Shirat e dendur janë rikthyer sërish sot. Për pasojë disa prej rrugëve më problematike në kryeqytet, mund të krijojnë vështirësi në qarkullim.
 
Bashkia e Tiranës thotë në një komunikatë për mediat se janë ngritur grupet e posaçme të punës për të përballuar problematikat që mund të hasen 
 
"Bashkia e Tiranës njofton të gjithë qytetarët e saj se gjatë mbrëmjes së nesërme, priten sasi të mëdha dhe rreshje të dendura shiu, deri në nivele të atilla saqë mund të shkaktojnë vështirësi në qarkullim dhe bllokimin e disa prej rrugëve problematike të kryeqytetit. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës ka marrë të gjitha masat për të ulur numrin e problematikave që mund të shfaqen gjatë ditës së nesërme. Ndërmarrjet e rrugëve, pastrimit, kanalizimeve, ndriçimit, Policia Bashkiake, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Zjarrfikëset, kanë ngritur grupe të posaçme pune dhe do të jenë në terren, në shërbim të qytetarëve gjatë gjithë ditës, së bashku me administratorët e 24 njësive administrative," thuhet në njoftimin e Bashkisë.
 
Po ashtu Bashkia u bën thirrje qytetarëve që të minimizojnë lëvizjet, për të shmangur trafikun e rënduar, ndërsa sqaron se do të shtohen linjat e transportit publik në  qarkullim.
 
Më tej Bashkia e Tiranës ka evidentuar rrugët më problematike të cilat mund të bllokohen:
 
Rr. Siri Kodra (segmenti te Frigoriferi)
Rr. Don Bosko
Rr. e Kavajës
Rr. Imer Ndregjoni
Rr. Bardhyl (segmenti ku kryqëzohet me rr. ‘Qemal Stafa’)
Unaza (segmenti ‘Vasil Shanto’ - ‘21 Dhjetori’)
Rr. Myslym Shyri
Rr. e Dibrës
 
Për çdo rast emergjence, Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion të qytetarëve numrat 0800 0888 (nga numrat fiks), Policinë Bashkiake në numrin 04 24 19 465, Zjarrfikëset në numrin 129 ose administratorin e njësisë tuaj administrative, ndërsa këshillon shmangien e kalimit pranë lumenjve në zonat periferike.


led
(Tabela e Bashkisë në rr. Dritan Hoxha)

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)