Sipas gazetarit investigativ kroat Domagoj Margetiq, të huaj të pasur do të kishin paguar për të qëlluar civilë nga pozicione të forcave serbo-boshnjake gjatë rrethimit të viteve 1992–1996.

Margetiq pretendon se Vuçiç, atëherë i ri dhe i lidhur me një formacion paramilitar të Partisë Radikale Serbe, ka qenë i pranishëm në një pozicion ushtarak mbi Sarajevë, në zonën e varrezës hebraike – një pikë e njohur snajperësh. Ai ka dorëzuar te prokurorët italianë materiale video e fotografike që, sipas tij, e lidhin Vuçiçin me këto ngjarje.

Një video e viteve ’90 që qarkullon online duket se e tregon atë duke udhëtuar me një automjet të dekoruar me një kafkë njerëzore, ndërsa një tjetër pamje interpretohet si moment kur ai mban një pushkë. Vuçiç i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke thënë se objekti në video ishte një çadër dhe se ai punonte si gazetar në atë periudhë. Zëdhënësja e tij i ka cilësuar pretendimet “dezinformim politik”.

Hetimet janë hapur nga prokuroria në Milano, pas dëshmive se italianë, rusë dhe amerikanë mund të kenë marrë pjesë në të tilla “safari njerëzore”. Edhe ish-diplomatë dhe ekspertë të Ballkanit thonë se praktikat e tilla mund të kenë ekzistuar, por kërkojnë hetime të plota, duke paralajmëruar se pretendime kaq të rënda kërkojnë prova të pakundërshtueshme.

Ndërkohë, dokumentari “Sarajevo Safari”, publikuar në vitin 2022, ka sjellë në vëmendje histori të ngjashme për “turizëm lufte”. Ekspertë ndërkombëtarë thonë se faktet duhet të verifikohen me kujdes, por nëse akuzat rezultojnë të vërteta, ato hapin rrugën për ndjekje penale në disa vende.

// Telegraph