Skulptura "Gëzimi dhe Liqeni i ngrirë" në Vesteros të Suedisë

Skulptura "Gëzimi dhe Liqeni i ngrirë" në Vesteros të Suedisë
Në qytetin suedez Västerås (lexo: Vesteros) që radhitet ndër pesë qytetet më të mëdha të Suedisë u përurua skulptura "Gëzimi", për të kujtuar fëmijët refugjatë që u detyruan të ikin nga Kosova. Edhe Gëzim Dervishi nga Dodona e Drenasit kishte pasur një fat të tillë.

Dhe pikërisht atëherë kur filloi të integrohet u dëbua nga Suedia. Ishte dora e artë e skulptorit Knutte Wester që e ktheu prap në Suedi, por jo fizikisht por të skalitur në bronz! Historia e Gëzimit është e dhimbshme dhe e dashur, sikurse e mijëra e mijëra fëmijëve kosovarë që kishin përjetuar tmerret e luftës.
Ndodhi kështu që ditë më parë në Televizionin e Suedisë u transmetua premiera e filmit dokumentar "Kthimi i Gëzimit", që në fokus ka Gëzim Dervishin, i cili si fëmijë provoi kampe të ndryshme refugjatësh, së pari në Bllacë e pastaj edhe në Evropë.

Pa kaluar shumë kohë artisti Knutte Wester kishte fituar të drejtën që skulpturën e Gëzimit ta vendoste në një nga rrugët qendrore të Västerås-it. Përurimi u bë më 27 mars në një ditë të bukur me diell dhe me atë rast merrnin pjesë qytetarë suedez e shqiptarë dhe politikanë të ndryshëm të qytetit.

Përurimin e bëri Margareta Israelsson, kryetare e bordit për Kulturë, Rini dhe Sport. Ajo tha se ndjehet krenare që qyteti i saj mban skulpturën e Knutte Wester duke theksuar se Gëzimi si një fëmijë refugjat simbolizon emigrimin në Västerås, si qytet i pestë për kah madhësia në Suedi, me 138 000 banorë prej të cilëve 25 000 janë me prejardhje të huaj. Pavarësisht kësaj edhe suedezët etnik të këtij qyteti mund të quhen si emigrues për shkak se një numër i madh prej tyre janë shpërngulur nga mjedise tjera për një ardhmëri më të mirë. Po ashtu edhe fati i Gëzimit simbolizon probleme me të cilat ballafaqohen fëmijët anë e mbanë botës. Mungesa e shkollimit, shfrytëzimi i tyre në trafikimin e qenieve njerëzore e shumë e shumë probleme tjera. Por ai që duhet të flet sot këtu është pikërisht skulptori Knutte Wester i cili me punën e tij ka bërë të mundur që kjo skulpturë të jetë këtu, tha veç tjerash Margareta Israelsson (S) kryetare e bordit të qytetit për kulturë, rini dhe sport.

Ndërkaq skulptori Knutte Wester që derdhi në bronz mikun e tij Gëzim Dervishi tregoi se Gëzimi e vizitonte pothuajse për çdo ditë në atelenë që e kishte zhvendosur asaj kohe në Boliden. Në ditën kur Gëzimi me familjen ishte transferuar këtu kisha filluar të xhiroj arritjen e refugjatëve dhe prej atëherë Gëzimi vinte e më vizitonte në atelenë time ku hante ndonjë gjë por edhe argëtohej. Gëzimi ishte një djalë me energji pozitive dhe mjaft kurreshtar. Por pas një viti prindërit e tij kishin marrë njoftimin trishtues: do të dëboheshin prap në Kosovë. Prej asaj dite Gëzimi s´ishte më ai çuni plot energji. Enti për Migracion ia kishte ndryshuar jetën e Gëzimit.

Ndaj edhe skulptura që vendosëm këtu kapi këtë moment kur Gëzimit iu këputën shpresat. I ulur në bankë filloi të qante dhe me lot në sy dhe thoshte: Knutte, Knutte, Knutte pse veç ne duhet të shpërngulemii?!...tregon me lot në sy skulptori Wester.

Aurora Pirraku Erikoson (S) politikane socialdemokrate, theksoi se statuja ka rëndësi shumë të madhe. Ndërkaq Västerås-i duke i dhënë hapësirë kësaj skulpture ka bërë diçka shumë të madhe për refugjatët e fshehur. Këtyre fëmijëve ju nevojitet ndihma nga Västeråsi dhe Suedia. Shumë qytetarë nga Kosova sot bisedonin me njërin tjetrin duke u shprehur, "Oh, Västeråsi na paska parë , na paska vëzhguar se si kemi vuajtur nga lufta e Kosovës.
Qyteti i Västeråsit është i pari që ngriti një statujë për fëmijën shqiptar si simbol i vujajteve të një refugjati dhe kjo është gjest shumë human.

Kurse Murat Koci nga kryesia e Lidhjes së Shoqatave Shqiptare në Suedi, thotë veç tjerash se në punën e tij si mësues i gjuhës amtare ende ka nxënës refugjatë që janë të drojtur dhe se fytyra si të Gëzimit i vëren pothuajse përditë tek fytyrat e dy apo tre nxënësve të tij, prindërit e të cilëve janë dëbuar në Kosovë.

Knutte Wester shprehet i kënaqur që skulptura e Gzimit zë vend në këtë qytet kurse një tjetër e ngjashme "Gëzimi dhe liqeni i ngrirë" pritet të përurohet më vonë në Täby (lexo:Teby) një nga komunat e Stokholmit.

Wester e kujton Gëzimin dhe e ka kuptuar që ai jeton në varfëri. “Është më e arsyeshme të mendojmë se si ti ndërtojmë një jetë të re në Kosovë, sepse po erdhi këtu mund ti përsëritet historia " thotë skulptori Wester.

Ngjarja e bukur kulturore kishte tërhequr vëmendjen e qytetarëve në Västerås, por edhe ndër radhët e komunitetit shqiptarë qe jeton në këtë pjesë të Suedisë.

/rg/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Iu sekuestruan 50 mln euro pasuri, Kristjan Boçi reagon sërish: Një shqiptar i vërtetë nuk abuzon me Kombin e vet

Iu sekuestruan 50 mln euro pasuri, Kristjan Boçi reagon sërish: Një shqiptar i vërtetë nuk abuzon me Kombin e vet