Për herë të parë në histori Kanadaja do të luajë sonte një ndeshje të Botërorit në shtëpinë e saj, teksa pret në orën 21:00 në Toronto Bosnje-Hercegovinën. Mbrëmja do të nisë më herët, pasi fillimisht do të mbahet ceremonia hapëse si vend organizator, ndërsa fusha sipas ekspertëve sheh favorite Kanadanë e vendit të 30 në FIFA kundrejt vendit të 64 që mban Bosnje-Hercegovina.

Kjo është ndeshja e parë e grupit B, teksa trajneri i Kanadasë Jesse Marsch ka në dispozicion emra si Jonathan David i Juventusit, Larin i Southampton, Kone i Sassuolo-s, por edhe Buchanan i Villareal. Megjithatë ballkanasit në prezencën e tyre të dytë në histori në Botëror do të mbështeten te eksperienca e kapitenit 40-vjeçar Edin Dzeko, ndërsa nuk mungojnë as talente si mbrojtësi i Sassuolo-s Muharremovic i cili kërkohet nga Interi, por edhe sulmuesi Kerim Alajbegovic i Salzburg që ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve evropiane.

Pavarësisht se është favorite Kanadaja nuk duhet të harrojë se Bosnje-Hercegovina erdhi në Botëror, duke eliminuar Italinë në ‘play-off’.

Po sonte për grupin D, por në orën 03:00 të mëngjesit me atë shqiptare, do të luhet SHBA-Paraguaji. Edhe në këtë përballje do të ketë një ceremoni hapëse, pasi SHBA është organizatore, ndërsa në fushë amerikanët kanë një epërsi të lehtë në letër në krahasim me amerikano-jugorët.

Arma e fortë e amerikanëve është trajneri Maurizio Pochetino, i cili gjithashtu ka elementë të rëndësishëm në dispozicion si Pulisic i Milanit, McCenie i Juventusit, Tillman i Leverkusen, por edhe qendërsulmuesi Balogun i Monaco-s. Nga ana tjetër Paraguaji rikthehet në Botëror pasi 16 vitesh, pasi për herë të fundit kishte marrë pjesë në Afrikë e Jugut 2010, ndërsa dy skuadrat u përballën në nëntor në një ndeshje miqësore ku SHBA-të fituan me rezultatin 2-1.