Qielli i Stambollit mbi 'Besiktas Park', do të ketë ngjyra evropiane mbrëmjen e sotme pasi me fillim nga ora 21:00 do të luhet finalja e Europa League mes Aston Villas dhe Freiburgut. Përballen dy botë të ndryshme, Aston Villa favorite nga njëra anë, që kërkon 'shenjtërimin' ndërkombëtar, ndërsa në anën tjetër Freiburgu, përralla romantike e një skuadre që nuk ka fituar kurrë asgjë dhe është 90 minuta larg 'parajsës'.
Faktori kryesor i sfidës është ulur në stolin e Villas. Spanjolli Unai Emery është quajtur “mbreti i Europa League”, duke qenë se në karrierën e tij ka 4 trofe në këtë kompeticion, 3 me Sevillan dhe 1 me Villarrealin në 5 finale të luajtura. Nuk ka fituar vetëm finalen e 2019-ës, kur drejtonte Arsenalin në derbin me Chelsean.
Numrat e Emery në kupat evropiane janë të frikshëm; 123 fitore në 209 ndeshje, 43 barazime dhe 43 humbje. Të dhëna premtuese për Aston Villan, që kërkon trofeun e parë pas 30 vitesh agjërim (Kupa e Ligës angleze, e fituar në sezonin 1995-1996).
Në anën tjetër debutuesi Julian Schuster, i cili drejton Freiburgun dhe që në karrierën e vet ka vetëm trofe të fituar në divizionin e dytë. Për gjermanët është finalja e parë evropiane në histori.
Djemtë e Emery dominuan fazën e ligës, duke e mbyllur në vend të 2-të, me 7 fitore dhe 1 humbje. Nga Play-off-i e më pas regjistruan 5 fitore dhe 1 humbje. Në gjysmëfinale përmbysën Nottingham Forest nga 0-1 në ndeshjen e parë në 4-0 në kthim.
Gjermanët në fazën e ligës zunë vendin e 7-të, duke qenë mbrojtja më e mirë me vetëm 4 gola të pësuar. Në fazën me eliminim direkt Freiburgu u bë më argëtues, pësoi 6 gola, por shënoi 3 gola ose më shumë në secilën nga 6 ndeshjet kundër Genk, Celta Vigo dhe Braga.
Formacionet e mundshme:
Freiburg: Atubolu; Kübler, Ginter, Lienhart, Treu; Eggestein, Manzambi; Beste, Höler, Grifo; Matanović
Trajneri Julian Schuster nuk ka të gatshëm vetëm Yuito Suzuki, që ka pësuar një frakturë. “Luajmë tri ndeshje në javë dhe duhet të falenderojmë përgatitësit tanë atletikë, mjekët dhe fizioterapistët”, ka thënë trajneri gjerman.
Aston Villa: Martínez; Cash, Konsa, Pau Torres, Digne; Lindelof, Tielemans; McGinn, Rogers, Buendía; Watkins
Pikëpyetja e madhe e anglezëve është gjendja fizike e Amadou Onana, i dëmtuar në pulpë në gjysmëfinalen e parë. Vendin e tij pritet ta marrë Victor Lindelof.
Sfida e Stambollit është ndeshja e parë zyrtare mes Aston Villas dhe Freiburgut në historinë e tyre.

Finalja e sotme e Europa League mes Freiburg dhe Aston Villas është një takim me shumë histori brenda. Në kampin anglez figura e trajnerit Unai Emery është unike.
Basku ka fituar plot katër herë kompeticionin duke mbajtur një rekord unik falë triumfit të trefishtë si trajner i Sevillas mes viteve 2014-2016 dhe fitores së vitit 2021 si teknik i Villarrealit.
54-vjeçari me një tjetër fitore përballë Freiburgut do të thellonte rekordin e tij, teksa do të arrinte Carlo Ancelottin, Jose Mourinhon dhe Trapattonin me nga pesë trofe. Ancelotti mbetet një histori më vetë me pesë trofe të fituar të Champions League.
Trajnerët më të suksesshëm në kompeticionet evropiane
Komente






