Rrëfimi ekskluziv i Klement Balilit për Report Tv: Policia nuk m'u afrua kurrë, Berisha më ka ardhur në shtëpi

Klement Balili, personi më i kërkuar në Shqipëri, i cilësuar si Eskobari i Ballkanit ka folur ekskluzivisht për gazetarin e Report Tv, Artan Hoxha vetëm pak orë para arrestimit (Lexo këtu). Intervista u transmetua e plotë në emisionin "Repolitix" ku të ftuar ishin gazetari i Report Tv, Artan Hoxha, deputeti i PS, Xhemal Qefalia, analisti Ilir Kalemaj si dhe gazetari Poli Hoxha. Balili ka rrëfyer muajt e arratisjes dhe thotë se policia nuk i është afruar asnjëherë vendit ku ai fshihej dhe qëndroi në arrati për 2 vite e tetë muaj. 

Teksa pohon se është i pafajshëm dhe nuk ka asnjë provë që e implikon në trafikun e drogës Balili flet edhe për lidhjet me politikën dhe angazhimin e tij me PD dhe më herët me LSI, parti për të cilën ai thotë se është angazhuar edhe familjarisht. Ai thotë se në vitin 2006 ka pritur në shtëpinë e tij ish-kryeministrin Sali Berisha. Ndërsa në vitin 2013 emërohet drejtor i Transporteve në Sarandë si shpërblim nga LSI për kontributin në fushatën e 2013-ës.

Mbi filmimet shumë të përfolura që tregojnë qëndrimet pranë resortit “Santa Quaranta” të disa ministrave të kabinetit "Rama", Balili ka provuar të hedhë dritë. Ndërsa sulmet nga ambasadori Lu, Balili i ka cilësuar si të ndikuara nga politika e brendshme dhe thekson se asnjëherë s’ka qenë i akuzuar apo kërkuar nga DEA për trafik të dogërave të forta. 

Pas mbërritjes së provave nga Greqia dhe kalimit të dosjes për gjykim, Balili tregon se ishin familjarët ata që negociuan me policinë dhe caktuan edhe ditën dhe vendin për dorëzim, pamje të cilat Report Tv i transmetoi ekskluzivisht qe dje. Tashmë Klement Balili do të përballet me drejtësinë për 4 akuza, përfshirë grupin e strukturuar kriminal e trafik droge, por për këto akuza ai shprehet se nuk ka asnjë provë, si nga pala shqiptare ashtu edhe nga Greqia.


Intervista e Klement Balilit për gazetarin Artan Hoxha të Report TV

Zoti Balili, prej 10 majit të vitit 2016 dhe deri tani që jemi në mesin e janarit të vitit 2019, keni qenë personi më i kërkuar në Republikën e Shqipërisë. Pra, për më shumë se dy vite e gjysmë keni qenë njeriu nr. 1 në listën e të kërkuarve të Shqipërisë. Pse nuk i jeni dorëzuar drejtësisë gjatë kësaj kohe? Për çfarë arsyesh?
Për arsyet se nuk kisha provat e duhura këtu në Shqipëri, përse më akuzonin dhe çështja në momentin e parë u politizua në të dy ekstremet. U bënë shumë akuza të rënda ndaj meje, u quajta “Eskobar”. Dhe normalisht që unë nuk kisha besim.

Keni qenë ndonjëherë më përpara i ndaluar?
Po. Jam arrestuar në vitin 2006, kam qëndruar 6 muaj dhe jam lëshuar pa asnjë pyetje dhe pa prova.

Ju thanë se për çfarë ju kishin arrestuar dhe a ju thanë në fund përse ju liruan?
Më arrestuan për një sasi droge (hashash), që ishte kapur në Borsh. Më mbajtën 6 muaj dhe më liruan për mungesë provash, që nuk kisha lidhje.

Ju jeni akuzuar edhe në atë kohë se keni bashkëpunuar me pjesëtarë brenda Policisë së Shtetit, të përfshirë në trafik të lëndëve narkotike.
Unë nuk kisha lidhje me të gjitha ato akuza që u bënë. Prokuroria nuk gjeti gjë për mua dhe e pushoi çështjen.

Sigurisht që të jesh i kërkuari nr. 1 në një vend, edhe si Shqipëria, nuk është një gjë e lehtë për t’iu shmangur arrestimit nga policia. Ku keni qëndruar gjatë kësaj kohe?
Rrotull, në vendet me publik të madh, si në Gjirokastër dhe në qytete të tjera të mëdha.

Asnjëherë gjatë kësaj kohe nuk jeni larguar nga Shqipëria?
Jo, jo, asnjëherë.

Po si është e mundur që policia në asnjë rast nuk ju ka parë?
Nuk ka koinciduar ndonjëherë përballë meje. Asnjëherë.

Policia ka deklaruar publikisht se ka bërë një seri operacionesh për arrestimin tuaj.
Po, i kam dëgjuar.

Ka qenë ndonjëherë afër bazës ku keni qëndruar ju?
Fare, asnjëherë.

Po si është e mundur që gjatë gjithë kësaj kohe, pra ju të keni qëndruar në Shqipëri dhe asnjëherë policia nuk ka qenë e aftë as që t’i afrohet vendit ku ju keni qëndruar?
Aty ku kam qëndruar unë nuk ka ardhur ndonjëherë policia. Dhe as nuk ka pasur ndonjëherë mundësinë që të afrohej.

Gjatë kësaj kohe që keni qenë në kërkim sigurisht që është një gjë e vështirë sepse nuk është e lehtë që të lëvizësh, ka shpenzime, ka kosto, ndërkohë ka edhe një merak tjetër sepse dëshiron që të dish se çfarë ndodh me familjen tënde. Si ia keni dalë që t’i shmangeni të gjitha këtyre operacioneve të organizuara nga Policia e Shtetit?
Policia kërkonte vetëm në shtëpinë time, në fshat. Normale që unë nuk mund të rrija në fshat.

Gjatë kësaj kohe, keni ardhur ndonjëherë në banesë për t’u interesuar për familjarët tuaj?
Po, kam ardhur.

Policia nuk arriti asnjëherë që ta identifikonte këtë?
Jo, asnjëherë. Kam ardhur dhe kam ikur.

Si i keni mbajtur kontaktet me familjarët?
Me vështirësi.

 Keni ndjerë ndonjëherë rrezik se dikush, njeri i afërt që mund të ketë qëndruar me ju gjatë kësaj kohe, edhe mund t’ju dekonspironte te policia për shkak të shpërblimit prej 100 milionë lekësh, që ka qenë vënë?
Jo, jo.

Nga e mësuat lajmin që ishit shpallur “Eskobari i Ballkanit”?
Nga media. Unë edhe kur e dëgjova në media, bëra një intervistë te puna ime. Atëherë lëvizja i lirshëm, nuk më kërkonte njeri. 6 muajt e parë nuk më ngacmonte njeri.

Pra, nga maji deri në nëntor ju keni qenë i lirë?
Po, i lirë.

Keni jetuar normalisht?
Normal, po. Dilja çdo ditë në qytet. Isha pezulluar nga puna dhe isha i lirshëm.

Nuk ju kontaktoi ndonjë njeri nga policia, për t’ju thënë që jeni person i kërkuar për shkak të një hetimi në Greqi?
Jo, as edhe një.

Ju vetë gjatë kësaj kohe, ndjetë rrezik që mund të arrestoheshit?
Po, ndieja rrezik por nuk trembesha. Nuk ruhesha që të fshihesha. Pastaj kur u politizua shumë dhe u bë bujë e madhe, normale që kisha frikë dhe atëherë vendosa që të fshihesha.

Kur vendosët të largoheshit nga banesa dhe t’i fshiheshit arrestimit nga policia?
Nga fillimi i dhjetorit 2016 u bë një operacion. Unë atë ditë kisha lëvizur nga shtëpia pasdite sepse paradite isha aty. Kur mora vesh se në shtëpinë time kishin shkuar shumë policë dhe kishin bërë kontroll, normale që në atë moment u fsheha.

Pse e menduat shmangien nga arrestimi, si zgjidhjen më të mirë? Për çfarë motivi?
Për motivin se nuk kisha prova këtu dhe unë mund të qëndroja në burg derisa të vinin provat ose derisa të mbaronte çështja në Greqi.

Fare mirë mund të qëndronit në burg dhe të ishit përballur me drejtësinë, nëse ju jeni i bindur që nuk ka prova kundër jush.
Drejtësia nuk kishte dokumentet e duhura, që të më dërgonte në gjykatë dhe unë të përgjigjesha përballë drejtësisë.

Pas më shumë se 2 vitesh e gjysmë, ju keni vendosur që t’i përgjigjeni thirrjes së drejtësisë dhe të dorëzoheni. Pse pikërisht në këto momente?
Po se në këto momente kam marrë një informacion, një njoftim nga avokati, që ka ardhur dokumentacioni, siç e kam dëgjuar edhe në media, pra kanë ardhur dokumentet për t’u gjykuar, që çështja ime i kalon drejtësisë shqiptare. Nga ky moment që çështja ime i kalon drejtësisë shqiptare, unë e kam deponuar edhe vetë më përpara që nëse çështja i kalon drejtësisë shqiptare, unë jam i gatshëm që të dorëzohem në çdo moment. Nga ky moment që çështja ime i kalon drejtësisë shqiptare, unë jam i gatshëm që t’i paraqitem drejtësisë.

Kur vendosët që të dorëzoheshit? Si i vendosët kontaktet me policinë, në ç’formë? Tani që po flisni ju jeni ende i lirë, pra si kontaktuat me policinë?
 Pjesëtarët e familjes kanë kontaktuar me policinë dhe i kanë thënë që në datën 15, që i bie nesër, të vijnë e të më marrin në shtëpi. Dhe unë jam paraqitur sot në shtëpi që nesër t’i dorëzohem policisë.

Nuk mendoni që në momentin që do të dorëzoheni, mund të fillojnë përsëri akuzat që janë bërë kundër jush?
Në momentin që kanë ardhur provat, unë iu paraqita drejtësisë. Se çfarë provash janë, se çfarë akuzash janë do t’i tregojë drejtësia.

A jeni në dijeni që në adresën tuaj ka një vendim në Greqi, që jeni dënuar me burgim të përjetshëm në Greqi?
Jo, jo. Greqia nuk ka burgim të përjetshëm për hashash dhe unë nuk jam i dënuar.

Pse jeni i sigurt që nuk jeni dënuar?
Sepse kam një avokat për çështjen time që më ka mbrojtur.

Avokat shqiptar apo grek?
Grek.

Sepse ambasadori amerikan Lu ka deklaruar ...
Çështja vazhdon që të jetë në proces gjyqësor në Greqi, nuk ka mbaruar.

Pra ju jeni i bindur që deri tani nuk ka dënim ndaj jush nga pala greke?
Çështja është në procese gjyqësore.

Gjatë kësaj kohe, ju keni qenë njeriu më i akuzuar në Shqipëri. Dhe për më tepër nofka “Eskobari i Ballkanit” ka bërë që emri juaj të ishte në krye të listës së personave më të kërkuar në Republikën e Shqipërisë.
Ajo dihet që ishte politizuar.

Por ajo që i dha më tepër peshë akuzave kundër jush ka qenë pikërisht përmendja e emrit tuaj nga ambasada amerikane...
Ambasada është ndikuar nga politika shqiptare, që më ka bërë këtë sepse unë nuk kam lidhje as me DEA-n siç më akuzon DEA, dhe as me ambasadën, se unë akuzohem për 600 kg hashash të kapura në Zakintho i dyshuar.

A e dini ju që për 2 vite e gjysmë keni qenë njeri shumë i kërkuar edhe për agjencinë amerikane të antidrogës DEA?
Po, kam dëgjuar dhe ky ka qenë shkaku që unë nuk jam dorëzuar sepse këtu u bë një bujë shumë e madhe dhe u politizua shumë. Dhe normale, si mund të dorëzohesha unë kur më akuzon si “Eskobar” për 600 kg hashash?

Gjatë kësaj kohe keni marrë ndonjë informacion përse është përfshirë emri juaj në gjithë këtë histori, sepse ju pretendoni sot që në asnjë rast nuk jeni përfshirë në trafik të drogave të forta, që zakonisht janë elementët që heton DEA amerikane.
As që bëhet fjalë fare.

Atëherë, si është e mundur që është përfshirë emri juaj?
Nuk e di. Politika, ndoshta. Nuk e di këtë se si është bërë.

Nga aq sa keni kontaktuar me avokatët tuaj në Shqipëri dhe në Greqi, për çfarë episodesh jeni nën akuzë në Greqi?
Për hashash, për punën e Zakinthos.

Për ngarkesën me 600 kg kanabis.
Po.

Ju jeni akuzuar si organizator dhe financues dhe po ashtu si përgatitës i infrastrukturës dhe i logjistikës për trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, përfshirë një seri vendesh të Bashkimit Evropian, duke filluar nga Holanda, Belgjika, Gjermania, Austria, Italia, Bullgaria.
Unë nuk kam shkelur ndonjëherë në asnjë nga këto shtete që përmenden dhe nuk kam lidhje me asnjë nga akuzat që kanë nxjerrë. Edhe në përgjimet e bisedave që diskutohet se janë në dokumentacion, unë nuk figuroj. Këto janë dokumente që mund t’i hetoni dhe t’i verifikoni në dosje.

Në deklaratën që policia e Athinës ka bërë në datën 10 maj të vitit 2016, thuhet që ju keni bashkëpunuar me vëllezërit Poti, nga Kukësi, të arrestuar në Belgjikë. A i njihni këta persona?
As që i kam dëgjuar ndonjëherë. As i kam parë dhe as i kam dëgjuar ndonjëherë. Nuk më ka lidhur ndonjëherë puna që t’i njoh këta persona.

Të kthehemi tek akuza që është bërë për rastin e Zaqithos. Aty thuhet që identifikimi juaj është bërë nëpërmjet numrit të serisë së një pasaporte. Çfarë ka ndodhur?
Si mund të nis unë pasaportën time? Përse do ta nisja? Në qoftë se isha unë ai, për çfarë arsyeje do të nisja pasaportën? Është shumë e thjeshtë, shumë e logjikshme.

Keni kontaktuar atë ditë me personin, i cili bënte transportin sepse në dosje thuhet që ju keni fikur telefonin sapo keni marrë vesh që diçka nuk shkonte.
Jo, jo. Nuk është e saktë.

E njihni ju personin i cili është ndaluar në Greqi?
Këtë të Sarandës e njoh se ja ku është Saranda dhe ka popullsi të vogël, por thjesht si fytyrë. Kontakte nuk kam.

Në çfarë rrethanash jeni njohur?
Në asnjë rrethanë, nuk kam fare asnjë lidhje. Nuk kam kontakt me anjë nga ata persona.

 Në rastin konkret, numri telefonik të cilin policia greke pretendon që është përdorur nga ju, është i juaji apo jo?
Jo. Le ta faktojnë. Unë nuk kam fare kontakt me atë lloj numri që më akuzojnë, nuk kam lidhje fare.

Autoritetet greke janë të bindura që skafi, ngarkesa dhe skafisti atë ditë, kanë qenë duke bërë trafik për llogarinë tuaj.
Për të vërtetuar këtë duhen prova.

Pse jeni i bindur ju që nuk ka prova.
E di që nuk kanë sepse di veten, njoh veten që nuk kam lidhje me atë punë dhe me atë grup. Kjo është krejt normale, si të mos jem i bindur. Unë e di veten se çfarë kam bërë.

Deri në atë moment, ju me çfarë aktiviteti jeni marrë në Greqi? Keni pasur biznes atje?
Jo. Asnjë biznes në Greqi.

Keni shkuar në Greqi?
Më parë, ka 5-6 vite, që në 2011-ën. Më pas nuk kam shkelur në Greqi.

Ka një pretendim tjetër, në të cilin thuhet që një shtetas i huaj, i cili vinte nga Ekuadori, ka qenë duke trafikuar 23 kg kokainë në drejtim të kryeqytetit britanik Londër. Dhe këtu bëhet edhe lidhja që nga ky moment DEA ka filluar hetimet për emrin tuaj.
Po çfarë lidhje?! As edhe një lidhje nuk ka. Mund ta provojnë dokumentacionet. Unë nuk kam fare lidhje dhe nuk njoh asnjë nga ata persona.

Gjatë kësaj kohe keni kontaktuar me avokatin që keni në Greqi?
Po, kam kontaktuar.

Dhe çfarë ju ka thënë?
Që akuzohem vetëm për punën e Zaqithos.

Është dënuar ndonjë njeri nga personat që përfshihen te rasti i Zaqithos?
Janë në procese gjyqësore të gjithë.

Akoma nuk ka vendim?
Jo. Asnjë vendim.

Pas zgjedhjeve të vitit 2013, kur koalicioni i majtë PS-LSI erdhi në pushtet dhe u rrëzua nga pushteti PD-ja, ju u emëruat në pozicionin e drejtorit rajonal të transporteve. Pse shkuat pikërisht në atë vend? Ju morët pjesë në fushatë? Çfarë qëndrimi keni mbajtur?
Familja ime ka kontribuar për këtë parti. Edhe unë kam kontribuar.

Për kë parti?
Për LSI-në. Kam kontribuar, pavarësisht se nuk jam ngatërruar me politikën, por kam ndihmuar thjesht familjarët. Dhe për këtë gjë m’u ofrua ky shpërblim, si post drejtori. Dhe unë e pranova dhe kam shërbyer në atë post. Nuk jam implikuar në korrupsion. Dhe kjo është një gjë që e faktojnë edhe provat.

Gjatë kësaj kohe, pra nga viti 2013 deri në vitin 2016 kur ndodhi kjo, jeni përfshirë në aktivitete politike? Kanë qenë zgjedhjet lokale të vitit 2015. Ju si drejtues i rëndësishëm i një sektori në zonën e Sarandës dhe të Delvinës, gjatë kësaj kohe jeni përfshirë, duke pasur parasysh që nipi juaj kandidonte?
Po, normal që jam përfshirë. Kam kontribuar.

Fillimisht familja juaj ka mbështetur të djathtën, për shkak edhe të origjinës.
Po.

Nëse e kujtoni, e keni takuar ndonjëherë Sali Berishën?
Po, para shumë kohësh, kur vinte në zonën e Delvinës. Ka kaluar në fshatin tim, ka ardhur edhe në banesën time. Unë kam qenë i vogël atëherë, e kam takuar, i kam dhënë edhe dorën. Vetëm atë person.

Po më pas, kur ka qenë kryeministër?
Jo, jo.

Mban mend ndonjë rast kur ka ardhur në Delvinë?
Kur ka ardhur në Delvinë një herë, ndoshta në vitin 2006. 

Jeni akuzuar sikur keni pasur lidhje direkte me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Sidomos në vizitat që ai ka bërë në Sarandë dhe duke përfshirë qëndrimin që ai ka bërë apo vizitat që ka bërë në hotelin “Santa Quaranta” me ministrat e tij. Është filmuar aty. Si është kjo, çfarë ka ndodhur aty?
Unë nuk kam lidhje me atë hotel, me atë pronë që më akuzojnë dhe nuk kam pasur ndonjëherë kontakt nga afër me Edi Ramën.

Ju jeni akuzuar që jeni pronar aty.
Është shumë e lehtë që të verifikohet kjo, mjafton që të shihen dokumentet e pronësisë. Unë nuk kam lidhje fare me atë pronë.

Një nga akuzat kryesore të bëra edhe në media, ka qenë që për shkak të sigurisë që ka objekti, kamerat kanë filmuar, serveri është zhdukur. Si është kjo histori?
Unë nuk kam lidhje fare dhe nuk mund të di se çfarë është bërë atje. Nuk jam unë pronari i hotelit. Hoteli është prona e vëllait. Unë mund të shkoj atje, por nuk mund të di se çfarë bëhet me punën e tij, me serverat etj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:16
'Balilin e mbrojti komuniteti'/ Gazetari Artan Hoxha: Kontrolle u bënë edhe në Tiranë, zonat ku dyshohej se fshihej

Aksionet e policisë për Klement Balilin vijuan për 2 vite e 8 muaj, por asnjëherë forcat e rendit nuk ranë në gjurmët e tij. Në emisionin Repolitix, gazetari i Report Tv, Artan Hoxha u shpreh se policia ka pasur dyshime për fshehje të Balilit në disa zona të kryeqytetit por nuk u gjet asnjë gjurmë e tij. Ai thekson gjithashtu se Balilin e ka ndihmuar të arratisej edhe komuniteti, fqinjët dhe të afërmit e tij në Delvinë e Sarandë. "Policia ka bërë aksione edhe në Tiranë për dyshime se fshihej Balili. Janë bërë kontrolle te "Komuna e Parisit", Kodra e Diellit". Ndërsa në Delvinë në një rast është rrethuar edhe stadiumi pasi kishte informacione se ndodhej aty brenda. Ishin gati 2 mijë veta në stadium. Dhe në fund rezultoi se nuk ishte brenda. Në një rast tjetër është identifikuar përmes atentave të telefonave celularë për një aparat që dyshohej se përdorej nga Balili. Kanë shkuar forcat speciale, kanë ndaluar makinën ku pulsonte telefoni celular dhe është gjetur vetëm telefoni, por jo personi. Balilin e ka ndihmuar komuniteti, të cilët nuk kanë bashkëpunuar me policinë", tha Artan Hoxha, gazetar investigativ i Report Tv

Ora 20:50
Deputeti i PS, Qefalia: Balili u mërzit dhe u detyrua të dorëzohej, policia ka negociuar dhe më parë

Deputeti socialist Xhemal Qefalia zbulon në "Repolitix" se Policia e Shtetit ka tentuar vazhdimisht të negociojë me personin që deri një ditë më parë konsiderohej si më i kërkuari në Shqipëri, Klement Balili. "Ka pasur negociata nga Policia e Shtetit për dorëzimin e Klement Balilit. Ai u mërzit nga gjithë kjo kohë në kërkim. Nuk mund të themi se nuk është superaksion i policisë. Kontrollet e herëpashershme të policisë bënë që ai të dorëzohej", u shpreh Qefalia. 

Ora 20:47
'Repolitix', Artan Hoxha: Klement Balili negociata direkt me Ardi Veliun, policët nuk dinin gjë

Gazetari investigativ i Report Tv, Artan Hoxha, i cili intervistoi Klement Balilin disa orë përpara dorëzimit te Ardi Veliu, tha se ai ka negociuar direkt me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Sipas tij, efektivët e policisë nuk dinin gjë për këtë dorëzim të njeriut më të kërkuar në Shqipëri për dy vite e tetë muaj me radhë. "Klement Balili nuk përdorte telefon celular. Ai kishte marrëveshje direkt me Ardi Veliun. Policët poshtë nuk kishin fare dijeni për këtë gjë. Komuniteti atje e ka mbrojtur. Nuk ishte superoperacion i policisë, por ishte një dorëzim. Nëse do ishte për arrestim, duhet ta kishin kapur", u shpreh gazetari Artan Hoxha. 

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lokja: 17/01/2019 15:18

    PSi gjerat u rregulluan ambasadori LU iku CDO GJE U ZHDUK NGA SOLLAKU ( SOLLAKU LIROI AGIM BORICIN VRASES I 11 PERSONAVE PER 150 MIJE EURO PARA 13 VJETESH )JO ME PWR BALILIN QE KA OFERTA SKANDALOZE PER TA PAFAJESUAR. KJO ESHTE SQIPERIAVANISTI E TAHIRAMETES .

    Përgjigju
  • titaniku: 17/01/2019 11:26

    cfar di saranda more zagar ..cesht kjo pyetje idjote ..pse u dorezua tani ..na mbyten injorantet,ne cfar vendi arrestohesh pa prova derisa nuk ka prova lereni dialin te iki ne shtepi familja e ketyre eshte e ndereshme dhe jan njerez me kultur te madhe..ambasadori amerikan ai kinezi eshte thjesht nje hajvan qe jep deklarata te pa baza dhe duhet te japi llogari per ket familje te ndereshme.

    Përgjigju
  • Dashamir: 17/01/2019 09:09

    Asnje nga sa thote ky Balili nuk eshte e vertete, e gjithe Saranda e din kete

    Përgjigju
    • Lazo: 17/01/2019 15:36

      Po ti ca te semes kerkon apo e ke ne gjak spiunllekun race komunistesh

  • O98: 16/01/2019 23:26

    tashi doli qarte pse meta ben te "fortin" me mosdekretimet kerkon me doemos shkembim per pafajsine e ketij , dhe kjo eshte pergjigjia e pyetjes ___________ pse pikerisht tani u dorzuat ?"

    Përgjigju
  • toni: 16/01/2019 21:17

    ta futi likja o balo,te rofshin leket..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja