TIRANË- Në Kuvend po zhvillohet seanca maratonë për raportin e qeverisë dhe të komisionit të jashtëm të PE për procesin e integrimit. Pavarësisht kritikave dhe përplasjes për ecurinë e negociatave palët kanë dakordësuar një pr.rezolutë të përbashkët, që pritet të miratohet pas debatit që do të zgjasë 5 orë.

Opozita kritikoi raportin vjetor të qeverisë, duke thënë se është i dobët dhe nuk ka adresuar çështjet kryesore, si bllokimin e negociatave, sipas tyre për shkak të Ballukut, apo rekomandimet e OHIDR. Partia Demokratike kërkoi në sallë të kryenegociatores Majlinda Dhuka dhe të kryeministrit Rama i cili ndodhet në Gjermani.  

“Kryeministri nuk është një influencer. Qenia në pushtet nuk matet me sa gjatë ai flet në TV, por sa pranon parlamentarizmin dhe kontrollin që pakica ka mbi shumicën”, tha Jozefina Topalli.

“Të thërrasim kryenegociatoren, të dëgjojmë kryeministrin dhe ata që e kanë përgjegjësi për të raportuar. Nëse integrimi është prioritet, atëherë kjo duhet të reflektohet këtu në parlament dhe fatkeqësisht nuk po ndodh”, tha Tabaku.

Kreu i PD, Sali Berisha iu rikthye sërish akuzave ndaj mazhorancës se e bllokoi procesin e integrimit me votën për të mbrojtur Belinda Ballukun.

“Dosja Balluku dhe AKSHI qarkullon në mbarë Europën. Edi Rama u detyrua t’i fshijë këpucët Lubi Ballukut kur ajo nxori gjithë dosjet që disponon për Edi Ramën dhe hodhi në kosh të plehrave mantrën e reformës në drejtësi, i mbylli dyert prokurorit. Ju që flisni sot për integrimin, o hipokritë, a nuk jeni ju që votuat për Lubi Ballukun? Ccfarë do të diskutoni sot? Ju e keni hipokrizi integrimin. Jeni ju pengesa kryesore e shqiptarëve në integrim. Armiqtë  e vërtetë të integrimit jeni ju që vidhni shqiptarët”, tha Berisha.

Por, ministri i jashtëm tha se KE ka hartuar raport pozitiv për Shqipërinë dhe tashmë është në dorë të vendeve anëtarë diskutimi për piketat e ndërmjetme, duke hedhur poshtë akuzat për bllokim.

“Ky proces nuk është bllokuar e as ndaluar nga shtetet anëtare. Si çdo vend kandidat, Shqipëria nuk është pjesë formale e diskutimeve të brendshme në KE; do të jetë në atë tryezë vetëm kur të jetë anëtare”, tha Hoxha.

Në rend ditë janë parashikuar edhe 6 interpelanca, me zv.kryeministren Koçiu dhe me ministrat Malaj, Demo dhe Lamallari. Ndërsa, një kërkesë e PD për interpelancë me Ramën për projektin ‘Smart City’ u rrëzua.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:49
‘Opozita e njëanshme’, Ibrahimaj për raportet e DASH dhe KE: I paraqet rekomandimet si dështime! Në disa fusha duhet të punojmë më shumë

Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj tha se raportet e DASH dhe KE për Shqipërinë po përdoren nga opozita për t’u pasqyruar si dështim i Shqipërisë. Sipas Ibrahimajt, opozita përdor fragmente nga raportet të cilat i nxjerr nga konteksti që më pas të krijojë përshtypjen e regresit.

“Në thelb, për të dy raportet, qëndrimi i opozitës është i njëanshëm. Ata marrin pjesë kritike të raporteve, i shkëpusin nga konteksti, i amplifikojnë politikisht për të krijuar përshtypjen se Shqipëria ndodhet në regres ekonomik, institucional dhe politik. Kjo nuk është ajo që raportet thonë. Të dy raportet janë profesionale dhe të balancuara. Ato evidentojnë sfida në qeverisje dhe vetë qeveria nuk i mohon këto sfida. Pasja e sfidave është normale për çdo vend kandidat në BE. Ajo që bën opozita është diçka tjetër. Ajo përpiqet t’i marrë rekomandimet dhe jo t’i paraqesë ato si komente konstruktive, por si dështim i Shqipërisë”, tha Ibrahimaj.

