Besimtarët myslimanë mbyllin sot muajin e shenjtë të Ramazanit, të sakrificës, përkushtimit dhe lutjeve. Pas 30 ditëve agjërim, adhurim, solidaritet dhe pastrim shpirtëror, besimtarët festojnë Fiter Bajramin, ditë kur shënohet kthim në rutinën e përditshmërisë. Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ka uruar besimtarët në këtë ditë të shënuar.

“Sot jemi në ditën e fundit të një muaji adhurimi, mëshire, falje e solidariteti. Ju përcjell urimet më të sinqerta me rastin e kësaj feste të bukur. Ramazani ishte një udhëtim shpirtëror, i përkushtimit, sakrificës dhe afrimit me zotin. Përmes agjërimit, lutjeve dhe veprave të mira, ne forcuam besimin tonë dhe ndenjën e solidaritetit me njëri-tjetrin. Fitër Bajrami është festa që na kujton vlerat më të mëdha njerëzore, mëshirën, dashurinë dhe faljen dhe ndihmën ndaj atyre që kanë nevojë. Le të jetë kjo ditë një moment gëzimi dhe bashkimi për çdo familje shqiptare. Në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ju uroj gëzuar Fitër Bajramin. Zoti e pranoftë agjërimin dhe lutjen tuaj, ju dhëntë paqe dhe begati në familjen tuaj”, tha kreu i KMSH Bujar Spahiu.

Festa fillon me faljen e namazit të Fiter Bajramit, e cila do të mbahet në sheshin ‘Skënderbej’ në orën 06.30, kur nis lindja e diellit. Besimtarët shpërndajnë lëmoshën Sadakutul-Fitri, për familjet në nevojë dhe të varfrit, një obligimi për çdo besimtar mysliman.

Myftiu i Korçës Ledjan Cikalleshi uroi dhe ftoi besimtarët në faljen e namazit para oborrit të xhamisë së vjetër “Iljas Bej Mirahori”.

“Atmosfera shpirtërore që përjetuam gjatë muajit të bekuar të Ramazanit na forcon dhe motivon ta shohim festen e Fitër Bajramit si ditën e shpresave të reja, si ditën e të kujtuarit dhe solidaritetit me njëri-tjetrin, si ditën e ripërtëritjes së dashurisë për njeriun dhe njerëzoren”, tha myftiu i Korçës Ledjan Cikalleshi.

Në Vlorë falja e madhe e Bajramit do të mbahet në ambientet e Pallatit të Sportit ‘Flamurtari’.

“Nesër është dita e Fitër Bajramit që vjen pas 1 muaji sakrificë, një muaj kur zoti i gjithësisë na ftoi të jemi të vetëdijshëm, të edukojmë veten, familjen tonë dhe njerëzit që kemi përreth. Bajrami është dita kur duhet të reflektojmë me mirësi e dashuri”, tha Myftiu i Vlorës Ardit Hoxhllaku.

Pa faljes, besimtarët vijojnë me vizita te të afërmit dhe më pas ulen në drekën e Fiter Bajramit. Ndërkohë urime për këtë ditë të veçantë për besimtarët myslimanë kanë ardhur edhe nga politika. Presidenti Bajram Begaj dhe kreu i Partisë së Lirisë u kanë uruar familjeve shqiptare mirësi dhe begati në këtë ditë të Shenjtë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:56
Presidenti Begaj uron besimtarët myslimanë për Fitër Bajram: Qoftë agjërimi dhe përkushtimi juaj i pranuar!

1773945203_cghykioiii.JPG

Presidenti Bajram Begaj ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Begaj ka uruar një agjërim të pranuar për të gjithë besimtarët që agjëruan në muajin e Shenjtë të Ramazanit.

"Me rastin e festës së Fitër Bajramit, uroj të gjithë besimtarët myslimanë, gëzuar e mbarësi paçi gjithmonë në familjet e juaja. Qoftë agjërimi dhe përkushtimi juaj i pranuar! Qoftë kjo festë një ditë gëzimi dhe solidariteti për të gjithë!", ka shkruar Begaj në postimin e tij.

Fitër Bajrami vjen pas një muaji sakrifice për besimtarët myslimanë që kanë agjëruar në këto ditë të bekuara të Ramazanit dhe pas Natës së Kadrit, natë në të cilën në fenë Islame thuhet se ka zbritur libri i shenjtë, Kurani, në tokë.

Ora 18:38
Meta uron besimtarët për festën e Fitër Bajramit: Shpresa le të rritet dhe të forcohet në zemrën e çdo shqiptari!

1771317789_1000039315.jpg

Foto: Ilir Meta

Ish presidenti Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit. Përmes një postimi në rrjetet sociale Meta uron shëndet e mbarësi për çdo familje shqiptare.

“Thuaj: Vetëm me mirësinë e Allahut dhe mëshirën e Tij, le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë. - KURAN

Sonte i bashkohem festës së çdo besimtari mysliman shqiptar për mirëseardhjen e Fitër Bajramit dhe urimeve të përzemërta për agjërim të pranuar, për më shumë shëndet, mbarësi, begati dhe paqe në familjet tuaja!

Shpresa le të rritet dhe të forcohet në zemrën e çdo shqiptari! GËZUAR FITËR BAJRAMIN!”, shkruan Meta në një postim në rrjetet sociale.