Ish-kryeministri Sali Berisha iu bashkua sot një proteste para Kuvendit kundër pr.ligjit për barazinë gjinore, ndërsa në disa herë gjatë fjalimeve në Kuvend, Berisha hodhi akuza se po kërkohet të shkatërrohet familja.
Por, çfarë deklaronte Berisha në vitin 2010 kur ishte kryeministër? Duket se Berisha mendonte ndryshe, pasi në një video teksa drejtonte qeverinë ai thotë se orientimi i ndryshëm seksual është një realitet sa vetë lashtësia.
“Orientimi i ndryshëm seksual është një realitet i lashtë sa vetë lashtësia, një realitet i cili ekziston për hir të së vërtetës, pavarësisht nga besimet apo bindjeve politike. Tirana është qyteti i tolerancës dhe vendi është një vend i lirive të garantuara”, deklaronte asokohe Berisha.
Madje asokohe Berisha pati zhvilluar edhe një takim me dy aktivistë të komunitetit LBTQ në Kryeministri, siç shihet edhe në këto foto më poshtë.
“Për çfarë arsye ata s’duhen lejuar të jetojnë me njëri-tjetrin?”, pati thënë Berisha.
Por koha ecën, pushteti ndërrohet dhe qëndrimet ndryshojnë. Sot i njëjti Sali Berisha flet për “rrezikun ndaj familjes shqiptare” dhe për “shkatërrimin e vlerave tradicionale”.
Report Tv e pyeti Berishën për një takim me dy aktivistë të LQBTQI-së kur ai ishte kryeministër dhe deklaratat në përkrahje të këtij komuniteti. Por, Berisha thotë se në asnjë rast nuk do të lejojë që të shpërbëhen vlerat shekullore të familjes.
Report Tv: Kur keni qenë kryeministër jeni takuar me dy aktivistë të LGBTQ, i qëndroni përkrahjes për këtë komunitet?
Berisha: Absolutisht jo, nuk jam kundër. Unë respektoj orientimin seksual të çdo njeriu, e kam thënë, do ta them. Kjo s’ka të bëjë fare, por s’do të thotë që unë të shpërbëj vlerat hyjnore, njerëzore shekullore të familjes. Dhe këtu nuk është vetëm kombi amerikan që votoi kundër, por janë 21 vende anëtare të BE që nuk eksiton ky ligj.
Në komunikimin e tij jashtë Kuvendit, Berisha shkoi edhe më tej, duke sulmuar ambasadorin e BE, Silvio Gonzato, për të cilin tha se po i imponon shoqërisë shqiptare bindjet e veta personale.
“Ambasadorit të BE i them kaq, zotëri ne absolutisht ne respektojmë orientimin seksual të gjithsecilit, por përpjekjet tua për t’i imponuar shoqërisë shqiptare standarde të përkatësisë së shumëfishtë gjinore, të gjinisë në diversitet të gjerë, përveç asaj binare, dhe i them këtu, edhe në statusin tënd je binar”, tha Berisha.
Jo vetëm protestë, por projektligji për barazinë gjinore shkaktoi sot debate në Kuvend. Opozita thekson se dëmton thelbin e familjes, por Taulant Balla sqaroi duke thënë se përkatësi e shumëfishtë është term social që lidhet me ligjin e diskriminimit, pasi gjinitë mbeten vetëm 2: burrë dhe grua.

Foto nga takimi i Berishës kur ishte kryeministër me aktivistët e LQBTQ
Komente












