TIRANË- Treshja e gjyqtarëve, Ëngjëllushe Tahiri, Rudina Palloj dhe Alma Kodraliu, rrëzuan kërkesën e kryetarit të bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, që seanca gjyqësore ndaj tij, dhe 29 të tjerë, individë dhe kompani, të transmetohej drejtpërdrejtë nga mediat.

Gjykata argumentoi se 2 nga të pandehurit, biznesmeni Elman Abule dhe Adela Kodaçkiu, financiare e shoqërive të Ajola Xoxës, e cila ka pranuar bashkëpunimin me drejtësinë, nuk pranuan që kamerat të ishin në sallë.

"Nuk ka asnjë ndalim ligjor që transmetimi live të bëhet nga gjykata. Argumentet e prokurorisë ishin argument të përgjithshëm, teorikë por që nuk bazoheshin në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në kodin e procedurës penale", tha avokati i Veliajt, Plarent Ndreca. 

Megjithatë pavarësisht kundërshtive të dy të pandehurve, prokurori Altin Dumani argumentoi se një gjë e tillë mund të shqetësojë procesin, veçanërisht në çështje penale ku përfshihen dëshmitarë apo bashkëpunëtorë të drejtësisë. Dumani shtoi se, në raste të caktuara, mund të lejohen vetëm pamje të kufizuara filmike, por jo transmetim i plotë i seancës.

Togat e zeza rrëzuan për së dyti edhe kërkesën e kryebashkiakut Veliaj, që gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor të qëndrojnë jashtë kafazit të qelqtë në sallën e gjyqit.

Prokurori Ols Dado minimizoi shqetësimet e ngritura nga mbrojtja dhe  u shpreh se nuk bëhet fjalë për një “kafaz” në kuptimin tradicional, por për një strukturë xhami që ofron kushte të përshtatshme dhe lejon komunikimin normal. Madje, sipas tij, standardet e ofruara nga Gjykata e Posaçme janë shumë të mira duke i krahasuar me ato të një hoteli me 5 yje.

Qytetari i parë i Tiranës nuk ishte në këtë seancë, dhe sipas avokatit të tij Plarent Ndreca, që nga kushtet që ai të vijë në proces, është të qëndrojë në krah të tij dhe jo në kafazin e të pandehurit.

"E vetmja pengesë që sot Veliaj nuk e lejon të jetë në seancë, është kafazi qelqtë, që ishte një ndër kërkesat tona për të krijuar mundësinë që Veliaj të jetë krah avokatit. Kërkesë që u relativizua nga gjykata", tha Ndreca. 

Me aktet hetimore kundër tij, Veliaj u njoh kur nisi gjyqi, të cilat i ka në formë fizike në paraburgimin e Durrësit. Por në këtë seancë, mbrojtja i kërkoi si fashikujt hetimorë në format të dixhitalizuar, kërkesë e cila rrëzua, ndërsa prokuroria e Posacme e lexoi si taktitë për të zvarritur procesin.

Sipas Dumanit, edhe pse kanë kaluar dy muaj që prej nisjes së shqyrtimit në themel, seancat vijojnë të mbeten në fazë paraprake për shkak të kërkesave të përsëritura të avokatëve. “Këto janë kërkesa artificiale, që në vlerësimin tonë synojnë vetëm shtyrjen e gjykimit”, u shpreh Dumani.

Gjithashtu, mbrojtja kërkoi administrimin dhe verifikimin e disa provave në CD, që përmbajnë përgjime, duke pretenduar se nuk u janë dhënë materialet origjinale për t’i dëgjuar, por vetëm procesverbalet e zbardhura të tyre.

Pasi rrëzoi të gjitha pretendimet e ngritura nga mbrojtja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, gjykata hapi procesin gjyqësor dhe vendosi të pranojë kërkesën e 11 të pandehurve mes tyre biznesmenit Elman Abule dhe ish kryetares se komisionit te ligjeve, ish-deputetes socialiste, Klotilda Bushka për gjykim të shkurtuar. Ndërsa Erion Veliaj me bashkëshorten dhe 17 të pandehur të tjerë do të gjykohen më vete në proces normal, me një tjetër trup gjykuese. Siç avokati Plarent Ndreca iu përgjigj pyetjes së Report Tv, të njëjtat kërkesa që i janë rrëzuar, do i bëhen edhe trupës së re gjykuese.

Seanca e radhës për të pandehurit me gjykim të shkurtuar ku pritet të jepen konkluzionet u la për tu zhvilluar në 20 maj.

Të pandehurit që do të gjykohen me gjykim të shkurtuar
Elman Abule- “Rametal” shpk;
Fatmir Bektashi- Kontakt shpk
Mirton Lika- Lani shpk
Frosina Bollo- OJF “Frobolous”
Klotilda Bushka

 

Të pandehurit që vijojnë gjyqin pa gjykim të shkurtuar
Erion Veliaj
Gentian Sula;
Meriman Palushi
Shkëlqim Fusha
Sokol Kryeziu
Linda Kazani
Erald Simixhiu
Ina Goxhaj
Valmir Xoxa
Flutura Xhani

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:18
Veliaj mungoi në gjyq, Ndreca: E vetmja pengesë, kafazi i qelqtë! Transmetimi live, parim Kushtetues

Avokati Plarent Ndreca komentoi vendimin e GJKKO për të rrëzuar kërkesën që Erion Veliaj të mos qëndrojë në kafaz gjatë seancave gjyqësore. Ndreca tha se kjo është e vetmja pengesë që e bën të pamundur që Veliajt të mos jetë në GJKKO, duke theksuar se ai ka vullnet të përballet, por vetëm në kushte të barabarta. Ndreca tha se nuk ka ndalim ligjor që pengon zhvillimin e seancave live, duke theksuar se është një parim që e garanton Kushtetuta. 

Plarent Ndreca: Një pjesë e akteve siç u provua dhe sot nuk janë hapur, nuk janë vlerësuar dhe nuk janë marrë në konsideratë me marrjen e vendimit si nga gjykata paraprake, por fatkeqësisht dhe nga kjo gjykatë që sot mori vendimin.

Gazetari: Ju patët debate me prokurorinë e posaçme, të cilët mbajtën qëndrimin që ju keni bërë kërkesa për të zvarritur në njëfarë mënyre procesin. Ndërkohë që ju rrëzua kërkesa për transmetimin live.

Plarent Ndreca: Siç dhe ju ishit prezentë dhe patë, që unë bëra një kërkesë të gjatë dhe të argumentuar pse duhet të transmentohen live këto lloj procesesh, ku palë është një person që tërheq interes të lartë publik, siç është Erion Veliaj, i cili është kryetari i bashkisë së Tiranës. Dhe nuk ka asnjë ndalim ligjor që transmetimi live të bëhet nga gjykata. Argumentet e prokurorisë ishin argument të përgjithshëm, teorikë por që nuk bazoheshin në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në kodin e procedurës penale. Transmetimi live nuk është gjë tjetër përveçse pjesëmarrje e publikut në mënyrë më të gjerë përtej atyre gazetarëve dhe transmetimi i çdo lloj kërkesë apo debate në procesin penal, vendimi i gjykatës është një vendim që nuk e zbaton këtë parim Kushtetues. Sa i përket kërkesës time për njohjen me aktet dhe kundër argumentit që është kthyer në klishe nga ana e prokurorisë që çdo lloj kërkese që është një kërkesë që i referohet të drejtës për t’u mbrojtur, e konsideron si zvarritje. Në fakt më shumë se kundërshton argumentet tanë, ekspozon qëndrimin e prokurorisë e cila nuk ka qëllim të realizojë projekt të rregullt ligjor por ka qëllim të paketojë një çështje e cila duhet të jetë në sy të publikut dhe nuk duhet të lejohet të kalojë asnjë element i procesit pa u debatuar dhe pa u kundërshtuar nga palët.

Gazetari: Veliaj mungoi, mund të na jepni një argument shterues. 

Plarent Ndreca: E vetmja pengesë që sot Veliaj nuk e lejon të jetë në seancë, është kafazi qelqtë, që ishte një ndër kërkesat tona për të krijuar mundësinë që Veliaj të jetë krah avokatit. Kërkesë që u relativizua nga gjykata, ndërkohë që është kriter kushtetues që palët duhet të jenë barabarta, të kenë mundësinë që të mbrohen në mënyrë dinamike, të komunikojnë me avokatin. Kjo është një kërkesë që u pranua dhe u mbështet edhe nga Helsiniki, që e konsideroi instrument degradues për personat që janë në bankën e të akuzuarve.

Gazetarja: Tashmë dosja ndahet dhe zoti Veliaj dhe të pandehurit që janë me gjykim normal, do duhet të shortohet dhe njëherë dosja. Do të jetë një tjetër trupë gjykues. Do i paraqisni sërish këto kërkesa që paraqitët ndaj trupit tjetër gjykues, për seancat live...

Ndreca: Sigurisht, sigurisht që do i paraqis. Sepse unë mendoj se të gjitha kërkesat që unë kam bërë, lidhen me një proces të rregullt ligjor, pra lidhen me kushtet për të pasur një gjykim kushtetues, dhe për t’i garantuar të gjithë palëve një mbrojtje efektive dhe një debat profesional, dhe konstruktiv por edhe kushtetues me njëri tjetrin

Gazetarja: Po për tu njohur me provat?

Ndreca: Zotit Veliaj i janë vënë në dispozicion disa prej materialeve, e ka konstatuar dhe vetë gjykata dhe prokuroria që zotit Veliaj i mungojnë 24 fashikuj. Përsëri ky fakt u relativizua. Pavarësisht se vetë gjykata ka marrë vendim për t’ u njohur me të gjitha aktet. Njëkohësisht zoti Veliaj nuk ka asnjë provë digjitale. Pra zoti Veliaj nuk ka as mundësinë, por as nuk i ka as fizikisht provat digjitale të cilat ka të drejtën kushtetuese t’ i lexojë, t’ i dëgjojë dhe t’ i verifikojë, ashtu si mbrojtja e tij. As mbrojtja nuk i ka dhe as zoti Veliaj nuk i ka. Ky nxitimi për të vijuar një proces ndërkohë që nuk janë garantuar elementë thelbësorë dhe bazikë të një procesi të rregullt ligjorë, unë mendoj se ekspozon vetëm ata që marrin vendimmarrje.

Ora 14:57
Dosja Veliaj ndahet në 2 procese, GJKKO pranon gjykimin e shkurtuar për 7 të pandehur

GJKKO ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për disa të pandehur në dosjen Veliaj, konkretisht për Elman Abule, shoqëria “Ramental”, Fatmir Bektashi, kompania “Kontakt”, Mirton Lika, Flutur Xhani, Klotilda Bushka, Adela Kondakçiu, Fatjon Baçi, si dhe shoqëria “Lani”.

Ora 14:36
Kërkoi fashikujt e dixhitalizuar të dosjes, GJKKO rrëzon kërkesën e Ndrecës! Veliaj do të qëndrojë në kafaz

1776434502_erionveliaj.webp

GJKKO ka rrëzuar kërkesat e Erion Veliaj dhe avokatit të tij, Plarent Ndreca, i cili kërkoi që t’i vendosen dispozicion ën mënyrë të dixhitalizuar të gjithë fashikujt hetimorë. Sipas gjykatës, mbrojtja ka pasur mundësi të njihet me provat, të cilat i janë vënë në dispozicion edhe fizikisht Veliajt.

Avokati kërkoi që të gjithë fashikujt hetimorë të vihen në dispozicion në formë të dixhitalizuar, duke pretenduar se në dosje ka përgjime që mbrojtja nuk i ka dëgjuar dhe se procesverbalet ekzistuese përbëjnë vetëm interpretime.

Ai kërkoi gjithashtu që kryebashkiaku Veliaj të mos mbahet në kafaz gjatë gjykimit, por edhe kjo kërkesë u rrëzua.

Ora 14:08
Dado: Veliaj kot qahet për kafazin, është si hotel me 5 yje

SPAK ka kundërshtuar kërkesën e avokatit Plarent Ndreca që kryebashkiaku Erion Veliaj të mos mbahet në kafazin e qelqtë gjatë seancave gjyqësore. Prokurori Ols Dado mësohet se ka deklaruar në gjyq se qëndrimi i tij në kafaz nuk përbën problem, pasi ‘kabina’ ka edhe një të çarë përmes së cilës mund të komunikohet.

Madje, ai tha se kushtet e Gjykatës janë shumë të mira, si hotel me 5 yje. Por, kjo deklaratë e papërshtatshme bëri që gjykata t’i tërheqë Dados menjëherë vëmendjen.

“Lidhur me kërkesën e avokatëve që Erion Veliaj të mos mbahet në kafaz, nuk besojmë se përbën problem. Nuk është kafaz, por një strukturë xhami dhe ka edhe një të çarë aty që mundëson komunikimin. Kushtet e GJKKO janë shumë të mira, si në një hotel me 5 yje”, tha Ols Dado, ndërsa iu tërhoq vëmendja nga gjykata.

Ora 13:50
Gjyqi për dosjen Veliaj/ Ndreca: Veliaj të nxirret nga kafazi, na vendosni në dispozicion fashikujt të dixhitalizuar

1775031567_ndreca.jpg

Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i ka kërkuar GJKKO-së që t’i vendosë në dispozicion të gjithë fashikujt e dixhitalizuar të dosjes. Plarent Ndreca u shpreh se në dosje ka përgjime që vetë mbrojtja nuk i ka dëgjuar, por është njohur me to vetëm përmes procesverbaleve, të cilat shtoi se janë interpretime të SPAK.

“Në dosje ka përgjime, por ne nuk i kemi dëgjuar dhe nuk kemi CD-të; kemi vetëm disa procesverbale që, sipas nesh, janë interpretime. Ne duam të kuptojmë vetë kontekstin. Kërkojmë që të na vihen në dispozicion, në formë të dixhitalizuar, të gjithë fashikujt hetimorë”, tha Plarent Ndreca.

Po ashtu, Ndreca ripërsëriti kërkesën që Veliaj të mos qëndrojë në kafaz gjatë zhvillimit të seancave.

“Veliaj të nxirret nga kafazi në gjykatë, si në Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, ku nuk pati asnjë problem. Në të kundërt, cenohet barazia në proces. Merrni masa për këtë”, tha Plarent Ndreca.

Ora 13:06
Dosja 'Veliaj'/ Ndreca: 35 fashikuj me prova digjitale të pahapura nga gjyqtarja paraprake, të na vihen në dispozicion!

1775768262_plarentndreca.ëebp

Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, deklaroi sot në gjykatën e themelit se në të paktën 35 fashikuj ndodhen prova digjitale (CD/USB), të cilat rezultojnë të pahapura dhe, për rrjedhojë, të paanalizuara dhe të pavlerësuara nga gjykata e seancës paraprake.

Njëkohësisht, për shkak se këto materiale nuk janë hapur, asnjë prej tyre nuk i është vënë në dispozicion mbrojtjes gjatë asaj faze proceduriale.

“Janë 35 fashikuj, ndodhen prova digjitale (CD/USB), të cilat rezultojnë të pahapura dhe, për rrjedhojë, të paanalizuara dhe të pavlerësuara nga gjykata e seancës paraprake. Njëkohësisht, për shkak se këto materiale nuk janë hapur, asnjë prej tyre nuk i është vënë në dispozicion mbrojtjes gjatë asaj faze procedurale”, tha Ndreca.

Ora 12:59
Veliaj kërkoi gjyq live/ Dumani: S’jemi kundër, por s’mund të ekspozohen dëshmitarët, nuk ndodh as në rajon, BE apo SHBA

1762373507_altindumani.jpg

Seanca në GJKKO për dosjen Veliaj u zhvillua me debate mes avokatit Plarent Ndreca dhe prokurorit të SPAK, Altin Dumani. Ai tha se akuza nuk ka asnjë problem që seancat të zhvillohen live, por sipas tij nuk mund të ekspozohen dëshmitarët dhe kjo nuk lejohet as në vende të rajonit apo në BE dhe SHBA. Dumani tha se Veliaj po përpiqet të zvarrisë procesin me kërkesa artificiale, por ky pretendim u mohua nga avokati i kryebashkiakut, Plarent Ndreca.

Pjesë nga diskutimet

Altin Dumani: Ne si organ akuze nuk kemi problem, por transmetimi live mund të shqetësojë procesin. Në çështjet penale ku ka dëshmitarë, veçanërisht bashkëpunëtorë të drejtësisë, nuk lejohet transmetimi live. Kjo nuk ndodh as në rajon, as në Evropë dhe as në gjykatat federale në SHBA. Mund të lejohen kamera për disa pamje filmike, por dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët nuk mund të ekspozohen”, tha Dumani.

Prokurori Ols Dado replikoi me avokatin Plarent Ndreca

Ols Dado: Pse vetëm ti do të flasësh? Prit, se ka kërkuar fjalën prokurori.

Altin Dumani: Kemi dy muaj që kemi kaluar në themel dhe vijojmë me seancat paraprake. Avokatët e Veliajt, në mënyrë të përsëritur, paraqesin kërkesa artificiale, sipas vlerësimit tonë, me qëllim zgjatjen e shqyrtimit gjyqësor.

Plarent Ndreca: Ne nuk kemi qëllim të zvarrisim procesin. I vetmi që mbahet në burg është Erion Veliaj dhe ai ka interes që ky proces të ecë sa më shpejt. Ne nuk pranojmë të vijojmë pa u garantuar një proces i rregullt ligjor.