Kuvendi debaton për Arsimin e Lartë/ PS rrëzon tre dekrete të Ilir Metës, opozita ikën

TIRANE - Kuvendi debatoi sot për Arsimin e Lartë me kërkesë të opozitës, pas protestës 17 ditore të studentëve. Seanca e Kuvendit e nisur në orën 10:00 u shty për në orën 18:00 të pasdites pas incidenteve në fillim të fjalës së kryeministrit Edi Rama (Lexo këtu). Seanca e sotme shënoi thyerjen e bojkotit dhe rikthimin e opozitës në Kuvend.

E ndërsa një pjesë e deputetëve e shpëtuan mandatin në seancën e kaluar (Lexo këtu), pjesa tjetër e grupit të PD dhe LSI-së afatin e fundit e kishte në 23 janar të vitit tjetër, pasi në të kundërt do të humbnin mandatet (Lexo këtu). Ndërkohë që në rendin e ditës ishin disa pika të rëndësishme, mes të cilave; dekreti i presidentit për buxhetin i cili u rrëzua me 76 vota, ndërsa 22 vota ishin pro, vota këto të opozitës. U rrëzua gjithashtu edhe dekreti i Metës për Tatimin mbi të ardhurat si dhe propozimi për kandidaturën e Vitore Tushës në KLSH. Kuvendi votoi heqjen e tarifave roaming me Kosovën, amnistinë për të burgosurit si dhe lirimin e nga detyra të anëtarit të AMA-s, Zylyftar Bregu.

Një tjetër votim i rëndësishëm ishte ai për zgjedhjen e anëtarëve të Bankës së Shqipërisë. PS votoi Rivdan Boden, Suela Popën, Edlira Luçin, Artan Hoxhën dhe Luljeta Minxhozin ndërsa shtyu votimin për Arben Malajn pasi nuk ka kaluar në seancë dëgjimore përpara Komisionit të Financave. Nesër do të zhvillohet një tjetër seancë plenare, ku pritet që të rrëzohet drafti i PD për vettingun në politikë. Ndërkohë që sot jashtë Kuvendit u zhvillua një protestë nga PD (Lexo këtu). 

( Kliko këtu ) për rendin e ditës të kuvendit

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:18
Kreu i KLSH, Kuvendi rrëzon propozimin e Metës për Vitore Tushën

Me 71 vota kundër maxhoranca ka rrëzuar kandidaturën e dekretuar nga presidenti Ilir Meta për kryetarin e KLSH-së. Vetëm 1 votë ka shkuar pro Vitore Tushës, anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa 71 ishin kundër saj.

Ora 23:12
PS rrëzoi dekretin e Metës për buxhetin, opozita braktis Kuvendin (FOTO)

Rrëzimi i i dekretit të Metës nga maxhoranca bëri që opozita të braktisë Kuvendin, duke mosvotuar projektligjet e tjera të rendit të ditës.

Ora 22:40
Balla tjetër thirrje opozitës: Ejani të premten dhe votoni Reformën Zgjedhore

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ripërsëriti thirrjen për votimin e reformës zgjedhore në seancën e së premtes në Parlament. Në fjalën e tij, Balla tha se po i rikthehem përsëri kërkesës time që ka të bëjë me domosdoshmërinë që nesër të votojmë Reformën Zgjedhore.

“Besoj se Luli tashmë e ka kuptuar që mesazhi i partnerëve tanë ndërkombëtarë flet qartë, duhet ta votojmë se s’bën nesër. Ju vazhdoni kështu si jeni, nesër hajdeni në votim, se kjo historia që erdhët sot nuk merret vesh është kushtetuese, nuk është kushtetuese, që t’i pjekim mandatet tuaja duhet të votoni nesër – tha ai.

Ora 20:10
Buxheti për Arsimin/ Ahmetaj: Meta të kërkonte dialog nga studentët dhe pedagogët

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, në fjalën e tij para deputetëve u ndal tek dekreti i presidentit Ilir Meta, i kthyer në Kuvend për shkak të protestës së studentëve. Ahmetaj tha se presidenti duhet të kishte kërkuar dialog me studentët.

”Për transparencë do desha që ta citoja një pjesë të dekretit të Presidentit. Presidenti i referohet trajtimit optimal të nevojave të shoqërisë dhe objektivave të përmbushjes së kushteve. Pavarësisht se dekreti nuk ka asnjë sqarim. Presidenti është munduar që të përfshihet në një kontribut për nevojat e studentëve, të Arsimit të Lartë, apo dhe më tej. Duke qëne se nuk i është referuar asnjë shpenzim, do detyrohem që të flas për shpenzimet. Do ishte shumë mirë që presidenti t’i kërkonte studentëve dhe pedagogëve dialog. Kontributi për arsimin e lartë është dyfishuar. në 2010 të ardhurat nga tarifat kanë qenë 2.8 mld. Në 2018 të ardhurat janë 2.8 mld. Dy shifra fare të thjeshta. Ata që janë sot në protestë kanë paguar 2.8 mld dje dhe sot”, tha Ahmetaj.

