Kreu i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli i kërkon deputeteve të tri subjekteve politike të bëhen pjesë e votimit në parlament në të cilën do të ratifikohet marrëveshja e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian. Veseli i është dretuar me një letër publike lëvizjes Vetëvendoja, AAK dhe NISMA.
 
 “Ejani, të bëjmë së bashku historinë tonë”, shkruan Veseli në letrën e tij.
 
Sipas tij kjo e hënë duhet të jetë ditë e unitetit, bashkëpunimit dhe e veprimit të përbashkët. “Të gjithë ne duhet të dëshmojmë para qytetarëve se në veprimet tona politike udhëhiqemi nga interesat madhore të vendit tonë dhe nga vizioni i përbashkët që kemi për të ardhmen e vendit tonë,”, vijon kryeparlamentari Veseli.
 
Sakaq thirrjes së Veselit i është përgjigjur AAK, e cila në reagimin e saj shprehet se “ Veseli i ka mbyllur dje dyert e kuvendit për deputetët dhe sot po bën gjoja thirrje për në seancë. Ka futur më shumë policë në seancë se që ka pasur deputetë dhe ka organizuar të ashtuquajturën seancë në bufe, duke mos i ftuar fare deputetët e opozitës”, shkruan AAK-ja në reagimin e saj.
 
Seanca plenare në Kuvendin e Kosovës me të vetmen pikë të rendit të ditës: “Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës në njërën anë, dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike, në anën tjetër” do të mbahet sot rreth orës 10.00. Ndërkohë partitë opozitare, prej një kohe të gjatë po bojkotojnë mbajtjen e seancave të Kuvendit me kërkesën për anulimin e marrëveshjeve për Asociacionin e Komunave Serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi, kanë paralajmëruar bojkotim edhe të kësaj mbledhjeje.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)