PS-ja rrëzon tetë dekretet e Metës/ Gjoni: Rama-Basha flirt, votojmë kundër 'Zgjedhores'! Balla: S'ka dashuri, por ftesë për dialog PD-së

TIRANE-Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar tetë dekrete të Presidentit Ilir Meta, shtatë që u kthyen për shqyrtim dhe njëri për emrin e propozuar nga kreu i shtetit për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Dekretet që u rrëzuan nga shumica socialiste në Kuvend janë; ligji për koncesionet, kontratat për rrugët Milot – Balldren dhe Orikum - Llogara, Porti i jahteve - By-Pass Orikum - Dukat, ai për rezervat materiale të shtetit, për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare, për vetëqeverisjen vendore dhe planifikimin dhe zhvillimin e territorit.

Të njëjtin fat kishte edhe emri i propozuar për kryetar të KLSH-së, Petraq Milo, që u rrëzua nga socialistët. Kryetarja e grupit Demokrat në Kuvend Rudina Hajdari, por edhe Myslim Murrizi dhe emra të tjerë të opozitës së re votuan kundër rrëzimit të dekreteve të Presidentit për koncesionet duke i kritikuar si korruptive. Në seancën e sotme Besnik Dervishi u zgjodh për 5 vite Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave, ndërsa Ervin Mete u emërua kryetar i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Në seancën e sotme debati kryesor u zhvillua mbi reformën zgjedhore. Deputetët e opozitës së re Ralf Gjoni dhe Myslim Murrizi akuzuan se kryeministri Edi Rama po flirton me Lulzim Bashën për reformën zgjedhore në kurriz të popullit duke paralajmëruar votën e tyre kundër, por Taulant Balla u përgjigj duke thënë se nuk ka dashuri me opozitën në rrugë, por ftesë për dialog.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:39
PS rrëzon tetë herë Metën, Mete në krye të AMF-së, Dervishi për Mbrojtjen e të Dhënave

Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar tetë dekrete të Presidentit Ilir Meta, shtatë që u kthyen për shqyrtim dhe njëri për emrin e propozuar nga kreu i shtetit për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në seancën e sotme Besnik Dervishi u zgjodh për 5 vite Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave, ndërsa Ervin Mete u emërua kryetar i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Rendi i ditës që u miratua sot nga Kuvendi
1. Dekreti për ligjin për rezervat materiale të shtetit rrëzohet me 79 kundër, 19 pro, 4 abstenim
2. Dekreti për privatizimin rrëzohet me  76 kundër, 23 pro, 3 abstenim
3. Dekreti për ligjin e për vetëqeverisjen vendore rrëzohet me 76 kundër, 22 pro, 3 abstenim
4. Dekreti për ligjin për planifikimin e territorit rrëzohet me 76 kundër, 22 pro, 3 abstenim
5. Dekreti për ligjin për koncesionet rrëzohet me 76 kundër, 22 pro, 4 abstenim
6. Dekreti për koncesionin e rrugës Orikum - Llogara  rrëzohet me 74 kundër, 22 pro, 4 abstenim
7. Dekreti për koncesionin e rrugës Milot – Balldren rrëzohet me 76 kundër, 23 pro, 3 abstenim
8. Dekreti për propozimin e Petraq Milos në krye të KLSH-së rrëzohet, 77 kundër, 15 pro, 11 abstenim

Miratohet projektligji për ratifikimin e marrëveshjes, për mbrojtjen shoqërore me Kanadanë
Miratohet projektligji për marrëveshjen me Katarin për transportin detar
Miratohet projektligji për aderimin e Shqipërisë në Konventën për Përpunimin e Farmakopesë
Besnik Dervishi zgjidhet për 5 vite Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave
Ervin Mete emërohet Kryetar i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare

Ora 14:38
Spiropali: Pasi të shkarkohet, Meta në krye të opozitës! Tërmeti s'ra, po pres të dëgjoj kush do e digjte Kuvendin?

