Zyrtarisht i pandehur për dosjen e sterilizimit, por në ditën e fundit të këtij koncesioni, ish ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj e konsideron si kontratë që i solli progres të ndjeshëm shëndetësisë shqiptare.

Pak ditë pasi 8 persona u dënuan për sterilizimin dhe vetë ish ministri pret gjykimin, përmes një postimi të shpërndarë nga avokati i tij Ermal Yzeiraj, Beqaj  thotë se partneriteti modernizoi shërbimin spitalor, solli transformim në kirurgjinë publike, rriti numrin e ndërhyrjeve dhe uli infeksionet spitalore.

Sipas Beqajt, falë kësaj kontrate, u furnizuan mbi 100 mijë instrumente kirurgjikale të rinj e bashkëkohorë, si dhe u vunë në punë 10 njësi sterilizimi moderne përveç centralit në QSUT.

"Për këtë kontratë, në 10 vite, u shpenzuan 12.9 miliardë lekë. Falë kësaj kontrate, në 10 vite, rreth 575 mijë ndërhyrje kirurgjikale u realizuan në kushte optimale steriliteti. Falë kësaj kontrate, nga ulja e ndjeshme e infeksioneve nozokomiale, janë shpëtuar çdo vit 40 jetë. Falë kësaj kontrate, u furnizuan mbi 100 mijë instrumente kirurgjikale të rinj e bashkëkohorë. Falë kësaj kontrate, u vunë në punë 10 njësi sterilizimi moderne përveç centralit në QSUT", thuhet në reagim. 

Në fund Beqaj thotë se është krenar për koncesionin e sterilizimit, të cilin sipas tij padija, zilia dhe verbëria politike e kanë demonizuar.

28 vite burg në total dha 4 ditë më parë Gjykata e Posaçme për 8 të pandehur të koncesionit të sterilizimit. Nga 4 vite me gjykim të shkurtuar u dënuan ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, i cili fitoi koncesionin. Ata u gjetën fajtorë për vjedhje, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzën e grupit të strukturuar kriminal. 

DËNIMET
Klodian Rjepaj, u dënua me 6 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar dënimi u ul në 4 vite burgim
Ilir Rrapaj, u dënua me 6 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar dënimi u ul në 4 vite burgim
Marsela Serjani, u dënua 3 vite e 6 muaj burg, nga gjykimi i shkurtuar dënimi u ul në 2 vite e 4 muaj burg
Samir Kadiu, u dënua 3 vite e 6 muaj burg, nga gjykimi i shkurtuar dënimi u ul në 2 vite e 4 muaj burg
Petraq Mersini, u dënua 3 vite 6 muaj burg, nga gjykimi i shkurtuar iu ul në 2 vite e 4 muaj, iu konvertua në 24 muaj shërbim prove
Arben Gjata, u dënua me 3.5 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar iu ul në 2 vit e 4 muaj, dënimi pezullohet dhe rektori vendoset në shërbim prove për 24 muaj
Genci Byrazeri, u dënua me 1.6 muaj burg, iu konvertua në 80 orë pune në interes publik
Naile Ajazi, u dënua me 2 vite shërbim prove

Ky vendim pritet ta çlirojë edhe Ilir Beqajn nga akuza e grupit kriminal në procesin me gjykim të të zakonshmëm. Akuza e rëndë iu vendos Beqajt, Rrjepajt dhe Rrapajt pasi e kërkoi gjyqtarja e seancës paraprake.

Me përfundimin e kësaj kontrate 10 vjeçare, shërbimi i sterilizimit për pajisjet kirurgjikale do të ofrohet në shtet përmes një kompanie publike të ngritur posaçërisht.

Reagimi i plotë i Beqajt:

PPP - Partneritet Për Progres

Sot, 8 mars 2026, përfundon kontrata konçesionare e “shërbimeve të integruara të furnizimit të setit te personalizuar steril të instrumentave kirurgjikalë”.

Kontrata është nënshkruar në 10.12.2015, ndërsa hetimet penale për të kanë filluar në 14.12.2015 (vetëm 4 ditë pas nënshkrimit). Janë ngritur në vite akuza për 11 vepra në ndryshme penale dhe ende deri më sot nuk ka një vendim të formës së prerë për këto akuza. Është hetuar deri tani nga 5 prokurorë dhe gjykuar deri tani nga 14 gjyqtarë të ndryshëm. Prokurorët kanë ngritur akuza si në një ruletë ruse, ndërsa gjyqtarët si në një “autoshkollë” të reformës në drejtësi kanë rikulifikuar veprat penale.

Nga nesër, ky shërbim i integruar, do të vazhdojë të ofrohet për pacientët shqiptarë që operohen çdo ditë nga rreth 450 mjekë kirurgë në 110 salla kirurgjikale në të gjithë spitalet publike nga një ndërmarrje publike e krijuar rishtaz enkas për të ofruar këtë shërbim të integruar.

Në 2013, kur mora detyrën e ministrit të shëndetësisë instrumentat kirurgjikalë dhe autokllavat për sterilizimin e tyre datonin në miqësinë me Kinën komuniste (1978). Në qershor të atij viti Instituti i Shëndetit Publik rekomandonte mbylljen e disa sallave kirurgjikale në QSUT për ngarkesë të lartë të patolerueshme mikrobike, ndërsa në nëntor të po atij viti Avokati i Popullit pas një investigimi 2 vjeçar raportonte se infermieret e sallave kirurgjikale i blejnë detergjentët me lekët e tyre sepse spitalet nuk kanë para.

Në vitin 2013, në kushtet e mungesës së fondeve disponibël për investime (40 mln USD ishin detyrimet e prapambetura të ministrisë së shëndetësisë ndaj furnitorëve), e shtrëngesave makro-fiskale për huamarrje publike (në 2013 borxhi publik ishte 74 % e PBB, ndërsa sot është 53 %) dhe të mungesës së meditëmebë (knoë hoë) në strukturat tina spitalore, kontrata konçesionare ishte një zgjidhje efikase që i mundësoi brenda vitit 2015 kirurgjisë shqiptare një transformim rrënjësor dhe një kapërcim epokal 35 vjeçar duke e sjellë në standarta të larta europiane bashkëkohore.

Sot ajo zgjidhje e propozuar dhe e realizuar në 2015, dmth lënia nën një përgjegjësi të vetme e të gjitha hallkave të rriskut infeksional në sallat e kirurgjisë, rezulton se paska qenë e mençur, e saktë, e drejtë dhe e qëndrueshme.

Kushdo që mendon dhe deklaron se shteti po shtetëzon “sterilizimin”, gabohet. Për qytetarin shërbimi ka qënë gjithmonë publik, por në sallat operatore është mundesuar në partneritet me sipërmarrjen private.

Kushdo që mendon dhe deklaron se shtetëzimi është dëshmi e dështimit të konçesionit, gabohet. Madje rëndë. Përkundrazi, kjo është dëshmi e suksesit të kontratës.

Për këtë kontratë, në 10 vite, u shpenzuan 12.9 miliardë leke.

Falë kësaj kontrate, në 10 vite, rreth 575 mijë ndërhyrje kirurgjikale u realizuan në kushte optimale steriliteti.

Falë kësaj kontrate, nga 50 mijë operacione në vit në 2013, në 2025 u kryen 67 mije operacione (popullsia nga 3 milionë në 2013, në 2025 është 2,4 milionë). Dmth, në të njëjtat salla kirurgjikale dhe nga të njëjtët mjekë kirurgë, u shërbyen në vitin e fundit të kontratës 35% më shumë pacientë krahasuar me 2013, duke qënë njlherazi kjo edhe rritje me po këtë përqindje e rendimentit të kirurgjisë shqiptare publike.

Falë kesaj kontrate, nga ulja e infeksioneve nozokomiale dhe instrumentave modernë miniinvazivë, ditë qëndrimi mesatar në spital i pacientëve të kirurgjisë u ul 1,7 ditë (nga 6.5 ditë në 4.8 ditë). Pra, në 10 vite u kursyen 970 mije diteqendrimi në spitale. U kursyen dhe 970 mijë ditë invaliditet e sëmundje.

Falë kësaj kontrate, parterët privatë investuan mbi 3 miliardë lekë pajisje e teknollogji të cilat sot i transferohen pa shpërblim ndërmarrjes shtetërore të sapokrijuar.

Falë kësaj kontrate, u furnizuan mbi 100 mijë instrumente kirurgjikale të rinj e bashkëkohorë.

Falë kësaj kontrate, u vunë në punë 10 njësi sterilizimi moderne përveç centralit në QSUT.

Falë kësaj kontrate, shërbimi i sterilizimit të instrumentave kirurgjikalë kryhet sipas standarteve ISO.

Falë kësaj kontrate, u punësuan 280 vetë, shpërblimi mujor i punës të të cilëve derdhi në arkën e shtetit 620 milionë lekë (kontribute e TAP) në 10 vjet. Operatori konçesionar pagoi në arkën e shtetit 280 milionë lekë taksa e tatime direkte.

Falë kësaj kontrate, nga ulja e ndjeshme e infeksioneve nozokomiale, janë shpëtuar çdo vit 40 jetë.

Falë kësaj kontrate shqiptarët kanë jetuar më gjatë dhe më shëndetshëm.

Falë kësaj kontrate, “meditëmebë” e sjellë në 10 vite nga partneri transferohet e gjitha pa shpërblim tek ndermarrja e re shtetërore.

Vendosni vetë në një anë të peshores shpenzimet 12.9 miliardë lekë në 10 vite dhe në anën tjetër përfitimet financiare që paraqita më sipër. Bëjini vetë llogaritë a ka qënë e leverdishme apo jo kjo kontratë. Për shëndetin e shqiptarëve, për cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe për financat publike.

Në të gjithë këto vite, nga padija, zilia dhe verbëria politike, PPP-të janë demonizuar shumë. Kjo kontratë është vetëm një nga 235 kontratat konçesionare në Shqipëri të lidhura pas vitit 1990. Por kjo kontratë rezulton se paska qënë dy herë PPP. Përveçse Parteritet Publik - Privat, paska qënë edhe një Partneritet Për Progres.

Javën e ardhshme bëhen 9 vjet që jam larguar nga detyra e ministrit të shëndetësisë. E kam ushtruar atë detyrë për 3.5 vjet (09/2013 - 03/2017). Jam krenar për këtë kontratë dhe sidomos për çfarë u arrit gjatë realizimit të saj si një nga punët e mira që u bënë në shëndetësinë shqiptare kur pata nderin dhe privilegjin të ushtroj deryrën e ministrit.