TIRANË- Kërkesa e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut dhe ndryshimet që PS ka propozuar në Kodin e Procedurës Penale, përmes së cilave pengohen gjykatat të pezullojnë ministrat dhe 4 drejtuesve të institucioneve të tjera kushtetuese, u kthyen në mollë sherri mes opozitës dhe mazhorancës.

Karrigia e zv.kryeministres në Parlament ishte sërish bosh. Pasi Gjykata Kushtetuese la në fuqi pezullimin si numri 2 i qeverisë dhe si ministre e Infrastrukturës, Belinda Ballukut nuk u shfaq në sallën plenare. Gazment Bardhi kërkoi që të futet në rend dite kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të saj, ndërsa Taulant Balla i kujtoi që Këshilli i Mandateve do të mblidhet më 23 shkurt.

“Duhet të jetë vetëm 1 pikë që ju keni 2 muaj që e mbani zvarrë, duke e kthyer Kuvendin në bunker të zyrtarëve të korruptuar. Futja me urgjencë në rend dite e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut”, tha Bardhi.

Bardhi i quajti antikushtetuese ndryshimet e propozuara në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale. Por, socialistët thanë se GJKKO ndërhyri në kompetencat e pushtetit ekzekutiv, duke hedhur poshtë akuzat se ndryshimet po bëhen që ministrat të mbrohen nga drejtësia. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja tha se është një rregullim procedural, duke theksuar se drejtësia nuk pengohet të vendosë masa sigurie.

“Kush je ti që thua që ky pr.ligj është antikushtetues, ti shprehu me votë. Ne do ta vazhdojmë nismën tonë, garanton parimin themelor të ndarjes së pushteteve në një republike parlamentare. E papranueshme për një pushtet që të pezullojë një pushtet tjetër”, tha Balla.

“A ka të drejtë gjykata të caktojë masa po, por pezullim, i nga detyra nuk është masë sigurimi personal, por kaq kuptoni ju”, tha Manja.

"Sot e tutje, shqiptarët ditë e natë do vidhen nga një grup që sillet ndaj tyre me pamëshirësinë më të madhe. Nga një grup individësh që sillet në armiqësi më të thellë ndaj qytetarëve. Dhe do kenë mburojë ligjin Rama", tha Berisha. 

Debati nuk mbeti vetëm te çështja Balluku. Balla ironizoi opozitarët duke u kujtuar se Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister nuk zhvilloi takim me Sali Berishën, ndërsa i këshilloi që në 16:00 të ndezin televizorin për të ndjekur kryeministrin Edi Rama dhe Donald Trump në takimin për Bordin e Paqes.

"Besoj Që McAallister tha dhe diçka tjetër, nuk e takoj Berishën. Imagjinoni këta nuk i takojnë as vetë aleatët e vet, sa për akuza korrupsioni duhet të jemi të qartë, akuzë për korrupsion e keni në mes, kryetarin e partisë", tha Balla. 

Çështja Balluku ka përfshirë prej disa muajsh debatin parlamentar, pasi SPAK fillimisht e mori të pandehur, mori në gjykatë pezullimin e saj nga detyra dhe më tej i kërkoi Kuvendit autorizimin për arrestimin e saj. Balluku është marrë e pandehur për tenderin e tunelit të Llogarasë, si dhe është në hetim për lotet e Unazës së madhe të Tiranës dhe e dyshuar për disa tendera të tjerë.

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:02
11 mijë mësues pagë më të ulët prej diplomës, 2 propozime ligjore në Kuvend! Kushi-Zhupës: Ju paraqesni populizma, u premtoni qytetarëve ‘diellin dhe hënën’, sepse e dini që s’vini kurrë në pushtet

 

Në Kuvendin e Shqipërisë janë paraqitur dy nisma ligjore, lidhur me pagat e ulëta të 11 mijë mësuesve, të cilët janë shkolluar dhe punësuar para futjes së Sistemit të Bolonjës.

Njëra nismë është paraqitur nga deputetja demokrate Ina Zhupa, ndërsa nisma tjetër nga zv.kryetarja e Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, Evis Kushi.

Kushi ka shpjeguar në fjalën e saj në Parlament nismën ligjore që ajo ka propozuar, duke theksuar se synon të barazojë trajtimin financiar të mësuesve të punësuar përpara Sistemit së Bolonjës, duke korrigjuar një diferencë të krijuar nga ndryshimet në legjislacionin arsimor.

Gjatë fjalës së saj Kushi tha gjithashtu se opozita prezanton në Kuvend projektligji populiste që nuk japin zgjidhje, ndryshe nga mazhoranca që sipas saj, prezanton projektligje që ju shërbejnë qytetarëve.

Ajo vijoi më tej ironinë e saj, duke thënë se opozita premton ‘diellin dhe hënën’ për qytetarët, pasi sipas Kushit, e dinë që nuk do të vijnë kurrë në pushtet.

“Të dashur mësues dhe veçanërisht ju që jeni diplomuar dhe punësuar përpara hyrjes në fuqi të Sistemit të Bolonjës. Keni dëgjuar shpesh javët e fundit në komisionin parlamentar të Edukimit, diskutimet dhe debatet tona në lidhje me shqetësimin tuaj për trajtim financiar të barabartë me kolegët tuaj që janë diplomuar pas kësaj date. Dhe shpesh herë debatet tona kanë degraduar në debate që lidhen vetëm me interesa të politikës së ditës apo me interesa partiake. Dhe më lejoni që t’ua shpjegoj shkurt dhe me fjalë të thjeshta. Në fakt ne të gjithë në Komision kemi rëndë dakord për t’i dhënë zgjidhje shqetësimit tuaj, edhe mazhoranca, edhe opozita.

Aty ku ndahemi është vetëm mekanizmi ligjor për t’i dhënë një zgjidhje të drejtë dhe të shpejtë. Në Kuvend janë propozuar dy nisma ligjore. Nga ana e opozitës, është paraqitur propozimi i zonjës Ina Zhupa, që nisi për t’i dhënë zgjidhje kësaj kategorie mësuesish, por më pas, me dëshirën për të bërë një ligj populist dhe për të kënaqur të gjithë mësuesit, u katandis ligji pastaj që është në mospërputhje me kornizën e kualifikimeve Shqiptare e Europiane dhe me ligjin e arsimit të lartë. Pra ky është projektligji që vjen nga Ina Zhupa. Ndërkohë ne si mazhorancë kemi propozuar në 2 shkurt një nismë ligjore që i jep zgjidhje këtij shqetësimi në mënyrë të drejtë, në përputhje me ligjin, një zgjidhje e ngjashme siç i është dhënë në vitin 2018 për të diplomuarit në institutet e larta pedagogjike. Jo në ligjin e arsimit të lartë, por në ligjin e arsimit parauniversitar. Pikërisht aty ku lidhen në fakt edhe marrëdhëniet financiare. Ky është ligji që zgjidhet kjo problematikë.

Javën e ardhshme ky projektligj do të përfshihet edhe në kalendarin e punës së Komisionit të Edukimit, për të mundësuar që brenda Marsit të miratohet në Kuvend. Ajo që dua të sqaroj është që ne nismën e Zhupës nuk e rrëzojmë për faktin se është një nismë ligjore e opozitës, por për të gjitha ato argumente që i kemi diskutuar në Komisionin e Edukimit. Sepse ne kemi përgjegjësinë të prezantojmë dhe miratojmë ligje që japin zgjidhje. Jo për ligje populiste që jo vetëm që nuk japin zgjidhje, por prishin edhe standardet. Ju të opozitës i premtoni mësuesve edhe diellin, edhe hënën, sepse e dini se nuk do vini në pushtet. Mësuesit nuk duan fjalë të bukura, por zgjidhje konkrete”, tha mes të tjerash Kushi.

Ora 22:00
Ministrja Ibrahimaj: Aq shumë vende të lira pune ka në Shqipëri, saqë po importojmë punonjës të huaj

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, është shprehur se në Shqipëri është rritur ndjeshëm numri i sipërmarrjeve dhe si rrjedhojë edhe e vendeve të lira të punës.

Komentet Ibrahimaj i bëri gjatë fjalës së saj në Kuvend, ku tha se për të plotësuar kërkesat e bizneseve për punonjës, Shqipëria është detyruar që të importojë fuqi punëtore edhe nga jashtë vendit.

Ajo tha gjithashtu se gjatë tremujorit të fundit GTP u rrit me 3.8%, një rritje që sipas saj ka vijuar vit pas viti.

“Unë nuk e kam për zakon të merrem me individin, se nuk është vendi këtu për të thënë se çfarë them unë e çfarë thua ti. E kam treguar në eksperiencën time që unë di të flas me shifra. Nëse doni shifra, unë i kam të gjitha shifrat përpara. GTP u rrit në 3 mujorin e fundit me 3.8 %. Është një rritje që 70 % e të cilës vjen nga konsumi. E si është ky konsum? Është konsumi i popullatës, që ka vijuar me rritje për vite e vite me radhë. Nga 2022 dhe më pas është rritur nga 3.5% deri në 4%. Dhe nuk është e vetmja shifër që rritet. Është rritur punësimi. Numri i të punësuarve në totalin e ekonomisë, vijon të rritet. Aq e madhe është nevoja për vende pune në Shqipëri, saqë ne kemi filluar të importojmë punonjës, për të përmbushur kërkesat e tregut. Pse? Sepse numri i bizneseve është rritur, sepse kërkesa e bizneseve është rritur dhe të gjitha të dhënat thonë se ekonomia shqiptare është rritur”, tha mes të tjerash Ibrahimaj.

Ora 20:47
‘Sektori fason po falimenton’- Tabaku në Kuvend: Pesha e bujqësisë ka rënë në 16%! Shqiptarët janë zëvendësuar nga indianë dhe bangladeshas

 

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, është shprehur se ekonomia shqiptare sot është në krizë.

Komentet Tabaku i bëri gjatë fjalës së saj në foltoren e Kuvendit, ku tha se nga të gjithë sektorët e ekonomisë sot, vetëm ndërtimi po vijon të mbajë një ritëm të qëndrueshëm.

Tabaku shtoi gjithashtu se pesha e bujqësisë ka rënë nga 20% në 16%, teksa shtoi se sektori fason, i cili punëson rreth 170 mijë persona, po shkon drejt falimentimit.

“Meqënëse ministrja ka shifrat e rritjes së GTP-së, a e ka parë ministrja që sot forcën kryesore shtytëse në ekonomi e ka në rritjen e shpenzimeve qeveritare, në rritjen e pagave në administratë? Që e ka ndërtimi? A e ka parë ministrja që pesha e bujqësisë ka rënë nga 20 % në 16 %? A e ka parë ministrja që sot po mban vetëm ndërtimi në të gjithë sektorët privatë dhe të gjithë sektorët e tjerë janë në rënie? A i vë re këto ministrja, që po hidhen produktet e bujqësisë në rrugë? A i vë re këto ministrja që një sektor i tërë i fasonëve me 170 mijë punonjës sot po mbyllet dhe është në paralizë? A i shikoni këto apo jetoni në një realitet paralel? Këto janë shifrat e ekonomisë shqiptare”, tha mes të tjerash Tabaku.

Tabaku vijoi më tej duke thënë se sot shqiptarët janë detyruar të largohen nga vendi dhe vendin e tyre në pozicionet e punëve të ndryshme po e zënë shtetas nga Bangladeshi, India dhe Pakistani.

Tabaku u kërkoi socialistëve që t’u kërkojnë falje shqiptarëve, pasi sipas deputetes demokrate, janë shkaktarët kryesorë të largimit të tyre nga vendi.

“Këto janë shifrat e ekonomisë shqiptare. Se çfarë thua tutje, 2020 apo 2021. Sot shqiptarët janë larguar dhe ti je detyruar të marrësh punonjës nga India, nga Pakistani, nga Bangladeshi dhe ti e konsideron këtë mburrje për ekonominë shqiptare? Për këtë duhet të ulni të gjithë kokën dhe t’i kërkoni ndjesë shqiptarëve që keni larguar shqiptarët nga Shqipëria”, shtoi Tabaku.

Ora 20:45
Braçe në Kuvend: Prodhuesit e mëdhenj të birrave kanë korruptuar ministra e zyrtarë tatimesh! Janë ‘goditur’ bizneset e vogla

 

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka deklaruar se prodhuesit e birrave kanë bërë evazion fiskal, që të mos paguanin akcizën.

Komentet Braçe i bëri nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, ku komentoi deklaratat e deputetes demokrate Jorida Tabaku, e cila kërkoi që prodhuesit e birrës artizanale të paguajnë më pak akcizë dhe të mos trajtohen njësoj si prodhuesit e mëdhenj të birrës.

Ligjvënësi socialist tha gjithashtu se prodhuesit e birrës kanë arritur që të korruptojnë edhe ministra dhe zyrtarë tatimesh.

Braçe shtoi se pavarësisht se që prej vitit 2022 të gjithë paguajnë njësoj, prodhuesit e vegjël artizanal janë goditur.

“Në vitin 2010, sistemi i akcizës për birrën ishte deri 200 mijë hektolitra dhe mbi 200 mijë. Presioni ka qenë shume i madh, sepse prodhuesit ishin rritur prodhonin mbi 200 mijë dhe deklaronin më pak, dhe këtu vijmë tek klientelizimi, sytë e mbyllura të organeve fiskale, pranin të evazionit dhe natyrisht korrupsioni ndahej në politikë, në qeveri dhe zyrtarë tatimesh.

Organet fiskale kanë lejuar evazionin fiskal për prodhimin e birrës dhe vijmë tek korrupsioni që ndahej mes prodhuesve që nuk deklaronin sasinë reale të birrës që prodhonin dhe kontrolluesve.

Që nga viti 2012 kur u rrit akciza, për 5 vite kam kërkuar që të hiqej ky kufi, sepse ishte evidente që po bëhej evazion, paratë e të cilave po korruptonin edhe ministra, edhe politikanë edhe drejtorë të administratës fiskale. Nuk u bë kjo gjë për shkak të korrupsionit.

Prej 2022 të gjithë paguajnë njësoj, por i ka goditur prodhuesit e vegjël artizanal. Duhen mbrojtur patjetër, por jo me rikthimin e fashës së 200 mijë hektolitër”, shtoi Braçe.

Braçe kërkoi gjithashtu në Kuvend që të rritet fuqishëm akciza e duhanit, pasi sipas tij, Shqipëria ka çmimin më të ulët të cigarevë në Europë.

“Ka ardhur koha të rritet fort akciza e duhanit se kemi çmimin më të ulët të duhanit në Evropë, nisin nga 2 euro”, shtoi më tej Braçe.

 

Ora 20:24
Agron Gjekmarkaj: Rama ishte larg Donald Trumpit, se pash dhe aq afër

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, gjatë fjalës së tij në sallën e Kuvendit u shpreh se, disa ditë më parë Niko Peleshi e kishte Trumpin më afër se sa Edi Rama sot.

“Tani shoh që kolegu Taulant Balla nuk është në sallë, por ai na ftoi që të ndiznim celularët dhe televizorët dhe ne e bëmë këtë në fakt. Dhe për fat të keq, duhet të them diçka që nuk më pëlqen ta them, por që është e vërtetë.

Më afër e kishte Donald Trumpin, Niko Peleshi, Fatmir Mediu tek mëngjesi i lutjeve, se kryeministri ynë sot në bordin e paqes, që është gjë shumë e mirë që Shqipëria është në bordin e paqes”, u shpreh Gjekmarkaj.

Ora 19:04
Tedi Blushi denoncon në Kuvend: Ish-Oficerit të Policisë i mbajtën të fshehtë 4 ditë vdekjen e djalit në QSUT, ende pas 1 viti s’i kanë nxjerrë kartelën e ndarjes nga jeta

 

Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka sulmuar sistemin shëndetësor në vend, duke sjellë në Kuvend rastin e një 35-vjeçari që ndërroi jetë në spital.

Blushi tha se i riu Ardit Rapushi, djali i ish-oficerit të Policisë, Ilirjan Rapushi, ndërroi jetë në shkurt të vitit të kaluar. Sipas Blushit, spitali e mbajti 4 ditë të fshehur nga familja vdekjen e 35-vjeçarit. Ai vijoi më tej duke thënë se familja e të ndjerit ka 1 vit dhe ende nuk e ka marrë kartelën e vdekjes së Arditit

“Ditën e djeshme jam takuar me një ish-oficer të ndershëm të Policisë së Shtetit, zotin Ilirian Rapushi. Vitin e kaluar, në datën 21 shkurt 2025, djali i tij, i ndieri Ardit Rapushi, u shtrua për vizitë në QSUT dhe për 4 ditë me radhë familja e tij nuk lejohej të vizitonte djalin e shtruar në Spital. Katër ditë më vonë, babai, familja, marrin vesh që djali i tij kishte vdekur në spital. Pra 4 ditë, ky sistem shëndetësor mbante pa jetë trupin e pajetë të djalit të tij. Por tmerri dhe makabriteti i këtij sistemi shëndetësor nuk mbaron këtu. Ky është njeriu që ka humbur jetën, Ardit Rapushi. Dhe ka 1 vit që familja e tij ende nuk ka marrë kartelën e vdekjes. Nuk ka fund makabriteti, anti-humanizmi dhe sjellja kriminale e kujtdo drejtuesi, mjeku, përfaqësuesi të Ministrisë së Shëndetësisë që sot e kësaj dite nuk i jep përgjigje pyetjes se përse humbi jetën në spital, ku shkoi për t’u kuruar, djali i tyre i vetëm”, tha mes të tjerash Blushi.

Blushi tha gjithashtu se ende sot e kësaj dite familja e Arditit nuk ka marrë një përgjigje nga spitali për shkakun e vdekjes së 35-vjeçarit.

Teksa kërkoi nga SPAK që të nisë hetimet për këtë rast, Blushi një thirrje e kishte edhe për Ministrine e Brendshme, që ta ngrerë më shumë zërin e ish-oficerit të Policisë, që kërkon përgjigje për ndarjen nga jeta të të birit.

“Unë po kërkoj sot nga Ministria e Shëndetësisë që të japë një përgjigje të shpejtë dhe pa vonesë lutjes së një prindi, i cili është endur dhe vijon të endet dyerve të ministrisë dhe gjithë institucioneve shtetërore. Vijon të trokasë çdo ditë në spitalin Nënë Tereza dhe nuk ka një përgjigje se përse humbi jetën në spital djali i tij i vetëm. Pas një viti lutje, QSUT i jep familjes së viktimës një vërtetim, një letër Bakalli, ku nuk sqarohen arsyeja se përse i ndjeri 35 vjeç në moshën kur humbi jetën, për arsye ende të paqarta, ende të paditura, Ardit Rapushi dhe diagnoza në këtë vërtetim shkruan vetëm ‘sëmundje e rëndë’. Unë i kërkoj ndjesë familjes Rapushi, por u detyrova sot ta bëj publik këtë rast që duhet të na tronditë ne në këtë sallë. Në radhë të parë atë që paguhet për të qene titullarja e këtij sistemi. I bëj thirrje SPAK dhe organeve ligjzbatuese, i bëj thirrje Ministrisë së Brendshme t’i jepte më shumë zë këtij rasti të këtij oficeri. Shpresoj që SPAK të nisë hetimet për këtë rast”, tha mes të tjerash Blushi.

Ora 17:50
Dorëzohen dy kërkesa për interpelancë në Kuvend, Braçe me ministrin e Bujqësisë për qumështin, ndërsa Kapri me ministren Koçiu për monopatinat

1771520039_cfuiuuu.JPG

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka kërkuar interpelancë me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, lidhur me cilësinë e qumështit në vend.

Më herët gjatë ditës së sotme, Erion Braçe foli i revoltuar para Kuvendit për disa kërkesa informacioni kundrejt Drejtorisë së Tatimeve, AKU, ISUV etj, për të cilat sipas tij, afatet janë tejkaluar. Braçe paralajmëroi se në këto kushte do të kalonte në kallëzim penal.

“Kam një seri kërkesash për marrje informacioni. Pasi është tejkaluar çdo lloj afati me Drejtorinë e Tatimeve, AKU, ISUV etj, s’më janë dhënë informacione dhe do të kaloj në kallëzim penal. S’kam kërkuar asjgë përveçse një liste me emrat e kompanive që janë kontrolluar në kuadër të sigurisë ushqimore. Konfidenciale!”, tha Braçe.

Ndërkohë edhe deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka paraqitur një kërkesë për interpelancë me ministren e Brendshme, Albana Koçiu, lidhur me vendimin për ndalimin e qarkullimit të monopatinave.

Në dokumentin e paraqitur në Kuvend, Kapri shpreh shqetësimin se përse ku vendim për monopatinat, që sipas tij është i pabazuar në ligj, po vijon të qëndrojë në fuqi.

Po ashtu Kapri pretendon se në interpelancë do i ngrerë pyetjen ministres se kur do të kthehen mbi 2000 monopatina që u janë sekuestruar qytetarëve.

Ora 17:33
‘Fund protagonizmit personal në politikën e jashtme’- Haxhinasto: Përcaktimi i aleatëve strategjikë është bërë si qokë politike! Duhet mbështetje më agresive për Kosovën

 

Deputeti i Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, është shprehur se Shqipëria ka nevojë për përmirësimë në politikën e jashtme.

Komentet Haxhinasto i bëri gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku tha se çështja e shërbimit të jashtëm nuk duhet të preket nga retorikat partiake, por të punohet për të bërë më të mirën në këtë drejtim.

“Dëshiroj t’ju jap një histori të eksperiencës time personale në Beograd, kur në vitin 2001 fillova si drejtues i ambasadës në funksionin e të ngarkuarit me punë permanent. Një diplomat i shkëlqyer i diplomacisë shqiptare, Petraq Pojani, që u prehtë në paqe, me një grup të vogël diplomatësh kishte bërë gjithçka gati që të funksiononte misioni diplomatik atje, pas ndryshimeve të jashtëzakonshme që kishin ndodhur në ish-Jugosllavi, rrëzimi i Millosheviçit. Këta diplomatë ishin atje me fëmijët e tyre, që jetonin dhe përjetonin çdo ditë edhe presion nga një shoqëri që ishte e helmuar nga retorika nacionaliste. Kështu që dua të shpreh respektin maksimal për të gjithë diplomatët të cilët kanë sakrifikuar në momentet të vështira të historisë së Shqipërisë”, tha mes të tjerash Haxhinasto.

Më tej Haxhinasto tha se përmirësimi në politikën e jashtme të Shqipërisë është një nevoje që lind si ndryshim i shumë faktorëve gjeo-strategjikë dhe me afrimin e anëtarësimit të vendit në BE.

“Çështja e shërbimit të jashtëm duhet të na bëjë që të përmbahemi nga retorikat partiake dhe ta trajtojmë seriozisht si një çështje të një vlere kombëtare që kemi. Prandaj çdo përmirësim ligjor në funksion të një cilësie të re të shërbimit të jashtëm do të ishte i mirëpritur, pavarësisht se ligji nuk ka më shumë se 10 vite që është miratuar. Shqipëria kë nevojë për një politikë të re të jashtme. Ndikohet nga afrimi jonë me anëtarësimin në BE, por edhe dinamikat brenda organizatave rajonale dhe të përbotshme, siç është OKB. Prandaj ne kemi nevojë të kemi një konsolidim të politikbërjes, një bazë sa më të gjerë të konsensusit, të përfshirjes së institucioneve kushtetuese”, shtoi Haxhinasto.

Teksa kërkoi që t’i jepet fund protagonizmit personal në politikën e jashtme, Haxhinasto kërkoi që të rishikohen me kujdes marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera, pasi sipas tij, shumë marrëdhënie po bëhen strategjike si qoka politike.

Haxhinasto kërkoi po ashtu një aktivizim më të madh nga Shqipëria në mbrojtjen e faktorit shqiptar në rajon dhe një mbështetje më agresive për Kosovën.

“Ti japim fund protagonizmit në politikën e jashtme, sepse pasojat janë të rënda. Ju kujtohen aventurat e viteve të kaluara për shkëmbim territoresh dhe Ballkanin e hapur, që na sollën shumë vonesa. Gjithashtu kemi nevojë për ta mbështetur politikën e jashtme dhe për ta nxjerrë atë si një politikë kombëtare që i kalon hallet individuale të kujtdo. Na duhet një qartësi shumë më e madhe në përcaktimin e aleatëve tanë strategjikë, sepse shpesh herë janë bërë si qoka politike. Nuk mund të jetë aleat strategjik një vend që pavarësisht nga marrëdhëniet me drejtuesin e tij, ne ta trajtojmë atë si qokë strategjike. Kemi nevojë t’i rikthejmë sytë nga rajoni, te mbështetja e faktorit shqiptar në rajon. Kemi nëvojë për një mbështetje shumë më agresive për Kosovën”, vijoi më tej Haxhinasto.

Ora 16:16
Bardh Spahia në Kuvend: Paratë e korrupsionit të Ballukut po mbajnë peng drejtësinë, janë karburanti që blen heshtjen

 

Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, është shprehur se paratë e korrupsionit të Belinda Ballukut po mbajnë peng drejtësinë.

Komentet Spahia i bëri në fjalën e tij në Kuvend, ku tha se krimi dhe korrupsioni janë kthyer në sistem në Shqipëri.

“Keni grabitur fonde publike, paratë e shqiptarëve. Keni zv.kryeministra, ministra, deputetë që janë marrë të pandehur. Janë këto që frenojnë anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Duhet të flasim për metastazat e një sistemi që ka vendosur të vrasë të ardhmen për të mbijetuar. Ajo që shohim brenda mureve të parlamentit, është shndërrimi i votës së vjedhur në një mburojë për krimin. Kur vota tjetërsohet, institucionet kthehen në bunker ku strehohen interesat e errëta. Në Shqipërinë e sotme, kufiri mes zyrës së shtetit dhe botës së krimit është fshirë praktikisht. Paratë e korrupsionit të Belinda Ballukut dhe kupolës rreth saj janë karburanti që blen heshtjen dhe mban peng drejtësinë. Rama nuk po mbron thjeshtë një ministre, por po mbron vetë ekzistencën e tij. Ai e di mirë se rënia e një tulle të tillë nuk prish thjeshtë murin, por shemb të gjithë godinën e kalbur të pushtetit të tij”, tha mes të tjerash Spahia.

Spahia më tej kritikoi ndryshimet ligjore që kryeministri Edi Rama dhe PS po përgatit, në mënyrë që ministrat të mos pezullohen më me vendime gjykatash.

Spahia tha se kjo është një atentat i hapur ndaj demokracisë dhe një mënyrë për të mbrojtur hajdutët me ligj.

“Ndryshimet ligjore që ky pushtet po gatuan për të mbrojtur hajdutët me ligj, janë një atentat i hapur ndaj drejtësisë, shtetit të së drejtës dhe funksionimit të shtetit në tërësi. Kjo është rruga drejt një autokracie kleptokratike ku krimi nuk është më një aksident, por vetë thelbi dhe themeli i qeverisjes. Kjo sjellje kriminale po e nxjerr Shqipëria nga harta e qytetërimit perëndimor. Partnerët tanë të BE-së dhe SHBA-së po vëzhgojnë me përbuzje sesi një shtet aleat po tradhton vlerat e vërteta demokratike, për hir të xhepave apo interesave të një klike”, shtoi Spahia.

Ora 15:51
“Ambasadat janë mbushur me ish-deputetë të PS”- Zhupa në Kuvend: Pensionim luksi! Ervin Bushati kërkonte abetare, pasi shteti shqiptar nuk i jepte

 

Deputetja e PD-së, Ina Zhupa, është shprehur se Ambasadat shqiptare në vende të ndryshme në botë janë mbushur me ish-deputetë të Partisë Socialiste.

Komentet Zhupa i bëri gjatë fjalës së saj në Kuvend, ku tha se kjo është një mënyrë për t’u ofruar ish-deputetëve socialistë pensionim luksi, por edhe një mënyrë për t’i shërbyer kryeministrit Rama.

“Ditën që ne po miratojmë këtu këtë ligj që na garanton se shërbimin e jashtëm do ta kemi një shërbim diplomatik të pavarur, pikërisht në të njëjtën ditë vjen njoftimi i Komisionit të Jashtëm për dy emërime politike në krye të diplomacisë. Ish-deputeti Bardhyl Kollçaku bëhet ambasador në NATO dhe ish-akademia politike Jeta Kreka bëhet ambasadore në Katar. Prandaj nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë themi ne nga Vlora. Ambasadat janë mbushur me ish-deputetë të PS-së, për një pensionim luksi. Shumica e ambasadave sot janë nga ish-analistë të majtë, nga ish-deputetë socialistë, nga ish-zv.ministra socialistë. Që kur bëtë ligjin në 2015 që hoqët çdo limit dhe çdo proporcion mes diplomatëve të karrierës dhe të atyre që futeshin jashtë sistemit, sistemi i diplomacisë u kthye në një sistem patronazhimi diplomatik. Në fakt vota e diasporës e tregoi fare mire rolin që luajtën ambasadorët dhe ambasadat. Gjithçka në zgjedhjet e fundit u shndërrua në atë që thotë raporti partia-shtet”, tha mes të tjerash Zhupa.

Më tej Zhupa tha se shpesh herë ambasadorët shqiptarë ankohen jashtë kamerave se nuk marrin mbështetjen e nevojshme nga shteti. Ajo solli rastin e Ambasadorit të Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati, që sipas Zhupës, i kërkonte botuesve atje abetare, pasi shteti shqiptar nuk i jepte abetare për komunitetin shqiptar atje.

"Sa herë iu jepet mundësia jashtë kamerave, ambasadorët ankohen. Ankohen edhe te botuesit dhe ne patëm mundësinë ta dëgjonim në komisionin e diasporës, sesi botuesit na thanë sesi ambasadori juaj ish-ministër, Ervin Bushati kërkonte abetare, kërkonte abetare te botuesit, sepse shteti shqiptar nuk i çonte abetare për komunitetin shqiptar atje. Kjo është të investosh në diplomaci, ku ambasadorët të mos kthehen në lypsarë”, vijoi më tej Zhupa.

Ora 15:33
‘Nëse doni të shani ndonjë nga nëna i thoni...’- Korreshi propozon ‘amendament’ në Kuvend, i kthehet Manja: Ti ke nevojë për trajnim te Akademia e Barinjve

 

Deputeti demokrat Saimir Korreshi propozoi një ‘amendament’ të çuditshëm në Kuvend, që sipas tij kishte të bënte me mënyrën sesi duhet të ofendohet dikush nga nëna, për të qenë konform asaj që ai e cilëson si etikë europiane.

“Do ta mbyll me një amendament, nuk e di zoti Ulsi nëse do të ma aprovoni, duke përfaqësuar sjelljen dhe zakonet sipas standardeve Europiane dhe duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit linguistike, propozoj që nga hyrja në fuqi e këtij ligji, nëse doni të shani ndonjërin nga nëna mund t’i thoni ‘ratione mate rahe’. Dhe kështu do të bëheni me etikë europiane”, tha mes të tjerash Korreshi.

Ndërkohë marrë shkas nga fjalët e Korreshit, Ulsi Manja i tha deputetit demokrat se kishte nevojë për trajnim në Akademinë e Barinjve.

Manja shtoi se Korreshi e pikturonte gjendjen në Shqipëri shumë të zezë, ndërkohë që e vërteta sipas tij është krejt ndryshe. Kjo sipas Manjës ishte një ndër arsyet që qytetarët e kanë braktisur PD-në.

“Sot m’u përforcua ideja tamam se e paska pasur megjithëmend në Komisionin e Ligjeve kur përmendi Akademinë e Barinjve. Ky e thotë me shaka, por unë e kam megjithëmend që të zërë radhën te akademia e barinjve, se seriozisht ke nevojë për trajnim. Sepse ka një ironi therëse në atë që ai thotë, ky përpiqet që ta pikturojë Shqipërinë me të zezë edhe ta çojë në fund të botës, kur qytetarët shqiptarë shkojnë përpara dhe vijnë këtej nga ne. Mos hiq dorë nga akademia e barinjve Saimir, ma beso këtë gjë. Uroj që të mos ndërpriten valët përtej Rrogozhinës, se po na mbeti Saimiri pa valë pastaj në telefon, vaj hallin se çfarë pikture do na sjellë të enjten tjetër këtu”, tha Manja.

Ndërkohë Korreshi tha me ironi se e pranonte propozimin e Manjës për t’u bërë bari, por tha se në Shqipëri mungonin delet.

“Ore unë jam dakord me propozimin e Ulsiut që të bëhem edhe bari, por delet ku janë o Ulsi, se këta kanë shfarosur edhe delet. Delet ku janë o Ulsi se na duhen për Bajram”, shtoi Korreshi.

Ora 14:21
Ministri Vengu u përgjigjet sulmeve të opozitës: Nxini vendin, s’keni turp kur mashtroni e shpifni

Deputetja e PD, Jorida Tabaku i është drejtuar Pirro Vengut në Kuvend duke e akuzuar si pjesë të faktorëve që kanë penguar procesin e integrimit.

“Sot ti duhet të ishe në hetim, jo atje, bashkë me qeverinë e të pandehurve dhe ato që të kanë sjellë në parlament”, tha Tabaku, ndërsa ministri u përgjigj:

“Kaloni kohën tuaj duke nxirë vendin dhe mesazhet politike dhe linçimin publik e transferoni në çdo frekuencë të mundshme mediatike e politike”, tha Vengu duke shtuar: “Sa i përket portit të Durrësit unë mund t’ju them fare mirë si ka qenë dhe si është sot nga pikëpamja logjistike dhe ekonomike, ju ftoj ta vizitoni”.

Ndërsa akuzave të Bardhit për ndihmë kundrejt bandave të krimit të organizuar, iu përgjigj:

“Jeni vetëshpallur gjyqtar publik, prift i moralit në politikën tonë. Unë mbaj përgjegjësi për veprimet, sjelljet e mia, vendimmarrjen në çdo institucion ku kam pasur nderin të kontribuoj e herë pas here, të drejtoj. E keni bërë sport këtë që hidhni kallëzime çdo ditë. Unë jam rritur nga një familje që është mbrujtur me ndjenjat kombëtare dhe respekt ndaj ligjit. Ju s’keni turp kur gënjeni, mashtroni e shpifni, unë jam këtu për të mbajtur përgjegjësi për çdo vendim dhe jap sqarime. S’mundet të përdorni këtë sallë e ansamble si platformë për linçim publik, kërkoni falje herë pas here”, përfundoi Vengu.

Ora 13:13
“Do të jeni lëkurë këpuce për SPAK”, Bardhi akuza mazhorancës: Me rastin Balluku po pengoni procesin e integrimit!

Në debatet në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, hodhi akuza drejt mazhorancës duke thënë se raporti paraprak i Komisionit të Jashtëm të PE tregon regres, në vend të progresit që krenohet qeveria. Ndër të tjera, ai e pyeti Elisa Spiropalin nëse do t’i hiqet imuniteti Ballukut.

“Mbroje Ballukun se të merr me vete. Nuk është sajesë as e opozitës, as e mediave ndërkombëtare korrupsioni i qeverisë suaj. S’është sajesë që raporti i dorëzuar në Komisionin e Jashtëm të PE thotë të kundërtën dhe është i përgatitur nga partia simotër juaja në Parlamentin Europian. Thotë që ka probleme madhore me korrupsionin, ndërhyrjen e qeverisë në pushtetin gjyqësor, moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të gjitha këto probleme tregojnë regres. Ballukun nuk e kemi akuzuar ne, e ka akuzuar ylli i Reformës në Drejtësi, SPAKU-u. Do ia hiqni imunitetin Ballukut apo do të ktheheni në bunker?”, tha Bardhi.

Spiropali mohoi mbrojtjen ndaj Ballukut, ndërsa Bardhi nuk hoqi dorë nga akuzat se retorika e progresit nuk përputhet me veprimet e mazhorancës. Ai tha se grupi parlamentar i PS ka marrë urdhër nga kryeministri Rama që të kthehet në “lëkurë këpuce për SPAK”.

“Integrimi europian nuk realizohet dot me ato që kryeministri i ka lënë në mbledhjen e grupit parlamentar, ku keni qenë dhe ju, shprehimisht ka thënë: ‘ju të gjithë do të jeni lëkurë këpuce për SPAK-un’. Ata që shndërrojnë Kuvendin në këpucë lëkure për SPAK-un, e çojnë vendin mbrapa. Me rastin Balluku po pengoni procesin e integrimit”, tha Bardhi.

Ora 13:02
Bardhi: Mos na flisni për suksese imagjinare, informoni BE për Ballukun! Spiropali: Nuk marrim leksione nga ju, e keni kryetarin mburojë të korrupsionit

Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi tha se Ministria e Jashtme është mbushur me punonjës që dikur kanë qenë deputetë të PS. Bardhi tha se diplomacia e Shqipërisë është një propagandë e hapur për mazhorancën. Deputeti i PD iu drejtua Elisa Spiropalit duke i thënë se nuk mund të flasë për suksese imagjinare, por duhet të informojë ndërkombëtarët për rastin e korrupsionit të Belinda Ballukut.

“Nga ajo që ndodh në praktikë vërejmë që shërbimin e jashtëm e keni kthyer si strehë pensioni për ish-deputetët e PS. Nëse ha p sot listën e ambasadorëve të Shqipërisë, 705 të tyre janë individë politikë që kanë qenë këtu. Do ta kishim besuar realisht që kjo qeveri ka për qëllim të reformon shërbimin e jashtëm nëse nuk do të kishim vërejtur që në 11 maj ambasadave të Shqipërisë në botë u kthyen në qendra elektorale të PS. Do ta kishim besuar reformën në shërbimin e jashtëm nëse ministre do vinit këtu dhe nuk të flisnit për sukses imagjinare të politikës së juaj të jashtme me atlete te bardha të kryeministri, por të kishin informuar me seriozitet kuvendin sesi procesi i integrimit është marrë peng nga rasti i korrupsionit të Ballukut. Ju integrimin evropian e keni propagandë të pastër”, tha ndër të tjera Bardhi.

Ministrja e Jashtme Spiropali i tha Gazment Bardhit se nuk mund të japë leksione një parti që mburojën e korrupsionit e ka kryetar, referuar Sali Berishës. Spiropali tha se raportet e Bashkimit Evropian flasin për një Shqipëri të përkushtuar në përmbushjen e reformave dhe për pritshmëri të larta për mbylljen e kapitujve.

“Nuk presim leksione nga një parti politike që mburojën ndaj korrupsionit nuk e ka mbi kokë por e ka kryetar. E dyta po të shohësh me vëmendje dhe të jesh mendje hapur sa i takon Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, dhe draft raportin do lexosh raportet e BE që të gjitha reformat që ka bërë Shqipëria vlerësohen vijimsisht, vlerësohet zbatimi i tyre, flitet për precedentin e Shqipërisë për hapjen dhe pritshmërinë për mbylljen  e negociatave”, tha Spiropali.

Ora 12:42
Pr/ligji për shërbimin e jashtëm, Kapri: Ç’do të bëni me nepotizmin? Spiropali: Synon reformë të thellë, diplomatë në lartësinë e duhur

Në diskutimin për projektligjin për shërbimin e jashtëm, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, pyeti ministren e Jashtme Elisa Spiropali për emërimet në institucion. 

“Në çdo ambasadë të Republikës së Shqipërisë, kudo, në perëndim a lindje, 90% i ke emërime nepotike. Jam i bindur që e keni vënë re se çfarë cilësie e dobët është. Projektligji që ju sillni këtu, çfarë do të bëjë me nepotizmin në Ministrinë e Jashtme?”, tha Kapri.

Spiropali iu adresua ecurisë së përgjithshme të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare: “Shqipëria sot kontribuon në tryezat e vendimeve”, tha Spiropali.

Megjithatë, ministrja pranoi se ka ende problematika duke u shprehur se mbart ende reflekset e së shkuarës, ndërsa diplomati shqiptar duhet të jetë i vetëdijshëm për peshën e tij në një mision.

“Ministria e Jashtme ka diplomatë të shkëlqyer. Ajo mbart ende reflekset e së shkuarës, nepotizmi, inercie, të një administrate që shpesh ka qenë më shumë proceduriale sesa strategjike. Projektligji është hap politik dhe institucional për ta përshtatur shërbimin e jashtëm me kohën që jetojmë. Diplomati shqiptar duhet të jetë i vetëdijshëm dhe profesionist për peshën e tij”, tha ministrja.

Spiropali nënvizoi se projektligji është i nevojshëm për të përmirësuar shërbimin e jashtme dhe kulturën e përfaqësimit të Shqipërisë.

“Kemi nevojë për një shërbim të jashtëm që është në lartësinë e ambicieve tona kombëtare. Ky projektligj është instrument për këtë fazë të re. Sigurisht nuk mund të pretendohet që i zgjidh të gjitha, por synohet të bëjë një reformë të thellë në shërbimin e jashtëm. Ai krijon Akademinë Diplomatike, vendos standarde më të larta diplomatike, forcon përfaqësimin ekonomik dhe kulturor, hap dyert për profesionistë dhe statusin e shërbimit diplomatik e familjeve të tyre. Mbi të gjitha, synon të ndryshojë kulturën e përfaqësimit të Shqipërisë në botë”, përmbylli Spiropali.

Ora 11:12
Debatet për nismën e PS për ndryshimet ligjore, Topalli: Keni frikë, kërkoni të justifikoni praktikat korruptive! (VIDEO)

Nisma ligjore për ndryshimet e nenit 242 në Kodin e Procedurës Penale u quajt nga deputetja Jozefina Topalli si një ligj për të mbrojtur veten ndaj drejtësisë. Topalli tha se mazhoranca po përpiqet të justifikojë praktikat korruptive.

"Ligji për ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale është një ligj që mbron veten kur drejtësia të troket te zyra jote. Ligjvënësi i vërtetë në këtë sallë dhe në anën e majtë është frika. Ju sot keni frikë, prandaj ndryshoni ligjin për Kodin e Procedurës Penale për t’i dhënë vetes super imunitet. Kërkoni të justifikoni të gjitha praktikat super korruptive për amendimet që po bëni sot!", tha Topalli.

Ora 11:06
Mile: Erdhe në Fier si i madhi Gaz Bardhi e ike si Mbas Gardhi! Deputeti i PD: Je zari i Belinda Ballukut, ajo do shkojë në burg me ose pa ty (VIDEO)

Deputeti i PS Erjo Mile tha se Bardhi kërkon heqjen e imunitetit të deputetit të Belinda Ballukut pasi është në konflikt interesi për shkak të betejës në qarkun e Fierit. Mile tha se Bardhi nga beteja e fundit elektorale, doli si humbësi më i madh në historinë e PD.

“Seanca nisi me një kërkesë nga Bardhi për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për Ballukun, dua t’ju cilësoj që këto është kërkesë në konflikt interesi, nëse ka një person që është në konflikt interesi me Ballukun është Bardhi, të dy këta janë përballur në qarkun e Fierit si drejtues politik dhe kjo betejë ka përfunduar kjo betejë me Bardhin si humbësi më i madh historik i PD. Bardhi erdhi në Fier si i madhi Gaz Bardhi dhe iku si Mbas Gardhi. Ne socialistët e Fierit kemi një kërkesë për Sali Berishën. Ti e di që unë si kundërshtar të respektoj. Mos a e largoni Bardhin nga Fieri, leje drejtues politik po nuk dolëm herën tjetër 14 em2, atëherë keni të gjithë të drejtën për të folur. Ka për qëllim a çojë nga një betejë elektorale një betejë procedurale, por nuk të voton populli me procedurë”, tha Erjo Mile.

Ndërkohë Bardhi iu përgjigj duke e cilësuar zagar të Belinda Ballukut. Kreu i grupit të PD tha se u ka premtuar qytetarëve të Fierit për të çuar në burg Ballukun.

“S’e mora fjalën për t’iu përgjigjur zarit të Belinda Ballukut. Zari e di që është i tillë. Qytetarëve të Fierit u kam bërë një premtim që kjo zonja do të shkojë në burg! Me apo pa ty, Zegjinenë e të gjithë zarët e vet që i ka sjellë këtu në sallën e Kuvendit”, iu përgjigj Bardhi.

Ora 11:00
Kërkesat për informacion, Braçe: Është ezauruar çdo afat me Tatimet dhe AKU-në, do të kaloj në kallëzim penal

Erion Braçe foli i revoltuar para Kuvendit për disa kërkesa informacioni kundrejt Drejtorisë së Tatimeve, AKU, ISUV etj, për të cilat afatet janë tejkaluar. Ai tha se në këto kushte do të kalojë në kallëzim penal.

“Kam një seri kërkesash për marrje informacioni. Pasi është tejkaluar çdo lloj afati me Drejtorinë e Tatimeve, AKU, ISUV etj, s’më janë dhënë informacione dhe do të kaloj në kallëzim penal. S’kam kërkuar asjgë përveçse një liste me emrat e kompanive që janë kontrolluar në kuadër të sigurisë ushqimore. Konfidenciale!”, tha Braçe.

Ora 10:55
Braçe ngre tonet në Kuvend: Shkolla ‘Edith Durham’ ka mbaruar që në tetor, s’është hapur ende! Prindërit e nxënësit janë në kaos

Deputeti i PS, Erion Braçe, kërkoi para Kuvendit llogari për arsyen që nuk është bërë seanca pyetje-përgjigje me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro. Çështja që ai ngre është mos hapja e shkollës “Edith Durham”, rindërtimi i së cilës ka përfunduar në tetor. Kjo ka bërë që 850 nxënës të frekuentojnë turnin e dytë dhe 1700 prindër e gjyshër janë në kaos.

“Javën tjetër bëhen më shumë se 4 javë nga kërkesa për një seancë pyetje-përgjigje me ministren e Arsimit. Shoh që ministrja është këtu dhe kuptoj që është problem i parlamentit. Çështja për të cilën interesohem është hapja e shkollës ‘Edith Durham’ që ka mbaruar në tetor dhe më 19 shkurt s’është hapur ende. Këtu shfrytëzohet koha javë për javë për çështje jashtë rendit të ditës kurse për këto, është me racion. Kanë kohën e tyre kur bëhen. Kam kërkuar në 2 shkurt. Afati maksimal që jep rregullorja është 3 javë. Atje janë 850 nxënës minimalisht që shkojnë turni i dytë, 1700 prindër e gjyshër që duhet të rregullojnë axhendën dhe punën e tyre për të marrë një përgjigje se kur hapet shkolla ‘11 janari’. Kam bërë një tjetër kërkesë që mbivendosen dhe dalin jashtë afateve. Instrumenti parlamentar i kontrollit parlamentar nuk mund të përdoret me racion”, tha Braçe.

Ora 10:49
Akuzat për Suel Çelën, Balla i përgjigjet Bardhit: Gënjeshtër, për këto ke akuzuar Flamur Nokën ti! Me ty kuptoj sesi duhet drejtuar një grup parlamentar (VIDEO)

Taulant Balla i është përgjigjur akuzave të Gamzent Bardhit në Kuvend për lidhjet dhe favoret e pretenduara nga PD të Ballës me Suel Çelën, kreu i bandës së Elbasanit. Balla iu përgjigj se për këtë eksponent, Bardhi ka akuzuar vetë sekretarin e Përgjithshëm të PD-së Flamur Nokën.

“Zotëria e përsëris nuk e ka turp gënjeshtrën, shpifjen se për të njëjtët njerëz, nuk ka rezistuar dot që të akuzojë Flamur Nokën për të njëjtët njerëz, nuk ke rezistuar dot, ke akuzuar sekretarin ne partisë tënde që personat thirrin anëtarët e PD të Elbasanit të firmosin. Mbaje mend shtoje për babin e Zenit. Ti bërtet sepse ke vëndshkarkim, por ti je një avantazh i madh i imi për të bërë diferencën në sallë sesi duhet të drejtohet një grup parlamentar. Je i vetmi kryetar grupi në histori që ka kallëzuar penalisht nënkryetarin e vet të grupit”, tha Balla.

Ora 10:44
Gazment Bardhi akuza Ballës: Ka ndërhyrë te SPAK për lirimin e pronave të babait të Suel Çelës

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi tha se Taulant Balla ka ndërhyrë te SPAK dhe Policia e Shtetit për të liruar pronat e babait të Suel Çelës. Bardhi ‘ngarkoi’ me detyrë kreun e SPAK, Klodian Brahon, për të vijuar punën me dosjen që ai përmend.

“Të flasë për ndarje pushtetesh njeriu që është kapur në përgjime të SPAK tek ndërhyn te prokurori i SPAK-ut dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit për të liruar pronat e babait të Suel Çelës, ky është fundi i botës! Këtë e ka bërë parafolësi në këtë foltore! Është në përgjimet e Prokurorisë së Posaçme si njeri që ndërhyn te prokurori i SPAK dhe merr përsipër të ndërhyjë për të liruar pronat e sekuestruara të babait të Suel Çelës, kapos së bandës së Elbasanit. Është ai atje! Ky është drejtues i SPAK-ut, ka një detyrë, atë që dosje e mban të fshehur apo të fjetur duhet ta çojë përpara sepse shqiptarët duhet të dinë se kush vjen në këtë foltore dhe bën teatër me ndarjen e pushteteve. Këtë e ka bërë kryetari i grupit tuaj parlamentar”, tha Bardhi.

Ora 10:43
‘Juve s’u erdhi McAllister deri te partia’, Balla ironi me opozitën: Ndiqni televizorin, në 16:00 Rama dhe Trump në Bordin e Paqes (VIDEO)

Kreu i grupit te PS, Taulant Balla iu përgjigj me ironi Gazment Bardhit pas debateve për rastin e Belinda Ballukut. Balla i kujtoi demokratëve protestat e dhunshme dhe mesazhet që Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister dha nga Tirana. Balla iu tha opozitarëve se ata nuk i takojnë as aleatët e tyre, referuar faktit që McAllister deklaroi se nuk do e takojë Sali Berishën.

Ndërsa në të njëjtën kohë me ironi Balla i kujtoi Bardhit se kryeministri Rama ndodhet sot në SHBA me ftesë të Trump për Bordin e Paqes, duke i këshilluar opozitarët “që në 16:00 të ndezin telefonin dhe televizorin”.

“Protestat e dhunshme janë të papranueshme një demokraci funksionale. Thirrja ime sot ndaj jush dhe ndaj atij që urdhëron, përdorimi i fëmijëve nën 18 vjeç për të goditur me molotov policët dhe institucionet është e papranueshme për një parti e cila është anëtare e PPE. Besoj Që McAallister tha dhe diçka tjetër, nuk e takoj Berishën. Imagjinoni këta nuk i takojnë as vetë aleatët e vet, sa për akuza korrupsioni duhet të jemi të qartë, akuzë për korrupsion e keni në mes, kryetarin e partisë. Dhe e fundit meqë sapo je kthye nga SHBA, e mban mend si bërtisje me 23 janar, Rama ta harrosh, nuk do shkojë kurrë. Ti e kë thënë aty. Mbani telefonat ndezur, tv ndezur, në orën 16:00 kryeministri Rama dhe Trump së bashku në mbledhjen e parë të Bordit të Paqes aty ku i takon Shqipërisë të jetë o Gas. Juve s’u erdhi McAallister deri te partia, mirë që mori Jorida Michael Gahler e solli aty se kishit ngel bosh”, tha Balla.

Ora 10:36
Arrestimi i vëllait të Elda Hotit, Balla i drejtohet Bardhit: Ju e paskeni ‘narkosin’ brenda në shtëpi! Ndryshe nga ju, ne s’bëjmë deklarata

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, përmendi në Kuvend rastin e vëllait të deputetes Elda Hoti, i cili është arrestuar së fundmi në Romë i akuzuar për trafik të lëndëve narkotike. Ai tha se ndryshe nga se do të bënte PD nëse ky rast do t’i përkiste njërit prej deputetëve të PS, ne nuk do të bëjmë asnjë deklaratë.

“Imagjinoni sikur ngjarja e ndodhur ndaj familjarëve të një deputeteje të PD t’i kishte ndodhur njërit prej PS. Ju do të kishit ardhur këtu, do të kishit bllokuar foltoren, do të bërtisnit 'në burg, arrestojeni'! Është grup i strukturuar kriminal se vëllai dhe motra. Ç’punë ka motra me çfarë bën vëllai, në kuptimin e ligjit? Nuk keni për të dëgjuar asnjë deklaratë nga ne kështu. Se na doli narkosi, vëllai i Elda Hotit. Nuk do të bëjmë ne asnjë deklaratë, as për rastin në fjalë, meqë narkosin paskeni brenda shtëpisë tuaj”, tha Taulant Balla.

Ora 10:31
PD kërkon t’i hiqet imuniteti Ballukut, Balla: Më 23 mblidhet Këshilli i Mandatit, GJKKO ndërhyri në kompetencat e Kryeministrit

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla i është përgjigjur Gazment Bardhit i cili kërkoi t’i hiqet imuniteti Belinda Ballukut dhe kërkesa të futej në rend dite. Balla i tha se Këshilli i Mandateve do të mblidhet të hënën më 23 shkurt, ndërsa shtoi se GJKKO ndërhyri në kompetencat e Kryeministrit.

“Në Kuvendin e Shqipërisë nuk ka kërkesë për heqje imuniteti, se as deputetët dhe as ministrat nuk kanë imunitet. Ka kërkesë për dhënie autorizimi për masë sigurie. Sa i përket kërkesës për dhënie autorizmi, si anëtar i atij këshilli, jeni njoftuar në datën 23 ora 10:00 për të vijuar me mbledhjen. Të gënjesh është edhe profesion dhe ju e ushtroni në mënyrë shembullore. Thatë që ka vendim të Kushtetueses 8 me 0, se unë di dhe publiku di, ja ku i kemi dhe gazetarët aty lart që nuk ka një vendim. Sa i përket 8 me 0, po ka një vendim në leximin pa jurisprudencë vendim 8 me 0, ka 4 anëtarë që thonë që GJKKO ka ndërhyrë në kompetencat e kryeministrit, parlamentit dhe presidentit, por nuk kanë rënë dakord për mënyrën se si zgjidhet. 4 thonë të zgjidhë Kuvendi, 4 thonë ta zgjidhë Gjykata”, tha Balla.

Ora 10:26
Çështja Balluku/ Bardhi: E keni kthyer Kuvendin në bunker të zyrtarëve të korruptuar, bëni ndryshime në ligj për të mbrojtur veten

Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi në fillim të seancës plenare kërkoi nga kryetari i Kuvendit mbledhjen e Këshillit të Imunitetit për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Bardhi thotë se Kuvendi është kthyer në mburojë të zyrtarëve të korruptuar.

Bardhi tha se ndryshimet që ka prezantuar PS në nenin 242 të Kodit të procedurës Penale, janë antikushtetuese dhe për të mbrojtur veten nga ligji.

“Duhet të jetë vetëm 1 pikë që ju keni 2 muaj që e mbani zvarrë, duke e kthyer Kuvendin në bunker të zyrtarëve të korruptuar. Futja me urgjencë në rend dite e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, e justifikuat shtyrjen me kohën që kërkoi avokati mbrojtës. Na thatë, pasi skadoi 3 javët e kërkuara, që do të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Për 2 muaj i mbushët kokën shqiptarëve që një zv.kryeministre nuk mund të pezullohet se gëzon imunitetin e deputetes. Morëm përgjigje nga Gjykata Kushtetuese se pezullimi nga detyra nuk hyn në çështjen e imunitetit. Pas Gjykatës Kushtetuese nxorët një tjetër justifikim: do të presim të zbardhet vendimi. Jeni bërë pengesë për hetimin. Nuk duhet të bëhemi hipokritë kur ky Kuvend ka dështuar të përmbushë funksionin kushtetues në interes të qytetarëve. Deri në atë moment, ky Kuvend nuk mund të funksionojë normalisht, as sikur kjo çështje nuk është këtu. Jemi i vetmi vend në botë që miratoni ligj për të mbrojtur veten. Kreu i Komisionit të Jashtëm të PE e quajti test kritik për luftën kundër korrupsionit. Ose do ta luftojmë korrupsionin, ose do ta ktheni në bunker për të mbrojtur korrupsionin. Lejoni që ky Kuvend të përmbushë në kohë misionin kushtetues”, tha Bardhi.