Trajneri i Inter, Cristian Chivu, doli në konferencë për shtyp në prag të përballjes së parë të play-off-it të Champions League kundër Bodo/Glimt (sot 21:00 në Norvegji), duke theksuar se skuadra e tij nuk duhet të kërkojë alibi.
Tekniku rumun refuzoi të ndalej sërish te çështja Alessandro Bastoni dhe skenat në ndeshjen e fituar 3-2 kundër Juventusit në fundjavë: “Nuk kam asgjë për të shtuar, kemi folur mjaftueshëm për këtë temë”.
Ai iu përgjigj edhe kritikave që erdhën pas qortimit publik ndaj Pierre Kalulu, si dhe komenteve të Luciano Spalletti: “Unë them atë që mendoj dhe nuk më intereson çfarë thonë të tjerët. Kritikat janë pjesë e kësaj loje, sidomos për ekipet që luftojnë për trofe”.
Chivu u ndal edhe te polemikat e fundit të arbitrimit: “Në Napoli pësuam një padrejtësi dhe askush nuk reagoi. Ne duhet të shohim përpara, sepse sezoni është i gjatë dhe duam të jemi konkurrues në çdo front”.
Duke analizuar sfidën në Norvegji, trajneri zikaltër ishte i qartë: “Nuk duhet të kërkojmë justifikime, as për fushën sintetike dhe as për temperaturat e ulëta. E dimë sa e vështirë është të luash këtu. Edhe Manchester City ka humbur në këtë stadium, ndërsa ata kanë vënë në vështirësi të gjithë kundërshtarët”.
Sa i përket mungesave, mesfushori Hakan Calhanoglu pritet të rikthehet javën e ardhshme pas një tendosjeje të lehtë muskulore, ndërsa Davide Frattesi ka mbetur në Milano për shkak të temperaturës.
Sot në orën 21:00 Bodo/Glimt pret Interin në të ftohtin nordik, ndërsa sfida pritet të jetë e 'luftuar' në çdo pjesë të fushës.
Lajmi kryesor:
Champions League/ Juventusi 'gallatë' në Stamboll, turpërohet me pesë gola! Reali fiton mes racizmit, skuqet Mourinho! Fitojnë PSG e Dortmund