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali sulmoi Presidentin gjatë fjalës së saj në Kuvend për kthimin e dekreteve. Spiropali u shpreh se Meta flet me gjuhën e opozitës, ndërsa shtoi se Komisioni Hetimor nuk do të shërbejë si mekanizëm ndëshkues për Presidentin, por si çlirues për t'u kthyer Ilir Metën në krye të opozitës.  Gjithashtu ajo theksoi se po pret për të dëgjuar nga Presidenti, se kush do ta digjte parlamentin.

"Presidenti kthen në Kuvend çdo ligj. Sulmon nëpërmjet tastierës së tij dhe zëdhënësve qeverinë dhe parlamentin. Presidenca duhet ta dijë se kthimi i këtyre ligjeve është në kundërshtim me interesin publik. Rezervat materiale, janë vetëm të grupit A tek gruri dhe materialet e thjeshta, nuk e di pse Metës i shkon mendja menjëherë tek floriri, por këtë le ta shpjegojë Frojdi jo ne. Nevoja e ndryshimit të këtij ligji vjen nga eksperiencat e mëparshme. Gjatë kohës së emergjencave kemi pasur një vonesë të lëvrimit të mallrave.

Nuk ka rrezik për qamet financiar, se qamet fizik përmes tërmetit nuk ndodhi, por edhe për këtë presidenti të jetë sigurt që nuk do të ndodhë. Si qinigj u fsheh nga drejtësia pas cjapit legjendar të PD-së për një rrugë që i kishte e zeza me të bardhë abuzimet, por shpëtoi me një raport mjekësor.

Që presidenti të kthejë në dekrete përvuajtjet hipokrite të opozitës së rrugës nuk i kishim menduar. Por ata nuk po ia dinë mundin që Presidenti po bën. Po presim të dëgjojmë kush do ta digjte parlamentin? Dështuan dhe vijojnë që të dështojnë, pasi nuk kanë asnjë alternativë. Komisioni Hetimor nuk do të shërbejë si mekanizëm ndëshkues për Presidentin, por si çlirues për Ilir Metën për t'u kthyer në krye të opozitës" tha ajo.

Ora 13:23
Rudina Hajdari: Dy koncesionet e rrugëve të dorëzohen te SPAK-u, do ringremë të djathtën (VIDEO)

Kryetarja e grupit demokrat në Kuvendin e Shqipërisë Rudina Hajdari u shpreh se dy dosjet për rrugët që do të jepen me koncesion Milot-Balldren dhe Orikum -Dukat duhet të dorëzohen në SPAK, sapo institucioni të ngrihet.

"Kontratat koncesionare të fundit të Milot-Balldren dhe Orikum -Dukat vijnë si oferta të pakërkuara. Si ligji Fusha, këto janë kontrata që qeveria kërkon të mbulojë paligjshmërinë përmes votës së deputetëve. Ministria e Ekonomisë nuk ka dhënë miratimin për këto dy projekte, që rrezikojnë buxhetin e shtetit.

Shkeljet e rënda ngarkojnë me përgjegjësi nga specialisti më i thjeshtë deri te vendimmarrja e këshillit të ministrave. Ne duhet të bëjmë kallëzime në lidhje me këto dy ligje. Edhe nëse nuk merret prokuroria e përgjithshme, duhet ti denoncojmë nga ligji 'Fusha' deri te koncesionet e rrugëve. Këto dosje duhet të dorëzohen sapo të ngrihet SPAK-u. Duhet të mbrojmë të drejtën tonë" tha ajo.

Gjatë fjalës së saj Rudina Hajdari falenderoi Kuvendin dhe demokratët për nderimin në ceremonitë për kujtimin e 21-vjetorit të vrasjes së Azem Hajdarit, ndërsa u ndal edhe te lapsusi i seancës së kaluar. "Ju falenderoj nga zemra për nderimin që i bëtë sot tim ati.

Falenderoj edhe të gjithë demokratët që morën pjesë sot në aktivitetet për nderimin e babait tim. Shpesh herë kërkohet të zhvendoset vëmendja dhe ajo që preku nga seanca e kaluar është fakti që u përmend fjala përçarje, kjo fjalë nuk është e duhura, duhet të dalim në Shqipëri për të ngritur të djathtën shqiptare. Kjo dashuri më mban gjallë kujtimin brenda meje. Kurrë nuk do të ishte në synimin tim ta përçaja" tha Rudina Hajdari.

Ora 11:39
Bushati flet si opozitar: S'ka shpresë, por grykësi e paaftësi, më shqetëson përqendrimi i të ardhurave te një grusht njerëzish (VIDEO)

Ish-ministri i Jashtëm socialist Ditmir Bushati ka vijuar me linjën e kritikave në mënyrë të tërthortë dhe me 'thumba' kundër shumicës ku bën pjesë si deputet. Nga foltorja e Kuvendit ai foli si opozitar duke u shprehur se ka një krizë vlerash, mungesë shprese dhe se është i shqetësuar për përqendrimin e të ardhurave vetëm te një grusht njerëzish, tezw e opozitws PD-LSI.

30 vjet nga rënia e komunizmit jemi në një dilemë si të mbrojmë shqiptarët jashtë atdheut dhe si t’ja bëjmë jetën më të lehtë atyre që jetojnë këtu. 30 vite më pas mund të themi se jemi në gjendje më të mirë ekonomike. Por jemi duke përjetuar një krizë vlerash, e cila nuk vjen nga përtacia, por nga mpirja që sjell mungesën e shpresës, nga grykësia dhe paaftësia për të ndërtuar një sistem vlerash. Duhet të jemi të drejtpërdrejtë e të sinqertë me këtë temë.

Nuk mund të themi dot dhe vetëm që jemi vendi i Shqiponjave, i Skënderbeut apo i Nënë Terezës. S’mund të përdorim një patriotizëm fals, të mbushim stadiume e të brohorasim sa herë ka ndeshje. Duhet të bëhemi bashkë për të përcaktuar qëllimet se ku do të jetë Shqipëria pas 20 apo 30 vitesh. Këto objektiva duhet të kenë diasporën në qendër të tyre. Ta bëjmë këtë vend më të jetueshëm më të drejtë, t’i vendosim etiketën për cfarë duhet të njihemi. Evropa ka jetuar 550 vjet pa Shqipërinë, mund të jetojë edhe 550 të tjera.

Para se ti drejtojmë gishtin njëri tjetrit duhet ti bëjmë pyetje vetes ku isha unë dy-tre javë para se BE të merrte vendimin për ne, ne do t’ja falim vetes? Cfarë do të thonë fëmijët tanë? Kjo nuk është një çështje e majtë apo e djathtë, më shqetëson përqendrimi i të ardhurave në një grusht njerëzish. Më shqetëson që të eksportojmë kapital njerëzor në 30 vite. Më shqetëson fakti që edhe pse duam të hapin bisedimet me BE-në nuk kemi 50 njerëz nga diaspora për të modernizuar Shqipërinë për një sistem më të drejtë dhe të qendrueshëm' tha ai.

Bushati që pas largimit nga posti i koordinatorit politik në qarkun e Shkodrës ka dalë disa herë kundër në mbledhjen e grupit të PS-së. Rasti i Valdrin Pjetrit shkaktoi debate të forta në kryesinë socialiste, pasi Bushati kërkoi që t'i kërkohet ndjesë popullit të Shkodrës. Por në fakt, ishte Bushati ai që dha aprovimin për kandidaturën e Pjetrit për kryetar bashkie në Shkodër, por në momentin që i doli dënimi në Itali u distancua duke ndryshuar qëndrim.

Ora 11:29
Opozita e re frikë nga një pakt Rama-Basha, Majko i këshillon: Mund të bëni historinë (VIDEO)

Pas shqetësimeve të opozitës së re që i trembet një marrëveshje Rama-Basha, ka reaguar ministri për Diasporën Pandeli Majko duke u dhënë një këshillë nga foltorja e Kuvendit. "Cdo lloj marrëveshje jashtë kësaj salle, politika është matematikë, do vijë në këtë sallë dhe do të kërkohet vota juaj. Duhet të heqim dorë nga batuat dhe të jemi racional. Ka shumë skuadra të madha ku zëvendësuesit kanë bërë histori" tha, referuar opozitës së re, që zëvendësoi deputetët e PD-LSI që u larguan.

Ora 11:24
Gjoni: Rekomandimet e OSBE-së jo kusht për negociatat! Ruçi: Po gënjen


Ralf Gjoni u shpreh se ndërkombëtarët asnjëherë nuk e kanë kushtëzuar procesin e hapjes së negociatave me zbatimin e rekomandimeve të OSBE-së për zgjedhjet. "Nuk mund të abuzohet me procesin e integrimit. Zoti Balla procesi i integrimit nuk kanë kushtëzuar hapjen e negociatave me rekomandimet e OSBE-së" tha ai. Por kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi iu përgjigj duke i thënë se "Një nga kërkesat janë rekomandimet e OSBE-së, ju sapo thatë një të pavërtetë" tha ai.

Ora 11:21
Reforma zgjedhore, Murrizi-Ballës: Duhet të ndryshojmë sistemin bastard të 2008 (VIDEO)

Deputeti demokrat Myslim Murrizi u shpreh se sistemi aktual zgjedhor duhet të ndryshohet dhe jo të riparohet. "Zoti Balla nga njëra anë thoni se ata që kanë dalë në rrugë nuk duan të votojnë refugjatët nga ana tjetër nga tre herë në ditë si hoxha në za i bëni thirrje hajdeni se nuk e bëjmë dot. Për çfarë i doni, që të mos votojnë emigrantët? Jeni hipokritë? Ne ju themi po jemi dakord, po ju thoni kemi qejf ata. Kjo është tallje. Ndryshimet që propozon OSBE-ODIHR janë buzëkuq dhe botoks të një trupi me kancer.

Këtu është hapur kanceri gjithandej, ti thua ta çojmë te parukierja t'ja rregullojmë pak flokët, ti fryjmë buzët. Jo, kanceri është sistemi, lëre botoksin Taulant. Të vëmë gishtin në plagë, ndryshimi i sistemit bastard të 2008. Kriza reale sot është krizë artificiale e atij sistemi. Nuk e prishët dot se ju detyruan ta votoni me 140 vota në 2016, tani vini vërdallë dhe thoni hajde të bëjmë buzëkuqe te kodi zgjedhor.

Dora e shtrirë, pazaret e pista në kurriz të qytetarëve shqiptarë për interesa të ngushta dhe për tu rreshtuar kurriz më kurriz me njëri-tjetrin për t'ju ruajtur asaj që po vjen, nuk i hyn në punë qytetarëve shqiptarë. Ndaj me demagogjira që keni një karrige bosh me të drejtë vote e u detyruat të shkretit të ngrihen që në pesë e gjysmë të mëngjesit të zgjojnë nga gjumi Komisionin e Venecias, i prisnin te dera, se i kishit thënë ju për dorën e shtrirë dhe ata donin të bënin foto se s'bën që i takuan ata për betejën që keni mes atij që keni zgjedhur vetë në këtë sallë është jo në funksion të interesave të qytetarëve të këtij vendi" tha ai.

Ora 11:15
Balla i përgjigjet Gjonit: PS-ja s'ka dashuri me Bashën, e ftojmë në dialog për reformën zgjedhore (VIDEO)

Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla duke iu përgjigjur Ralf Gjonit dhe Myslim Murrizit u shpreh se shumica nuk ka dashuri për Lulzim Bashën, por respekt për dialogun, ku ftoi sërish opozitën jo parlamentare për të qenë pjesë e tryezës së reformës zgjedhore.

"Zoti Murrizi ua kemi thënë kemi pasur vetëm një cështje kusht për reformën zgjedhore, votën e shqiptarëve jashtë. Paraardhësit tuaj nuk e duan, shpresoj që ju të jeni dakord me këtë cështje. Përsa i përket rekomandimeve të OSBE-së për një vend si Shqipëria që vitin tjetër drejton ka presidencën janë detyrim. Padyshim historikisht teksa janë bërë reforma zgjedhore është punuar në mënyrë koherente me opozitën parlamentare dhe jo parlamentare.

Në rezultatet e zgjedhjeve të fundit, PD-LSI rezultojnë parti parlamentare, harroje ti se paskam dashuri për Lulzim Bashën, por kam respekt për dialogun politik gjithëpërfshirës. Në komisionin e reformës i është lënë edhe një karrige bosh PD-së për të ushtruar të drejtën e saj për propozime. Nëse nuk duan, nuk do të thotë se reforma zgjedhore do të mbetet peng. Rudina Hajdari dhe Gjiknuri komunikojnë në mënyrë të vijueshme. Komisioni prej sot do të ketë edhe dy anëtar të tjerë, grupi i partive të djathta, zoti Alimadhi është propozuar nga grupi dhe zoti Shameti, një jurist i shquar, një vlerë për komisionin. Do të kemi një kod të ri zgjedhor pas këtij procesi" tha Balla.

Ora 10:51
Ralf Gjoni: Rama-Basha dashuriçka për reformën zgjedhore, nëse ka pazar votojmë kundër (VIDEO)

Deputeti opozitar në Kuvendin e Shqipërisë Ralf Gjoni paralajmëroi shumicën se nëse do të ketë një tjetër pakt me Lulzim Bashën për reformën zgjedhore pa marrë në konsideratë propozimet e tyre atëherë do të votojë kundër duke e kushtëzuar votën. Ai tha se shumica dhe opozita e rrugës po vijojnë dashuriçkat dhe flirtimet në kurriz të popullit.

"Vota e shqiptarëve është e blerë dhe e tjetërsuar. Në vend që ne të jemi seriozë në komisionin për reformën zgjedhore, këta vijojnë dashuriçkat dhe flirtimet me njëri tjetrin, mazhoranca me rrugën. Që sot e tutje fillon një tjetër epokë dhe sezon parlamentar, ne duhet të ndajmë shapin me sheqerin, doni marrëveshje në kurriz të shqiptarëve, apo të jemi seriozë dhe të fillojmë reformimin e sistemit zgjedhor? Prezenca jonë mban këtë shumicë në këmbë, kryeministri po flirton me opozitën në rrugë dhe është pranë një marrëveshje, Presidenti na qenka krenar se shmangu djegien e parlamentit.

Ndryshimi i sistemit zgjedhor nuk ndryshon pa votën tonë këtu. Nuk ka shans të reformohet sistemi pa votën tonë këtu. Ne, opozita këtu, jemi më të bashkuar se kurrë. Votat tona nuk do të jenë në kurriz të një pazari. Kemi kushtëzuar votën tonë me largimin e Damian Gjiknurit. Ta harroni se mund të bëni pazar me PD-në dhe LSI-në kundër popullit. Nëse bëni pazar me ata në rrugë nuk do të na keni me ju, nëse do të blini ndonjë kokërr këtej do të duket qartë se ai emër" tha ai.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pyka: 12/09/2019 14:00

    O Bushat,po kujt ja kerkon.Me duket se te duhet ndihma ime...hahaha.Po ti ke 6 vjet ne qeveri dhe vajtet per ta ndrequr!dmth s'jane pak...

    Përgjigju
  • LORA: 12/09/2019 13:22

    ,,,,ja edhe ditmiri,,,,i ''shqetesuar'' kur i mungon froni fitimprures. Kur ishte ne fron, nuk kishte ndonje shqetesim te tille. Ke mendon se mund te rreje ky fare burri ???? A do te vijoje barku i PS-se te pjelle ende nanao-kurva??? Cfare tha?,,,hic-asgje,,,m'ka cu nana me la gojen. TUNG.

    Përgjigju
  • www.youngtribune.com: 12/09/2019 12:19

    A ka ngelur shprese per shqiptaret me kete klase politike qe i drejton ?

    Përgjigju
    • OOOO: 12/09/2019 14:07

      SHANSET ZERO PER SHQIPTARET 00000

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja