Krerët e shtetit shqiptar dhe opozitës kanë uruar sot popullin shqiptar për Ditën e Alfabetit të Gjuhës shqipe, e cila festohet çdo vit për të përkujtuar një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve: Kongresin e Manastirit, mbajtur nga 14 deri më 22 nëntor 1908.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një video me fotografi të shkëputura nga ajo kohë, të cilën e shoqëron me një poezi në gjuhën shqipe kushtuar alfabetit.
Rama shkruan krahas videos se në hijeshinë e gërmave të gjuhës shqipe jeton kujtesa e kombit shqiptar.
“Mirëmëngjes dhe në ditën e më të bukurave gërma, nën hijeshinë e së cilave jeton kujtesa e kombit tonë dhe frymon e ardhmja, ju uroj një të diel të qetë”, ka shkruar Rama krahas videos.
Ndërkohë Presidenti Bajram Begaj, festoi Ditën e Alfabetit me veprimtarë të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”, me rastin e 120-vjetorit të krijimit të saj.
Në këtë ditë të rëndësishme për gjuhën dhe identitetin kombëtar, Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e shoqatës në ruajtjen dhe promovimin e historisë, kulturës dhe traditave shqiptare, duke theksuar rëndësinë e përcjelljes së kësaj trashëgimie te brezat e rinj.
Duke u ndalur te rëndësia e gjuhës shqipe si një nga shtyllat e identitetit kombëtar, Presidenti Begaj vlerësoi se përpjekjet e brezave për alfabetin, shkollën, librin dhe kulturën kanë dëshmuar se bashkimi përmes gjuhës është një vlerë e çmuar e historisë sonë.
“Dita e Alfabetit na e kujton këtë ndoshta më qartë se çdo datë tjetër. Në Manastir shqiptarët nuk hoqën dorë nga dallimet mes tyre; ata u përbashkuan përmes gjuhës. Alfabeti i njësuar i dha shqipes një mjet të përbashkët shkrimi, ndërsa shkolla, libri, letërsia, studimi dhe puna e brezave i dhanë atij jetë dhe e kthyen gjuhën në një nga shtyllat më të forta të identitetit tonë kombëtar”, theksoi Presidenti.
Për këtë përvjetor, urimi i Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshit, shoqërohet edhe me pamje të krijuara përmes teknologjisë, të frymëzuara nga fotografia historike e Kongresit të Manastirit, duke sjellë në një formë të re kujtesën e këtij momenti të rëndësishëm të historisë kombëtare.
“Nga 14 deri më 22 nëntori i vitit 1908, delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, me bindje e besime të ndryshme, u mblodhën rreth një ideali që i bashkonte. Frytin e punës së tyre e kemi sot në duar sa herë shkruajmë e lexojmë shqip me 36 shkronjat e alfabetit tone”, ka shkruar Peleshi.
Urimit për Ditën e Alfabetit i është bashkuar edhe ish-Presidenti Ilir Meta, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka vlerësuar kontributin e Rilindasve dhe figurave të shquara që punuan për njehsimin e alfabetit shqip.
“Mirënjohje dhe nderim përjetë kolosëve të gjuhës shqipe dhe Rilindasve të kombit, të cilët 118 vjet më parë, në Kongresin e Manastirit, njehsuan alfabetin, themelin e identitetit dhe bashkimit tonë kombëtar, duke i paraprirë Pavarësisë së Shqipërisë”, ka shkruar mes të tjerash Meta.
Kjo ditë përfaqëson momentin e unifikimit kulturor të shqiptarëve dhe Kongresi u mbajt në Manastir (sot Bitola, Maqedonia e Veriut), në shtëpinë e Fehim Zavalanit, që sot është shndërruar në Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Në këtë kongres morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete dhe shoqata të ndryshme të shqiptarëve, si dhe 18 vëzhgues. Delegatët përfaqësonin klube patriotike dhe intelektualë nga të gjitha trojet shqiptare.
Kryetar i Kongresit ishte Mit’hat Frasheri, ndërsa nënkryetarë u zgjodhën Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi. Ndër delegatët e tjerë të shquar ishin Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Sotir Peci, Parashqevi Qiriazi (gruaja e vetme pjesëmarrëse), dhe Fehim Zavalani. Në fjalimin e hapjes, u theksua rëndësia e krijimit të një alfabeti unik për të unifikuar gjuhën shqipe dhe për të ndihmuar në përhapjen e arsimit kombëtar.
Pas disa ditësh diskutimesh dhe analizash, Kongresi vendosi që alfabeti latin të përshtatej për gjuhën shqipe, duke bërë disa ndryshime për të reflektuar veçoritë fonetike të saj. Ky vendim ishte një akt thelbësor për të përjashtuar përdorimin e alfabeteve të tjera, si ai grek, arab dhe cirilik, që përdoreshin më parë në zona të ndryshme.
Alfabeti i njësuar luajti një rol kyç në përhapjen e gjuhës shqipe dhe zhvillimin e literaturës kombëtare, duke ndihmuar në krijimin e një platforme për zhvillimin e identitetit shqiptar. Ky unifikim shërbeu si bazë për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.
Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe u shpall festë zyrtare në Shqipëri në vitin 2023 dhe për herë të parë u kremtua si një festë kombëtare atë vit. Kjo ditë festohet gjithashtu në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporën shqiptare, duke reflektuar rëndësinë e saj për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen.
Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka uruar shqiptarët për Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Përmes një postimi në faqen zyrtare në rrjetet sociale, Delegacioni i BE shkruan se gjuha shqipe lidh breza e komunitete dhe pasuron larminë gjuhësore e kulturore të Europës.
Njoftimi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri:
Gëzuar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!
118 vjet më parë, Kongresi i Manastirit hodhi themelet e alfabetit të përbashkët të shqipes, duke i dhënë hov arsimit dhe letërsisë shqipe.
Sot festojmë gjuhën shqipe që lidh breza e komunitete dhe pasuron larminë gjuhësore e kulturore të Evropës.
Presidenti Bajram Begaj, festoi Ditën e Alfabetit me veprimtarë të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”, me rastin e 120-vjetorit të krijimit të saj.
Në këtë ditë të rëndësishme për gjuhën dhe identitetin kombëtar, Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e shoqatës në ruajtjen dhe promovimin e historisë, kulturës dhe traditave shqiptare, duke theksuar rëndësinë e përcjelljes së kësaj trashëgimie te brezat e rinj.
Presidenti vuri në dukje gjithashtu lidhjen historike të shoqatës me personalitete të shquara të Rilindjes Kombëtare, ndër të cilët Mid’hat Frashëri, kryetar i Kongresit të Manastirit.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj vlerësoi përkimin domethënës të 120-vjetorit të Shoqatës “Tomorri” me Ditën e Alfabetit, duke e cilësuar atë si një mundësi për të kujtuar përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për gjuhën, shkollën, kulturën dhe afirmimin e identitetit kombëtar.
“Përkon bukur që këtë 120-vjetor e festojmë në Ditën e Alfabetit, sepse Shoqata ‘Tomorri’ lindi në një kohë kur shqiptarët po bënin përpjekje të mëdha për gjuhën, shkollën, kulturën dhe afirmimin e identitetit të tyre kombëtar. Dy vjet më vonë, Kongresi i Manastirit do t’i jepte shqipes alfabetin e njësuar, duke kurorëzuar një punë që kishte nisur shumë më herët dhe që kishte bashkuar atdhetarë të ardhur nga krahina, besime dhe rryma të ndryshme të mendimit shqiptar.
Në atë periudhë, shoqatat patriotike, klubet, shkollat dhe botimet në gjuhën shqipe krijuan një hapësirë të jashtëzakonshme bashkëpunimi mes shqiptarëve, brenda vendit dhe në Diasporë. Rreth tyre u mblodhën njerëz që e kuptonin se puna për gjuhën dhe kulturën ishte, njëkohësisht, punë për vetëdijen dhe të ardhmen e kombit”, u shpreh Presidenti.
Kreu i Shtetit theksoi se shoqatat patriotike dhe kulturore kanë luajtur një rol të çmuar në historinë e vendit, duke krijuar hapësira bashkëpunimi mes shqiptarëve brenda dhe jashtë atdheut.
Në këtë kontekst, ai përmendi kontributin e Fan Nolit dhe Mid’hat Frashërit, të cilët kanë qenë pjesë e Shoqatës “Tomorri”, përkatësisht si përfaqësues të saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Greqi.
Duke u ndalur te rëndësia e gjuhës shqipe si një nga shtyllat e identitetit kombëtar, Presidenti Begaj vlerësoi se përpjekjet e brezave për alfabetin, shkollën, librin dhe kulturën kanë dëshmuar se bashkimi përmes gjuhës është një vlerë e çmuar e historisë sonë.
“Dita e Alfabetit na e kujton këtë ndoshta më qartë se çdo datë tjetër. Në Manastir shqiptarët nuk hoqën dorë nga dallimet mes tyre; ata u përbashkuan përmes gjuhës.
Alfabeti i njësuar i dha shqipes një mjet të përbashkët shkrimi, ndërsa shkolla, libri, letërsia, studimi dhe puna e brezave i dhanë atij jetë dhe e kthyen gjuhën në një nga shtyllat më të forta të identitetit tonë kombëtar.
Në këto kushte, puna për njohjen dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore merr një rëndësi akoma më të madhe. Ajo duhet të na ndihmojë të njohim më mirë atë që kemi trashëguar, ta studiojmë me seriozitet dhe t’ua përcjellim brezave të rinj në një mënyrë që u flet edhe atyre, kohës së tyre dhe botës në të cilën jetojnë”, theksoi Presidenti.
Presidenti Begaj vlerësoi gjithashtu veprimtarinë e Shoqatës “Tomorri” pas rithemelimit, në fushën e studimit të historisë, folklorit dhe etnokulturës, si dhe përmes botimeve, veprimtarive shkencore dhe bashkëpunimit me institucionet kulturore e akademike.
Ai nënvizoi se shoqatat kulturore kanë një rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e kujtesës, forcimin e lidhjeve njerëzore dhe përcjelljen e traditave, veçanërisht në një kohë kur shoqëria po ndryshon me shpejtësi dhe shumë të rinj largohen nga vendlindja.
Në këtë kuadër, Kreu i Shtetit inkurajoi Shoqatën “Tomorri” që t’u japë hapësirë të veçantë të rinjve, shkollave, hulumtimit dhe nismave për mbrojtjen e natyrës, duke theksuar se tradita mbetet e gjallë kur brezi i ri e njeh, e çmon dhe zgjedh ta çojë përpara.
“Ju inkurajoj që në punën tuaj t’u jepni hapësirë të veçantë të rinjve, shkollave, hulumtimit dhe nismave për mbrojtjen e natyrës, sepse një traditë mbetet e gjallë kur brezi i ri e njeh, e çmon dhe zgjedh ta çojë përpara”, u shpreh Presidenti Begaj.
Në përfundim, Presidenti i Republikës uroi që Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri” të vijojë me sukses misionin e saj, duke e shndërruar trashëgiminë e çmuar të kësaj treve në burim frymëzimi për të ardhmen.
Në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Ilir Meta ka përcjellë një mesazh urimi ku ka vlerësuar kontributin e Rilindasve dhe figurave të shquara që punuan për njehsimin e alfabetit shqip.
Përmes një reagimi në rrjete sociale, Meta kujton Kongresin e Manastirit, 118 vite më parë duke e cilësuar atë si një moment historik për identitetin dhe bashkimin kombëtar shqiptar.
Në mesazhin e tij, ai thekson se gjuha shqipe është pjesë e pandashme e historisë dhe identitetit kombëtar, duke shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në ruajtjen dhe trashëgiminë e saj.
Reagimi i Metës:
"Gëzuar Ditën e Alfabetit të gjuhës sonë të bukur shqipe!
Një gjuhë e shkruar me gërma gjaku dhe sakrifica heroike të panumërta.
Mirënjohje dhe nderim përjetë kolosëve të gjuhës shqipe dhe Rilindasve të kombit, të cilët 118 vjet më parë, në Kongresin e Manastirit, njehsuan alfabetin, themelin e identitetit dhe bashkimit tonë kombëtar, duke i paraprirë Pavarësisë së Shqipërisë.
Shqipja është rrënja jonë, historia jonë dhe shpirti i kombit shqiptar. Një gjuhë e larë me gjak, e mbajtur gjallë me sakrifica dhe e trashëguar si amanet i shenjtë brez pas brezi. Krenarë për gjuhën, historinë dhe identitetin tonë kombëtar!"
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ka reaguar me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke kujtuar me një mesazh urimi rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit dhe vendimin për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Nga 14 deri më 22 nëntor 1908, delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, me bindje dhe besime të ndryshme, u mblodhën rreth një ideali të përbashkët, njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Një përpjekje historike, frytin e së cilës shqiptarët e kanë sot në duar sa herë shkruajnë dhe lexojnë me 36 shkronjat e alfabetit të tyre. Për këtë përvjetor, urimi i Kryetarit të Kuvendit shoqërohet edhe me pamje të krijuara përmes teknologjisë, të frymëzuara nga fotografia historike e Kongresit të Manastirit, duke sjellë në një formë të re kujtesën e këtij momenti të rëndësishëm të historisë kombëtare.
Reagimi i plotë:
"Si sot, 118 vjet më parë, në Manastir u hodh një hap vendimtar që do t’i jepte identitetit perëndimor të kombit tonë shumëçka nga trajta që ka edhe sot. Shqiptarët vendosën atë ditë, të shkruanin me një alfabet të përbashkët, si të gjithë kombet e qytetëruar të botës moderne.
Nga 14 deri më 22 nëntori i vitit 1908, delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, me bindje e besime të ndryshme, u mblodhën rreth një ideali që i bashkonte. Frytin e punës së tyre e kemi sot në duar sa herë shkruajmë e lexojmë shqip me 36 shkronjat e alfabetit tonë.
Pamjet që shoqërojnë këtë urim janë një rikthim përmes teknologjisë, frymëzuar nga fotografia historike e Kongresit të Manastirit.
Gjuha është identiteti ynë. Ta ruajmë, ta kultivojmë dhe t’ua përcjellim fëmijëve tanë me krenari.
Gëzuar Ditën e Alfabetit Shqip!":- shkruan Peleshi.








Komente
Komento