Sot shënohen 12 vite nga një prej ngjarjeve që ka shënjuar më së shumti historinë e të paktën këtyre 32 viteve demokraci në Shqipëri, krimi i rëndë i 21 janarit 2011, kur u vranë në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ 4 protestues opozitarë nga armët e punonjësve të shtetit: Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

Pikërisht në Bulevard, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga familjarë të viktimave, anëtarë të qeverisë, deputetë socialist por edhe shumë qytetarë zhvilluan homazhe në nder të 4 të vrarëve/  Karafila në vendet ku humbi jetën çdonjëri prej 4 protestuesve vendosi Kryeministri Rama, dhe më pas bashkë me familjarët u fut në Kryeministri për një bashkëbisedim me ta. 

Sot 12 vite më pas ende nuk është bërë ‘paqe’ me atë që ka ndodhur, pasi familje që kanë humbur të dashurit e tyre por jo vetëm, edhe shqiptarët që duan që ngjarje të tilla të mos ndodhin më, kërkojnë të vendoset drejtësi. Aktualisht ka vetëm një  çështje në Prokurorinë e Tiranës dhe është ajo e vrasjes së Aleks Nikës, teksa predha që e la atë të vdekur është dërguar për ekzaminim në Itali. Vrasja e Aleks Nikës mbetet ende pa autor pasi drejtësia shqiptare s’ka mundur të faktojë se nga cila armë është qëlluar predha që i mori jetën Lezhjanit.

Por kërkohet të mos mbetet vetëm këtu. Çështja sipas familjarëve por edhe përfaqësuesve të mazhorancës duhet t’i kalojë SPAK-ut, për të vënë dorën në fajtorët e vërtetë. Ishte kryetari i grupit parlamentar socialist dje, Taulant Balla, nga Roskoveci i ka bërë  thirrje dosja e vrasjes së Aleks Nikës t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme.

“Dosja në ngarkim të zyrtarëve më të lartë të asaj kohe, jo vetëm Gardës së Republikës, jo vetëm Ministrisë së Brendshme por edhe atyre në krye të qeverisë. Personat e përfshirë në atë që e quan ‘krim shtetëror’, hyjnë në juridiksionin e SPAK”, tha Balla.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali i ka bërë thirrje SPAK që të hapë hetimet për 21 janarin. Spiropali thotë se nuk kanë hequr dorë nga drejtësia për atë çështje. Ajo thekson se atë ditë nuk pati vrasje aksidentale, por krim shtetëror.

Duke rindërtuar skemën si ndodhën vrasjet, deputeti socialist Erion Braçe, i quajti pushkatime, për të cilat drejtësia mungon. Edhe sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, në rrjetet sociale, i bëri thirrje organeve ligjzbatuese të vënë para përgjegjësisë jo vetëm ekzekutuesit, por edhe urdhëruesit e vrasjes së 4 protestuesve m 21 janar 2011. statusi

Por nga ana e atyre që para 12 viteve ishin në krye të Qeverisë gjithçka duhet të mbyllet. Ish Kryeministri Sali Berisha është shprehur se për këtë ngjarje të rëndë është bërë një hetim i plotë.  

4 të vrarët "Dëshmorë të Atdheut'
Në vitin 2021, teksa shënonte 10-vjetori e krimit të rëndë të 21 janarit kryeministri Rama i shpalli "Dëshmorë të Atdheut" 4 protestuesit që u vranë në  bulevardin Dëshmorët e Kombit. 4 viktimat  Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj u nderuan përmes një ceremonie të posaçme teksa, Kryeministrit Rama tha se ata ndikuan në  ndryshimin e marrëdhënies së qeverisë në raport me protestën dhe transformimin e sistemit të drejtësisë.

Çfarë ndodhi më 21 janar 2011
E gjitha nisi pas skandalit me videon Meta-Prifti, ku flitej për koncesion dhe kjo shtyri që të organizohej një protestë kundër këtij korrupsioni siç e quante atëherë Partia Socialiste. Ishte ora 14:00, kur protestuesit përshkuan rrugën në këmbë nga sheshi “Skënderbej” deri para Kryeministrisë, pasi policia kishte ndërmarrë masat që të mos lejonte asnjë autobus më tej. Turma nisi me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, ndërkohë që vetëm pak minuta më vonë, filloi hedhja e gurëve dhe sendeve të forta në drejtim të forcave të rendit.

Situata u tensionua pasi protestuesit tentuan të hynë në oborrin e kryeministrisë, ndërsa policia mbronte ambientin e brendshëm. Për një moment nisën të dëgjoheshin të shtëna armësh brenda territorit të kryeministrisë, dhe këto të shtëna lanë të vdekur Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn. Ky i fundit, pas mjekimit paraprak në Spitalin Ushtarak të Tiranës, është dërguar për kurim të mëtejshëm në Turqi, ku dhe vdiq pas disa ditësh.

Kryeministri Berisha doli në konferencë për shtyp, duke deklaruar se donin t’i bënin puç, ndërkohë që opozita u shpreh se shteti nëpërmjet Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit, ka vrarë katër qytetarë të pafajshëm shqiptarë dhe ka mbytur në gjak një demonstrim paqësor, që është e drejtë kushtetuese e qytetarit.

Partia Socialiste akuzoi si urdhërues të vrasjeve kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm. Por, Berisha nuk u ndal vetëm me akuzat për PS-në, ai sulmoi ashpër Prokurorinë, SHISH-in dhe Presidentin e Republikës, të cilët, sipas tij, donin ta rrëzonin me dhunë.

Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:07
Ministri i Drejtësisë flet për provë të re për 21-janarin, por s’jep asnjë detaj! I bën thirrje SPAK: Hetoje si krim shtetëror

Ministri i drejtësisë Ulsi Manja i bëri thirrje SPAK që të nisë hetimet kryesisht për 21 janarin pas një kasete që ai tha se ka dalë në media dhe vërteton sipas ministrit se kush urdhëroi të qëllohet me armë ndaj protestuesve. Manja tha se vdekjet e 4 protestuesve duhet të hetohen për herë të parë si krim shtetëror, por nuk dha detaje mbi këtë provë të re dhe as nëse e ka dëgjuar vet audion e kësaj kasete për të cilën ministri foli. 

‘Të mos minohet shteti i së drejtës. 21 janari është krim shtetëror është akt i pastër krim terrorist i shtetit dhe nuk ka asnjë justifikim, kushdo që përpiqet të justifikoje këtë krim shtetëror si krim pushteti kryen një krim të ri mbi drejtësinë. Janë vrarë në demokraci duke protestuar si qytetarë të lirë ditën për diell nga pushkët e pushtetit të kohës. Edhe pse ky është një fakt i ditur botërisht, përpos vetë deklarimeve të vullnetshme të ish-kryeministrit Berisha se ato i varu shteti, nga mbarë më darkë ka një provë të re materiale që mbështet tërësisht deklarimet e ish-kryeministrit dhe provon se kush janë urdhëruesisit dhe autorët e vërtetë të 4 vrasjeve. Shqipëria ende sot reket ti japë fund tranzicionit të gjatë politik duke pasur lak për qafë pa ndëshkuar. Ky krim shtetëror i pa ndëshkuar vazhdon që tu bëjë karshillëk jo vetëm viktimave por vet drejtësisë së re. Në hundën e saj.’- tha Manja.

Ora 12:59
21 janari, Balla: Krim shtetëror, Berisha dha urdhrin për të qëlluar drejt protestuesve! SPAK të rihapë çështjen

 

Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla ka bërë thirrje sërish që SPAK të rihapë cështjen e 21 janarit. Nga Lushnja, Balla tha duke qenë se ky është një krim shtetëor dhe se sipas tij urdhri u dha nga kryeministri i asaj kohë Sali Berisha, çështja duhet t’i kalojë SPAK.

Balla në fjalën e tij theksoi se SPAK duhet të hetojë urdhëruesit dhe ekzekutorët në krimin shtetëror të 21 Janarit 2011 dhe se dosja e Aleks Nikës duhet të hetohet sa më parë.

“Nën dritën e fakteve të reja që janë publikuar dje, dhe në këtë rast dua të theksoj se prej shumë muajsh kam kërkuar së bashku me familjarët e Aleks Nikës që të jetē Prokuroria Speciale Antikorrupsion pra SPAK tek i cili të transferohet dosja. Kujtoj këtu që nga viti 2011 dosja për hetimin e vrasjes së dëshmorit Aleks Nika gjendet në Prokurorinë e Tiranës dhe pluhëroset në sirtarët e prokurorëve që vettingu i zëvendëson dhe përsa kohë që  në zinxhirin urdhërues të vrasjeve të 21 janarit përfshihen persona të cilēt janë juridiskion vetëm i Prokurorisë Speciale Antikorrupsion, Në këtë këndvështrim, duke qenë se është një vrasje shtetërore e cila erdhi si pasojë e urdhëresave tē një zinxhiri të plotë nga kryeministri i vendit asokohe dhe në të gjitha nivelet e tjera, mendoj që është në përgjegjësinë e SPAK-ut që të kërkojë marrjen në administrim të kēsaj dosjeje, hetimin e plotë, administrimin e provave të reja të vendosura të transmetuara në publik sesi në një komunikim radio të udhëheqjes së lartë të shtetit të asaj kohe dhe Gardës së Republikës komunikohej për të qëlluar në trupat e protestuesve”, theskoi Balla.

Ora 12:30
Rama publikon foto nga homazhet për 21 janarin: Në pritje të drejtësisë, e vërteta dihet botërisht

Kryeministri Edi Rama ka publikuar foto nga homazhet e mbajtura sot për 21 janarin. Rama shkruan se e vërteta e asaj ngajrje dihet botërisht dhe se janë në pritje që të bëhet drejtësi për katër vrasjet në Bulevard.

“Homazhe në pritjen e pafundme që drejtësia të bëjë drejtësi, ndërkohë që e vërteta dihet botërisht dhe një fakt i ri rrëqethës sapo ka dalë në dritë…”, shkruan Rama.

 

Ora 11:24
Homazhe për Ziver Veizin në Gjirokastër, familjarët: Kemi shpresa se SPAK do të rihapë çështjen

 

Ndonëse kanë kaluar 12 vite nga protesta e 21 janarit ku mbeti i vrare protestuesi Ziver Veizi, familjaret e tij ende kërkojnë drejtësi. Nga varrezat e fshatit Zenelaj mbesa e tij Zamira Veizi ka thënë se ende shpresojnë për drejtësinë e munguar dhe se do t'i drejtohen organit me te ri te drejtësisë.

“Drejtësia është nuk është vendosur. Ne do të reshtim asnjëherë së kërkuari drejtësi. Kemi shpresa te SPAK për të rihapur çështjen dhe drejtësia të vendoset”, tha një prej familjarëve.

Veç familjarëve në varreza kanë qenë te pranishëm kryetari i Bashkise Gjirokastër Flamur Golemi dhe kryetarja e Këshillit të Qarkut Lindita Rova.

Ora 10:55
Ishte vetëm 11-vjeçe kur iu vra babai në protestën e 21 janarit, Ana Veizi kërkon drejtësi: Nuk dorëzohem, do i shkoj deri në fund

 

Në 12-vjetorin e ngjarjes së 21 janarit, kryeministri Edi Rama bëri homazhe para kryeministrisë sëbashku me familjarët e katër viktimave. Më pas Rama zhvilloi një takim me ta në kryeministri. Pas takimit, Ana Veizi, vajza e një prej viktimave të 21 janarit bëri thirrje për drejtësi.

“Shumë të vështira kanë qenë, vitet kalojnë, dhimbja nuk lehtësohet. Bëhet edhe më e vështirë. S ene rritemi edhe kuptojmë akoma më shumë se ca është mungesa e babait.

Unë besoj tek drejtësia morale. S’do heq dorë sëbesuari, do përpiqem gjithmonë t’i shkojë deri në fund me aq mundësi sa do kem,. Kryeministri ka qenë gjithmonë me ne, na ka mbështetur. Rasti i babit tim është pak më i vështirë për ta marrë SPAK por ne do i shkojmë deri në fund me përpjekjet tona.

Duam drejtësi. Besojmë tek drejtësia morale, që s’do reshtim së besuari”, tha Ana Veizi, vajza e Ziver Veizi.

Ana ishte vetëm 11 vjeçe kur humbi babain nga plumbat që dolën nga Kryeministria më 21 janar 2011. 

Ora 10:08
12 vite nga 21 janari, homazhe në nder të 4 të vrarëve në bulevard, Rama vendos nga një karafil për çdonjërin nga 'dëshmorët e Atdheut'

Në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ Kryeministri Rama, anëtarë të qeverisë, deputetë socialistë por edhe shumë qytetarë por zhvillojnë homazhe në nder të 4 të vrarëve të 21 janarit.

Karafila në vendet ku humbi jetën çdonjëri prej 4 protestuesve vendosi Kryeministri Rama, i shoqëruar nga familjarët e viktimave, me të cilët më pas u fut në Kryeministri.

Ora 09:16
21 janari, Gjiknuri: Organet ligjzbatuese të vënë para përgjegjësisë edhe urdhëruesit e këtyre vrasjeve

1671793138_damian.JPG

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri i bën thirrje organeve të drejtësisë që të vënë para përgjrgjësisë urdhëruesin e varsjeve të 21 janarit.

“Në dritën e fakteve të reja të bëra publike në media, 12-vjetori i vrasjes së katër qytetarëve të pafajshëm Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika është një kambanë që bie për organet e drejtësisë. Nuk ka më kohë për të humbur! Organet ligjzbatuese duhet të zbardhin plotësisht dhe të vënë para përgjegjësisë ligjore sa më shpejt jo vetëm ekzekutorët por edhe urdhëruesit e këtyre vrasjeve.

Çdo ditë e humbur pa zbuluar e ndëshkuar autorët e urdhëruesit është një barrë e rëndë në kurrizin e atyre organeve të drejtësisë që për mision kanë dhënien fund të pandëshkueshmërisë”, shkruan Gjiknuri.

Ora 09:12
12 vite nga 21 janari, Spiropali: Krim shtetëror, SPAK të hapë hetimin e çështjes, ne nuk heqim dorë nga drejtësia

 

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali i ka bërë thirrje SPAK që të hapë hetimet për 21 janarin. Sot në ditën kur bëhen 12 vite nga 21 janari, Spiropali thotë se nuk kanë hequr dorë nga drejtësia për atë çështje. Ajo thekson se atë ditë nuk pati vrasje aksidentale, por krim shtetëror.

“E dinë të gjithë që me 21 janar nuk pari vdekje aksidentale, por vrasje shtetërore. Por publikimi dje i një transkrpiti të një audio ku flitet për armë zjarri dhe gatishmëri për zjarr sapo protestuesit kalojnë gardhin, ndërkohë që katër dëshmitarët u vranë shumë larg gardhit të kryeministrisë kërkon reagimin e menjëhershëm të organeve të drejtësisë. Ky është një fakt i ri që bërtet shumë fort për drejtësi, në emër të viktimave, hetimeve, familjarëve dhe demokracisë së përgjakur më 21 janar. Në ditën e homazheve që sot do të bëhen me një dritëz të re shprese se drejtësia e re do hapë menjëherë hetimin e çështjes. Ne s’kemi hequr dhe s’do heqim dorë kurrë nga drejtësia për 21 janarin. Por drejtësinë e kërkojmë nga drejtësia, sot edhe më shumë, se ato zëra nga shpella e vrasjeve të asaj dite tragjike flasin vetë edhe më shumë sesa fjalët tona”, tha Spiropali.

Ora 08:24
21 Janari/ Braçe: Vrasjet ishin pushkatime në Bulevardin e Dëshmorëve! Për ditën më të tmerrshme në demokraci s’ka të dënuar

Deputeti socialist Erion Braçe rikujton se vrasjet e 4 protetsuesve 21 janarin e 2011 ishin pushkatime dhe të tilla do të mbeten e nuk ndryshojnë dot. Në një postim në Facebook ai thotë se për këto pushkatime në ditët më të tmerrshme në demokraci ende nuk ka drejtësi.

“21 janar, 12 vite pas! Vdekjet ishin vrasje, më shumë-pushkatime; shihini këto 7 foto; Janë pushkatimet e Ziver Veizit, Hekuran Dedës, plagosjet e Sokrat Godes dhe Fatos Mahmutajt;

Aparati i Hektor Pustinës kaq kapi, si dëshmi e pushkatimeve masive atë dite! Për 12 vite me radhë mbetën pushkatime, janë pushkatime, do të vijojnë të jenë pushkatime! Nuk ndryshojnë dot! Nuk i ndryshojnë dot!

Ajo që nuk ka ndryshuar gjithashtu është mungesa e drejtësisë! Sot arrestohesh e linçohesh publikisht edhe për një arkë peshk qe ekziston vetëm artistikisht, për t’i ngjitur një cështjeje edhe propagandën, jo provat.

Por për pushkatime si ato të 21 janarit, jo, nuk prekesh, ke imunitet, je i paprekshëm-drejtësia nuk arrin tek ty! Ky është vendi që kemi sot, 12 vite pas 21 janarit, ditës më të tmerrshme në demokraci, në Bulevardin e Dëshmorëve”, shkruan Erion Braçe teksa poston edhe fotot.