Sipas saj, raportet përmbajnë një sërë treguesish pozitivë në fushën e ekonomisë çka në të vërtetë hedh poshtë pretendimet e opozitës.

“Vetë raporti që opozita e përdor si raport për të paraqitur dështimet e ekonomisë, identifikon sukseset e ekonomisë shqiptare”, tha Ibrahimaj.

Ministrja nuk mohoi edhe sfidat që evidenton progresraporti dhe tha se duhet punuar më tepër. Por, nënvizoi Ibrahimaj, nuk flitet për ngecje të procesit, vetëm për rekomandime.

“Progresraporti identifikon edhe fusha në të cilat ne duhet të punojmë më shumë dhe të përmirësohemi si shteti ligjor, aksesi në financë, mirëadministrimi i ndërmarrjeve shtetërore apo rritja e produktivitetit në fusha si bujqësia dhe kjo është ajo që duhet bërë, jemi duke hartuar politika. Progresraporti konfirmon avancimin historik të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit. Nuk shoh në asnjë vend bllokim të negociatave, punë të keqe të qeverisë. Shoh rekomandime për punë më të mirë në disa elementë, sektorë, pjesë të qeverisjes ku duhet të punojmë sepse procesi i integrimit europian ka të bëjë me reformim ligjor, institucional, ekonomik dhe të gjitha këto reforma shkojnë në drejtim të uljes së korrupsionit, rritjes së mirëadministrit dhe përparimit të shqiptarëve drejt tregut të përbashkët europian”, përmbylli Ibrahimaj.

Ora 12:45
‘Opozita e ka treguar që është pro integrimit’, Tabaku: Problem pandëshkueshmëria, nuk bëhemi europianë duke hapur kapitujt në letër

Deputetja demokrate Jorida Tabaku duke folur për procesin e integrimit në Kuvend tha se opozita e ka treguar qëndrimin e saj pro anëtarësimit. Tabaku tha se një vend nuk bëhet europian duke hapur kapitujt në letër, por duke ndërtuar institucione reale dhe reforma të pakthyeshme. Tabaku tha se mbetet problem pandëshkueshmëria, apo se tenderët, investimet strategjike janë janë kthyer instrumente mjet kontrolli politiko-ekonomik.

“Një vend nuk bëhet më evropian duke hapur kapitujt në letër, por duke ndërtuar institucione që funksionojnë realisht, kur drejtësia nuk ndalet para pushtetit, kur zgjedhjet nuk kontrollohen nga shteti kur mediat nuk kontrollohen nga qeveria, shumë raporte i kanë theksuar ashtu siç i thekson edhe raporti i PE. Progresi nuk matet me numrin e ligjeve të miratuar por me reforma të qëndrueshme dhe të pakthyeshme. Opozita i ka ngritur këtë shqetësime, duke nisur me korrupsionin. Problemi është mungesa e pandëshkueshmërisë, tenderët, investimet strategjike, planifikimi urban janë kthyer instrumente mjet kontrolli politiko-ekonomik. Këtë duhet të luftojmë e të dënojmë. Kapja e shtetit nuk nis vetëm kur kontrollohen gjykatat, por ekonomia, tenderët, mediat, procesi zgjedhor e të gjitha sot këto janë duke ndodhur. Nuk jemi vonë e nuk mund të jemi vonë për të ndryshuar edhe perceptimin që ka publiku. I kam humbur shpresat që kjo mazhorancë ndryshon, por sot procesi i integrimit na kërkon që ne të sillemi ndryshe e të veprojmë ndryshe, na kërkon rezultate, drejtësi që nuk ndalet para pushtetit, zgjedhje ku partia nuk bëhet shtet, media që nuk jeton me frikë. Arsyeja kryesore është se integrimi nuk është teknik, politik, testi i demokracisë, opozita e ka treguar që është pro këtij procesi”, tha Tabaku.

Ora 12:37
Ferit Hoxha ‘i zë vendin’ Ramës në Parlament, punonjësja e administratës i tërheq vëmendjen: Çohu se nuk lejohet (VIDEO)

Karrigia e kryeministrit Edi Rama në sallën e Parlamentit është bosh. Për një moment ajo u vu në përdorim nga ministri i Jashtëm Ferit Hoxha teksa po bisedonte me numrin 2 të qeverisë, Albana Koçiun.

Ishte punonjësja e Administratës së Kuvendit, e cila i kërkoi Hoxhës të çohej pasi nuk lejohet që askush tjetër përveç Ramës, të ulet në karrigen e shefit të qeverisë.

Ora 12:32
Koçiu: Opozita dhe raportet më serioze i përdor si materiale propagandistike, konfliktin politik të mos e kthejmë kundër Shqipërisë

Zëvendëskryemistrja Albana Koçiu tha se narrativa politike që përdor opozita, nuk i shërben Shqipërisë dhe procesit të integrimit. Koçiu ndëras foli për arritjet e Shqipërisë drejt integrimit në BE, tha se opozita po dezinformon dhe po përdor si armë politike fjali të marra nga raportet e të shkëputura nga konteksti.

“Ka debate politike që bëjnë për zhurmë dhe të tjera që shërbejnë për të sqaruar të vërtetat. Kur flasim për integrimin në BE, nuk flasim për fatin e një partie politike, as për interesin e një qeverie, por për drejtimin historik të Shqipërisë, për standardin evropian që kemi zgjedhur prej kohësh.

Edhe pse bëhet fjalë për një çështje të rëndësishme, më vjen keq që edhe raportet më serioze ndërkombëtare tentohen të përdoren si materiale propagandistike. Në fund krijohet ideja sikur Shqipëria është një vend pa arritje. Realiteti matet me fakte, rezultate dhe besueshmëri ndërkombëtare. Negociatat janë hapur, kapitujt po ecin me ritëm. Kjo nuk është një arritje e zakonshme, është ndryshim gjeopolitik dhe institucional.

Vetëm disa vite më parë, Shqipëria përmendej si një vend që ende dilte nga tranzicioni. Vendi ka bërë reforma të vështira, janë marrë vendime që shpesh kanë pasur kosto politike. Raportet përmendin edhe çështje që kërkojnë vëmendje; kërkohen më shumë rezultate dhe kjo është normale. BE nuk është një klub, është një familje shtetesh ku hyn vetëm nëse provon se je i aftë të ndërtosh drejtësi funksionale dhe standarde politike.

Është shumë e lehtë të marrësh një fjali, ta shkëpusësh nga konteksti dhe ta përdorësh si armë politike. Përgjegjësia jonë është të themi të vërtetën. Shqipëria është sot më afër Evropës se kurrë më parë. Evropa nuk na kërkon të biem dakord për gjithçka, por pret që ne të sillemi si shtet serioz, që konfliktin politik të mos e kthejmë kundër Shqipërisë. Integrimi evropian nuk mund të ecë me politikën e djegies së urave të komunikimit, as duke e nxirë Shqipërinë në çdo tryezë ndërkombëtare. Dëmi i bëhet Shqipërisë, jo qeverisë’, tha Koçiu.

Ora 12:26
Kuvendi diskuton procesin e integrimit, deputetët ‘zhduken’ nga salla (VIDEO)

Kuvendi diskuton sot procesin e integrimit në BE, një diskutim i parashikuar të zgjasë rreth 5 orë. Megjithatë, rreth dy orë pas nisjes së seancës plenare, deputetët i kanë lënë karriget bosh.

Siç pamjet tregojnë, në sallë ka vetëm një numër të paktë deputetësh, ndërsa janë të pranishëm disa prej ministrave si dhe zv/kryeministrja Albana Koçiu që po mban fjalim.

Ora 12:17
Anëtarësimi në BE/ Hasani i përgjigjet kritikave të opozitës: Të mos e kthejmë në betejë të përditshme, euforia pa masë nuk i shërben procesit

Deputeti i PS Igli Hasani iu përgjigj kritikave të opozitës lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe pretendimeve për privatizim të këtij procesi. Hasani u shpreh se bashkëpunimi i opozitës me qeverinë nuk do të thotë të zerohet kritika, por integrimi nuk duhet që integrimi të kthehet në betejë të përditshme.

“Ta hedhësh poshtë një bllok që konsolidon një informacion kaq komplet nuk i shërben debatit. E përdorim si bazë për të parë çfarë është bërë e çfarë duhet bërë e kur duhet të përshpejtohen reformat. Raporti nuk është fundi i llogaridhënies por fillimi. Nuk e shoh Kuvendin si noter të integrimit, por garant të transparencës dhe mbikëqyrjes. Integrimi evropian nuk është një projekt zyrash por i një shoqërie të tërë. Nëse qytetarët nuk e kuptojnë procesin nuk mund ta ndjejnë si të tyren. BE nuk është vetëm destinacion politik, është standard dhe nuk i shërben procesit kritika pa perspektivë e euforia pa masë. Ajo që e çon vendin përpara është puna serioze e llogaridhënia për punën. Konsensus nuk do të thotë mungesë kritike, por të mos e kthejmë integrimin në betejë të përditshme. Shqipëria po punon për mënyrën sesi do të hyjë në Evropë. Për herë parë Evropa nuk është më ëndërr, por nj standard që mund ta kërkojmë këtu”, tha Hasani.

Ora 12:15
‘Zgjodhi Ballukun para BE’, Bardhi: Rama nuk e kaloi testin e Europës, u premtonte shqiptarëve në zgjedhje pasaportën europiane

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se ka bllokuar procesin e integrimit në BE pasi zgjodhi të mbrojë Belinda Ballukun. Në seancën maratonë në Kuvend, Bardhi deklaroi se Rama nuk e kaloi testin e BE dhe tashmë Europa po na vendos kusht pas kushtesh për procesin e integrimit.  

Deputeti demokrat kujtoi edhe fushatën zgjedhore, duke thënë se Rama u premtoi shqiptarëve pasaportë të BE, por sipas tij e vetmja gjë për të cilën ka nevojë Shqipëria është të mbyllë edhe kapitullin e dështuar të Edi Ramës.

“Po i ngop shqiptarët me lugën bosh të 2030. U premtoi shqiptarëve në zgjedhje pasaportë të BE. Prezantonte pasaportën e Shqipërisë sikur Tirana të ishte bërë anëtare e BE, para pak muajsh e harroi premtimin dhe na tha se kishte disa vende të BE që nuk na duan. Disa javë më parë firmosi me Vuçiç tërheqjen nga anëtarësimi i plotë dhe i menjëhershëm, ndërsa sot ka sjellë një raport ku letra është shumë larg realitetit, në realitet nuk është se ndonjë vend anëtar i BE na e ka me hile, e vërteta është se është Rama që na e ka me hile. Ai zgjodhi Ballukun para BE. Rama nuk e kaloi testin e Europës dhe sot vendet e BE po na vendosin kusht pas kushtesh duke shprehur hapur mosbesimin ndaj kësaj qeveri. Në letrat e dhe raportet e Ramës çdo gjë duket perfekte, por Europa nuk është propagandë, është barazia para ligjit të cilin Rama e shkeli me të dyja këmbët për hatër të Ballukut. Europa nuk është noter i qeverisë, është llogaridhënie, të lejosh opozitën të ngrejë komisione hetimore, të mos u fshihesh interpelancave.

Alternativa jonë është një Shqipëri ku integrimi Europian nuk përdoret si propagandë, apo si monedhë politike për të negociuar heshtjen ndaj korrupsionit, për ne është standard qeverisje. Kjo është arsyeja pse vendit i duhet ndryshim politik, Shqipëria nuk ka nevojë të hapë kapitujt me Europën, ka nevojë të mbyllë kapitullin e pandëshkueshmërisë dhe kapitullin e dështuar të Ramës”, tha Bardhi.

Ora 12:05
‘Unë nuk jam Niko!’ Peleshi s'e toleron Ulsi Manjën: Do të flasësh kur të vijë radha! Opozita duartroket (VIDEO)

Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi i solli ndërmend Ulsi Manjës etikën e komunikimit në Kuvend. Ndërsa kryetari i Komisionit të Ligjeve kërkoi fjalën për procedurë pasi mbaroi Berisha, Peleshi i tha se s’mund t’ia jepte për shkak të minutazhit. Gjatë vijimit të kërkesës së tij, Manja iu drejtua në mënyrë konfidenciale, por Peleshi iu përgjigj prerazi.

Niko Peleshi: Nuk ka fjalë për procedurë se jemi me minutazh të caktuar. Nuk mundet, jemi në diskutime me minutazh të përcaktuar. Në orën 16:30 duhet të kenë përfunduar të gjithë diskutimet!

Ulsi Manja: O Niko!

Niko Peleshi: Unë nuk jam Niko! Ju lutem! Do të flasësh kur të vijë radha!

Pas këtyre fjalëve të Peleshit, opozita duket se u kënaq pasi shpërtheu në duartrokitje.

Ora 12:04
Integrimi në BE, Balla: Shqipëria po ecën me ritme historike! Roli i opozitës i pazëvendësueshëm, të rrisim diplomacinë parlamentare

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla tha se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është objektivi rreth të cilit vërtiten veprimi politik, institucional dhe shoqëror i çdo dite.

Ndër të tjera Balla tha se roli i opozitës është i pazëvendësueshëm ashtu si dhe i Kuvendit në tërësi si dhe bëri thirrje për rritje të diplomacisë parlamentare

“Jemi përpara një momenti që kërkon qartësi politike, vetëdije historike dhe përgjegjësi institucionale. Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është objektivi ynë strategjik madhor. Është objektivi që prin agjendën tonë të reformave, të ekonomisë e shoqërisë. Nuk është një aspiratë e përgjithshme e as një slogan për t’u përsëritur në raste të tilla, por ky është ai bosht rreth të cilit duhet të rrotullohet veprimi ynë politik e institucional.

Shqipëria ndodhet sot në një fazë të re, më dinamike dhe të matshme. Kemi kaluar nga faza e aspiratës në atë të veprimit, nga premtimet në rezultate. Shqipëria ka arritur që brenda 13 muajve të hapë 6 grupkapitujt negociues. Ritëm historik. Vendi ynë nuk po ecën me hapin e dëshirës, por të realizimit.

Përparimi nuk ka ardhur rastësisht, është rezultat i vullnetit, disiplinës dhe një koordinimi mes qeverisë, Kuvendit, pushtetit vendor, institucioneve dhe shoqërisë civile. Mendoj që Kuvendi ka rolin më të rëndësishëm. Procesi i anëtarësimit është një proces kombëtar ku Kuvendi ka rolin e pazëvendësueshëm. Këtu zhvillohet debati demokratik, ku do doja që gjuha e sotme të ishte gjuhë e përditshme.

Gjatë viteve 2025-2026, Shqipëria miratoi të paktën 222 akte ligjore në funksion të integrimit. Kemi trefishuar ritmin e harmonizimit ligjor me atë institucional. Duhet ta dyfishojmë në muajt në vijim. Roli i opozitës është i pazëvendësueshëm. BE nuk ndërtohet me negociata teknike, por me parlament të fortë. Duhet të thellojmë bashkëpunimin, të rrisim diplomacinë parlamentare”, tha ndër të tjera Balla.

Ora 11:53
‘E keni hipokrizi integrimin’, Berisha akuza mazhorancës: Ju jeni armiqtë e vërtetë! Po e bazoni procesin në mashtrime e fshehje të së vërtetës (VIDEO)

Sali Berisha akuzoi mazhorancën se procesin e integrimit po e bazon në mashtrime, censurë dhe fshehje të së vërtetës.

“Ju e ndërmerrni këtë proces të bazuar në mashtrime, manipulime, censurë, fshehje të të vërtetave. Ky është dallimi që ekziston mes nesh dhe jush”, tha Berisha.

Kreu i PD shtoi se këto 5 muaj në Bruksel ka pasur debate intensive për Shqipërinë.

“PD ka deklaruar në atë kohë se Shqipëria nuk plotëson asnjë kriter veç atij gjeopolitik, por mbështesim integrimin në BE. Gradualisht, ju faktuat ato që ne kishim thënë për ju. Faktuat me vepra konkrete se jeni jo për integrimin, por plaçkitjen, pasurimin e paligjshëm të shqiptarëve. Ky 5-mujor, ka qenë 5-mujori i interesit maksimal i debateve më intensive në Bruksel për Shqipërinë”, tha Berisha.

Më tej, e quajti mazhorancën “hipokrite” që do të flasë për integrimin, kur votoi pro imunitetit të Belinda Ballukut, një akuzë që opozita e ka përdorur se po pengon negociatat me BE. Sipas tij, raporti i pikave të ndërmjetme, IBAR, është kundër propozimit Rama-Vuçic për anëtarësimin pa të drejtë vetoje.

“Zgjedhjet e 11 majit ishin zgjedhje në të cilat institucionet e shtetit u shkrinë me strukturat partiake. Në Bruksel, damkosët siç jeni, korruptorë, Edi Rama dhe Lubi Bllukun janë bërë famëzi në Bruksel dhe çdo kancelari europiane. Dosja Balluku dhe AKSHI qarkullon në mbarë Europën. Edi Rama u detyrua t’i fshijë këpucët Lubi Ballukut kur ajo nxori gjithë dosjet që disponon për Edi Ramën dhe hodhi në kosh të plehrave mantrën e reformës në drejtësi, i mbylli dyert prokurorit. Ju që flisni sot për integrimin, o hipokritë, a nuk jeni ju që votuat për Lubi Ballukun? Çfarë do të diskutoni sot? Ju e keni hipokrizi integrimin. Raporti thotë se ka sjellë në parlament çdo 3 muaj qeveria. Keni parë gjë raport ju deputetë? Ku janë raportet që sipas ligjit duhet të ishin paraqitur në parlament? Raporti dënon letrën famëzezë të Ramës dhe Vuçiçit që kërkoi integrim jashtë kushteve demokratike. Jeni ju pengesa kryesore e shqiptarëve në integrim. Armiqtë  e vërtetë të integrimit jeni ju që vidhni shqiptarët”, tha Berisha.

Ora 11:40
Ministri Hoxha: Anëtarësimi në BE brenda 2030, objektiv i arritshëm, procesi nuk është bllokuar! Të risimin bashkëpunimin politik

Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha tha se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, mbetet një nga qëllimet më të rëndësishme të qeverisë. Dhe njëherë tjetër, Hoxha theksoi se negociatat nuk janë bllokuar ndërsa bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë politik dhe në një klimë konstruktive dialogu në parlament.

“Marrëdhëniet tona me BE-në dhe vendet anëtare kanë qenë asnjëherë më të ngushta se sot. Rezultatet konkrete dhe reformat janë i vetmi kriter vlerësimi për BE-në. Vendi ka avancuar me një ritëm të përshpejtuar dhe të vlerësuar; Shqipëria ka konsoliduar pozicionin e saj së bashku me Malin e Zi. Kur flitet për zgjerim, përmendet edhe Shqipëria dhe objektivi për të mbyllur negociatat teknike në vitin 2027. Zyrtarët më të lartë të BE-së kanë theksuar se, nëse ruhet ritmi aktual, ky objektiv i anëtarësimit brenda vitit 2030 është absolutisht i arritshëm. Procesi kryesor është ai i shqyrtimit të raportit të KE-së për piketat e ndërmjetme. Ndryshe nga sa dëgjohet, ky proces nuk është bllokuar e as ndaluar nga shtetet anëtare. Si çdo vend kandidat, Shqipëria nuk është pjesë formale e diskutimeve të brendshme në KE; do të jetë në atë tryezë vetëm kur të jetë anëtare. Procesi i integrimit duhet të mbështetet në një klimë konstruktive dialogu dhe bashkëpunimi”, tha Hoxha.

Ora 11:21
Raporti për integrimin, Vokshi: I dobët, s’i përgjigjet asnjë çështjeje! Po mbani sekret procesin

Albana Vokshi përsëriti në Kuvend fjalët e saj në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme se raporti i qeverisë për integrimin nuk thotë asgjë, ndërsa akuzoi sërish mazhorancën se po e mban hermetikisht sekret procesin.

“Është një nga raportet më të dobëta. Nuk i jep përgjigje asnjë çështjeje dhe as nuk informon publikun. Kjo është arsyeja pse procesi e mbani sekret. Dhuka duhet të ishte sot këtu për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve të deputetëve. Edi Rama s’duhet të flasë serbisht, por shqip. Mali i Zi shumë shpejt do të mbyllë gjithë kapitujt dhe do të hyjë shumë më parë se Shqipëria në familjen europiane. Është një proces që po e mbani sekret hermetik. Çfarë sekreti mbani? Madje, u kërkohen certifikata sigurie personave që bëjnë negociatat”, tha Vokshi.

Ora 11:20
Integrimi në BE/ Hasani lexon projekt-rezolutën: Kërkohet transformim i plotë, angazhohemi bashkërisht për tu anëtarësuar

Kryetari i Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani lexoi në Kuvend projektrezolutën për integrimin e Shqipërisë në BE e dakordësuar mes PS dhe PD.

“Anëtarësimi në BE është objektiv strategjik kombëtar. Procesi i anëtarësimit bazohet në meritë. Shqipëria ka hapur mespërmes kapitujve të integrimit dhe është në pritje të miratimit të IBAR. Integrimi kërkon transformim thelbësor. Kuvendi angazhohet të forcojë në tërësi rolin e vet në përshpejtimin e anëtarësimit në BE. Të ushtrojë funksionin ligjbërës dhe mbikëqyrës duke garantuar cilësinë e legjislacionit. Të forcojë kontrollin parlamentar duke respektuar parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve. Të thellojë angazhimin e përbashkët me qytetarët e aktorët e shoqërisë. Të intensifikojë ritmin e reformës zgjedhore për garantimin e zgjedhjeve të lira. Të kërkojë respektimin e lirisë së shprehjes, të monitorojë luftën kundër dezinformimit. Të nxisë dialog politik dhe shoqëror. Të refuzojë çdo nismë, akt apo veprim që devijon nga kursi i anëtarësimit në BE”, tha ndër të tjera Hasani.

Ora 10:51
Pr/rezoluta për integrimin, Bardhi: Po diskutojmë një proces strategjik, duhet të ishte Rama (VIDEO)

Gazment Bardhi kërkoi llogari në Kuvend për mungesën e kryeministrit Rama në ditën kur do të diskutohet projektrezoluta për integrimin. Kreu i grupit parlamentar të PD tha se s’mund të diskutohet për një proces me rëndësi të tillë pa praninë e Ramës, ndërsa shtoi se ky i fundit është paraqitur vetëm 2 herë në Kuvend.

“Raportimi i Këshillit të Ministrave për integrimin është pjesë e llogaridhënies që qeveria jep në Kuvend. është kryeministri që sipas Kushtetutës, përfaqëson Këshillin e Ministrave. Duhet të ishte kryeministri në seancë që të informonte Kuvendin. Aq më tepër, që kemi një ministër shteti përgjegjës për negociatat me BE. Secili përgjigjet sipas përgjegjësive që ka përpara Kuvendit të Shqipërisë. Nuk mund të ndodhë që të diskutojmë për një proces që e kemi quajtur prioritet strategjik mbarëkombëtar dhe nuk kemi kryeministrin prezent. Nuk ndodh në asnjë vend të botës që kryeministri të vijë në Kuvend vetëm 2 herë për të votuar. Është kryeministër karton. Vjen vetëm kur duhet numri përkatës për votat në Kuvend”, tha Bardhi.

Ora 10:45
Integrimi në BE/ Berisha: Përse nuk e lexoni raportin në parlament, nuk i dilni dot për zot se keni shkruar vetëm mashtrime

Kryetari i PD Sali Berisha kërkoi që raporti i qeverisë për integrimin në BE dhe ai i miratuar në Komisionin Evropian, të lexohet në Kuvend. Berisha thotë se raporti është i mbushur me mashtrime nga PS dhe se qeveria e Ramës kërkojnë që t’ia fshehin të vërtetën qytetarëve.

“Keni paraqitur raportin mbi integrimin në BE, i cili ng alfa te omega, është mashtrim dhe vetëm mashtrim. Ky është një akt i rëndë në një moment shumë të rëndësishëm për shqiptarët, ju paraqisni një raport që nuk guxoni ta lexoni dhe vendosni që raporti të mos lexohet që qytetarët të mos njihen me mashtrimet tuaja. Kërkoj të tërhiqet menjëherë raporti. Është fund e krye mashtrime dhe burokraci. Përsa i përket performancës, janë trillime. Të gjitha nxihen nga një figurë, Rama dhe Lubia. Ajo mbetet kryehajdute pas Ramës. Raporti nuk miratohet, duhet të lejohet këtu dhe mbi bazën e raporti të lexuar të Këshillit të Ministrave të bëhen diskutime e më pas të miratohet rezoluta. Sepse keni mbushur me mashtrime”, tha Berisha.

Ora 10:40
‘E quajte Ramën Skënderbe dhe të flaku’, Spiropali replikon me Berishën: Je garantuesi më i madh i sistemit! Çliro opozitën, s’je i besueshëm (VIDEO)

Pasi mori fjalën në Kuvend, Sali Berisha gjeti edhe një moment për të sulmuar deputeten socialiste Elisa Spiropali duke thënë se ajo e ka quajtur Ramën Skënderbe dhe ai e ka flakur.

“Dhe ju që po më shihni atje, do u bëj një pyetje unë këtu, si ka mundësi që ajo e quan Pallosh i Gjatë dhe ai bën gjithçka për ta mbrojtur, kurse ti e quan Skënderbe dhe të flak. Cila është arsyeja?”, tha Berisha.

Elisa Spiropali iu përgjigj Sali Berishës për deklaratën e tij duke thënë se ai është njëkohësisht denoncues dhe garantues i sistemit e kjo kontradiktë, e bën të pabesueshëm për qytetarët.

“Sali, je i pabesueshëm sepse njëkohësisht edhe denoncuesi më i madh, edhe garantuesi më i madh i sistemit. Kur të çlirosh sistemin, kur të çlirosh partinë, opozitën, mund të flasim këtu dhe ndoshta termat doktor do të të ngjisin më shumë. Sot për sot, kontradikta e të qenit edhe denoncues, edhe garantues, u jep qytetarëve të drejtën mos të të besojnë”, tha Spiropali.

Ora 10:24
Rrëzohet kërkesa e PD për interpelancën me Ramën për 'Smart City', Peleshi: Nuk përmbush qëllimin kushtetues

Në nisje të seancës parlamentare, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi njoftoi se interpelanca me kryeministrin Rama e kërkuar me urgjencë nga deputetët e PD për ”Smart City”, nuk pranohet.

“Kam kthyer përgjigje për mospranim ndaj një kërkese urgjente për një interpelancë nga grupi parlamentar i PD. Nga shqyrtimi i saj rezulton se objekti nk lidht drejtpëdrejt me një veprim apo mosveprim konkret të Këshillit të Ministrave, por mbështetet në raportime mediatike, emisione investigative dhe pretendime nga palë të treta. Kërkesa nuk përmbush natyrën dhe qëllimin kushtetues. Kërkesa për interpelancë urgjente nuk pranohet”, tha Peleshi.