Dita e Verës simbolizon fillimin e një stine plot ngjyra, lule dhe gëzim. Festa ka nisur që në mbrëmjen e 13 marsit kur përgatiten ëmbëlsirat siç është ballokumja që s’mund të mungojë dhe ushqimet tradicionale.

Një nga simbolikat e kësaj feste është verorja me pe të bardhë e të kuq.

Çdo qytet ka planifikuar një sërë aktivitetesh e festimesh për të kremtuar këtë ditë, si dhe janë marrë masat për kufizimin e qarkullimit të automjeteve.

Në Tiranë, devijimi i trafikut ka nisur prej orës 12:00 të datës 13 mars dhe do të vijojë deri në orët e para të datës 15 mars. Aktivitetet festive do të nisin që në orët e para të ditës së sotme dhe do të përfundojnë vonë pas mesnate. Rreth 50 veprimtari të ndryshme janë programuar në kryeqytet, nga ora 09:00 e mëngjesit e deri në mesnatë.

Për të gjitha grupmoshat janë dedikuar hapësira të veçanta, sidomos për fëmijët që janë parashikuar aktivitete te Liqeni Artificial dhe Parku Rinia.

Plani i kufizimit të lëvizjes do të ndiqet edhe në Elbasan, kryeqendrën e festimeve të Ditës së Verës.

Sot pritet një numër shumë i lartë vizitorësh në Elbasan, të cilët pritet të vijnë jo vetëm nga trevat shqipfolëse, por edhe nga shtete të Europës.

Në prag të Ditës së Verës, Elbasani festoi në sheshin kryesor me një koncert të madh, ku qindra qytetarë dolën për të festuar.

Një ditë më parë u çel Panairi i Ballokumeve, janë zhvilluar koncerte për fëmijë, si dhe shfaqje të teatrit të rrugës me maskota. Festimet vijuan me parakalimin e grupeve folklorike nga gjithë trevat e vendit.

Për herë të parë u çel edhe panairi bujqësor “Nga toka jonë në sofrën tuaj” me pjesëmarrjen e 54 subjekteve. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:07
Zjarr, vezë dhe tryezën plot, Erseka mirëpret Ditën e Verës me një atmosferë plot gjallëri

Për të shtatin vit radhazi, qyteti i Ersekës e mirëpret Ditën e Verës me një organizim të veçantë dhe plot gjallëri nga vetë banorët. Nga qytetarët e zakonshëm, te grupet artistike dhe amvisat kolonjare, të gjithë bëhen pjesë e festës duke i dhënë sheshit një atmosferë tradicionale.  Amvisat sjellin për vizitorët gatimet tipike të kësaj dite, duke e kthyer festën në një ekspozitë të shijeve të zonës.

Sipas tyre, në tryezën e Ditës së Verës nuk mund të mungojnë kulaçi, vezët e ziera, veroret dhe ëmbëlsirat e ndryshme, të cilat përgatiten sipas traditës së vjetër të Kolonjës.

“I kam trashëguar të mamave. Bëjmë verore të bardhë me pe te kuq. E vëmë në duar dhe fëmijëve. Marrim thanat. Misrat e zier me hi, i lajmë. Bëjmë kulaç, petanik, nga ato që bëjmë pastërma. Vezë të kuqe, kulaç, kush e kush nga komshinjtë të çohej më parë në mëngjes. Ishte traditë që na i kanë lënë të vjetrit”, thonë zonjat.

"Ziejmë vezë, Bëjmë kulaç, ëmbëlsira. Misra, grurë. I ndajmë në lagje, lajthi. Karamele. Portokalle, mollë etj”, shton një tjetër. " Ja shikoje, me misra, me kulaç, manushaqe, luledele, të gëzuar”, vijon një prej amvisave.

Ndërkohë, kryetari i bashkisë Kolonjë thekson se aktivitetet e organizuara për këtë festë sjellin gjallëri dhe atmosferë festive në sheshin “Rilindja”.

"Sado traditë e zhurmë do ketë njerëz që thonë s’ka, njerëz por rrjetet virtuale e dinë. Dita e Verës është festë që buron jo nga komercialiteti, por festë pagane e festuar ndër shekuj mes traditave fetare dhe pagane. Uroj që shqiptaret te kenë shëndet, begati, qetësi”, uroi Isai.

Ora 08:53
Presidenti Begaj uron Ditën e Verës: Festë që ka mbijetuar përtej shekujve, sjelltë gëzim e optimizëm në çdo familje!

1771434990_bajrambegaj.jpeg

Presidenti Bajram Begaj ka uruar në rrjetet sociale Ditën e Verës, si një festë që ka mbijetuar përtej shekujve. Kreu i shtetit uron gëzim, optimizëm e begati në familjet shqiptare.

“Gëzuar Ditën e Verës! Një nga festat që ka mbijetuar përtej shekujve, e lidhur ngushtë me natyrën dhe me shpirtin e popullit tonë. Sjelltë kjo festë e bukur e traditës sonë gëzim, optimizëm dhe begati në çdo familjeje shqiptare!”, shkruan presidenti.