Ora 19:10
Berisha në Kuvend, mesazh socialistëve: Mjerë ju, ky është vetëm fillimi, studentët i prijnë uraganit

Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij në Kuvend tha se protesta e studentëve është rezultat i Ligjit për Arsimin e Lartë. Berisha tha se studentët janë “uragani” që do i japë fund qeverisjes së socialistëve.

Përshëndes studentët e Vlorës i dhanë një leksion mashtruesit të madh. Përshëndes studentët e Mjekësisë që i mbyllin dyert dialogut me krimin. Përshëndes ata mijëra qytetarë që janë në grevën më të madhe, kanë bojkotuar mësimin, po zgjojnë te qytetarët më të rëndësishëm të njeriut, shpresës. Mjerë ju ku po shkoni, ky është vetëm fillimi. Mjerë ju po shkoni drejt këtij uragani. Këta student nuk thonë përralla. Rama është një mashtrues i pafytyrë. Ramën e pret ajo që meriton, është i pafytyrë. Ku shkuan paratë tuaja? U vodhën u vodhën u vodhën… ligjin e kaluat hajdutërisht, ua thashë sesi po e kaloni, ai ligj që i mbyllte derën e arsimit të varfërve shqiptarë. Ai ligj që vinte mbi arsimin public arsimin privat. Atij ligji të cilin e quajti profesor Broof, ‘anti-europian’. E kaluat se u futën Balilët me euro në Universitetet private. Duhet të mos ketë tarifa të tilla. Do fitojnë se rikthyen ëndrrën europiane.

Sali Berisha, ish-kryeministër

Ora 19:07
Nikolla-opozitës: Arsimin e kthyet në kioska universitare, nuk e ul kokën në baltën tuaj...

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla i është përgjigjur akuzave të opozitës nga foltorja e Kuvendit sa i takon Ligjit të Arsimit të Lartë. Ajo tha se arsimi në kohën e PD u kthye në kioska universitare, ndërsa shtoi se reforma do japë rezultate shumë shpejt. Nikolla tha gjithashtu se nuk ka ndërmend të ulë kokën aspak për baltën që hedh opozita. 

Të gjithë e dinë si e latë ju arsimit, për çfarë bërtisni sot? Çfarë do thoni për tekstet gjithëfare dhe kioskat universitare. Kujtoni se do më bëni mua të ul kokën për baltën tuaj. Do shihni rezultatet në arsim. Do flas dhe për vendimmarrjet e mia. Këtu do jemi e do i shohim të gjitha. E lanë sistemin arsimor në rënie të lirë, por ne kemi ndërmarrë reformë në çdo aspekt. Ku vajtët ju që thonit se do rrisim tarifat që paratë të shkojnë te privati? Studentët protestojnë me të drejtë, ata kanë nevojë për më shumë cilësi, por as nuk krahasohen me arsimin e para 5 viteve. Unë kam marrë vendime shumë të vështira, por jam kujdesur që të gjithë aktorët në sistemin arsimor të bëjnë rolin e tyre sipas raportit të përgjegjësive. Koha do ta tregojë. Ju sjell ndër mend dështimin spektakolar për akreditimin e universiteteve. E çfarë ndodhi? U mor vendimi për të mos akredituar asnjë universitet në Shqipëri", u shpreh ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Ora 18:14
Basha del në foltoren e Kuvendit por refuzon të flasë: Të lejohen mediat në sallë

Ka nisur me debate seanca plenare këtë pasdite. Kryetari i PD, Lulzim Basha, mori fjalën në foltore, por e ndërpreu brenda pak sekondash. Shkak ka qenë pretendimi i Bashës se mediat nuk janë lejuar të jenë të pranishme në Kuvend, edhe pse fjala e Bashës po transmetohej live në të paktën katër televizione informative. Edhe ish-kryeministrit Sali Berisha ka refuzuar të flasë pasi ka kërkuar që në këtë seancë të rëndësishme duhet të jetë patjetër edhe kreu i ekzekutivit për të mbrojtur buxhetin 2019.

Ora 18:09
Kuvendi/ Berisha kërkon Ramën në seancë: Të vijë urgjent dhe të mbrojë buxhetin

Ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar Edi Ramën në seancë ku do të diskutohet dekreti i presidentit për buxhetin 2019. "Kryetari i ekzekutivit duhet të jetë këtu. Jo me vezë por dhe me speca po ta gjuajnë ai duhet të jetë këtu. Thirre të vijë këtu urgjent, të vijë këtu urgjent sepse bëhet fjalë për buxhetin e shtetit. Të vijë këtu sepse kjo është shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe rregullave", u shpreh Berisha pas rinisjes së seancës. 

Ora 18:06
Rinis seanca e Kuvendit, e pranishme edhe opozita

Ka rinisur seanca e Kuvendit pas ndërprerjes në mesditë për shkak të incidentit të shkaktuar nga deputeti i PD, Endri Hasa i cili u përjashtua për 10 ditë nga Byroja e Kuvendit. Të pranishëm në seancë janë edhe deputetët e opozitës. 

Ora 11:40
Deputeti i PD Endri Hasa qëllon Ramën me vezë, përjashtohet 10 ditë, shtyhet seanca (VIDEO-FOTO)

Teksa kryeministri Edi Rama po fliste në foltore për protestën e studentëve dhe rikthimin e opozitës, deputeti i PD, Endri Hasa u ngrit dhe e qëlloi me vezë dhe një top boje, ndërsa i tha “E ke nga studentët”. Report Tv sjell pamjet nga momenti i incidentit në Kuvend. Në këtë moment ndërhyri garda e Republikës, Rama kërkoi që deputeti të nxirret jashtë, ndërsa kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi e përjashtoi nga seanca dhe Byroja e Kuvendit 10 ditë nga punimet. Por demokrati nuk pranoi që të dilte nga salla. Pas ndërprerjes për herë të katërt të seancës, kryetari i Kuvendit, Ruçi e shtyu për në orën 18:00 të pasdites. (Lexo këtu lajmin e plotë).

Ora 10:18
Kuvend, Basha ndalon përballë Ballës, Braçe: Ik mos na bëj si trim këtu

Pas akuzave nga foltorja e Kuvendit, Basha në momentin që është larguar për t’u ulur është ndalur përballë Taulant Ballës duke lëshuar akuza në drejtim të tij, ndërsa në këtë moment ka ndërhyrë Erjon Braçe duke i thënë kreut të PD ‘Ik mos na bëj si trim këtu’.

Ora 10:14
Ftesa e Ballës për Reformën Zgjedhore, Basha: Jeni tufë horrash dhe banditësh (VIDEO)

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka shënuar rikthimin në Kuvend në seancën e sotme me tone të ashpra dhe një fjalor të rëndë në drejtim të shumicës. Pas ftesës së Ballës për të votuar Reformën Zgjedhore, Basha ‘shpërtheu’ duke iu drejtuar deputetëve të PS dhe kryeministrit Rama; të poshtër, lërini këto gomarllëqe, horra, banditë, dele.  “Jeni të poshtër si dreqi, por bëni budallain si gomari. Çfarë? E dini fare mirë, ka një komision. Si mund ta sjellësh pa kaluar nga komisioni këtu? Çfarë po bëni ju? Shoë po bëni? E keni marrë mesazhin dje nga faktori ndërkombëtar. Jeni hileqarë, të poshtër! Do bëni ju reformë zgjedhore, ju nuk doni vettingun politik. Del këtu shoku i trafikantit që do bëjë pallate të Unaza e re, na flet për reformë zgjedhore! Tufë hajdutësh, banditësh, gjysma juaj duhet të jetë në burg. Duke filluar me ty që zgërdhihesh aty (i drejtohet Ramës).  Prandaj leri këto gomarlliqe, fillo me pikën e parë të rendit të ditës siç ke rënë dakord.

Kemi ardhë vetëm për atë buxhet të studentëve këtu, jo kemi ndonjë dyshim se çfarë do të ndodhë, por ti provojëm atyre të tjerëve që mund të kenë ndonjë fije besimi se mund të ndodhë diçka. Të dëgjojnë se si po të ndalojë vjedhjen ky hajduti psiqik këtu mbrapa, mund të ketë para për tarifat e studentëve. Leri gomarllëqet e tjera se skemi ardhur të tallemi me ju. Tufë horrash dhe banditësh. Keni shkel tre herë kushtetutën, ke shkelë procedurën.  Pasi keni kapur gjithça.  Po kap edhe Bankën e Shqipërisë, po kapni bordin e bankës së Shqipërisë me 28 firma të këyre deleve të bandave të hajdutëve. Ti pusho! (I drejtohet Taulant Ballës) Ti pusho ti, se merrem me ty pastaj! More vesh, qepe gojën, bandit.  Pse e ke bërë atë? Vetëm banka ka ngel pa kap, kape dhe bankën, kape. Gjitha të tjerat I ke kapur, kape dhe bankën, por do e shihni se ku do përfundoni”tha ai.

Ora 10:13
Reforma Zgjedhore në Kuvend, Balla: Adreson kërkesat e PD, ta votojmë

Shumica kërkon që në rendin e ditës për votim të futet edhe drafti për Reformën Zgjedhore. Kryetari i grupit të PS, Taulant Balla gjatë fjalës në foltoren e Kuvendit ftoi opozitën që të votojë draftin, pasi u jep zgjidhje edhe kërkesave të PD dhe LSI-së. “Drafti adreson kërkesat e paraqitura nga PD, që kur ishte në çadër. Përmes këtyre ndryshimeve hapet rruga për testimin e teknologjisë në zgjedhje. Në këtë orë është vështirë që Basha ta kapë, pasi vjen gjithmonë me vonesë, pasi gjumi është problem. Erdhi pronari i ndërmarrjes, që ta drejtojë (Hyn Berisha në Kuvend). Janë një për një të gjitha ata që keni kërkuar. Shumë faleminderit dhe mirëserdhët” tha Balla.

/xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë