Bashkimi Europian, tashmë ka në dorë marrëveshjen për emigrantët firmosur mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni më 6 nëntor dhe po bën vlerësimin.

Këtë e bëri të ditur Ambasadori Luigi Soreca, i Ngarkuari me Punë i delegacionit të BE-së gjatë konferencës për median pasditen e sotme pasi i dorëzoi qeverisë progres raportin e Komisionit Europian. 

“Komisioni Europian është informuar por jo konsultuar për memorandumin e mirëkuptimit. Për këtë arsye kemi marrë tekstin vetëm 2 ditë më parë. Për këtë arsye konsultimet për këtë tekst janë në vijim e sipër. E kiuptojmë që ky tekst është hap i parëdhe do të duhet të përkthehet në ligj nga të dyja palët. Këtu ne do të bëjmë dhe vlerësimin tonë. Ka detaje që duhen identifikuar në ligj. Për momentin është e parakohshme të japim një vlerësim për momentin që kanë më shumë vlerë politike dhe jo domosdoshmerisht ligjore. Në çdo rast vendet e BE mund të bashkëpunojnë me vendet e tjera duke respektuar legjislacionin e BE dhe konventat nderkombetare”- tha Soreca. 

Ndërkohë në emër të qeverisë zv/kryeministrja bëri të qartë se marrëveshja nuk është në fazën finale dhe se do të ratifikohet në parlament.

“Marrëveshja e firmosur nga kryeministri në Romë ka kaluar në qeveri të gjithë procesin e parashikuar dhe do të shkojë në parlamentin shqiptar për tu ratifikuar. Nuk është marrëveshje e cila ka përfunduar rrugëtimin e saj. Kryeministri ka bërë të qartë dhe askush nuk duhet të shqetësohet as për qëllimin dhe as kornizën juridike të saj pasi respekton të drejtën ndërkombëtare dhe detyrimin e palëve. Si do të funksionojë prona, kush do ta administrojë dhe sa do të zgjasë. Ne jemi një vend që na ndan 70 milje dhe kur vjen fjala për solidaritet jemi solidar me një vend strategjik dhe të pazëvendësueshëm si shteti Italian. Na vjen keq që merren me ngjyrën e lëkurës së emigrantëve. Është rrugë e gjatë. Do ta shkojë në parlament. Do ta dëgjoni në komisione. Do jetë transparente dhe secili mund ta lexojë” tha zv/kryeministrja Balluku në konferencë për median.

Ndryshe nga vitet e tjera raporti nuk iu dorëzua në dorë kryeministrit por zv/kryeministres, pasi Rama është nisur në Paris me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron.

Marrëveshja për emigrantët 
Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e migrantëve të shpëtuar në det nga anijet italiane. Sipas marrëveshjes për emigrantët porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë, edhe pse do ketë lëvizje të vazhdueshme të tyre, ardhje dhe largime të reja.