Seanca e sotme plenare ka nisur me 1 minutë heshtje për 2 fëmijët e mitur, Enea Muçaj, 12 vjeç dhe Klersi Nikolli, 10 vjeç, të cilët humbën jetën tragjikisht dje pasi u përplasën nga automjeti me shofer Nikoll Radaçi në lagjen nr.15 të Durrësit.

Lidhur me këtë ngjarje, deputeti i PS Erion Braçe ka kërkuar ashpërsim të Kodit Rrugor dhe atij Penal për ta konsideruar si vrasje me dashje vdekjen e dy të miturve.

"Kjo nuk është shkelje e rregullave, kjo është vrasje. Nëse duam të bëjmë diçka, gjëja e parë është që ndryshimet në Kodin Penal të formulojnë pikërisht vrasjen me dashje. Një i dehur hyn në rrugë për të vrarë me dashje”, tha Braçe.

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, duke iu referuar shoferit të dehur që shkaktoi aksidentin e rëndë, tha se ‘të fortët e lagjeve’, duhet të bëhen shembull nga policia duke rënë dakord me propozimin e Braçes.

“Përgjigja jonë në këtë rast duhet të jetë e menjëhershme sapo të kemi mundësinë që të ndryshojmë Kodin. Kam edhe një thirrje për Policinë e Shtetit, e cila duhet të analizojë këtë rast me shumë vëmendje. Këta të ‘fortët e lagjieve’ duhen bërë shembull të gjithë, duhen kontrolluar mëngjes, drekë dhe darkë, dhe nuk kanë përse të kenë patentë” tha Balla.

Ndërkohë kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, i replikoi Ballës duke thënë se ‘të fortët’ e lagjeve janë patronazhistë dhe se marrin fuqi nga qeveria aktuale.

“Të fortit janë patronazhistë. Ai duhej arrestuar 10 herë, e nuk u arrestua asnjëherë se ishte terrorist i votave. Nuk ka të fortë që nuk i bën dot zap policia. Po ka të fort që kanë bërë zap policinë. Ballukizimi juaj është fundi juaj”, tha Berisha.

Deputetja e PD Ina Zhupa tha se të gjithë kemi dështuar. Ajo akuzoi qeverinë që e përdor Policinë e Shtetit dhe institucionet si makineri votash dhe se të gjitha qytetet janë betonizuar duke mos pasur një hapësirë komunitare ku fëmijët të kalojnë kohën.

"Qytete pa sheshe, pa kënde lojërash, pa lulishte. Ku në mes të rrugës ti mund të gjesh çdo gjë, por asgjë që lidhet me komunitetin, me ndërtimin e një hapësire të përbashkët. Meraku ka qenë të betonohet çdo hapësirë", tha Zhupa.

Seanca e sotme plenare zhvillohet për diskutime për çështjet apo problematikat e evidentuara nga zgjedhësit pas Javës së Gjelbër.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:37
Aksidenti tragjik në Durrës, Baçi: Këta 'të fortët' të lagjes i kemi në çdo bashki, ata nuk duhen të kenë as patentë as kartën bianka

1777912168_boci.jpg

Deputeti i PD-së Luan Baçi gjatë seancës së sotme foli për aksidentin tragjik të Durrësit ku ndërruan jetë dy fëmijë të mitur.

“Këta të fortët e lagjes bëjnë ligjin dhe kapin prej hundësh inspektorët. Këta të fortët të lagjes i kemi në çdo bashki. Ju i bëtë deputetë këtu dhe ata nuk duhet të kenë patentë dhe as kartën bianka politike. Gjithmonë kanë qenë këta të fortët e lagjes që nuk respektojnë, rregullat, që sillen si ganester në territorin e tyre dhe askush nuk i ndalon. Duhet të refleltojmë, unë isha përgatitur për problemet e qarkut, por dhimbja për këtë ngjarje po prevalon”, tha Baçi.

Ora 18:34
Ish-ministri i Brendshëm: Siguria rrugore një prej hallkave më të dobëta, duhet të rishikohen rrugët e lagjeve, të rritet patrullimi i policisë

1777911852_hoxha.jpg

Ish-ministri i Brendshëm Ervin Hoxha tha se është e nevojshme ndërhyrja në rrugët e brendshme të lagjeve ku mungojnë standardet e sigurisë. Ndër të tjera, ai tha se Policia e Shtetit sot është në fazë transformimi në shërbim të qytetarëve.

“Si pasojë e një drejtuesi mjeti që qarkullonte i dehur dhe me shpejtësi në një rrugë lagjeje, ky është një lajm i rëndë për ne. Kjo nuk është thjesht një ngjarje rrugore, një aksident, por është një problem që na përket të gjithëve. Si deputet i njësisë 11, por edhe si ish-ministër, aq më tepër si ish-shef i policisë rrugore në Durrës, ku kam pasur kënaqësinë bashkë me kolegun Ndoj të hetojmë raste të tilla tragjike, mund të them se kemi disa problematika me të cilat përballemi sot; siguria mbetet një nga hallkat e dobëta që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

Në njësinë 11 është bërë shumë punë, por duhet akoma më shumë. Kemi përparim në rrugët kombëtare dhe akset kryesore, por brenda lagjeve mungojnë standardet e sigurisë. Mbi të gjitha mungon kontrolli i vazhdueshëm i policisë. Nuk mund të pranojmë që rrugët e brendshme të kthehen në hapësira të rrezikshme për jetën.

Policia e Shtetit është në fazë transformimi, me rritje të fokusit në shërbim ndaj qytetarëve. Nëse nuk ndërgjegjësohemi, këto ngjarje do të ndodhin përsëri”, tha Hoxha.

Ora 18:23
Aksidenti tragjik në Durrës, Zhupa: Kemi dështuar të gjithë! Qeveria e përdor policinë për vota, i kanë betonuar qytetet

1777911262_zhupa.jpg

Deputetja e PD Ina Zhupa tha se Kuvendi dhe qeveria ka dështuar për të prodhuar ligje që i shërbejnë komunitetit. Zhupa tha se qeveria duhet të ndërtojë parqe e të tjera hapësira komunitare nëpër qytete, nisur nga rasti tragjik i ndodhur dje në Durrës ku dy të mitur mbetën viktimë e një aksidenti rrugor.

“Ky kuvend nuk mund të mjaftohet vetëm me 1 minutë heshtje për një ngjarje tragjike dhe të paralajmëruar. Kuvendi s’mund të bëjë politikë me vdekjen, por të bëjë disa politika që i shërbejnë qytetarëve. Kemi dështuar të gjithë, sepse nuk arrijmë ta ngremë këtë kuvend në një kuvend që bën ligje që i shërbejnë qytetarëve.

S’mund të kujtohemi dhe të flasim për Kodin Rrugor apo atë Penal vetëm kur ka një vdekje. Kur e keni parë Policinë e Shtetit që kujdeset për nevojat e komunitetit? Ky është dështimi i parë i një qeverisjeje që e ka parë si një mjet force për synimet e veta elektorale.

Qytetet tona janë kthyer në fjetore, ku vetëm mund të flesh gjumë në shtëpi dhe asnjë jetë komunitare s’mund të ndërtosh dot. Qytete pa sheshe, pa kënde lojërash, pa lulishte. Ku në mes të rrugës ti mund të gjesh çdo gjë, por asgjë që lidhet me komunitetin, me ndërtimin e një hapësire të përbashkët. Meraku ka qenë të betonohet çdo hapësirë. S’ka qenë ndonjëherë për fëmijët, prindërit, gjyshërit: ku do të jetojnë, si do ta mbushin ditën.

Komuniteti durrsak shpreh të gjithë të njëjtën gjë: që e kanë paralajmëruar policinë, por s’ka reaguar askush. Nëse kemi një grup, grupin e miqve të fëmijëve, ne nuk mund të bashkohemi me njëri-tjetrin vetëm për të kërkuar 1 minutë heshtje; duhet të bashkohemi për të kërkuar ndryshime në Kodin Rrugor e Penal, por mbi të gjitha të ndryshohet sesi përdoren institucionet në shërbim të disa klientëve, të një të forti.

Kështu jeni krijuar, kështu e mbani pushtetin. Kur ndodhin ngjarje të tilla, na i kurseni ngushëllimet tuaja, sepse nëse doni të bëni diçka, i keni votat, keni mundësi”, tha Zhupa.

Ora 18:04
Aksidenti në Durrës/ Berisha: ‘Të fortët’ e lagjeve patronazhistë të PS, shoferi nuk u arrestua më parë se është terrorist i votave

Pas aksidentit tragjik të ndodhur dje në Durrës me 2 të mitur viktimë, deputeti Taulant Balla tha se ‘ të fortët’ e lagjes, referuar shoferit të dehur Nikoll Radaçi që përplasi fëmijët, duhet të bëhen shembull nga policia.

Kryetari i PD Sali Berisha i replikoi duke thënë se këta ‘të fortë’ janë patronazhistë të PS dhe se marrin fuqi e pushtet nga qeveria.

“Më vjen keq që citoj veten time, por sapo thashë që jeni Ballukizuar të gjithë. Të flasësh për reformë në drejtësi dhe sukses të saj në një kohë kur përdorin 83 mandate si thika krimi për të mbrojtur vjedhjet e Ballukut, nuk ka hipokrizi më ekstreme. Të bësh teori se të fortit, kujt janë të fortit mor? Të fortit janë patronazhistë të poshtër që terrorizojnë qytetarët për pushtetin e krimit. Të fortit janë patronazhistë. Ai duhej arrestuar 10 herë, e nuk u arrestua asnjëherë se ishte terrorist i votave. Nuk ka të fortë që nuk i bën dot zap policia. Po ka të fort që kanë bërë zap policinë. Ballukizimi juaj është fundi juaj”, tha Berisha.

Ora 18:00
'Duhet të ndryshojmë Kodin' – Taulant Balla pas tragjedisë në Durrës: 'Të fortët' e lagjeve duhen bërë shembull (VIDEO)

Nga foltorja e Kuvendit, Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cilësoi tragjendinë e Durrësit, ku dy të mitur u vranë nga një shofer i dehur, si një moment që kërkon reflektim nga socialistë e demokratë bashkë. AI tha se përgjigja e autoriteteve duhet të jetë e menjëhershme dhe të ndryshohet Kodi sapo të jetë e mundur. Ai pati edhe një thirrje për Policinë e Shtetit që t’i bëjë shembull ‘të fortët e lagjieve” që sipas tij nuk duhet të kenë as patentë.

“Mbështes plotësisht nevojën që kemi për të reflektuar të gjithë, të majtë, të djathtë, socialistë e demokratë. Ngjarja e djeshme na kërkon që të fillojmë të kuptojmë si zbatohen ligjet tona. Shembulli që dha Braçja është kuptimplotë. Nëse ne mjaftohemi me heqjen e pikëve në patentë, kjo është e rëndë për ne. Prandaj, po diskutoja për këtë dhe me kryetarin e Komisionit të Ligjeve, teksa jemi në fazën e rishikimit penal, Gjykata e Lartë e SHBA-së, ka vendosur konceptin e vrasjes në kushtet e vetëbesimit të tepruar. Përgjigja jonë në këtë rast duhet të jetë e menjëhershme sapo të kemi mundësinë që të ndryshojmë Kodin. Kam edhe një thirrje për Policinë e Shtetit, e cila duhet të analizojë këtë rast me shumë vëmendje. Këta të ‘fortët e lagjeve’ duhen bërë shembull të gjithë, duhen kontrolluar mëngjes, drekë dhe darkë, dhe nuk kanë përse të kenë patentë” tha Balla.

Ora 17:46
Aksidenti i rëndë në Durrës/ Braçe: Është vrasje! Të ndryshohet Kodi Rrugor dhe ai Penal, ligji aktual normalizon të tilla raste (VIDEO)

Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe ka kërkuar ndryshime në Kodin Rrugor e Penal për ta konsideruar vrasje me dashje aksidentet me autor shoferë të dehur, referuar rastit të rëndë të ndodhur një ditë më parë në lagjen nr. 5 në Durrës ku humbën jetën 2 të mitur.

“Dy familje përcollën sot pa kthim shpirtin e tyre. Një e tretë ishte në betejë për jetën dhe tani për rehabilitim e një traume të rëndë që do të jetë emocionale. E gjitha pas një krimi të rëndë në një rrugë lagjeje. Vrasje me dashje për mua, dhe asnjëherë aksident apo shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor. E përsëritur në rrugë kombëtare apo vendore, qytetesh e lagjesh dhe fshatrash.

Dje kam publikuar një video të aksidentit me një arsye: refuzimin për të normalizuar një krim të tillë. Në fakt, baza ligjore që kemi, Kodi Rrugor e më pas ai Penal, e normalizojnë me një standard normalizues. Një i pirë, për më keq një i dehur që nget një makinë në rrugë, ndalohet, shoqërohet, dërgohet në paraburgim. Në çdo rast është liruar apo lirohet pas 2 ditësh. Procedimi i tij vijon në liri. I hiqen pikë nga patenta dhe ngarkohet me një gjobë.

Morali është që ti mund të pish, të ngasësh makinën, të dalësh, të ndalohesh, të shkosh në paraburgim, por në krahun tjetër të hiqen vetëm pikë patente, e më tutje, nëse ke para, paguan në çast dyfishin e gjobës dhe pezullimi i patentës nuk ndodh. E bën dy herë; në mënyrë të përsëritur shkon deri në 18 muaj pezullim të patentës, e njësoj deri në tre herë. Nga 0.73, siç ishte i dehuri i kësaj radhe, në 0.70 i hiqen vetëm 10 pikë.

Ndërkohë ai po hetohet për shkelje të rregullave, drejtim në mënyrë të parregullt, largim nga vendi i ngjarjes. Ky është profili që përcakton kodi, në referencë të asaj që është votuar këtu shumë kohë më parë. Banorët kanë një profil tjetër për të dehurin: një i fortë që sundon lagjen, që dehet e vret njerëz. Kjo nuk është shkelje e rregullave, kjo është vrasje. Nëse duam të bëjmë diçka, gjëja e parë është që ndryshimet në Kodin Penal të formulojnë pikërisht vrasjen me dashje. Një i dehur hyn në rrugë për të vrarë me dashje”, tha Braçe.