Sot besimtarët myslimanë falën namazin e Fitër Bajramit pas muajit të sakrificës së Ramazanit.
Për ta është një ditë feste që kremton përmbylljen e agjërimit, falënderojnë Zotin për mëshirën dhe mirësinë, ndërsa vlerësojnë vëllazërinë, dashurinë dhe ndihmën ndaj të tjerëve.
Këtë vit, presidenti i Republikës, Bajram Begaj zgjodhi ta festojë këtë ditë të shënuar në Golem, nga ku përcolli edhe një mesazh.
“Vlerat që mbart Ramazani nuk duhet të na shoqërojnë vetëm gjatë këtij muaji. Ato duhet të jenë tonat dhe të na udhëheqin gjatë gjithë ditëve të vitit dhe përgjatë gjithë jetës sonë. Pas muajit të shenjtë të Ramazanit, uroj që Zoti t’ju ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe përkushtimin tuaj!”, tha ai.
Kryeministri Edi Rama e përcolli urimin e tij përmes rrjeteve sociale, duke publikuar një faqe nga Kurani, të shoqëruar me mesazhin: “Gëzuar Fitër Bajramin!”
Zv/kryeministrja Albana Koçiu uroi që paqja e solidariteti i muajit të Ramazanit të vijojnë të jenë pjesë e familjeve shqiptare.
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, e ka uruar festën e Fitër Bajramit për të gjithë shqiptarët duke nxjerrë në pah bashkëjetesën fetare.
Bashkëjetesa fetare u theksua si vlerë edhe nga Ministria e Jashtme, që në urimin e saj shprehet: “Shqipëria i ka mësuar botës diçka të rrallë: se si njerëzit e feve dhe traditave të ndryshme mund të ulen bashkë, të ndajnë bukën, të gëzohen njëri për tjetrin.”
Përfaqësues të tjerë të qeverisë, mes tyre ministrat Lamallari, Gogu dhe Ismaili, zhvilluan vizita në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, për të uruar besimtarët.
Edhe kryetari i PD, Sali Berisha shkroi “le t’i lutemi Zotit për kthimin e adhurimit të besimtarëve në mbarësi për ta, familjet e tyre dhe vendin”.
Një mesazh të veçantë për harmoninë dhe bashkëjetesën fetare në vend dhanë edhe krerët e komuniteteve të krishtera.
Urime për Fitër Bajramin erdhën gjithashtu edhe nga përfaqësues të selive diplomatike, përfshirë Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian, të cilët përcollën mesazhe paqeje, shprese dhe mbarësie për të gjithë besimtarët.
Ambasada e Gjermanisë në Tiranë ka përcjellë urimet për besimtarët myslimanë me rastin e Fitër Bajramit, duke theksuar rëndësinë e kësaj feste pas përfundimit të muajit të Ramazanit.
Në mesazhin e saj publik, ambasada uroi një festë të bekuar për të gjithë ata që e festojnë këtë ditë, duke e përcjellë urimin si në shqip ashtu edhe në gjermanisht. “Urojmë të gjithë muslimanet dhe muslimanët një festë të bekuar të përfundimit të agjërimit, një Fitër Bajram të bekuar”, thuhet në mesazh, ndërsa i njëjti urim është përsëritur edhe në gjuhën gjermane për komunitetin ndërkombëtar.
Fitër Bajrami ka sjellë edhe urimet e ish-ministres së Jashtme, Elisa Spiropali, e cila ka përcjellë një mesazh për besimtarët shqiptarë, duke theksuar vlerat shpirtërore që mbart kjo festë.
Në reagimin e saj, Spiropali u ndal te rëndësia e sakrificës dhe reflektimit, duke theksuar se kjo festë është një moment që i afron njerëzit me të vërtetën dhe barazinë. “Gëzuar Bajramin e Madh që na kujton se vetëm sakrifica na afron me të vërtetën, dhe vetëm e vërteta sjell naltësimin. Sado të ndryshëm dukemi, përpara Zotit të gjithë njësoj jemi”, u shpreh ajo.
Atmosfera ishte e ngrohtë në Golem këtë të premte, ku Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zgjodhi të jetë pranë besimtarëve myslimanë për të kremtuar Fitër Bajramin dhe për të përcjellë urimet e tij për të gjithë shqiptarët. Nga xhamia e Golemit, kreu i shtetit uroi besimtarët me rastin e festës, duke e cilësuar këtë ditë si një moment reflektimi dhe gëzimi pas muajit të shenjtë të Ramazanit.
Në mesazhin e tij, Begaj theksoi se vlerat që mbart Ramazani nuk duhet të mbeten vetëm në këtë periudhë, por të shoqërojnë çdo ditë të jetës.
“Vlerat që mbart Ramazani nuk duhet të na shoqërojnë vetëm gjatë këtij muaji. Ato duhet të jenë tonat dhe të na udhëheqin gjatë gjithë ditëve të vitit dhe përgjatë gjithë jetës sonë. Pas muajit të shenjtë të Ramazanit, uroj që Zoti t’ju ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe përkushtimin tuaj! Uroj që të gjithë besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët të kenë gëzim dhe çdo të mirë në jetën e tyre! Paqe në zemrat tuaja, dritë në shpirtin tuaj dhe bekime në çdo minutë të jetës suaj”, u shpreh ai
Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka uruar Fitër Bajramin për besimtarët myslimanë.
“Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri u uron të gjithë besimtarëve myslimanë Gëzuar Fitër Bajramin. Kjo festë sjelltë paqe, shpresë dhe mbarësi për ju dhe familjet tuaja”, thuhet në postim.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka uruar besimtarët shqiptarë me rastin e Fitër Bajramit, duke përcjellë një mesazh të ngrohtë nga Shtëpia e Bardhë për këtë festë të rëndësishme. Në urimin e publikuar, theksohet dëshira për paqe, mirësi dhe gëzim për të gjithë ata që e festojnë këtë ditë.
“Ne përcjellim urimet tona më të ngrohta për një Fitër Bajram të bekuar të gjithë atyre që festojnë”, thuhet në mesazhin presidencial, i cili është shpërndarë edhe nga ambasada amerikane, duke përcjellë kështu urimet për komunitetin mysliman.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ndodhet në selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për të uruar Fitër Bajramin. Në postimin e ndarë në rrjetet sociale krah kreut të KMSH, Bujar Spahiut, theksohet agjërimi si sprovë fizike dhe reflektim për durimin, mirësinë, solidaritetin dhe thirrje për paqe e harmoni.
“Në selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për të uruar Fitër Bajramin. Agjërimi nuk është vetëm një sprovë fizike, por mbi të gjitha një reflektim i thellë mbi durimin dhe rëndësinë e mirësisë dhe solidaritetit ndaj atyre që kanë më pak, si dhe një thirrje kuptimplotë për më shumë paqe e harmoni mbështetur mbi vlerat që na bashkojnë si shoqëri. Gëzuar Fitër Bajramin!”, thotë postimi.

Në urimin për festën e Fitër Bajramit, Ministria e Jashtme ka fokusuar bashkëjetesën fetare në Shqipëri si një vlerë jo të rastësishme, por si trashëgimi e krenari. Institucioni nënvizon rëndësinë e kësaj dite të shenjtë si një moment reflektimi, faljeje dhe afrimi mes njerëzve.
“Në këtë Ditë të Bajramit të Madh, urojmë që paqja, harmonia dhe mirësia të mbushin zemrat e të gjithë shqiptarëve, kudo ku ndodhen, në Shqipëri dhe Diasporë. Bajrami nuk është vetëm një festë, por një ndjenjë tek e cila urimet e përzemërta zëvendësojnë heshtjet dhe falja bëhet forcë.
Shqipëria i ka mësuar botës diçka të rrallë: se si njerëzit e feve dhe traditave të ndryshme mund të ulen bashkë, të ndajnë bukën, të gëzohen njëri për tjetrin. Kjo nuk është rastësi – është trashëgimi. Është krenari.
Sot, në këtë ditë të shenjtë, le të kujtojmë se çdo buzëqeshje që japim është një dhuratë. Çdo fjalë e mirë – një urë. Çdo falje – një fillim i ri.
Gëzuar Bajramin e Madh!”, thuhet në postim.

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, e ka uruar festën e Fitër Bajramit për të gjithë shqiptarët duke nxjerrë në pah bashkëjetesën fetare.
“Gëzuar Bajramin të gjithë besimtarëve dhe të gjithë shqiptarëve sepse falë bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri i festojmë të gjitha festat së bashku!”, shkruan ai në Facebook.
Balla ka ndarë edhe disa video, ku një nga momentet më të bukura të mbrëmjes të së enjtes ishin dronët në Xhaminë e Namazgjasë.
Dronët kanë krijuar një spektakël dritash duke ndërtuar forma si duar që luten, simboli i Kuranit, shprehjet “Agjërim të pranuar” dhe “Gëzuar Bajramin”, duke kulmuar me shpërthimin shumëngjyrësh të fishekzjarreve.

Zv/kryeministrja Albana Koçiu ka uruar festën e Fitër Bajramit për besimtarët myslimanë. Ajo uron që paqja e solidariteti i muajit të Ramazanit të vijojnë të jenë pjesë e familjeve shqiptare.
“Gëzuar Fitër Bajramin! Në mbyllje të muajit të shenjtë të Ramazanit, uroj që paqja dhe solidariteti që shoqëruan këtë rrugëtim, të mbeten të pranishme në çdo familje shqiptare”, thotë Koçiu.
Komente











Ik ore hajdut i pa fe
Përgjigju