TIRANË- Në 17:00, para Kryeministrisë pritet të nisë protesta e radhës e thirrur nga Sali Berisha. Për të garantuar rendin dhe sigurinë, edhe kësaj radhe në terren do të angazhohen 1350 efektivë.

Nisur edhe nga protesta e 24 janarit, ku situata përshkallëzoi në dhunë dhe përdorimin e molotovëve, ambasada e SHBA në Tiranë u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë që të kenë kujdes. Ambasada e SHBA shkruan se situata mund të përshkallëzojë në dhunë dhe u bën thirrje qytetarëve amerikanë që të shmangin rrugët rreth protestës.

“Ndërsa protestat dhe grumbullimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt. Protesta mund të shtrihet në blloqet përreth dhe pranë godinave qeveritare, duke shkaktuar ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh. Udhëzimi ynë i vazhdueshëm është shmangia e zonave të protestave. Nëse ndodheni në qytet, ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale. Forconi masat tuaja të sigurisë duke zbatuar zakonet e mëposhtme",- thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Ndërkohë, për garantimin e sigurisë do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:

-Nga ora 23:45 e ditës së sotme, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit, në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”;

-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.