Besimtarët myslimanë kremtojnë sot Kurban Bajramin, një nga 2 ditët më të rëndësishme në kalendarin e besimit mysliman. Mijëra besimtarë u mlodhën në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ për faljen e namazit.
Kreu i Komunitetit Mysliman i Shqipërisë Bujar Spahiu uron të gjithë besimtarët gëzuar Kurban Bajramin duke bërë thirrje për solidaritet e mirësi ndaj njëri-tjetrit.
Bujar Spahiu: Ju uroj gëzuar Kurban Bajramin. Ditën e solidaritetit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit, kjo festë simbolizon. Feja jonë islame na mëson të jemi pranë njerëzve në nevojë dhe të lëmë mënjanë gjërat e këqija, duke u orientuar te e mira dhe e bukura. Ta duam njëri-tjetrin për hatër të Zotit dhe të bëjmë punë të mira për shoqërinë, vendin tonë dhe rininë. Kjo botë është kalimtare dhe duhet ta jetojmë siç duhet. Gëzuar Kurban Bajramin anë e mbanë botës, duke shpresuar nga Zoti që të sjellë paqe e mirësi në ato vende ku ka ende konflikte.
Në Festën e Kurban Bajramit përkujtohet devocioni e Profetit Ibrahim ndaj Allahut dhe gatishmërinë e për të sakrifikuar djalin e tij, Ismailin. Besimtarët mendojnë se në pikën e flijimit, Zoti zëvendësoi Ismailin me një dash, i cili do të therej në vend të tij.
Ky urdhër nga Zoti ishte një provë e gatishmërisë dhe përkushtimit të Profetit Ibrahim për t’iu bindur urdhrit të Zotit të tij, pa diskutim. Prandaj, Kurban Bajrami do të thotë festa e sakrificës.
Report Tv dhe Shqiptarja.com urojnë besimtarët myslimanë, Gëzuar Kurban Bajramin
Lajmi në përditësim...

Besimtarët myslimanë në qytetin e Beratit kanë festuar sot Kurban Bajramin, duke mbushur pedonalen “Republika” për faljen e madhe të kësaj feste të shenjtë. Falja nisi në orën 06:20 dhe u drejtua nga Bilbil Talla.
Qindra besimtarë u bashkuan në lutje për më shumë paqe, mirësi, shëndet dhe harmoni në familjet e tyre. Gjatë mesazhit të tij, Myftiu i Beratit theksoi se Kurban Bajrami është dita e sakrificës, sinqeritetit dhe solidaritetit njerëzor, duke apeluar për më shumë kujdes ndaj jetimëve dhe njerëzve në nevojë, si edhe për respekt e dashuri mes njëri-tjetrit.
Sipas traditës islame, pas riteve të faljes vijon prerja e kurbanit, dreka tradicionale familjare dhe vizitat tek të afërmit, miqtë dhe shokët. Besimtarët myslimanë kanë si obligim që mishin e kurbanit ta ndajnë në tre pjesë: për familjen, për të afërmit dhe për familjet në nevojë.
Kjo ditë simbolizon sakrificën e profetit Ibrahim, besimin ndaj Zotit dhe dashurinë për njeriun. Pas faljes së madhe, besimtarët përcollën edhe urimet tradicionale për paqe, begati dhe mirësi në çdo familje.
Qindra besimtarë myslimanë në Kukës u mblodhën në xhamitë e qytetit për të falur namazin e Kurban Bajramit, një prej festave më të rëndësishme të besimit islam. Atmosfera e festës dhe lutjeve bashkoi qytetarë të shumtë në xhaminë kryesore të qytetit, ku u përcollën mesazhe paqeje, solidariteti dhe mirëkuptimi.
Kryeimami i Kukësit, Emirjon Vataj, uroi besimtarët me rastin e Kurban Bajramit, duke vlerësuar domethënien e kësaj feste si simbol i sakrificës, devotshmërisë dhe ndihmës ndaj njerëzve në nevojë.
“Sot është një ditë e gëzuar për të gjithë botës islame. Kurban Bajrami është një festë që na mëson sakrificën. Është festa kur njerëzit duhet të solidarizohen dhe të afrohen me njëri-tjetrin e të gjenden pranë. Kam mesazhin e paqes dhe të lumturisë. Ju uroj të gjithë besimtarëve gëzuar dhe për shumë vite Kurban Bajmranin”, tha Emirjon Vataj.
Në qendër të mesazheve të kësaj dite ishte fryma e solidaritetit dhe mbështetja për familjet në vështirësi ekonomike, si një prej vlerave themelore që përcjell Kurban Bajrami. Pas faljes së namazit, shumë familje kuksiane iu drejtuan përgatitjeve për therjen e kurbanit, rit që simbolizon besimin, përkushtimin dhe gatishmërinë për të ndarë me të tjerët.
Menjëherë pas faljes së namazit të Kurban Bajramit, qindra qytetarë nga Kosova po udhëtojnë drejt vendit tone për të festuar festën por edhe për të kaluar disa ditë pushimi në bregdet dhe zonat turistike të vendit. Fluksi i lartë i lëvizjeve është reflektuar menjëherë në pikën kufitare të Morinës, ku gjatë orëve të fundit është regjistruar shtim i ndjeshëm i hyrjeve ne doganen e Morinit.
Qytetarët e Kosovës kanë përcjellë urime për besimtarët myslimanë në të gjitha trojet shqiptare me rastin e Kurban Bajramit. Përveç vizitave tek të afërmit, ata shprehen se zgjedhin të shfrytëzojnë këto ditë edhe për pushime në bregdetin shqiptar apo në zonat malore turistike. Sinkron. Atmosfera festive, afërsia mes dy vendeve dhe lehtësimi i procedurave kufitare kanë ndikuar që çdo vit numri i vizitorëve nga Kosova drejt Shqipërisë gjatë festave të jetë gjithnjë në rritje.
Besimtarët myslimanë shqiptarë kremtuan sot Kurban Bajramin me një falje në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.
Këto janë edhe pamjet me dron nga bulevardi, ku mijëra besimtarë falën namazin nën drejtimin e kreut të KMSH, Bujar Spahia.
Për besimtarët kjo ditë shënon shpërndarjen e lëmoshës, solidarizimin me të varfrit në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi ta gëzojnë së bashku këtë festë.
Qindra besimtarë myslimanë janë mbledhur mëngjesin e sotëm në xhaminë e Sarandës për të falur namazin e Kurban Bajramit, një nga festat më të rëndësishme të besimit islam. Atmosfera u karakterizua nga qetësia, besimi dhe urimet mes familjarëve e qytetarëve që morën pjesë në ceremoninë fetare.
Për shkak se Myftiu i Sarandës, Bledar Mullai, ndodhet në Mekë për kryerjen e ritualit të Haxhit, falja e namazit u drejtua nga Banart Pajollari. Në fjalën e tij para besimtarëve, ai përcolli mesazhe paqeje, harmonie, mirëkuptimi dhe vëllazërie mes njerëzve, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe respektit reciprok në shoqëri.
Qindra besimtarë mysliman në Vlorë janë mbledhur në pallatin e sportit "Flamurtari" për të falur namazin e Kurban Bajramit. Përveç besimtarëve të Vlorës, ka pasur dhe prezencë të besimtarëve me kombësi të huaj. Falja e Namazit të Kurban Bajramit po drejtohet nga Myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhllaku.
Qindra besimtarë myslimanë në Fier kanë falur në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure, namazin e Kurban Bajramit në Sheshin Qendror të qytetit. Ritit të faljes i ka paraprirë me fjalën e tij kreu i Myftinisë Mikele Hazizolli, i cili në fjalën e tij ka theksuar se Kurban Bajrami është një ndër festat më të rëndësishme të besimit islam që simbolizon sakrificën, solidaritetin dhe ndërgjegjësimin shpirtëror.
“Kurbani është përkushtim, sakrificë, sinqeritet dhe nënshtrim ndaj vullnetit hyjnor. Kurban Bajrami është dita kur ne shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri-tjetrin me buzëqeshje, gëzim e paqe. Kurban Bajrami është simbol i heroizmit, sakrificës, dhe sinqeritetit e devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj zotit. Kurbani është një mjet që na afron më shumë me Zotin”, tha Myftiu Mikele Hazizolli.
Ashtu si çdo vit besimtarët kanë kryer ritin e faljes dhe kanë shkëmbyer mesazhet e dashurisë vëllazërore e të mirëqenies në çdo familje. Sipas zakonit, në këtë ditë të rëndësishme për myslimanët, besimtarët kanë prerë kurban e një pjesë ua kanë shpërndarë njerëzve në nevojë, ndërsa në orët në vazhdim pritet të shtrojnë drekën e kësaj feste me të gjithë miqtë dhe familjarët. Nga viti në vit kjo festë në Fier po bëhet edhe më masive pasi çdo ditë e më shumë besimtarë të të gjitha grupmoshave po i bashkohen besimit islam.
Komente










Jemi apo nuk jemi shtet laik ne?! Se nuk arrij ta kuptoj..!!! Me perpara thoshin sa te ndertohej xhamia e madhe do perdornin sheshin. Ka disa vjet qe xhamia eshte ndertuar me kapacitet mijera njerez, pikerisht per te mos vazhduar me fallendo neper sheshe. Perse vazhdohet te praktikohet ky ritual duke bllokuar nje qytet te tere..?! Cfare eshte kjo damke qe i vendoset Shqiperise?!
PërgjigjuUne personalisht i uroj te gjithe besimtaret muslimane per diten e Kurban Bajramit, qe simbolizon sakrificen njerezore, simbol i devotshmerise te Besimet Fetar. Sakrifica njerezore ose zevendesimi i flijimit njerezor me nje qenje tjeter frymore, eshte nje nga 5 pillars ne mesimet e KURANIT ( Holy Book), te shenjte. Simbolizon flijimin ose sakrificen e besimtareve per ate qe kane me te "shtrenjte", ne jeten e tyre, dmth nje interpretim i refuzimit te nje shoqerie e destinuar vetem per te shtuar pasurite, degradim gradual te moralit ne perversitet dhe zbavitje boshe, ne kurriz te nje ideali, norme dhe ligjesh te pashkruara ( lighe fetare, ku vetem nje grusht i vogel klerikesh kane dijeni), ligjesh te shkruara ne Kuran, ku cdo besimtar musliman dhe jo musliman i zbaton, oadi dihet boterisht, Kurani ashtu si dhe Bibla perbejne bazat e kodeve ligjore ne bote.. Post Scriptum: I uroj besimtaret mUsliman per kete "Dite te Shenuar" kushtuar sakrifices njerezore...I PERJETE QOFTE SHEMBELLIMI I TYRE NE SYTE E MI ( te pakten mos te mbushen plot derisa te verbohem!!!)
Përgjigju