Protesta për abuzimin ndaj 11-vjeçares! Tirana 'një' me Prishtinën, dhjetëra qytetarë dhe vogëlushe ‘ngrihen në këmbë’: Dua të dal në park pa frikë

TIRANË- Tirana dhe Prishtina u bënë 'një', për të përcjellë revoltën e britmës së një vogëlusheje që nuk u dëgjua për 7 orë rresht teksa përjetonte traumën më të madhe të jetës së saj, jo nga një, por nga 5 abuzues. E mitura 11-vjeçare mblodhi në sheshin ‘Nënë Tereza’ ashtu siç ishte paralajmëruar, aktivistë, mjekë, njerëz të ekranit, këngëtarë, gazetarë por edhe bashkëmoshatarë të saj, të cilat ende pa kapërcyer disa stade të jetës, ndjejnë frikë.

Me pankartat ‘Unë bërtita Joooooo’, ashtu siç e mitura u shpreh në dëshminë e saj në Prishtinë dhjetëra qytetarë të solidarizuar po luftojnë në shesh, të gjithë bashkë për edukimin e një shoqërie patriarkale si dhe për forcim të ligjeve ndaj abuzuesve.

Këtë tezë mbështeti edhe gazetarja e njohur/ aktivistja, Zhaklin Lekatari e cila ndër të tjera theksoi se ‘Nuk përdhunon veshja, por mendja’, si kundërpërgjigje e të gjithë atyre të cilët jo vetëm që nuk e mbrojtën dhe përkrahën qoftë edhe virtualisht të miturën por guxuan edhe ta ‘kryqëzonin’

 ‘Më vjen shumë shumë keq që në këto 6 vite jam përdhunuar virtualisht dhe jam etiketuar si vajzë jo e mirë sepse promovoj edukatën seksuale. Dhe është paradoksale, sesi vëmendja kthehet te unë tashmë pasi një abuzim seksual prej 7 orësh të një vajze të mitur.’- tha Zhaklin Lekatari, gazetare dhe aktiviste e mbrojtjes së vajzave dhe grave në Shqipëri.

Protesta në vetvete nuk është ndaj abuzuesve të cilët, sot ndodhen pas hekurave por  mentalitetit i cili duhet të edukohet! Protesta për të miturën 'kumbuan' në Prishtinë e Shkup që prej ditës së djeshme. Mijëra qytetarë 'pushtuan' rrugët e vendeve për ngjarjen makabër.  Por edhe pse në një protestë, nevoja e unifikimit të pjesëmarrësve duhet të jetë e madhe, këngëtarja Filloreta Raçi e njohur ndryshe si Fifi, është konfliktuar gjatë tubimit për kreditet e organizimit. Edhe pse në tilla kauza të rëndësishme nuk ka rëndësi organizatori, por vetë kauza, mesa duket për këngëtaren, protagonizmi është i rëndësishëm. Ajo u përfshi në një debat me aktivistet në Tiranë i cili degradoi edhe me tone të larta.

Ndërsa në Kosovë, në vendin ku ndodhi masakra, protestat nisën pasditen e së martës nga shoqëria civile, e cila kërkoi nga shteti të rrisë sigurinë për vajzat e gratë dhe se drejtësia nuk duhet të tolerojë përdhunuesit. Tubimi ishte një thirrje ndaj shtetit të Kosovës, për të ofruar mbrojtje dhe siguri për vajzat dhe gratë. 

Si ndodhi ngjarja e rëndë: 

Ngjarja raportohet  të ketë ndodhur më 27 gusht nga ora 17:30 deri në orën 00:30. Dhunimi i vajzës së mitur ka nisur në parkun në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, për të vazhduar në një vend tjetër të panjohur.  Sipas dyshimeve të para, fillimisht tre të miturit, Gent Rexhepi, Xhabir Salihu, Gentrit Jashari, keqtrajtuan seksualisht vajzën e mitur, ndërsa më pas ka shkuar edhe 26-vjeçari Ekrem Rexhepi të cilit iu bashkua Shkëlqim Kameri, të cilin e ka thirrur vëllai i tij Gent Rexhepi. Në një zonë, 26-vjeçari ndaloi makinën në një tjetër vend dhe kreu marrëdhënie seksuale me të miturën. Në dëshminë që ka dhënë vetë ajo në polici, ka treguar se ishte në park kur iu afruan 3 persona duke e ngacmuar me fjalë. Ndonëse pretendon se nuk i ka kthyer përgjigje dhe ka vijuar rrugën e saj, njëri i është afruar dhe e ka prekur.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:28
Protesta në Tiranë, Alfred Muharremi nuk mbajti dot lotët: Nga akti makabër vuajnë nënat! Unë e humba timen pasi më lindi

 

Ish kandidati për deputet i PS Alfred Muharremi ishte mes protestuesve në Tiranë, ku u përlot teksa fliste për ngjarjen e rëndë në Prishtinë, ku u dhunua seksualisht një 11-vjeçare. Muharremi, i cili familjen e vetme e kishte në fshatin SOS derisa krijoi familjen e tij rrëfeu me lot në sy se nga kjo ngjarje vuajnë nënat. Ai kujtoi se nëna e tij ndërroi jetë pasi e lindi, ndaj nuk është histori që nuk mund ta kapërdijë lehtë.

“Janë 5 nëna që sot vuajnë nga ky akt makabër. Kemi shumë nëna që kërkojnë fëmijë që nuk arrijnë të bëjnë fëmijë. Janë shumë nëna që sakrifikojnë duke rritur fëmijë. Janë 5 nëna dhe kemi shumë fëmijë që rrijnë pa prindër. Kemi shumë prindër që kanë humbur jetën. Duhet të kuptoni rëndësinë o maskarenj. Nuk doni nënat tuaja. O ndyrësira. Unë nuk e kam pasur shancin ta kem parë nënën time. E kam humbur nënën time  pasi më lindi mua. Nuk e di”, tha Muharremi.

Ora 20:35
Nuk i pëlqeu që meritat i mori Zhaklin Lekatari, Fifit nuk i ka kaluar inati me aktivisten! Përplasja nisi nga statusi për të dashurin

1661971075_fzh.JPG

“Më fal se nuk jam ruajtur për ty”. Ky dedikim i këngëtares Fifi për partnerin e saj Adis Patushi solli reagime të mëdha që u ndje edhe në protestën që u mbaj sot në Tiranë për abuzimin e 11-vjecares në Pristhinë.

Në kohën kur Fifi e bëri postimin në rrjete sociale, pati reagim edhe nga aktivistja Zhaklin Lekatari, e cila ishte sot pranë saj. Me një gjuhë të ashpër, Zhaklin i thoshte se ndjente neveri nga deklarata e Fifit, e cila e fshiu menjëherë dhe u mundua të justifikonte më pas veten.

“Mirmëngjes Fifi unë kam Zhaklin Lekatari, jam gazetare dhe sot u zgjova e neveritur nga deklaratat e tua. Mua nuk më intereson shumë se çfarë bën ti në jetën tënde me sa njerëz ke bërë seks, ajo që mua më intereson është që audiencën dhe hapësirën tënde ta përdorësh për mirë, jo ta përdorësh duke i mësuar vajzave të vogla që ato duhet ta ruajnë veten për një person. Nëse ti do ta ruash veten për një person sepse mendon që vlerën ty ta jep ai person, bën mirë ta mbash për vete dhe jo të promovosh budallallëqe të tilla. U zgjova dje në mëngjes me Harry Styles që ndihmonte një ndjekësin e tij që të bënte ‘coming out’, sot zgjohem me Fifin e cila na tregon që duhet ta ruajmë veten për një burrë”. – u shpreh Zhaklin.

Por pas disa replikave, këngëtarja ka hyrë ‘live’ në Insta dhe ka sqaruar gjithçka me lot në sy. Madje, nuk ka nguruar t’i japë edhe një tjetër përgjigje Zhaklinit.

“Futem dhe shoh se ia kam shpifur një femre pse kam thënë ‘Më fal se nuk jam ruajtur për ty’. Jam e fortë si femër por edhe femra ka nevojë për një mashkull. Mashkulli është natyrë e fortë. Jam njeriu më i lumtur dhe i bekuar në botë që e kam në krahë dhe nuk më lë të bie kurrë. Nuk iu thash vajzave të ruhen për personin që ëndërrojnë, por thash për veten pse kam dhënë deklarata më shumë seç duhet e kam bërë gabime dhe nuk jam ruajtur mediatikisht. Të jetë ai njeriu i parë për të cilin shkruajnë mediat.

Edhe jam edhe nuk jam e lumtur që jam kështu si jam, i tregoj gjërat e drejtpërdrejta, por kur më fyejnë të puna dhe njeriu i dashur nuk e di se çfarë jam në gjendje të bëj. Por, prapë nuk po e shaj dhe nuk po i them asgjë të keqe. Ndoshta Zhaklina nuk e ka përjetuar dashurinë kurrë dhe nuk na kupton kur flasin për dashurinë”, ka thënë ndër të tjera Fifi, e cila ishte e tronditur nga komentet.

Duket se inatet mes tyre vazhdojnë pas ditën e sotme, kur një aktiviste po falënderonte Zhaklin Lekatarin dhe Xheni Karajn për organizimin e protestës, Fifi reagoi menjëherë duke thënë se ishte ajo që i mblodhi qytetarët për të ngritur zërin për të miturën e dhunuar.

Ora 19:52
Protesta në Tiranë, vajzat për Report Tv: Kemi të drejtë të veshim çfarë të duam! Të edukohen djemtë

 

Edhe disa vajza të vogla ishin mes protestuesve që u mblodhën në Tiranë për 11-vjeçaren që u abuzua seksualisht nga 5 djem në Prishtinë. Të pyetura nga Report Tv se për çfarë protestojnë, ato të treja thanë:

“Ne kemi të drejtë të veshim çfarë të duam dhe të edukohen djemtë që të mos bëjnë asgjë.

Jam 9 vjeçe. Unë po protestoj se nuk ndihem e sigurt në këtë vend dhe kam shpresën që gjërat do të rregullohen.

Unë po protestoj për të drejtat e të gjithë vajzave”.

Ora 19:47
Përdhunimi i vogëlushes në Prishtinë, mjeku psikiatër: Djemtë janë të rritur keq

 

Teksa në sheshin “Nënë Tereza” po mbahet një protestë në shenjë solidarizimi për ngjarjen tragjike në Prishtinë mjeku psikiatër Neli Demi nga protesta tha se në Shqipëri djemtë janë të rritur keq.

“Jam Neli Demi, jam bashkëshort, djalë, babai i dy djemve dhe e një vajze, jam mjek psikiatër. Është një çështje dashurie ndaj njerëzimit, kafshëve, planetit. Ata njerëz që sulmojnë gratë, përdhunojnë gratë, po ti shohim më thellë, do gjejmë këto mungesa. Në këtë specifikë, e kam shprehur dhe në media, le të fokusohemi këtu. Djemtë rriten keq fatkeqësisht me atë epopenë e një princi që do të bëhet mbret në të ardhmen, që ka të drejtë që bëjë ça të dojë. Këto janë farat e asaj gjëje që duhet të sjellë ndryshimin, protestat. Ky ndryshim në këtë realitet social, shpesh herë të bën pesimist. Kur dëgjojmë raste të tilla, ndihem keq.”, tha ai.

Ora 19:34
Debati gjatë protestës në Tiranë/ Fifi acarohet: E kam organizuar unë! Aktivistja: Nuk po ndaj pronat

 

Ishin mbledhur të gjithë për një kauzë, por nuk kanë munguar debatet. Në protestën për 11-vjeçaren që u abuzua seksualisht në Prishtinë, pati dhe një përplasje me një aktiviste të shoqërisë civile dhe Fifit.

Ajo po falënderonte publikisht për organizimin e tubimit Zhaklina Lakatarin dhe Xhenin Karain, por këngëtarja e famshme Fifi ka ndërhyrë. Mes tonit të ashpër Fifi i pohoi aktivistes se kishte qenë ajo që e kishte organizuar këtë protestë.

Debati

Fifi: Jo jo, unë nuk kam ardhur. Unë e kam organizuar këtë gjë sot këtu.

Aktivistja: S’po ndaj pronat.

Fifi: S’kam parë një njeri që të organizojë dhe bëjë diçka për përdhunimin e një 11-vjeçare, përveç se në Instagram apo Fb (Bërtet)

Zhaklina: Kemi 10 vite që bëjmë iniciativa të tilla.

