Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi sot projektligjin “Për buxhetin e vitit 2027”. Në fjalën e tij në Konferencën e Kryetarëve, Malaj veçoi edhe prioritetet e këtij projektbuxheti, në disa fusha.
“ Mbi 10 miliardë lekë shpenzime publike, më të lartat e ndonjëherë, më shumë para për pensionet, shëndetësinë, mbrojtjen sociale, arsimin, por edhe mbrojtjen dhe sigurinë. Janë fusha ku matet përgjegjësia e shtetit. Ka tre prioritete themelore, mirëqenia sociale, stabiliteti fiskal dhe investimet, reformat dhe integrimi evropian.
20 miliardë fonde për pensionet dhe mbrojtjen sociale. Në gjysmën e parë të vitit 2026 pati një rritje në të gjithë sektorët, ekonominë, e gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme dhe sektori i turizmit që vazhdon të jetë një sektor kryesor.
Ekonomia po krijon më shumë fuqi punësimi, inflacioni vijon të mbetet në normën e përcaktuar nga Banka e Shqipërisë dhe vazhdon që të mbetet në vlerën 3%. Investimet e huaja direkte vazhdojnë rritjen e qëndrueshme. Në tërësi këto rezultate dëshmojnë se Shqipëria po ecën me ritme të qëndrueshme, duke e afruar ekonominë me atë të Bashkimit Europian. Të ardhurat buxhetore në vitin 2027 parashikohet që të jetë 9.4 miliardë euro”, tha Malaj.
Grupi parlamentar i PD-së nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, pasi pretendon se deputetëve nuk u është vënë në dispozicion projektbuxheti i vitit 2027 dhe dokumentacioni shoqërues.
Sipas PD-së, mbledhja është thirrur pa respektuar afatin 48-orësh të parashikuar në Rregulloren e Kuvendit. Opozita kërkon që dokumentet të vihen në dispozicion të deputetëve dhe shqyrtimi i buxhetit të zhvillohet me transparencë dhe kohë të mjaftueshme për debat e analiza.
Lajm në përditësim…

Rritje të ndjeshme të pagave të policisë parashikohen më projektbuxhetin e ri të prezantuar sot nga Ministria e Financave. Paga bazë për rreth 8500 punonjës policie me gradeën inspektor rritje me 20 mijë lekë të reja, duke shkuar në 93 mijë lekë, ndërsa kategoritë e tjera rritjen me nga 10 deri në 15 mijë lekë shtesë.
Nga ana tjetër mbi 1.1 mld lekë do të jepen për bursat e studentëve. Për arsimin do të jetën 400 mln lekë për infrastrukturën dhe 500 mln lekë për programin ‘After School’.

Ministri i financave Petrit Malaj ka prezantuar mëngjesin e sotëm 30 projektbuxhetin 2027. Në Konferencën e Kryetarëve në parlament Malaj tha se buxheti i vitit të ardhshëm do t’i kalojë 10 mld euro.
Shëndetësia edhe këtë herë është sektori me pjesën më të madhe, me 87.2 mld lekë, ku fokusi vihet edhe te barnat mjekësorë. Mbrojtja merr një peshë të rëndësishëm, me 2.35% të PBB, duke plotësuar kështu detyrimet nga NATO. Investimet publike shkojnë mbi 200 miliard lekë.

Mbi 100 milionë euro parashikohet të jetë fatura financiare për pagesat e shtatë kontratave koncesionare dhe të partneritetit publik-privat (PPP) gjatë vitit 2027. Sipas të dhënave të projektbuxhetit, pagesat e planifikuara për këto kontrata arrijnë në rreth 10 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me vitin 2026, ato parashikohen të ulen me rreth 2 miliardë lekë, pasi mbyllen 3 kontratat e koncesionit në shëndetësisë, shërbime që tashmë do të ofrohen nga shteti.
Mes kontratave me peshën më të madhe financiare renditet Ndërtimi dhe Operimi i Rrugës së Arbrit, për të cilën parashikohen pagesa në vlerën 3.36 miliardë lekë. Ndjekur nga kontrata e “Ofrimit të shërbimeve laboratorike spitalore”, me rreth 2.2 miliardë lekë pagesa të planifikuara. Për shërbimin e skanimit në dogana janë parashikuar rreth 1.47 miliardë lekë, ndërsa për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Tiranës rreth 1 miliard lekë.
Kontratat që do të financohen
Ndërtimi dhe Operimi i Rrugës se Arbrit 3,36 miliardë lekë
Subvencionimi i kontratës koncesionare për ndërtimin Milot – Morine, 590 milionë lekë
Ndërtimi dhe Operimi i Porti Jahteve Orikum - Dukat 767 milionë lekë
Shërbimi i Skanimit në Dogana 1,476,189 mijë lekë
Ofrimi i Shërbimeve laboratorike spitalore 2,2 miliardë lekë
Për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Bashkinë Tiranë 655,4 milionë lekë
Ndërtimi i Landfillit, inceneratorit Tiranë 1 miliardë lekë
Ndërkohë tre koncesionet e shëndetësisë, ofrimi i shërbimit të dializës ne 5 spitale rajonale, kontrolli baze i popullsisë dhe sterilizimi nuk përfitojnë më para nga buxheti i shtetit, pasi kontratat përfundojnë në muajin nëntor dhe shërbimet do të ofrohen nga vetë shteti.

Ekonomia shqiptare pritet të ruajë ritme të qëndrueshme rritjeje gjatë viteve të ardhshme, ndërsa borxhi publik parashikohet të vijojë trajektoren rënëse. Në relacionin e projektbuxhetit 2027, qeveria parashikon një rritje ekonomike prej rreth 4% për vitin 2026, e cila pritet të ruhet edhe në periudhën afatmesme.
Sipas relacionit edhe për trevjeçarin e ardhshëm rritja do të jetë në të njëjtin nivel.
“Në periudhën afatmesme 2027-2029, rritja parashikohet të ruajë trajektore pozitive, me një normë mesatare prej rreth 4.0 përqind në vit, e mbështetur nga dinamika e kërkesës së brendshme, zhvillimi i mëtejshëm i sektorëve strategjikë dhe pritshmëritë për një rikuperim gradual të ekonomisë globale dhe veçanërisht atë të Bashkimit Evropian”, thuhet në relacion.
Paralelisht me rritjen ekonomike, projektbuxheti parashikon uljen graduale të borxhit publik bruto. Për vitin 2026, ai pritet të zbresë në rreth 52.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa në vitin 2027 parashikohet të arrijë në 52.4%.
“Në vitin 2026 parashikohet që borxhi publik bruto të ulet në rreth 52.5 përqind të PBB-së dhe pritet të vijojë të bjerë më tej në rreth 52.4 përqind në vitin 2027. Sipas skenarit bazë, borxhi publik bruto pritet të bjerë në rreth 52.2 përqind deri në vitin 2029 dhe më tej në rreth 50.9 përqind në vitin 2031”, thuhet në relacion.

Grupi parlamentar i PD-së nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, pasi pretendon se deputetëve nuk u është vënë në dispozicion projektbuxheti i vitit 2027 dhe dokumentacioni shoqërues.
Sipas PD-së, mbledhja është thirrur pa respektuar afatin 48-orësh të parashikuar në Rregulloren e Kuvendit. Opozita kërkon që dokumentet të vihen në dispozicion të deputetëve dhe shqyrtimi i buxhetit të zhvillohet me transparencë dhe kohë të mjaftueshme për debat e analiza.
Deklarata e plotë:
Sot, në orën 08:30, është thirrur mbledhja e Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit, ku ministri i Financave, është parashikuar të prezantojë projektligjin për Buxhetin e Shtetit për vitin 2027 dhe paketën fiskale.
Duam të sqaroj publikisht arsyet përse grupi parlamentar i PD ka vendosur të mos marrë pjesë në këtë mbledhje.
Në momentin e njoftimit të mbledhjes e deri në mesnatë, deputetëve nuk u është vënë në dispozicion asnjë dokument për projektbuxhetin që pretendohet të prezantohet.
As projektligjet, as relacionet shpjeguese, as dokumentacioni financiar që duhet të shoqërojë një nismë të kësaj rëndësie.
Pra, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë thirren të dëgjojnë ministrin e Financave të flasë për një dokument që nuk kanë pasur mundësi ta lexojnë, ta studiojnë apo ta analizojnë.
Dhe kjo nuk është mënyra se si duhet të funksionojë Parlamenti i një vendi demokratik.
Kuvendi nuk është sallë konferencash e qeverisë. Deputetët nuk janë publik i ftuar në prezantimet e ministrave.
Detyra jonë kushtetuese është të shqyrtojmë, të kontrollojmë, të kërkojmë llogari dhe të vendosim mbi përdorimin e parave të qytetarëve shqiptarë.
Për më tepër, mbledhja është njoftuar vetëm pasditen e djeshme, për t’u zhvilluar sot në mëngjes.
Neni 12, pika 3, i Rregullores së Kuvendit përcakton shprehimisht se mbledhjet e Konferencës së Kryetarëve, si rregull, zhvillohen jo më herët se 48 orë nga momenti i njoftimit.
Ky rregull nuk mund të shpërfillet sipas dëshirës së Kryetarit të Kuvendit.
Aq më pak kur bëhet fjalë për ligjin më të rëndësishëm financiar të vitit.
Buxheti i shtetit nuk është një dokument formal. Ai përcakton se sa para do të mblidhen nga qytetarët dhe bizneset, si do të shpenzohen ato, cilat sektorë do të financohen dhe cilat do të jenë prioritetet reale të qeverisë.
Prandaj, shqyrtimi i tij kërkon transparencë, dokumentacion të plotë, kohë të mjaftueshme dhe debat parlamentar.
Nuk mund të ketë debat pa dokumente. Nuk mund të ketë kontroll parlamentar pa informacion. Dhe nuk mund të kërkohet përgjegjësi nga deputetët kur atyre u mohohet mundësia për të ushtruar detyrën.
Në vlerësimin tonë, mënyra se si është organizuar kjo mbledhje ngre dyshimin e arsyeshëm se qëllimi nuk është një diskutim serioz për financat publike, por krijimi i një aktiviteti propagandistik të qeverisë.
Kjo bëhet edhe më shqetësuese në kushtet e krizës së rëndë politike që po përjeton vendi.
Në vend që të garantojë funksionimin normal të institucioneve, respektimin e opozitës dhe kontrollin parlamentar, shumica po kërkon që Kuvendi të përshtatet me axhendën politike dhe mediatike të qeverisë.
Ne nuk pranojmë që institucioni i Parlamentit të përdoret për të prodhuar një fasadë normaliteti, ndërkohë që rregullat e funksionimit të tij nuk respektohen.
Duam të jemi shumë të qartë.
Opozita nuk po refuzon diskutimin e buxhetit. Opozita po refuzon një procedurë që e zbraz diskutimin parlamentar nga përmbajtja.
Ne kërkojmë që projektligji për Buxhetin e Shtetit për vitin 2027, së bashku me të gjithë dokumentacionin shoqërues, t’u vihet menjëherë në dispozicion deputetëve.
Kërkojmë që Konferenca e Kryetarëve të thirret duke respektuar Rregulloren dhe të sigurohet një kalendar real shqyrtimi, me kohë të mjaftueshme për analizë, pyetje, diskutime dhe amendamente.
Kërkojmë që procesi të jetë transparent për publikun, sepse buxheti nuk i përket as qeverisë dhe as shumicës parlamentare.
Buxheti i përket qytetarëve shqiptarë.
Dhe së fundi, dua t’i drejtohem Kryetarit të Kuvendit.
Detyra e tij nuk është të organizojë axhendën e ministrave, por të garantojë të drejtat e të gjithë deputetëve dhe zbatimin e Rregullores së Kuvendit.
Respektimi i ligjit dhe i procedurave parlamentare nuk është një favor që shumica i bën opozitës. Është detyrimi më elementar i çdo institucioni.
Për këto arsye, opozita nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve.
Sepse qeveria ka të drejtë të propozojë buxhetin, por nuk ka të drejtë t’i diktojë Parlamentit si duhet ta kontrollojë atë.
Pr.buxheti i vitit 2027 dërgohet në Kuvend, do të jetë 976 mld lekë, të ardhura 907 mld lekë.
Buxheti për vitin që vjen është planifikuar 69,2 mld lekë më i lartë se aktualisht. Të ardhurat do të arrijnë 907.8 mld lekë me rritje prej 64,7 miliardë lekë.
Borxhi publik është parashikuar në rritje për shkak edhe të marrjes së eurobondit, dhe në vitin2027 vlera e tij pritet të arrijë 1.5 trilionë lekë.
Në vitin 2027, investimet publike parashikohen në rreth 201.5 miliardë lekë ose 6.9% të PBB-së, duke përfshirë rreth 14.1 miliardë lekë financime të pritshme mbi bazë projektesh nga Plani i Rritjes.










Komente
Komento