Vllaznia që renditet e fundit në Superligë, me vetëm 2 pikë pas 4 ndeshjesh, do të kërkojë të ndryshojë faqe mbrëmjen e sotme, teksa pret në ‘Loro Boriçi’ Teutën e vendit të dytë që këtë sezon ka pretendime të mëdha. Rezultatet kanë krijuar zhgënjim në Shkodër dhe tensioni është në ajër, por sipas mbrojtësit Emiliano Musta pikët do të vijnë shumë shpejt.
“Mbase është pak pjesa e grupit që ka shumë ndryshime. Afrime dhe largime të shumta. Çdo gjë kërkon kohën e vet, por futbolli nuk të fal sepse kërkohen rezultate të shpejta. Besoj që do të ringrihemi shumë shpejt,”-u shpreh Emiljano Musta, futbollist i Vllaznisë.
Vllaznia-Teuta nis në orën 18:30, ndërsa Musta foli edhe për polemikat e shkaktuara në fillim të sezonit ku u sulmua në Elbasan, pasi në verë la verdheblutë për të kaluar në Shkodër. Sipas Mustës ata nuk ishin tifozë, por persona të cilët qëndrojnë pranë klubit.
“Mustën e kanë larguar nga Elbasani pas një oferte qesharake rinovimi që i kanë bërë. Ndonjëherë duhet të mendojmë pak më shumë përtej fanellës apo qytetit sepse ne jemi profesionistë dhe me këtë punë mbajmë familjen tonë,”-tha Emiljano Musta, futbollist i Vllaznisë.
Java e 5 e Superligës vijon me përballjet Skënderbeu-Vora në orën 16:00 dhe Dinamo-Laçi në orën 18:30, ndërsa mbyllet të dielën me sfidat Tirana-Elbasani në orën 16:00 dhe Egnatia-Partizani në orën 18:30.











Komente
Komento