69.6% e të rinjve shqiptarë e shohin të ardhmen e tyre në Shqipëri. Ky është një nga gjetjet më domethënëse të një sondazhi të zhvilluar gjatë 2025-ës nga Open Society Foundations. Në sondazh morën pjesë 6 mijë të rinj të Gjeneratës Z (16–28 vjeç) nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, dhe tregon se 79.7% e të rinjve besojnë në demokraci dhe vlerësojnë rolin e zgjedhjeve.

Ndërsa 76.2% e Gjeneratës Z e shohin integrimin evropian si rrugën kryesore për të ardhmen. Gjenerata Z rezulton gjithashtu e informuar për zhvillimet politike por kur pyetet për përfshirjen në politikë, nuk e shohin si opsion.

Në kundërshtim me perceptimet e përhapura në Evropë, 64.8% e të rinjve të Gen Z e shohin të ardhmen e tyre në vendet e tyre, duke treguar interes të kufizuar për emigrim drejt BE-së.

Një nga pikat e sondazhit është edhe listimi i shqetësimeve. Vërehet se shqiptarët shqetësimin parësor kanë punësimin me 43%, niveli më i lartë në rajon. Ndërsa si shqetësim të dytë listojnë situatën ekonomike, kjo problematikë ngrihet vetëm nga të rinjt shqiptar dhe nga asnjë tjetër në rajon. I vetmi shqetësim i përbashkët i kësaj gjenerate është arsimi, që është përmendur nga të gjithë. Në Shqipëri, ky shqetësim prek 36% të të rinjve sipas sondazhit.

Çfarë do të bënit nëse qeveria ose udhëheqësi i vendit tuaj do të marrë më shumë pushtet në mënyrë të paligjshme nesër? 40% e të rinjve të Ballkanit (47.8% shqiptarët) kësaj pyetje i përgjigjen se do të protestonin.

Ndërsa pyetjes për parashikimet se kur vendi i tyre mund të jetë pjesë e BE-së, gjenerata e Malit të Zi dhe Shqipërisë janë më optimistët, se vendet do të jenë në BE deri në 2035-ën. Konkretisht 36.0% e shqiptarëve thonë brenda 2030-ës, më pas 32.6% thonë deri në 2035-ën. Thuajse në të njëjtat shifra luhatet edhe Maqedonia e Veriut.

Sondazhi ndalet edhe te qëndrimi i të rinjve ndaj zhvillimeve teknologjike. Sipas tij, 49.6% e të anketuarve mendojnë se inteligjenca artificiale ka ndikim pozitiv në mënyrën se si punojmë dhe studiojmë, ndërsa 24.4% e shohin ndikimin e saj si negativ.

“Gjenerata Z në Ballkanin Perëndimor duket të jetë një gjeneratë e kënaqur, por strategjikisht e distancuar nga politika formale. Megjithatë, ata vazhdojnë të votojnë dhe të mbeten të informuar. Kjo ngre një pyetje thelbësore: a po e përmbajnë ata miratimin e tyre? Sot nga qeveritë e tyre, nesër nga Evropa?” – u shpreh Andi Dobrushi, Drejtor, Fondacionet për Shoqëri të Hapur në Balkanin Perëndimor.

Gen Z Kitchen Festival i mbajtur në Bruksel thekson nevojën për të dëgjuar perspektivat e të rinjve në një moment kur Evropa përballet me sfida të legjitimitetit demokratik dhe me agjendën e zgjerimit.