Ishte maji i vitit 1975. Në Institutin e Historisë në Tiranë ishte krijuar një klimë e nderë dhe poshtëruese. Nji prej mendjeve të bukura të këtij instituti, përkthyesi, poeti, studiuesi kërkuesi shkencor, orientalisti i rrallë Vexhi Buraraja do të largohej me linçim, si i padëshiruar, nga instituti, ku për vite me rradhë kishte dhënë energjitë më rrezëllitëse të qenies tij, duke lënë aty një varg dorëshkrimesh të rralla që vlejnë shumë sot e do t'i vlejnë së ardhmes ende edhe më tepër.

Emri i Vexhi Buharasë, jeton ende si një legjendë në korridoret e institucioneve  që merren me historinë dhe trashëgiminë materiale e shpirtërore të Shqipërisë. Sepse në vitet që ai jetoi, la një gjurmë të bukur e të shndritshme në kurorën e studimeve historike të mesjetës, gjurmë të cilën shumë historian e studiues sot e quajnë të papërsëritshme. Veç saj ai i dhuroi lexuesit shqiptar përmes përkthimeve të tij, një varg veprash të rralla letrare nga gjuhët orientale.

Por mbi gjithë këto angazhime me vlerë të jahstësakonshme, ai ka lënë një varg dorëshkrimesh, ku zbulohet një punë e rrallë kërkimore, që ai bëri në vitet 50-të pothuajse në të gjithë Shqipërinë, për evidentimin dhe deshifrimin e mbishkrimeve në qindra objekte të rralla të trashëgimisë kulturore të cilat pjesa dërrmuese sot nuk ekzistojnë më.

Këtë punë kolosale ai e bënte në një periudhë delikate të jetës së tij. Sapo kishte dalë nga burgu, i dënuar si armik i regjimit komunist dhe pesha e rëndë e këtij cilësimi në biografi ia kishte kthyer jetën në një sfidë të pambarimtë.

Eduart Caka (historian): Kur flasim për Buharanë është pak a shumë si ato legjendat urbane, figura të tilla. dëgjon shumë emrin e tij. Është një figurë shumëdimensionale. Mund të them që para pjesës së historisë e kam njohur përmes përkthimeve të fushës letrare që ka bërë nga gjuhët lindore, për të cilat emri i Buharasë ende përflitet. Punët e tij janë akoma në një nivel i cili nuk është arritur prej një përkthyesi tjetër. Sigurisht që ka të bëjë edhe me rrethanat, me kushtet në të cilat u përgatitën ata njerëz. Dhe unë kështu jam njohur për herë të parë me, pak a shumë, me punët, me veprat e Buharasë.

Ndërsa në aspektin profesional lidhet me ardhjen time në Institutin e Historisë, para pothuajse 12 vitesh.

Vexhi Buharaja lindi më 12 Maj 1920, në lagjen “Murat Çelepi” në Berat. Rrjedh prej një familje intelektuale, me trashëgimi të pasur fetare, kulturore e atdhetare. Babai i tij, Ibrahim Efendi, ishte hoxhë, myderiz, atdhetar, si edhe gjyshi i tij, Ismail Efendi, që të dy, burra të përmendur për dituri, në Berat e nëpër Shqipëri.

Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, në Berat. Pas kësaj vazhdoi studimet në Medresenë e Përgjithshme në Tiranë, ku u diplomua në vitin 1940 si një nga studentët më të dalluar. Menjëherë pas diplomimit, në moshën 20 vjeçare, u punësua në redaksinë e revistës “Kultura Islame”, e përmuajshme fetare, diturore, artistike e letrare, organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar në Tiranë. Sipas dokumenteve arkivore, në qershor 1944, ai emërohet mësues në medresën e tiranës, por qetësia në jetën e tij, do t ëpërfundonte menjëherë në fund të Luftës.

Me vendosjen e regjimit komunist, ai  do të shenjestrohej ndër të parët kundërshtar të komunizmit dhe sipas një deponimi që ai vetë ka dhënë në dokumentacionin gjyqsot të vitit 1947-1948, ai tregon se ishte arrestuar prej forcve partizanë në  berat që në datën  18 nëntor 1944. “jam arrestuar nga Forcat e Korpusitt ë dytë, ku qëndrova në burg  katër muaj dhe mora pafajësinë pa dalë para gjyqit.  Prej kësaj date  që unë dolla nga burgu  deri në maj të 1946  unë kam  parë punën time duke qëndruar indifferent dhe pa u përzier me njeri.

 Nga maji I vitit 1946 deri në vjehstën e vitit pasues, Vexhi Buharaja do të jetonte I distancuar ndërsa punonte si referent në shtëpinë e Kulturës  në Berat.  Por regjimi duket e kishte halë në sy dhe jeta e tij do të ndryshonte përfundimisht kah në shtator të vitit 1947, kur ai do të arrestohej dhe burgosej në moshën 28 vjeçare. Ky është edhe dokumenti, ku jepet urdhri  I ndalimit të tij që mban datën 16 shtator 1947. Akuza që shënohet në të ëhstë: ”Aktivitet kundra Pushtetit”.

Në aktakuzën e prokurorit dorëzuar gjykatës ushtarake, përveç akuzave se kishte bashkëpunuar me kundërshtarë të regjimit, dhe  ksihte propaganduar në favor të ballit kombëtar,  Buharaja  akuzohej ndër të tjera  edhe se  kshte hapur një fushatë ndihmash  për të ndihmuar familjet e disa të ekzekutuarve nga regjimi komunist.  

Pasi doli nga burgu, edhe pse ishte në liri, si ish i burgosur politik, ende konsiderohej prej udhëheqësve të partisë si armik. U detyrua të bëjë punë të rënda fizike për të mbijetuar. Vexhi Buharaja, ky njeri i rrallë, të gjitha vështirësive ju bëri ballë…

Ishte vitit 1959, kur ai do të ndërmerrte iniciativën më të vlertë të kërkimeve  historike, atë  të mbledhjes dhe zbërthimit të mbishkrimeve turko-arabe, në qindra objekte të trashëgimisë tonë kulturore në cdo cep të Shqipërisë. 

Në arkivin e Institutit të historisë ende sot gjenden këto dorëshkrime të rralla, ku falë tyre kemi informacione të hollësishme dhe përshkrime të shumë objekteve të shkatërruara  e të zhdukura plotësisht, sidomos gjatë vitit 1967 në kulmin e luftës së paprecedentë të regjimti ndaj objekteve fetare.

Eduart Caka historian pranë institutit të historisë në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë, e lidh një pjesë të mirë të punës së tij me punën e pashoqe që Vexhi Buharaja e ka lënë dorëshkrim në këtë institut. Ai do të na zbulojë këtë pjesë të ndritshme të aktivitetit intelektual të Vexhi Buharasë gjatë viteve  të vështira të jetës së tij nën regjimin komunist.

Eduart Caka: Puna më themelore e Vexhi Buharasë është një dorëshkrim, të cilin ne e kemi në Arkivin e Institutit të Historisë, i cili ka të bëjë në lidhje me mbishkrimet turko-arabe që gjenden në hapësirën shqiptare. Do të doja ta specifikoja këtë për arsye sepse vëllimi në fjalë i tejkalon për nga rëndësia edhe kufijtë e Shqipërisë. Nëse do të futemi te trashëgimia kulturore e periudhës osmane që ne kemi në Shqipëri, mund të kemi disa libra. Një ndër këta është ai i një orientalisti siç është Mikael Kil, i cili ka botuar në lidhje me arkitekturën osmane në Shqipëri, ka botuar në vitet 70-78. Një botim tjetër i rëndësishëm është i një historiani turk, Ekrem Majeverdi, i cili sërish merret në lidhje me pjesën e arkitekturës osmane në hapësirën ballkanike. Në vëllimin e 4-t ai ndan pothuajse 100-150 faqe vetëm në lidhje me arkitekturën e periudhës osmane që gjendet në hapësirën shqiptare. Por vepra e Buharasë të cilën ne e kemi në arkiv është më e rëndësishme sesa këto për arsye se Buharaja e ka mbledhur të gjithë dokumentacionin duke bërë ekspedita në terren.

Pra ka shkuar fshat më fshat, në të gjithë hapësirën shqiptare, përveç disa zonave të Shqipërisë së Veriut, kryesisht është pjsa e Tropojës, e Kukësit ndoshta, pjesa e Dibrës, e Dukagjinit, ndërsa pjesën tjetër duke vazhduar nga zona e Shkodrës, e Mbishkodrës deri në kufijtë më jugorë të Shqipërisë, Buharaja pothuajse e ka shëtitur çdo vend dhe ka marrë në shënim çdo informacion që ka gjetur në lidhje me objektet, me mbishkrimet e objekteve, siç mund të jetë urë, çezmë ose hyrje kalaje, mbishkrime të objekteve të kultit, të xhamive, të teqeve dhe më të rëndësishme, të gurëve të varreve.

Eduart Caka: Ai të gjitha këto, i ka bërë në vitin 1959, sikurse e dimë mjaft mirë që në 1967-n dhe në vitet që e pasojnë më pas, një pjesë shumë e mirë e këtyre objekteve do të shemben. Pra, studiuesit e tjerë që i kanë parë këto në vitet 70-80, nuk i gjejnë dot më ato informacione të cilat Buharaja i ka parë në terren. Dhe shumë interesante është puna e Buharasë, e cila tregon edhe dimensionin e tij si studiues, është fakti se ai në radhë të parë e përshkruan në aspektin fizik objektin që shikon, pastaj bën një shkrim të tij të periudhës osmane siç është në origjinal, bën një transliterim të tekstit dhe pastaj jep informacione historike në lidhje me periudhën ose me objektin të cilit i referohet. Pra këtu, përveç anës kërkimore të studiuesit, njohim edhe informacionin historik që e ka në lidhje me personalitete, me objekte dhe ajo është një histori krejt më vete.

Historiani Eduart Caka ndalet tek nëj prej rasteve më të cilin ëhstë marrë vetë në punën e tij studimore, duke ju referuar këtyre materialeve të rralla që buharaja ka lënë në arkivin e institutit të historisë.

Eduart Caka: Sapo kam bërë një shkrim në lidhje me mbishkrimet që Buharaja ka gjetur në një teqe të Durrësit, në teqenë e Radës, një fshat në afërsi të Durrësit dhe është shumë interesante sepse në ato informacione, po të kemi parasysh që teqeja i referohet elementit fetar, aty kemi informacione që janë shumë të rëndësishme në lidhje me aspektin le të themi historik sepse aty gjenden të shkruara rastet kur njerëzit kanë parë që ka rënë një tërmet dhe e kanë shkruar aty: në këtë datë ra një tërmet, o Zot na mbro ti. Pra janë informacione të cilat na ndihmojnë jo vetëm në evidentimin e objekteve historike ku kanë ndodhur, por edhe në, deri diku, kontrollimin ose saktësimin e ngjarjeve kronologjike që kanë ndodhur në hapësirën shqiptare.

Eduart Caka: Këto dimensione ose këto veçori të Buharasë e kalojnë, e kapërcejnë personalitetin e atij që njohim ne jo vetëm si përkthyes ose orientalist ose njohës i gjuhëve lindore, por edhe i dimensionit të historianit, të studiuesit, për të cilin ne sot ende kemi shumë nevojë dhe akoma i referohemi punimeve të atij.

Hitoriani Eduart Caka na zbulon për herë të parë edhe dosjet me dorëshkrimet ku Buharaja ka renditur gjithë shënimet e punës së tij kërkimore në terren gjatë përiudhës së këtij hulumtimi me vlera të rralla. 

Eduart Caka: Kjo është dosja e plotë e mbishkrimit qe kemi ne dhe besoj, përveç elementit historik ka edhe informacion, është interesant edhe në aspektin e njohjes së shkrimit të Vexhi Buharasë me informacione të sakta në lidhje me zonat që ai ka parë.

Ndërsa tregon me shembuj konkret, organizmin e informacioneve  që ka mbledhur dhe ka lënë në Dorëshkrim Buharaja, historian Eduart caka, zbulon edhe metodologjinë e punës së tij kërkimore dhe njëkohësisht skrupulozitetin e tij si studiues. 

Eduart Caka: Ky dokument bën fjalë për mbishkrimin e një xhamie dhe mënyra se si punonte Buharaja ishte kjo, e cila është shumë interesante për të parë edhe metodologjinë dhe objektivitetin e punës së tij. Në pjesën lart ai e shikon, paraqet në mënyrë të saktë atë që gjen të shkruar në mbishkrim. Në pjesën e dytë, kjo është sërish po me dorën e tij, ai e hap shkrimin në mënyrë që të lexohet më e saktë, për arsye sepse pjesa lart e mbishkrimit ka të bëjë me mënyrën se si një mjeshtër i veçantë e shkruante mbishkrimin saktë, ndërsa pjesa e dytë që Buharaja e bën, e saktëson sipas normave le të themi gramatike të shkrimit, të gjithë shkrimin dhe më poshtë jep përkthimin në gjuhën shqipe. Pasi jep përkthimin, në pjesën e mëposhtme jep edhe informacionet në lidhje me objektin. Pra, në rastin konkret, thotë: është një rrasë që ka përmasa 0,50 me prapë 0,50 me 0,3 metra dhe përmend edhe vendin ku ruhet, e cila, - thotë, - ruhet pranë Muzeut Arkeologjik të Shtetit në Tiranë. Pra është shumë i saktë në të gjitha informacionet që jep duke mos lënë asnjë lloj dyshimi te personi që do ta shfrytëzojë atë si burim informacioni ose për studimet që ka në veçanti.

Siç tregon historiani Eduart Caka, në të njëjtin shembull ai paraqet në këto dorëshkrime rezultatet e tij hulumtuese në terren për qindra e qindra objekte  nga zonat e Tiranës, Përmetit, Tepelenës, Gjirokastrës,  Krujës Lezhës, etj….

Në këto dorëshkrime Buharaja zbulon veç aftësive të tij si studiues edhe gamën e gjerë të njohurive të tij në shumë fusha, sikurse në këtë rast  në Libohovë, ku veç të tjerash Buharaja zbulon edhe aftësitë e tij si teolog.

Eduart Caka: Ky shkrimi këtu, thotë: nuk ka trim tjetër veç Aliut. Aliu është prijësi i tarikatëve, dhëndëri i profetit Muhamet; nuk ka shpatë tjetër veç zulfikarit, zulfikari ishte shpata e Aliut, edhe këtu pastaj tregon edhe informacionin që njihte vetë ai, përveç asaj, thotë: prania e një teksti të tillë me elozhe për Aliun, i cili gëzon nderim të veçantë në tarikatet, bëhet fjalë për rrymat mistike islame, në portën e një faltoreje sunite siç është xhamia, tregon influencën që duhet të kenë pasur në Libohovë tarikatet, pra rrymat fetare. Jep edhe informacione të rëndësishme d.m.th. për ne që e shohim pastaj pas 300-400 vitesh këto tekste.

Më tej historiani Caka zbulon mes dorëshkrimeve një varg informacionesh për një xhami që vetë Buharaja e shënon në thonjza “ Xhamia me pikturë”…

Eduart Caka: Është një mbishkrim i vitit 1789 dhe është vetëm fjala: mashallah, pra që i bie: çfarë ka dashur Zoti. Ndërkohë që poshtë asaj jep informacione që ai shpjegon edhe kontekstin e këtij mbishkrimi. Thotë: këto fjalë janë gdhendur në një reliev shumë pak të ngritur dhe me shkronja jo të bukura në harkun prej guri në të verdhë të derës pranë xhamisë me piktura në Libohovë. Pra këtu na jep informacionin edhe për një objekt kulti. Interesant është titulli: “xhami me pikturë”. Ai e vendos në thonjëza vetë, Buharaja. Pra këtu nuk e dimë nëse kjo xhami quhej xhamia me piktura, që kryesisht në traditën osmane nuk mund të quhet një xhami e tillë, sepse kryesisht objekte të tilla përmenden me emrin e themeluesit ose të bamirësit që e ka ndërtuar atë. Siç duket kjo është, ose është epitet që Buharaja i vendos atij objekti, ose është mënyra se si pjesa e popullit e quanin atë objekt. Pastaj vazhdon dhe një shpjegim tjetër: është interesante të shënohet se, - thotë, - sipër anëve të mbishkrimit janë gdhendur vizatime që paraqesin kafshë, “kuaj dhe zogj”, prania e të cilave sidomos në ambientet e një faltoreje është krejt e ndaluar nga feja islame. Pra tregon edhe bagazhin teologjik që njihte, edhe elementët teknikë të ndërtimit, përveç njohjes së shkrimit ose të gjuhës. Është shumë interesante e gjitha kjo punë, e cila është e papërsëritshme. sot ato objekte, pjesa më e madhe e këtyre objekteve nuk gjenden më dhe puna e Buharasë është një punë e cila është e papërsëritshme.

Në rrafshin e punëve të tij kërkimore përmendet edhe nëj artikull shencor I vexhi Buharasë  q ëi takon vitit 1968, e ku ai plotëson dhe saktëson një vepër të histoianit të mirënjohur Franc babinger mbi  Fortesën e Elbasanit.

Eduart Caka: Përkatësisht në vitin 1968, në Kongresin I të Studimeve Albanologjike, ai boton një kumtesë në lidhje me mbishkrimet e Portës së Kalasë së Elbasanit, ku deri diku kritikon, hedh poshtë tezat e një ndër historianëve më të rëndësishëm të periudhës osmane siç është Franc Babingeri. Këtu shohim jo vetëm aspektin shkencor metodologjik që përdorte Buharaja, por njohjen shumë të saktë të paleografisë osmane, e cila është një degë krejtësisht më vete….

Siç thekson historian Eduart caka, kjo ishte vetëm një nga shtyllat e punës së palodhur shkencore të Vexhi Buharasë gjatë viteve të angazhimit të tij  në Institutin e historisë në Tiranë.

Historiani caka flet edhe  për shumë përkthime të vyera të Buharasë, i cili sikurse edhe orientalistë tjerë i bënte për nevojat e brendshme të Institutit.

Eduart Caka: Mund të flas me më shumë kompetencë në lidhje me pjesën e përkthimeve, punës, kontributit të Buharasë për sa i përket fushës së historisë. Aty me të vërtetë shpaloset qartësisht i gjithë personaliteti intelektual, shkencor, linguistik i Vexhi Buharasë

Instituti i Historisë ka një arkiv të veçantë nga Arkivi i Shtetit. Kryesisht studiuesit e periudhës para viteve 90 kur shkonin në Turqi, kryesisht në arkivat e Stambollit ose të Sofjes, që merren me periudhën osmane, dokumentacionin që merrnin nga atje e sillnin në Arkivin e Institutit të Historisë. Aty qëndronte… 

Eduart Caka: Kur flasim për emrin e Buharasë kemi të bëjmë pothuajse me dy lloje dokumentacioni. I pari është ai që ne i themi dokumentacioni i brendshëm, pra po të keni parasysh faktin se njohësit e gjuhëve lindore ishin shumë pak, në rastin konkret të gjuhës osmane ose të persishtes së vjetër, mund të kishin vetëm 2 ose 3 emra që i njihnin ato gjuhë, ndërsa pjesa tjetër e institutit që duhej t’i shfrytëzonte ato burime nuk e njihte gjuhën. Atëherë çfarë bëhej? Procedura ishte e tillë që studiuesit bënin përkthime të pjesshme të librave, të dokumentacionit të veçantë për përdorim të brendshëm dhe ai dokumentacion nuk botohej, nuk dilte jashtë, për arsye sepse ishte përkthyer i pjesshëm, ndërkohë që shfrytëzohej nga stafi i Institutit të Historisë ose personat që merreshin me ato studime. Kështu që një pjesë e rëndësishme e dokumentacionit të përkthyer, të punuar prej Vexhi Buharasë, gjendet, i kësaj tipologjie, i pjesës së parë, janë dokumente ose pjesë librash, vëllimesh, kryesisht lidhet me literaturën e shek. XIX – fillimet e shek. XX, të cilat ai i ka përkthyer, gjenden në arkivin e institutit, por kanë qenë për përdorim të brendshëm.

Ndërsa pjesa tjetër janë kryesisht dokumente, vëllime dokumentare, burime të dorës së parë, të cilat janë përkthyer në mënyrë integrale, fillimisht në formën e dorëshkrimit dhe më pas të hedhura në formën e daktilografuar.

Këto përkthime të Buharasë studiuesit i ndajnë në dy grupe.  Janë ato përkthime që lidhen me pjesën e regjistrave kadastralë, ku gjenden informacione të vyera historike për periudhën që ato i përkasin sikurse edhe përkthimet që lidhen me kronikat osmane.

Mes këtyre dy grupeve historian Eduard Caka veçon informacionet e rralla që mund të vilen nga  regjistrat kadastralë.

Eduart Caka: Buharaja është marrë pothuajse me përkthimin e teksteve më të vështira që kemi pasur ose kemi ne në Arkivin e Institutit të Historisë dhe lidhen kryesisht me ato dokumente që kanë të bëjnë me shek. XV. E kam fjalë për 2 lloje kategorish të ndryshme, të cilat janë regjistrat kadastrorë osmanë të shek. XV. Sikurse dihet nga studiuesit e fushës ajo është ndoshta edhe pjesa më e vështirë e njohjes së gjuhës osmane. Kjo tregon edhe njohurinë e thellë dhe të veçantë që Buharaja kishte në lidhje me gjuhën osmane.

Eduart Caka: Këtu bëhet fjalë për 3 regjistra kadastrorë, të cilët ne i kemi botuar para 6 ose 7 vitesh dhe janë të plotë. Është regjistri I osman për hapësirën shqiptare, i vitit 1431, për zonën e sanxhakut të arvanidit; është ai i Korçës dhe i Përmetit, po i së njëjtës datë; është regjistri i Dibrës, i vitit 1467.

Ndërsa i referohet këtij defteri, Caka tregon botimin e plotë të tij relizuar në vitin 2019, një pjesë të të cilit Selami Pulaha e kishte botuar edhe te “Lufta shqiptaro-turke”, në vitet -70-të.

Eduart Caka: Ky është edhe versioni i një defteri osman të shek. XV. Sikurse e shohim, jo vetëm gjuha është e vështirë por pjesa më e madhe e këtyre shkrimeve janë edhe të degraduara, janë të dëmtuara, po të kemi parasysh edhe kohën.

Ne këto i kemi skanuar këtu, por këto vihen me mikrofilma dhe kishte një vështirësi më vete pjesa e evidentimit. Më saktësisht ne këto i kemi marrë nga arkivat e Stambollit, nuk është as origjinali që ata e kanë përdorur në arkivin e institutit tonë në mikrofilma, por po të kemi parasysh pjesën e mikrofilmimit të viteve 50-60, është shumë më e vështirë për t’u punuar.

Po ashtu me vlerë të veçantë janë edhe përkthimet që Buharaja ka u bërë kronikave osmane të shekullit të 15-të.

Eduart Caka: Është edhe kategoria e dytë e përkthimeve me të cilat merret Buharaja. Është sërish e periudhës klasike osmane, është e shek. XV, përkatësisht për kronikat osmane. Pra ndryshe nga regjistrat kadastrorë, të cilët kishin informacion të specifikuar dhe të saktë që mblidhej në terren, kronikat osmane janë më shumë divulgative, janë subjektive, janë të shkruara nga sekretarë, shkrimtarë që i mbante pas vetes sulltani gjatë fushatave të tij ushtarake dhe sërish Buharaja nuk ka bërë përkthim të plotë të këtyre, ka bërë përkthime vetëm të atyre pjesëve që lidhen me Shqipërinë. Këtu e kam fjalën për Ashit pasha Zaden, Idriz Bitlisin, emra të tillë, të cilët Buharaja i ka përkthyer dhe janë botuar, së bashku me Selami Pulahën, në vëllimin e botuar në vitet 70, “Luftërat osmano-turke”.

Është një vëllim i cili është ende burim i dorës së parë për të gjithë ata që merren me historinë e Shqipërisë gjatë periudhës klasike ose osmane.

Sa I takon kësaj fushe të punës së tij si përkthyes I kronikave osmane, caka veçon njohuritë e thella të Buharasë në gjuhët orientale, gjë që reflekton shpesh në punën e tij.

Eduart Caka: Ky është pothuajse ndër burimet kryesore që ne i referohemi kur flasim për shek. XV. Lidhet me betejat shqiptaro-turke. Është përgatitur për botim nga Selami Pulaha, por sikurse e thotë edhe vetë Pulaha në hyrje të librit, është këshilluar dhe ka marrë ndihmë veçanërisht nga Vexhi Buharaja, për arsye sepse këtu janë paraqitur kronistët më të rëndësishëm osmanë që flasin për këtë periudhë dhe ajo që është edhe më e rëndësishme, është që të gjitha këto tekste nuk është se janë vetëm osmanisht, por janë edhe persisht siç është “Hasht Bihisht”, fakt që na tregon se përkthimi i tyre nuk mjaftonte vetëm njohja e osmanishtes, por duheshin edhe gjuhë të tjera siç ishte persishtja, kur ne e dimë mjaft mirë aftësinë dhe mjeshtërinë e Vexhi Buharasë që kishte në përkthimin e veprave perse, po të kemi parasysh pjesën e përkthimeve  letrare, që ka bërë nga persishtja.

Gama e gjerë e veprave të përkthyera me mejshtëri nga vexhi buharaja endet mes fushës së historisë dhe letërsisë.  E në këtë varg të gjatë duhen veçuar disa të tilla si: aktet dhe memorandumet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, manifestin (“Të zgjohemi”) 1899, hartuar nga Dervish Hima, letërkëmbimin e tij me dr.Ibrahim Temon, i përbërë prej 64 letrash, që përfshihet në vëllimin e tretë (1900-1908) “Rilindja Kombëtare Shqiptare”. Vexhi Buharaja, përveç dokumenteve historike, ka përkthyer nga gjuha turke e perse edhe vepra të tjera shkencore dhe letrare, si  veprat shkencore të Hoxha Hasan Tahsinit, rektori i parë i Universitetit të Stambollit, dramën “Besa” të Sami Frashërit, “Shahnamenë” e poetit të madh të Persisë, Firdeusit, përmbledhjen poetike “Ëndërrimet” dhe “Katër stinët” të poetit Naim Frashëri.  

Ka përkthyer nga persishtja veprën “Gjylistani dhe Bostani” të poetit të madh pers Shirazit. Pas botimit të kësaj vepre, Eqrem Çabej duke vlerësuar jo vetëm tekstin e shqipëruar, por edhe studimin hyrës dhe fjalorin përkatës enciklopedik të përbërë prej 110 zërash që shoqërojnë veprën shkruan ndër të tjera: “Mjaftonte vetëm studimi hyrës, shënimet sqaruese dhe fjalori enciklopedik që Vexhi Buharaja të meritonte një gradë shkencore.”

Por në të kundërt të këtij rrugëtimi shkëlqimtar të Buharasë, në majin e vitit 1975 ky intelektual atdhetar, dijetar, njohës i dhjetë gjuhëve të huaja, ky poet, shkrimtar, përkthyes dhe historian u pushua nga puna dhe u dëbua nga Instituti i Historisë në Tiranë, si njeri i “padëshirueshëm”.

Vitet e fundit të jetës ai do ti kalonte në vendlindje, në Berat, mes përpjekjeve për të mbijetuar dhe me 5 korrik 1987, ndërsa mbante peshën e rëndë të persekutimit mbi supe, ndahet nga jeta në moshën 67- vjeçare.

Vexhi Buharaja e mori goditjen më të rëndë të jetës,  nga regjimi kmunist, jo në rininë e tij, kur regjimi e arrestoi dhe e burgosu, as gjatë viteve të arta e frytdhënëse të punës së tij të plaodhur në fushën e historisë dhe përkthimeve letrare, por në momentin kur ja prenë me dhunë hovin e tij në punët e vyera si shkencëtar, në vitet e arta ku ai ndoshta do të mund të realizonte  veprat më të mëdha të jetës së tij e të çonte në fund kauzat e tij më të rëndësishme.