SOFJE, 25 nëntor /ATSH-BTA/ - Ajri në Bullgari është më i ndoturi me grimca pluhuri më të vogla se 10 mikron mes shteteve anëtare të Agjencisë Evropiane për Mjedisin Jetësor (EEA), citohet në raportin e fundit vjetor të kësaj organizate. Sipas agjencisë zyrtare bullgare të lajmeve, BTA, menjëherë pas Bullgarisë vijnë Polonia dhe Sllovakia. Përqindja e popullatës në Bullgari e ekspozuar në këto grimca pluhuri arrin pothuajse 90 për qind, ndërkohë që mesatarja evropiane është 38 për qind. Arsyet për nivelin e rritur të këtyre grimcave në Bullgari, janë aktivitetet e komunikacionit dhe aktivitetet industriale si dhe rrugët e ndotura. Qytetet më të ndotura në Bullgari janë Perniku, Dhimitrovgradi, Vidini dhe Plovdivi. Anëtaret e Agjencisë Evropiane për Mjedisin Jetësor (EEA) janë shtetet e BE-së si edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia si edhe Islanda, Lihtenshtejni, Norvegjia, Turqia dhe Zvicra./ a.jor.










