Skënder Minxhozi: Më në fund po hyjmë në territor semaforësh

Skënder Minxhozi: Më në fund po hyjmë në territor semaforësh

Foto ilustruese

Kemi ecur shumë gjatë në një rrugë pa vija të bardha, pa tabela dhe semaforë. Në një rrugë e cila në shumë raste na është dukur si një shteg, si një monopat i ngushtë që s’të çon askund. Më në fund kjo hallakatje nëpër kallamishte, siç thotë një shprehje e vjetër, duket se do të përfundojë kur Shqipëria të hapë të martën negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Kjo nuk është më një nga ato stacionet e ndërmjetme, ku pranohen edhe mielli, edhe krundet. Është një derë e përzgjedhur nëpër të cilën do të kalojmë duke lënë jashtë trastat e hejbet e demokracisë tonë të dobët, formale dhe të korruptuar. Së bashku me arrogancën e vetësigurinë boshe të krerëve tanë që shahen mes tyre si gjelat majë plehut apo më keq, që tallen me të tjerët ndërkohë që janë vetë objekt humori.

Aprovimi nga Maqedonia e Veriut i kompromisit francez, shënon jo vetëm hapin protokollar të çeljes së bisedimeve për hyrjen e plotë të Shqipërisë e Maqedonisë në Bashkimin Evropian, por shumë tepër se kaq, i shtyn ‘ me hir a me pahir’ këto vende në rreshtat e parë të sallës, aty ku nuk mund të hyhet më pa biletë, apo ku mund të bëhet zhurmë e potere. Këtej e tutje ka vetëm ‘bixhoz me lekë’, jo më shfaqje sa për sy e faqe, as reforma në letër sa për të fituar një palë zgjedhje apo sa për të tërhequr ca fonde nga Brukseli.

Pas tridhjetë vjetësh pluskimi në një tranzicion që për shumëkënd ka qenë një kohë e humbur apo më keq një psiko-dramë kolektive, Shqipëria më në fund po shkel në një territor tabelash, standartesh, rregulloresh dhe semaforësh. Si çdo kurë e hidhur dhe që shkakton dhimbje e mundim për trupin e lodhur e të sëmurë, kjo përballje me evropianët në tavolinën e sertë të rregullave, ka për të qenë një fillim i vështirë, në dukje edhe i pamundur.

Jemi mësuar të jetojmë në një status vegjetativ gjysëm-legaliteti, në një kënetë ku ligjet e rregullat aplikoheshin vetëm përgjysëm, në një mjedis ku shkelja e abuzimi konsiderohen aftësi e atribute të patjetërsueshme të disave.

E pra, me hapjen e negociatave, e dimë qysh në krye të herës se askush nuk do të ngrihet dot nga tavolina nëse llogaria nuk do të kuadrojë deri në centimin e fundit. Do mbahet shënim çdo defekt, e nuk do të ecet para nëse nuk është korigjuar, do regjistrohet çdo detyrë,  çdo standart, çdo reformë, e nuk do të quhet e përfunduar nëse evropianët do të kenë firmën në fund të faqes.

Këtej e tutje historia jonë e integrimit në Evropë pushon së qeni një fabul romantike, për t’u kthyer në një kontratë ‘martesore’ siç e quan Edi Rama, me kushte e parakushte për ndarjen e pronave, parave e pasardhësve. Po hyjmë në laboratorin ku trukimi i analizave të gjakut është thjesht i pamundur. Nëse ke marrë doping nuk hyn në  garë!

Nuk është e sigurt se sot elita politike e Tiranës apo biznesi i madh e kategori të tjera të privilegjuara të këtij vendi, ndjehen mirë teksa dëgjojnë se të martën do të nisë përballja me evropianët. Askush s’e pëlqen skanerin apo grafinë, kur e di se ka diçka të keqe në trup.

Por vetë Shqipëria duhet të jetë shumë e gëzuar që sot erdhi dita që dikush nga shumë larg, pa interesa zgjedhjesh apo tenderash e lejesh ndërtimi, të na tërheqë veshin apo të na japë dhe shuplakën kur e meritojmë. Politikanët dhe miliarderët le të mësohen me realitetin e ri ku po hyjmë. Nuk është më një realitet përrallash, deklaratash e rezolutash. Është një territor semaforësh dhe tabelash nga ato me një drejtim, ku nuk mund të hysh më kundravajtje si deri më sot nëpër rrugicat e Tiranës pas mesnatës.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

'Me Inteligjencë Artificiale transferojmë në kohë të shkurtër legjislacionin e BE-së', Rama: Kroacisë iu deshën 7 vjet, angazhuan përkthyes të shumtë

'Me Inteligjencë Artificiale transferojmë në kohë të shkurtër legjislacionin e BE-së', Rama: Kroacisë iu deshën 7 vjet, angazhuan përkthyes të shumtë