Sondazhi: Shumë amerikanë mbeten kritikë për gjendjen e demokracisë në vend

Sondazhi: Shumë amerikanë mbeten kritikë për gjendjen e demokracisë në vend

Shumë amerikanë mbeten pesimistë në lidhje me gjendjen e demokracisë amerikane dhe mënyrën se si zgjidhen zyrtarët - gati dy vjet pasi zgjedhjet përçarëse presidenciale u shoqëruan me pretendime të rreme për manipulim në shkallë të gjerë dhe sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara.

Vetëm gjysma e amerikanëve besojnë se votat në zgjedhjet e nëntorit për Kongresin do të numërohen drejtë, sipas një sondazhi të kryer nga agjencia e Lajmeve Associated Press dhe Instituti Jo Partiak i Universitetit të Çikagos, NORG.

Të dhënat janë përmirësuar, pasi para zgjedhjeve presidenciale të 2020 këtë bindje e kishin vetëm 40% amerikanë. Vetëm 9% e të rriturve në SHBA mendojnë se demokracia po funksionon tepër ose shumë mirë, ndërsa 52% thonë se po funksionon mirë.

Në ndryshim nga 2 vjet më parë, republikanët kanë më shumë gjasa se demokratët, të thonë tani se demokracia nuk po funksionon mirë. Këtë vit, 68% e republikanëve ndjehen kështu, krahasuar me 32% dy vjet më parë. Numri i demokratëve me një opinion të zymtë se si po funksionon demokracia në SHBA ra nga 63% në 40%.

Ronald McGraw Sr., 67 vjeç, nga Indianapolis, është një punëtor ndërtimi në pension, i cili u regjistrua kohët e fundit për të votuar dhe këtë vit do të votojë për herë të parë.

"Demokracia, ekonomia është në rrezik tani, gjithçka ka të bëjë me vendin”, thotë ai.

Z. McGraw, i cili është me ngjyrë dhe e konsideron veten të moderuar, thotë se shqetësim i madh janë trazirat politike në vend, fakti që ai sheh shumë politikanë që punojnë për interesa personale e pushtet dhe veçanërisht politikanët që punojnë kundër interesit të pakicave. Ai tha se u regjistrua si republikan, por pa menduar pëpr platformat, apo qëndrimet e partisë, kur u regjistrua.

"Tani po i ndjek me më shumë vëmendje," tha ai.

Pas zgjedhjeve presidenciale, anëtarët e partisë së kandidatit humbës mund të përjetojnë një zhgënjim të madh. Pasojat nga zgjedhjet e vitit 2020 kanë qenë më të thella, të ushqyera nga gënjeshtrat e ish-Presidentit Donald Trump dhe aleatëve të tij se demokratët vodhën zgjedhjet.

Nuk ka asnjë provë për vjedhje të votave apo manipulim të pajisjeve të votimit. Hetimi i gjatë në shtetet kryesore konfirmoi fitoren e demokratit Joe Biden, ndërsa gjykatësit, përfshirë disa të emëruar nga z.Trump, rrëzuan padi të shumta që kundërshtonin rezultatin. Vetë prokurori i përgjithshëm i z. Trump, Uilliam Barr, i cilësoi pretendimet për vjedhje, të pavërteta.

Humbja e besimit tek demokracia vjen pas rritjes për dekada me radhë të polarizimit në mbarë vendin, nga zgjedhjet presidenciale dhe ato për Kongresin deri në garat lokale, të tilla si garat për bordet shkollore.

Në përgjithësi, vetëm 25% e të rriturve amerikanë thonë se janë optimistë për mënyrën se si zgjidhen udhëheqësit, ndërsa 43% thonë se janë pesimistë. 31% nuk janë as opstimistë as pesimistë. Rreth 25% e republikanëve dhe demokratëve që u pyetën janë gjithashu optimistë mbi mënyrën si zgjidhen udhëheqësit e vendit.

Adam Coykendall, një mësues 31-vjeçar i shkencave shoqërore nga qyteti i Ashland në Uiskonsin, thotë se ai sheh besnikërinë ndaj partisë si një forcë më të madhe nxitëse për ligjvënësit se sa puna për të mirën e vendit.

“Mendoj se gjithçka po bëhet disi më përçarëse, më e polarizuar, më e përqendruar në besnikërinë ndaj partisë sesa në punën për zonën që përfaqësojnë ligjvënësit”, thotë zoti Coykendall, i cili e cilëson veten si një votues i pavarur që anon nga Partia Demokratike.

Sondazhi i agjencisë së lajmeve ‘Associated Press’ dhe institutit ‘NORC’ zbuloi gjithashtu se një pjesë e madhe e republikanëve, ose 58% e tyre, besojnë ende se zgjedhja e zotit Biden në postin e presidentit të vendit, nuk ishte legjitime. Kjo është një rënie me 8 për qind krahasuar me anketat e korrikut të vitit 2021, kur 66% e republikanëve mendonin se zgjedhja Presidentit Biden nuk ishte legjitime.

Shtatëdhjetë vjeçari Gary Phelps, një ish-shofer kamioni në pension nga shteti i Minesotës, thotë se e pranon se zoti Biden është president, por nuk mendon se ai u zgjodh në mënyrë legjitime. Zoti Phelps thotë se u shqetësua nga manipulimi i votave, parregullsitë me disa makina votimi, apo dhe votimi me postë, por pranon se këto shqetësime janë perceptim i tij dhe jo diçka e bazuar në prova.

Zoti Phelps, i cili e identifikon vetën si një votues i pavarur me prirje republikane, mbetet i shqetësuar për procesin e votimit dhe kryesisht atë të numërimit të votave.

Sondazhi tregon se 47% e amerikanëve thonë se kanë "tepër" ose "shumë" besim se në zgjedhjet e nëntorit për Kongresin, votat do të numërohen me saktësi. Besimi ndaj këtij procesi është më i lartë në mesin e demokratëve, 74% e të cilëve thonë se kanë shumë besim se do të ketë një numërim të saktë të votave. Ndërsa 30% e republikanëve të anketuar kanë besim të mesatar dhe 45% kanë pak ose aspak besim se numërimi i votave në këto zgjedhje do të jetë i saktë.

Kjo gërryerje e besimit vjen pas dy vitesh përpjekjeje të zotit Trump dhe aleatëve të tij për të përhapur pretendimet dhe gënjeshtrat lidhur me zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Ata gjithashtu kanë përhapur teori konspirative për makinat e votimit.

Historitë rreth fletëvotimeve të dërguara me postë që ndryshojnë në mënyrë misterioze totalin e votave, kanë qenë një burim i vazhdueshëm i keqinformimit. Një gjë është e qartë, rezultatet e shpallura natën e zgjedhjeve janë jozyrtare dhe shpesh të paplota. Është normale që numërimi të vazhdojë disa ditë pas ditës së zgjedhjeve, ku rezultatit përfundimtar i shtohen dhe rezultati i fletëve të votimit të dërguara me postë, të dorëzuara brenda afateve ligjore.

Në vitin 2020, pandemia COVID-19 çoi në një rritje të votimit me postë pasi një numër i madh votuesish vendosën ta bënin këtë për të shmangur grumbullimet në qendrat e votimit. Një numër i madh i këtyre fletëvotimeve ngadalësoi shpalljen e rezultatit përfundimtar në disa zona, pasi zyrat vendore që administronin procesin zgjedhor, ndoqën praktikën e verifikimit të fletëvotimeve, për t’u siguruar që ato përputheshin me listat e votuesve të regjistruar.

Julie Duggan, një punonjëse policie, 31-vjeçar nga Çikago, është në mesin e republikanëve që nuk beson se fitorja e Presidentit Bidenit ishte legjitime. Ajo thotë se duke parë gafat dhe hapat e gabuar të Presidentit Biden, është e pamundur të besohet se ai siguroi mbështetje të mjaftueshme për t’i fituar zgjedhjet.

Ajo është e shqetësuar për drejtimin në të cilin po shkon vendi, duke përmendur inflacionin, migracionin e paligjshëm, shkallën e krimit dhe mungesën e respektit për forcat e zbatimit të ligjit.

"Nëse nuk zgjedhim njerëzit e duhur, do të arrijmë në pikën ku nuk mund të ketë më kthim pas", thotë ajo, duke shtuar se shpreson se zgjedhjet do të jenë të drejta, por shton se ka dyshime lidhur me këtë. "Patjetër, besimi im është lëkundur", thotë ajo./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Një nga ne/ 'Ndenja 16 vite vetëm', prek i moshuari: Ndjeva një boshllëk, më mirë në azil me shokë

Një nga ne/ 'Ndenja 16 vite vetëm', prek i moshuari: Ndjeva një boshllëk, më mirë në azil me shokë