Fifi: Në Kosovë kanë bërë një ndryshim. Midis Prishtine ku jam rritur unë, nuk guxon me dal motra ime, vëllau jem, mbesa ime.

Ora 19:26
FOTOLAJM/ U bënë 'show publik' për Donaldin, protesta në kryeqytet për të miturën e Prishtinës ‘bën bashkë’ Borën dhe Beatrix

1661966693_borabea.jpg

Bora Zemani dhe Beatrix Ramosaj janë ‘bërë bashkë’ ditën e sotme për një kauzë të rëndësishme ditën e sotme

Pas Prishtinës, është mbajtur sot edhe në Tiranë protesta kundër dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave, nisur nga rasti i rëndë i 11-vjeçares në Prishtinë. Protesta nisi në orën 18:30 në sheshin “Nënë Tereza’’.

Dhe asaj i janë bashkuar edhe Bora me Beatrix.

Ora 19:23
VIDEOLAJM/ Vogëlushja në protestën në Tiranë: Dua të dal në park pa frikë

“Dua të dal në park pa frikë”, tha një vogëlushe në protestën që u zhvillua në Tiranë për abuzimin seksual ndaj 11-vjecares nga 5 persona në Prishtinë.

Ora 19:14
Protestuesit marshojnë drejt kryeministrisë, brohorasin njëherësh: Unë bërtita joooo

 

Pasi dhanë mesazhet e tyre për 11-vjecaren e dhunuar seksualisht nga 5 persona në Prishtinë, protestuesit në Tiranë kanë marshuar drejt kryeministrisë ndërsa mbanin në dorë një pankartë të madhe ku shkruhej “Unë bërtita. Joooo”. Duke brohoritur me këtë frazë kanë vijuar edhe marshimin e tyre të qetë.

Ora 19:09
'Unë jam fëmijë! Pizhamet e mia nuk janë seksi', çfarë shkruhet në pankartat e protestuesve për 11-vjeçaren që u abuzua në Prishtinë

1661965870_pankarta.jpg

“Stop heshtjes. Nuk janë të sëmurë, janë përdhunues. Unë jam fëmijë! Pizhamet e mia nuk janë seksi”, janë disa nga pankartat që mbanin protestuesit në Tiranë si mesazh për ngjarjen e rëndë në Pirshtinë, ku u abusua seksualisht me 11-vjecaren nga 5 persona.

Mes protestuesve është edhe Beatrix Ramosaj, e cila mban një pankartë bazuar në frazën që u bë meme gjatë qëndrimit të saj në Big Brother.

“Si thuhet n’shqip Jo domethënë Jo”, shkruhet në pankartë ndërsa pjesa më e madhe e protestuesve mbajnë të veshur bluze me shkrimin “Unë bërtita Joooo”.

Ora 19:04
Protesta për abuzimin seksual ndaj 11-vjeçares në Prishtinë, gazetari Peçi: Duartrokitje në kor për të miturën! Nuk është vetëm

 

Mes emrave të pranishëm në protestën për 11-vjeçaren që u abuzua nga 5 persona në Prishtinë ishte dhe gazetari Ermal Peçi, i cili kërkoi duartrokitje për të treguar mbështetje për të miturën.

“Ky vend është kaq i bukur falë ush dhe mendoj që të gjithë të bëhemi burra, t’i përulemi grave e vajzave. Për horrat që janë në burg e mos dalshin kurrë dhe që fatkeqësisht do të dalin, një duartrokitje në kor për atë vajzë që është dashuria jonë e përbashkët, është një shenjë që nuk është vetëm. Ti je me ne. Ne të duam shumë”, tha Ermal Peçi.

Ora 18:53
Abuzimi seksual i 11-vjeçares në Prishtinë, kush janë VIP-at e pranishëm në protestën në Tiranë

 

Pas ngjarjes së rëndë në Prishtinë, ku u abuzua seksualisht një 11-vjeçare, janë ngritur qytetarët në protestë në Prishtinë dhe Tiranë. Pasditen e sotme, në protestën e thirrur nga Fifi kanë marrë pjesë disa emra publik, mes tyre Beatrix Ramosaj, e cila shfaqet shpesh herë e mërzitur, Monika Lubonja, Zhaklin Lekatari dhe Anxhela Peristeri.

G.MO/LR/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja