TIRANË- Tensione në protestën para Kuvendit. Përplasjet nisën pa filluar ende seanca plenare, ndërsa deputetët po mbërrinin në Parlament. Një pjesë e ligjvënësve socialistë ishin futur në sallë më herët, por kalimi i disa deputetëve të tjerë bëri që qytetarët të nisin sulmet me vezë. 5 protestues kishin arritur të kalojnë kordonin e sigurisë dhe nisën të sulmojnë deputetët e PS, çka bëri që policia të ndërhyrje menjëherë për shoqërimin e tyre. Mes të ndaluarve është edhe Gent Progni.
Makinës së kryetarit të Kuvendit, iu hodh miell e vezë. Ndërsa të tjerë socialistë futeshin në sallë, si Ardit Bido, Ervin Demo apo Blendi Klosi protestuesit që ndodheshin jashtë perimetrit të sigurisë, nga larg hodhën vezë për t’i sulmuar por nuk ia arritën. Por ndryshe u pritën deputetët e opozitës, të cilët ndërsa kalonin pranë protestuesve dëgjoheshin vetëm thirrjet “opozitë e shitur”.
Situata u tensionua edhe më shumë pas shoqërimeve të protestuesve. Të tjerët u mblodhën rreth gardhit metalik dhe arritën ta heqin. Policët krijuan një kordon por u përballën me sulme me vezë e sende të forta. Një polic përfundoi i lënduar pasi u qëllua me gurë në kokë. Deri më tani janë dy policë dhe dy protestues që po marrin mjekim në Spitalin e Traumës.
Edhe autoboti me ujë para parlamentit sulmohet me vezë. Policia hodhi spray me piper drejt protestuesve.
.jpeg)
Lajm në përditësim...

Një protestuese ka goditur me vezë deputetin socialist Ramion Kurti. Ajo shihet teksa bisedon me deputetin e Fierit, ndërsa ai ndodhet pas kordonit të sigurisë të barrierave metalike.
Më pas largohet dhe protestuesja i qëllon me një vezë, por pa sukses. Në përpjekjen e saj të dytë, veza e kap deputetin në këmbë.
“Deputetë të shitur, nuk na përfaqësoni!”, janë thirrjet e protestuesve.
Një grup protestuesish janë shkëputur nga protesta para parlamentit dhe i janë drejtuar komisariatit nr. 1. Në komisariatin nr. 1 janë shoqëruar 5 persona, mes tyre edhe Gent Progni.
Ata hynë brenda perimetrit të sigurisë duke përdorur një prej lokaleve në pedonale.
Tensionet në protestën para Kuvendit nisën para fillimit të seancës plenare. Disa protestues kanë arritur të futen brenda një lokali për të qëlluar me vezë socialistët, duke arritur të futen edhe brenda kordonit të policisë. Kjo ka bërë që efektivët të ndërhyjnë menjëherë dhe të nisin me shoqërimet që brenda lokalit, siç shihet edhe në këto pamje.

Taulant Balla ka ndarë në rrjetet sociale një foto të policit të lënduar nga një gur që u qëllua prej protestuesve para parlamentit. Guri e kapi në kokë policin dhe nga fotoja e shpërndarë prej kryetarit të grupit parlamentar të PS, është momenti kur ai shoqërohet nga një koleg për të marrë ndihmë, pasi është gjakosur.
“Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit”, shprehet Balla.
“Ky punonjës policie i gjakosur nga gurët dhe dhuna e këtyre mbetjeve sociale dhe politike është apeli ulëritës për çdo shqiptar t’i dënojë dhe distancohet nga dhuna. Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit. Rëndësia e detyrës që mbart uniforma e Policisë së Shtetit, duhet ta bëjnë shoqërinë të reflektojë në marrëdhënien, sjelljen dhe respektin ndaj punonjësve të policisë. Policia i ka shërbyer dhe i shërben me devotshmëri atdheut dhe qytetarëve, përplaset çdo ditë me kriminelë e keqbërës. Policia ka derdhur gjak, në emër të misionit dhe betimit të saj”, shkruan ai.
Adriatik Lapaj u është bashkuar protestuesve para parlamentit, por ka hasur në refuzimin e tyre.
“Rri si protestues, jo me votime”, i janë drejtuar ata drejtuesit të Shqipëria Bëhet.
Një autobot me ujë është afruar pranë hyrjes së parlamentit nga ana e pedonales, menjëherë pas kordonit të policisë. Protestuesit nuk kanë humbur kohë dhe e kanë kthyer në shënjestër për sulmin me vezë.
Pasi një efektiv u lëndua prej goditjes në kokë me gur nga një protestues, Dritan Goxhaj doli para tyre duke bërë thirrje të mos dhunojnë policinë.
“E kemi me parlamentin! Jo me gurë Policisë së Shtetit!”, u tha Goxhaj. Ndërkohë, dëgjohet edhe një protestuese që u thotë: “Jo me djemtë, jo me çunat, jo me policinë!”
Thirrje të tjera janë “bashkohuni me ne” apo “policia është me ne.”
Protestuesit nuk kanë kursyes as sulmet me gurë e sende të forta në drejtim të protestuesve. Fillimisht ata hoqën gardhin metalik dhe më pas u konfrontuan me forcat e policisë. Një gur i hedhur në drejtim të kordonit të forcave të policisë e kapi në kokë një polic i cili është dërguar për të marrë ndihmë mjekësore në protestë.
Policia ka hedhur spray me piper drejt protestuesve para parlamentit në përpjekje për t’i neutralizuar, teksa ata janë përplasur fizikisht.
Një prej protestuesve që ka pësuar efekte nga spray me piper është Luçiana Kokaj, një prej anëtarëve të grupit organizator. Disa prej të pranishmëve i kanë dhënë ujë, ndërsa po ashtu i kanë ardhur në ndihmë edhe një tjetër protestueseje që është prekur nga spray me piper.
Protestuesit janë konfrontuar me forcat e policisë të Kuvendit. Ata kanë arritur të heqin një pjesë të gardhit metalik.
Një protestuese ka hipur në barrierat metalike duke u bërtitur në fytyrë policëve që qëndrojnë pas tyre.
Me gjeste, ajo u bën policëve me shenjë nga barrierat, ndërsa më pas fillon ta shkundë gardhin fort me duar.
Një pjesë e protestuesve janë mbledhur te pjesa e hyrjes në pedonale që gjithashtu është e rrethuar me barriera metalike për t’i penguar të shkojnë te Kuvendi. Gjithashtu aty ndodhen edhe disa forca policie, teksa protestuesit po përpiqen të flakin sa më larg të mundin vezët drejt deputetëve.
“Populli do ju mundë, plehra! Largoni policinë se janë populli jonë!”, thonë ata.
Për deputetët e opozitës, protestuesit para parlamentit nuk zgjodhën sulmet me vezë e miell. Me thirrjet “opozitë e shitur”, “nuk na përfaqësoni” dhe “Rama burg, Berisha burg”, ata i përcollën teksa hynin në parlament.
Policia ka shoqëruar deri tani të paktën 5 protestues që ndodheshin përpara parlamentit. Mes tyre dallohet aktivisti Gent Progni. Mësohet se ata kanë qenë brenda perimetrit të sigurisë. Ata kanë gjetur një rrugë për të hyrë brenda perimetrit pasi askush nuk i ndalon të hyjnë në ndonjë prej kafeneve në pedonale.
Me thirrjet “hajdut” e “plehrë”, protestuesit para parlamentit kanë qëlluar me miell e vezë makinën e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshit.
Pas protestës së paralajmëruar mbrëmjen e shkuar përpara kryeministrisë për t’u mbledhur sot para parlamentit, godina është rrethuar nga barrierat metalike dhe forcat e policisë. Një pjesë e deputetëve të PS kanë hyrë brenda Kuvendit.
Protestuesit kërkuan një ditë më parë që secili të furnizohej me vezë e miell për të gatuar “brumin e demokracisë.”
Nuk munguan as tonet paralajmëruese ndaj policisë, të cilëve iu kërkua “të kenë kujdes.”
Komente



