Sot hyri në fuqi paketa/ Ndreca në '45 Minuta': Kemi 250 persona në listë! Ndryshimi i vetëm për prokurorët dhe gjyqtarët 'KÇK'

TIRANE-Vetëm pak orë pasi kaloi me akt normativ paketa anti-KÇK, Policia e Shtetit e ka bërë gati listën me 250 subjektet e para për të ndërhyrë. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Plarent Ndreca i ftuar në emisionin "45 Minuta" në Report Tv sqaroi se si do të funksionojë, ku do të ndërhyhet dhe çfarë parashikon kjo paketë. Akti normativ do të jetë në fuqi deri në fund të vitit 2020, afat kur mendohet se të gjitha organet e reja të reformës në drejtësi janë ngritur.

Dy janë pikat kryesore të kësaj pakete. E para lidhet me goditjen e pasurive të grupeve kriminale apo individëve, që janë hetuar dhe dënuar, por pasuria nuk është kontrolluar si e kanë vendosur. Me këtë paketë, policia synon që të godasë financat e tyre. E ndërsa paketa ishte në përgatitje, policia ka vijuar punën për identifikimin e rasteve dhe deri tani është bërë gati një listë me 250 persona, të cilët është vetëm cështje ditësh përpara se të përballen me strukturat e shtetit dhe nëse nuk e justifikojnë pasurinë u sekuestrohet.

"Janë 250 subjekte që janë dyshuar si të dyshuar që bëjnë pjesë, të dënuar, ndjekje penale, apo pasuri të pajustifikuara. Policia ka qenë gati, por i mungonin instrumentet për të ndërhyrë për të parandaluar veprat e tjera penale. Policia nga ky moment mund të ndërhyjë për të vepruar dhe për t'u hequr mundësi që të shfrytëzojnë pasuritë për veprimtari të tjera kriminale. Janë të dënuar dhe kjo i bën subjekt të këtij ligji, dhe nga ky moment ne do të kërkojmë justifikimin e pasurisë, barrën e provës për të justifikuar pasurinë e kanë ata. Po flasim për persona të dënuar, që pasuritë i kanë krijuar nga veprat penale dhe barra e provës iu bie atyre.

Do të hetohet familja. Nëse rast se konstatohet se pasuria është kaluar në emër të të tretëve, do të bllokohet. Policia është e informuar për cdo pasuri të këtyre subjekteve. Struktura që do të merret do të jetë e posaçme, do të jetë OFL-ja (Operacioni Forca e Ligjit). Policia është e përgatitur, i mungonte ligji dhe sistemi i drejtësisë. OFL-ja do i ketë të gjitha në dispozicion. Paketa do të prekë të gjithë subjektet e dënuar apo të hetuar pavarësisht nga forma e aktivitetit apo cilësia shoqërore janë pjesë e zbatimit të ligjit, por janë të përcaktuara ,të dënuar për krime shumë të rënda. Kontrolli i pasurisë është parashikuar vetëm për subjektet që kanë kryer krime të rënda, por do të hetohet kushdo që ka bashkëpunuar dhe ndihmuar" tha ai.

Por si do të bëhet bllokimi nga policia? Masa shtesë që i është dhënë policisë është ndërhyrja e cilësuar si në kushte emergjence kur konstaton pasuri të paligjshme që mund të transferohet më pas vendos gjykata.  "Akti normativ përmban masat parandaluese për kryerjen e veprave penale, masa me karakter personal, pasuror dhe ekonomik. Bllokimi i pasaportës, kufizimi i lëvizjes është një masë për të penguar lëvizjen. Ndërsa te masat pasurore është sekuestrimi i pasurisë së pajustifikuar. Policia ka mundësi të veprojë iniciativë kur ka dyshime që pasuria po tjetërsohet, zhduket apo transferohet. Në kushte emergjence ndërhyn, por më pas vlerësohet nga prokurori dhe gjykata. Policia është organi paraprak që i bën këto lëvizje. Kompetenca kryesore ekzekutive, është masa parandaluese pa ndodhur vepra penale. Nëse kur ndodh kompetenca i shkon gjyqësorit, masat parandaluese për të  mos ndodhur janë kompetencë e ekzekutivit dhe policisë. Policisë i janë dhënë disa masa shtesë për të luftuar krimin.

Policia ka të drejtë për të ndërhyrë dhe të hetojë administrativisht mbi pasurinë e një personi dhe nëse konstaton që është në raporte e pajustifikuar ka të drejtë që të kërkojë sekuestrimin e pasurisë në gjykatë. Policia është ajo që kërkon që të personi të justifikojë pasurinë, nëse nuk e justifikon kërkohet sekuestrimi, që të mos tjetërsohet apo zhduket. Prokurori ka të drejtë të kthejë cështjen vetëm për arsye të caktuara, është i detyruar ta cojë në gjykatë. Prokurori mund ta kthejë kur ka gabime apo kërkon info shtesë, ndryshe i detyruar ta cojë në gjykatë. Sekuestro merret kur ka raste normale dhe situatë emergjente. Në rastin normal kërkon policia informacione dhe i kërkon prokurorit. Në rastin emergjent, duke qenë se pasuria rrezikon të tjetërsohet ose të shitet ose asgjësohet atëherë policia vepron menjëherë duke e sekuestruar dhe më pas i nënshtrohet vlerësimit te prokurori dhe gjykata dhe është në fuqi deri në gjykim përfundimtar. Kur të sekuestrohen pasuritë do të kalojnë në favor të shtetit. Edhe këtu kemi bërë disa ndryshime. Ka një problematikë në menaxhimin e pasurive të sekuestruara. Ka makina pa fund, apo të tjera. Kemi disa përmirësime për të menaxhuar. Kur gjykata vendos konfiskimin kalojnë në favor të shtetit" tha ai.

Pika e dytë e paketës lidhet me prokurorët dhe gjyqtarët që janë cilësuar nga kryeministri Edi Rama si 'KÇK' (Kap ç'të kapësh) në vendimet e fundit para daljes në vetting kur e dinë se nuk do ta kalojnë dhe shfrytëzojnë pozicionin. Por cila është risia në këtë paketë? Ndreca shpjegon se risia e vetme është fakti që tashmë KLGJ-ja apo KLP-ja nuk do të kenë detyrë vetëm vendimmarrjen për prokurorët dhe gjyqtarët por edhe inspektimin. Pra, inspektimi që me ligj i takon ta bëjë ILD, institucion që ende nuk është ngritur (u zgjodh kryetari pak javë më parë), tashmë i kalon si kompetecë KLGJ-së për rastin e gjyqtarëve dhe KLP-së për rastin e prokurorëve. Kështu KLGJ-ja dhe KLP-ja përveç faktit që do të vendosin për prokurorët do të bëjnë vetë inspektimet për rastet e denoncuara dhe jo vetëm, deri në momentin që të funksionojë Inspektorati i Lartë i Drejtësisë. Por këtu, Ndreca kishte një mesazh për gjyqytarët që kanë dhënë vendime për personat që kanë dënuar, por nuk kanë trajtuar çështjen e pronës.

"Ka dy momente si mund të realizohet. Akti parashikon një seri subjektesh që janë të dënuar por me vendim gjykate nuk janë trajtuar pronat e tyre. Nëse "X" është dënuar dhe gjykata nuk ka marrë në shqyrtim pronat e tyre për fuqinë ekonomike. Elementi i dytë ka një ligj tjetër që është i ndryshuar për organizimin e gjyqësorit, i është dhënë mundësia KLGJ-së për të ndërhyrë me masa disiplinore deri në funksionimin e ILD-së. Ne do të ndërhyjmë për të riparuar pasojat e vendimmarrjeve të gabuara dhe korruptive nga gjyqësori". Psh në rastin e vendimmarrjes së gjyqtares së Krujës që liroi Endrit Doklen? "Veprimtaria e kësaj gjyqtareje do të shqyrtohet nga KLGJ deri në funksionimin e ILD-së. Paketa anti-KÇK i jep mundësi KLGJ-së që të bëjë hetim administrativ. KLGj mund të fillojë procesin për gjyqtarët që ka informacione se kanë shkelur ligjin. Ne tentojmë të riparojmë vendimmarrjet e gabuara. Roli që i jepet KLGJ-së është i përkohshëm, ka një dispozitë në ligj ku fillon funksionimi i ILD-së, KLGJ-së i pushon kjo kompetencë. Ndryshimet do të shkojnë në parlament shumë shpejt.

KLGJ-ja ka kompetencë masat dhe largimin, por ajo që fusim të re është mundësia për të hetuar administrativisht gjyqtarët, e vetmja kompetencë që i japim është inspektimi i veprimtarisë. Edhe inspektim edhe vendimmarrje. Gjithcka mbetet në dorë të KLGJ-së dhe KLP-së, ekzekutivi nuk mund të marrë asnjë vendim. Fillimisht bëhet hetimi, më pas pezullimi, masa, apo për ndjekje penale. Akti normativ ka fuqi juridike të përkohshme dhe zbatueshmëri deri në fund të vitit 2020. Deri në fund të vitit pasi prezumohet se ka filluar funksionimi i plotë i SPAK-ut dhe BKH-së. Ndërhyrjet e tjera do të mbeten. Kemi mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së.Masat janë që ekspozojnë cdo gjyqtarë që nga sot mund të japë vendime të tilla. Sepse që nga sot, cdo vendim për dënimin e dikujt nuk mbaron aty, do të jetë përgjegjës para publikut që thjeshtë kanë dënuar një person, por nuk janë marrë me pasuritë" përfundoi ai.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën