Besimtarët myslimanë kremtojnë sot Kurban Bajramin, një nga 2 ditët më të rëndësishme në kalendarin e besimit mysliman. Mijëra besimtarë u mlodhën në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ për faljen e namazit.

Kreu i Komunitetit Mysliman i Shqipërisë Bujar Spahiu uron të gjithë besimtarët gëzuar Kurban Bajramin duke bërë thirrje për solidaritet e mirësi ndaj njëri-tjetrit.

Bujar Spahiu: Ju uroj gëzuar Kurban Bajramin. Ditën e solidaritetit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit, kjo festë simbolizon. Feja jonë islame na mëson të jemi pranë njerëzve në nevojë dhe të lëmë mënjanë gjërat e këqija, duke u orientuar te e mira dhe e bukura. Ta duam njëri-tjetrin për hatër të Zotit dhe të bëjmë punë të mira për shoqërinë, vendin tonë dhe rininë. Kjo botë është kalimtare dhe duhet ta jetojmë siç duhet. Gëzuar Kurban Bajramin anë e mbanë botës, duke shpresuar nga Zoti që të sjellë paqe e mirësi në ato vende ku ka ende konflikte.

Në Festën e Kurban Bajramit përkujtohet devocioni e Profetit Ibrahim ndaj Allahut dhe gatishmërinë e për të sakrifikuar djalin e tij, Ismailin. Besimtarët mendojnë se në pikën e flijimit, Zoti zëvendësoi Ismailin me një dash, i cili do të therej në vend të tij.

Ky urdhër nga Zoti ishte një provë e gatishmërisë dhe përkushtimit të Profetit Ibrahim për t’iu bindur urdhrit të Zotit të tij, pa diskutim. Prandaj, Kurban Bajrami do të thotë festa e sakrificës.

Report Tv dhe Shqiptarja.com urojnë besimtarët myslimanë, Gëzuar Kurban Bajramin

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 07:45
Festa e Kurban Bajramit, qindra besimtarë myslimanë në Sarandë falin namazin

1779860563_saranda.jpg

Qindra besimtarë myslimanë janë mbledhur mëngjesin e sotëm në xhaminë e Sarandës për të falur namazin e Kurban Bajramit, një nga festat më të rëndësishme të besimit islam. Atmosfera u karakterizua nga qetësia, besimi dhe urimet mes familjarëve e qytetarëve që morën pjesë në ceremoninë fetare.

Për shkak se Myftiu i Sarandës, Bledar Mullai, ndodhet në Mekë për kryerjen e ritualit të Haxhit, falja e namazit u drejtua nga Banart Pajollari. Në fjalën e tij para besimtarëve, ai përcolli mesazhe paqeje, harmonie, mirëkuptimi dhe vëllazërie mes njerëzve, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe respektit reciprok në shoqëri.

Ora 07:40
Qindra besimtarë myslimanë në Vlorë falin namazin për Kurban Bajram

1779860249_vlore.jpg

Qindra besimtarë mysliman në Vlorë janë mbledhur në pallatin e sportit "Flamurtari" për të falur namazin e Kurban Bajramit. Përveç besimtarëve të Vlorës, ka pasur dhe prezencë të besimtarëve me kombësi të huaj. Falja e Namazit të Kurban Bajramit po drejtohet nga Myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhllaku.

Ora 07:38
Kurban Bajrami/ Besimtarët myslimanë në Fier falin namazin, Myftiu Hazizolli: Të afrohemi më shumë me Zotin

1779859948_besimtaretfier.jpg

Qindra besimtarë myslimanë në Fier kanë falur në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure, namazin e Kurban Bajramit në Sheshin Qendror të qytetit. Ritit të faljes i ka paraprirë me fjalën e tij kreu i  Myftinisë Mikele Hazizolli, i cili në fjalën e tij ka theksuar se Kurban Bajrami është një ndër festat më të rëndësishme të besimit islam që simbolizon sakrificën, solidaritetin dhe ndërgjegjësimin shpirtëror.

“Kurbani është përkushtim, sakrificë, sinqeritet dhe nënshtrim ndaj vullnetit hyjnor. Kurban Bajrami është dita kur ne shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri-tjetrin me buzëqeshje, gëzim e paqe. Kurban Bajrami është simbol i heroizmit, sakrificës, dhe sinqeritetit e devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj zotit. Kurbani është një mjet që na afron më shumë me Zotin”, tha Myftiu Mikele Hazizolli.

Ashtu si çdo vit besimtarët kanë kryer ritin e faljes dhe kanë shkëmbyer mesazhet e dashurisë vëllazërore e të mirëqenies në çdo familje. Sipas zakonit, në këtë ditë të rëndësishme për myslimanët, besimtarët kanë prerë kurban e një pjesë ua kanë shpërndarë njerëzve në nevojë, ndërsa në orët në vazhdim  pritet të shtrojnë drekën e kësaj feste me të gjithë miqtë dhe familjarët. Nga viti në vit kjo festë në Fier po bëhet edhe më masive pasi çdo ditë e më shumë besimtarë të të gjitha grupmoshave po i bashkohen besimit islam.

Ora 07:07
Kryeministri Rama uron besimtarët myslimanë: Ditë e bekuar, natë e ndritshme, gëzuar Kurban Bajramin

 

Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, një nga festat më të rëndësishme të besimit islam.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë urimin e tij një postim në rrjetet sociale, ku ka publikuar një video nga atmosfera festive pranë Xhamia e Namazgjasë, teksa në sfond shpërthejnë fishekzjarrë.

“Ditë e bekuar, natë e ndritshme Gëzuar Kurban Bajramin”, shkruan Rama në postimin e tij në Facebook.