq i paktë rezervash jo gjithaq të veçanta, e për mendimin e kumtuesit, pjesërisht të pasakta mbi çpërfilljen letrare të faktevet historikë, mungesën e unitetit brendior, stilin retorik të romancierit etj.

Por gjithëçka është relative. Kështu, në krahasim me romanin e Xheims M. Ludllout, që është shqipëruar dhe shtypur si roman pikërisht historik, por pjesa ndoshta më e madhe e përmbajtjes së të cilit vlon nga ngjarje jo vetëm aspak historike por edhe mezi serioze, romani italisht i Xonkadës nuk mund të mos të bëjë përshtypjen se në përgjithësi i përgjigjet plotësisht përkufizimit të një romani historik.

skenderbeu

Pastaj në qoftë i drejtë mendimi i parthënësit se përmbajtja e romanit “Skënderbeu, histori shqiptare e shekullit XV” do të kishte dalë më e njësishme, sikur romancieri fillim, vazhdim e mbarim të trajtonte: “Vetëm luftën, sakrificat, vendosmërinë, heroizmin, botën, shpirtin, mendimin shqiptar” (fq. 371),
është i domosdoshëm konstatimi se vetë romancieri (fq. 195) ka rrëfyer haptazi: “Ndërsa po plotësohen përgatitjet luftarake për rrethimin e Beratit, e shoh me vënd të flas këtu për të kaluarën e këtij kont Tebaldit…, që lot në këtë roman, në s’gabohem, një nga rolet më kryesore pas Skënderbeut”.
Tani, kur pjesëmarja e një kontingjenti italian në luftërat shqiptaro-turke nën udhëheqjen e Skënderbeut është një fakt historik, kur në roman në krye të këtij kontingjenti figuron pikërisht konti Tebaldi, dhe (siç konstatohet me miratim mbasthënësi) kur romancieri “patriot e letrar italian” Antonio Xonkada: “Ka pasur si qëllim kryesor, duke shkruar këtë vepër, t’u japë italianëve një shembull të lartë … për t’i hedhur në luftë kundër armiqve që e mbanin të coptuar e të pushtuar atdheun e tyre Italinë” (fq. 369);

Atëherë, me dozën e duhur të zëmërgjërësisë internacionaliste, për ç’arësye të mos pranohet se një qëllimi të këtillë mësëmiri mund t’i shërbente pikërisht gërshetimi në roman i linjës kompozicionale kryesore shqiptare me atë jo kryesore italiane?
Mënëfund në qoftë e vërtetë se stili pak a shumë retorik përbën një si tipar nacional të letërsisë italiane, është një fakt se, simbas rrethanavet objektive të ngjarjevet dhe gjendjevet shpirtërore të personazhevet, romancieri ynë ka përdorur më se një nëntip të këtij stili. Kështu p.sh. në jo më pak se 100 faqet, ku Skëndërbeu figuron si tregimtar pikërisht gojor i jetës së vet deri në riçlirimin e Krujës dhe të Shqipërisë, stili kurrësesi nuk mund gjithandej të cilësohet si retorik, në vështrimin pezhorativ të këtij termi.
Megjithë rreptësinë e theksuar të kriterevet të vlerësimit, mbasthënësi nuk ka mundur të mos i bëjë një homazh artit te romancierit në përshkrimin e rrethimit të Beratit: “Përshkrimet e disa betejave, e sidomos të rrethimit të Beratit dhe shpartallimit tragjik të ushtrisë arbre për shkak të tradhëtisë dhe pakujdesisë të disa kapedanëve, tregojnë se autori e ka studiuar me vëmëndje dhe pasion historinë e epopesë sonë të madhe. Ai rrethim dhe ajo disfatë e rëndë janë dhënë me kujdes, me hollësira të habitëshme, me realizëm të fortë” (fq.374).

Por, duke gjykuar edhe mbi vëllimin e dytë ende të padalë nga shtypi simbas vëllimit të parë tashmë të botuar të shqipërimit, kumtuesi mendon se mbarë romani i Antonio Xonkadës mbi heroin tonë kombëtar, nëvëndqë të vuajë gati vazhdimisht nga kalimi i masës në trajtimin letrar të faktevet dhe ngjarjevet historikë, nga mosbashkimi i dy rrjedhavet kryesore të zhvillimit në një rrymë të vetme të tij, dhe nga niveli i pabarabartë i suksesit artistik në realizimin e kapitujvet të veçantë, përkundrazi, në përgjithësi shquhet pikërisht për meritat e anasjellta.

Madje, simbas kumtuesit, ky roman përbën më seriozin homazh të huaj të kësaj gjinie letrare për ne shqiptarët. Vërte, në një vështrim të parë e të pjesshëm, ky homazh mund edhe të prodhojë përshtypjen sikur vleka vetëm për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Por nga një thellim i mëtejshëm i gjithëçkahes nuk mund të mos burojë bindja se ky homazh përkundrazi i takon jo më pakë edhe vetë popullit shqiptar të epokës Skënderbegiane, e madje jo vetëm Skënderbegiane.

skenderbeu

Veprën anglisht të Tomas Uinkop-it mbi Skënderbeun e ka shqipëruar mbas Fan Nolit më i rëndësishmi shqipërues i ynë në sferën e dramaturgjisë, Skënder Luarasi. Por parthënien e shqipërimit prej vetëm 4 faqesh jo të plota, shqipëruesi ua ka kushtuar më fort gjymsëkuriozitetevet bibliobiografikë, digresionevet historikë të përgjithshëm, citimevet të analizavet dhe vlerësimevet të tjetërkujt etj. se sa shqyrtimevet, analizavet dhe vlerësimevet vehtjakë. Nga paragrafi i fundit i kësaj parthënieje nxëmë se përkthimi i tanishëm i veprës në fakt qenka një përkthim i saj i dytë i kryer afro një gjymsë shekulli mbas përkthimit të parë. Por pyetjes nëse ky ripërkthim i Luarasit shënon ndonjë hap përtej kontributevet të tij të mëparshëm në të njëjtën sferë kumtuesi nuk mumd t’i përgjigjet ndryshe veçse mohueshëm. Këtu vërte nuk është vendi për ndonjë shqyrtim stilistik e aq më pak gjuhësor të shqipërimit. Por nuk mund të mos citojmë vargun:
“E bukura sulltane, Selimana,
Që hieshit e rralla të së cilës
I njeh një botë e tërë .” (fq. 37, rr. 2);
sepse tek çrregullsia stilistiko-gjuhësore kaq e vrazhdë e këtij vargu ripërkthyesin do ta ketë shpënë preokupimi i tij mjaft anakronik për të qënë sa më shumë në rregull me aritmetikën rrokjore të vjershërimit …

Gjithashtu nuk mund të heshtim mbi dy pabesnikëri barabar të vrazhda të shqipëruesit ndaj titullit të origjinalit. Veprën e vet në titullin e saj autori nuk e ka specifikuar as si tragjedi as si dramë: kurse ripërkëthimin ripërkthyesi e ka cilësuar njëherë: tragjedi në titull, pastaj: dramë brenda parthënies dhe në fund te tekstit.
Në pasqyrim besnik të një brendie, ku linja kompozicionale e dashurisë mbizotëron theksueshëm atë të heroizmit dhe patriorizmit, autori veprën e vet e ka titulluar: “Scanderbeg: or Love and Liberty” që shqip don të thotë: “Skënderbeu: ose Dashuria dhe Liria”; Por nga titulli i ripërkëthimit është shlyer komponentja e dytë e titullit të origjinalit; duke çorientuar kështu lexuesit shqiptarë, tradicionalisht jo të mësuar me një Skënderbej dashnor…
Vetë vepra është shkruar jo pa frymëzim nga një autor jo pa talent.

Por këtij të fundit i kanë munguar barabar përvoja dramaturgjike përkatëse dhe formimi historik përkatës. Në dramë, ai i sulltan Muratit është një personazh nga më kryesorët. Por këtë personazh autori e ka trajtuar në një mënyrë që nuk mund të bëhej më groteske, e për pasojë më antihistorike. Për Arianisën (në dramë kështu është quajtur Donika, bija e Aranitit dhe bashkëshortja e ardhshëme e Skënderbeut) dmth për robëreshën e luftës a xharien e haremit ky personazh psherëtin i pafuqishëm posi kalorësit perëndimorë të mesjetës për damat e veta. Në skenë deri gjatë betejavet kundër Skënderbeut, sulltan Murati merret shumë më tepër me intriga dashurie se sa preokupohet për punët e perandorisë dhe fatin e luftës. Në zbërthimin final të pjesës teatrale, sulltan Murati jo vetëm mundet prej Skënderbeut, por edhe zihet rob prej trupavet të këtij; e i zënë rob, edhe çmendet, e të çmendur edhe e ndryjnë në një kafaz …

Me një të këtillë trajtim qoftë edhe të një personazhi të vetëm a është për t’u çuditur (sikundërqë në parthënien e ripërkthimit është çuditur ripërkëthyesi) që vetë autori të mos ketë gjetur as skenë për të çfaqur as botues për të shtypur veprën? Por në vepër viktima të dalldisjes dashurore (për të mos thënë: të frenezisë erotike) janë: edhe vetë gruaja me kurorë e sulltan Muratit, Sulltania Selimana, që dashuron (a e gjeni dot kë?) – Skënderbeun, e që nga dëshprimi bën vetëvrasje; edhe princi trashëgimtar Kahasani që dashuron të njëjtën Arianisë, e që nga i njëjti shkak bën gjithshtu vetëvrasje; edhe Alibegu që tenton të dhunojë po Arianisën, e që ta dhunojë mu në sy të Skënderbeut, e që vritet nga ky i fundit … Në shtabin turk bëhet kërdia; kurse së bashku me Arianisën princërit shqiptarë tek e mbramia shpëtojnë që të gjithë pa një plagëz në trup e pa një ferr në këmb …

skenderbeu

Sigurisht në të njëjtën vepër, personazhet shqiptarë, e sidomos Arianisa me Arianitin janë trajtuar me më shumë vërtetësi historike, e prandaj edhe me më shumë dignitet artistik. Por dy a tre personazhe sado të goditur të një tragjedie a drame përgjithsisht aspak të këtillë vallë mundkan mbi lexuesit a shikuesit e kësaj së fundit të ushtrojnë ndonje ndikim estetiko-moral pozitiv serioz?
Kumtuesit, jo krejt pa vend, do të mund t’i bëhej kjo kritikë se ai deri këtu paraqiti dhe vlerësoi shumë më pak trajtimet që i janë bërë figurës së Skënderbeut në katër veprat e mësipërme se sa vetë këto vepra. Por një kumtues që synon seriozisht të zbatojë në çdo punim sado modest metodologjinë marksiste a mund të kënaqej vetëm me kaq që portretizimet domosdo tejet pozitivë e madje entuziastë të Skënderbeut nga autorët e këtyre veprave t’i parafrazonte apo rezymonte pa pasë shtruar më parë pyetjen kush janë këta autorë? e sidomos pyetjen sa vlejnë këto vepra? Themi kështu, sepse dy nga këto katër vepra në fakt nuk janë paraqitur e aq më pak vlerësuar në shqipërimet përkatës, kurse me paraqitjet e vlërësimet e dy tjeravet kumtuesit i ka qenë e pamundur që të pajtohet frontalisht.

Por në një anë zhvillimet e shpërpjesëtuar mbi katër veprat e mësipërme, e n’anë tjetër kufinjtë e pashtrirshëm më tej të durimit tuaj po më detyrojnë që veprën e pestë, dmt. mu atë artistikisht më të meritueshmen për admirim nga autori personalisht më i denji për simpati, ta përfshinj brenda kësaj kumtese vetëm sa për të thënë.
Se si poemën epike të rangut epëror “Skënderbeu” poeti maqedonas ohërnjan Grigor Përliçevi, kur ishte ende në një moshë relativisht shumë të re, e pat shkruar jo maqedonisht por greqisht; se si pastaj i revoltuar nga kursi antimaqedonas i Patrikanës greke dhe i shovinizmit grek, ai hoqi dorë nga botimi i poemës në gjuhën greke mbi heroin shqiptar; e mënëfund se si, afro një shekull më vonë, dorëshkrimi, ndërkohësisht i harruar, i poemës u zbulua në Sofie dhe një fotokopje e tij u dërgua në Tiranë; të tëra këto se bashku me tjera informata shumë të vlefshëme mbi vetë poetin sidhe me mjaft vlerësime merituarazi entuziastë mbi poemën e tij i gjejmë në parthënien prej 14 faqesh nga Petraq Pepo – Sterjo Spase të shqipërimit.

skenderbeu

Stili klasik i tekstit origjinal në një gjuhë të një lavrimi letrar prej afro trimijë vjetësh, siç është pikërisht greqishtja, shqipërimin e tij gjuhësoro-stilistik të denjë e bënte një ndërmarrje mezi të realizueshme. Por është një fakt se, në sajë të përvojës së gjatë dhe ndërgjegjes ngulmuese, shqipëruesi i talentuar Spiro Çomora ka arritur që origjinalin greqisht të na e japë në vargje 11- rrokës pa rimë jo vetëm të një shqipje vazhdimisht të paqërtueshme por njëherazi edhe të një stili qëndrueshmërisht të ngritur.

Kënaqësisë sonë si patriotë për këtë përmendore epike të pavdekshëme që i është ngritur heroit tonë kombëtar të pavdekshëm, e ku pathosit shekspirian të brendësisë i është mveshur kaltërsia homerike e shprehjes, i mbishtohet ngazëllimi i ynë si internacionalistë për rrethanën se ngritës i kësaj përmendorje qe një militant konsekuent i kauzës së shenjtë të çlirimit nacional të popullit të vet, bashkëballkanasi i ynë i pandërmjetshëm, maqedonasi ohërnjan: Grigor – Përliçevi.
***
Le të konkludojmë:
Strateg gjenial e njëherazi takticien novator, kryezot prestigjioz e njëherazi udhëheqës popullor, personazh historik e njëherazi figurë legjendare, heroi i ynë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ishte e natyrshëme që të magnetizonte mëndjet edhe të historianëvet të huaj e të magjepste fantazitë edhe të letrarëvet jovendas. Për personalitetin sado të privilegjuar të Skënderbeut asnjë historian serioz apo letrar i vlefshëm nga të huajt kurrsesi nuk mund ta trajtonte si të veçuar dhe të shkëputur nga populli shqiptar i epokës përkatëse e madje i të gjitha epokavet. Prandaj në homazhet që ata në veprat e veta i kanë bërë heroit tonë kombëtar, kanë pasur pjesën e vet shumë të rëndësishme dhe plotësisht të merituar mbarë brezat mbasskënderbegianë të popullit shqiptar.
 
16 dhjetor 1967
 
*) Punues në Muzeun e Beratit

selman riza
Selman Riza

(Vijon nga numri i djeshëm)

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Behgjet Pacolli: Kam dy vajza nga lidhje jashtëmartesore

Behgjet Pacolli: Kam dy vajza nga lidhje jashtëmartesore