Sot me aktivitete përkujtimore e tematike festohet 29 Nëntori, 77-vjetori i Çlirimit të Shqipërisë nga forcat fashiste italiane e gjermane. Por këtë datë politika e feston të ndarë, pasi e djathta feston 28 nëntorin si ditën e Pavarësisë dhe të Çlirimit, ndërsa 29 nëntori është festë vetëm për të majtën.

Presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla kanë kryer homazhe dhe nderime në Varrezat e Dëshmorëve, për dëshmorët e rënë për çlirimin e atdheut, ku  kanë vendosur kurora me lule. Gjithashtu më herët kryeministri Edi Rama postoi një video nga Rruga e Arbrit dhe në këtë formë, i uron shqiptarëve gëzuar 29 nëntorin, festën e Çlirimit të Shqipërisë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Nacinal Çlirimtare e Shqipërisë zhvilloi kryengritje të armatosur kundër okupimit të Shqipërisë. Prej 7 prillit të vitit 1939 Shqipëria kishte qenë e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane. 

Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej te çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij.

Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944, datë kjo e cila shënon ditën e çlirimi të Shqipërisë. Shqipëria është vendi i parë në Ballkan që u çliruan me forcat e veta, ndërsa të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit u çliruan me ndihmën e Armatës së Kuqe.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:58
Ilir Meta uron festën e Ditës së Çlirimit me këngë partizane: Lavdi dëshmorëve dhe heronjve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare

Presidenti Ilir Meta ka uruar festën e Ditës së Çlirimit me këngë partizane.

‘Gëzuar ditën e çlirimit! Lavdi dëshmorëve dhe heronjve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, gjakut dhe sakrificave të bijve dhe bijave më patriotë për mbrojtjen e Lirisë dhe Sovranitetit të Shqipërisë!’- shkruan Meta.

Ora 10:26
77-vjetori i Çlirimit të Shqipërisë, Ambasada Amerikane: Gëzuar

Ambasada Amerikane në Tiranë ka uruar shqiptarë  për festën e çlirimit të vendit.

"Shqipëria shënon sot përvjetorin e 77 të Çlirimit. Në këtë festë zyrtare, shqiptarët nderojnë ata që sakrifikuan jetët në luftë dhe kremtojnë lirinë. Gëzuar Ditën e Çlirimit, Shqipëri!", shkruan Ambasada.

Ora 10:18
77-vjetori i Çlirimit të Shqipërisë, Rama, Meta dhe Nikolla homazhe në  Varrezat e Dëshmorëve

Presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla kanë kryer homazhe dhe nderime në Varrezat e Dëshmorëve, për dëshmorët e rënë për çlirimin e atdheut.

Sot shënohet 77 vjetori i çlirimit të Shqipërisë, ku Meta, Rama dhe Nikolla kanë vendosur kurora me lule dhe janë përkulur në nderim të dëshmorëve të rënë.

Ora 08:40
Dita e Çlirimit, Nikolla: Vlerat e antifashizmit dhe të lirisë qëndrojnë në themelet e Shqipërisë demokratike

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka uruar shqiptarët me rastin e 29 Nëntorit, Ditës së Çlirimit të atdheut. Kryeparlamentarja nënvizon se sot është dita e mirënjohjes ndaj çlirimtarëve dhe e nderimit të dëshmorëve të lirisë. Në Luftën për çlirim shqiptarët u bashkuan rreth vlerave të antifashizmit dhe të lirisë, vlera të cilat qëndrojnë në themelet e Shqipërisë demokratike, shton Nikolla.

“Sot është 29 Nëntor, përvjetori i 77-të i çlirimit të atdheut nga pushtuesit nazi-fashistë. Sot është dita e mirënjohjes ndaj çlirimtarëve.  Është dita të nderojmë dëshmorët e Lirisë. Të përulemi me respekt para veteranëve të Luftës, një pjesë të vogël të të cileve i kemi ende midis nesh dhe të cilëve u uroj jetë të gjatë!

Në Luftën për çlirim shqiptarët u bashkuan rreth vlerave të antifashizmit dhe të lirisë, vlera të cilat qëndrojnë në themelet e Shqipërisë demokratike.

 Sot është koha të jemi bashkuar për përshpejtimin e rrugëtimit evropian të Shqipërisë, për të thelluar e avancuar reformat, në shërbim të zhvillimit të Shqipërisë, konsolidimit  të demokracisë dhe rritjes së mirëqenies së të gjithë qytetarëve. Gëzuar të gjithëve 29 Nëntorin, Ditën e Çlirimit të Shqipërisë!”- shkruan Nikolla.

Ora 08:05
Kryeministri Rama njofton hapjen e Rrugës së Arbrit: Gëzuar 29-Nëntorin Shqipëri

Në rastin e festës së Ditës së Çlirimit, kryeministri Edi Rama njoftuar hapjen e Rrugës së Arbrit, teksa ka uruar të gjithë shqiptarët.

‘Mirëmëngjes! Gëzuar 29 nëntorin’ , shkroi Rama.