Liderët e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur në Bruksel për samitin vjetor, ku në fokus është zgjerimi i BE-së dhe përparimi i vendeve të rajonit në reformat për anëtarësim. Takimi mikpritet nga presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Kryeministri Edi Rama i kërkoi BE-së të ketë guximin t’i sjellë në tryezë të gjitha vendet kandidate. Sipas tij, ky hap do t’u jepte një sinjal të fortë qytetarëve të rajonit, duke ruajtur parimin që secili vend të përparojë sipas meritës.
"Mbetem i bindur se BE-ja duhet të ketë guximin të bëjë një hap të guximshëm përpara, duke sjellë të gjitha vendet kandidate rreth tryezës, pa ndryshuar procesin e bazuar në meritë për secilin vend, por duke u dhënë një sinjal të fortë qytetarëve tanë dhe botës”, tha Rama.
Rama u pyet edhe për çështjen e Belinda Ballukut dhe tha se lufta që Shqipëria po bën kundër korrupsionit është një nga arsyet pse vendi duhet të konsiderohet një kandidat serioz për anëtarësim në BE.
“Ajo që Shqipëria po bën kundër korrupsionit është e paprecedentë në rajon dhe kjo është pikërisht arsyeja përse Shqipëria duhet të konsiderohet një vend kandidat shumë, shumë serioz. Nëse deri jo shumë kohë më parë Shqipëria portretizohej gjithmonë si një vend ku ishte ngulitur kultura e pandëshkueshmërisë dhe ku korrupsioni ishte vetë sistemi, sot Shqipëria është një vend ku sistemi po lufton fuqishëm korrupsionin", tha Rama.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se dhënia e statusit të vendit kandidat për Kosovën është vonuar prej kohësh dhe tashmë është urgjente. Ai kërkoi që BE-ja t’i japë Kosovës statusin mbi bazën e përparimit të saj në zhvillimin demokratik, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
Në samit marrin pjesë liderët e pesë prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Serbia mungon për herë të dytë. Presidenti në detyrë, Aleksandër Çupiç, nuk merr pjesë këtë vit, ndërsa zyrtarët e kanë mirëkuptuar mungesën për shkak të periudhës së tranzicionit pas zgjedhjeve. Në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti i atëhershëm Aleksandër Vuçiç e bojkotoi samitin pas moshapjes së grupkapitullit të tretë të negociatave me BE-në.
Udhëheqësit e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian pritet të paralajmërojnë se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit vazhdon t’i pengojë të dyja palët në rrugën drejt integrimit evropian. Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të theksojnë se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, të ndërmjetësuar nga BE, dokument që pritet të miratohet në fund të samitit.
Udhëheqësit do të vlerësojnë gjithashtu progresin në integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor me BE-në, veçanërisht përmes Planit të Rritjes, si dhe do të diskutojnë mënyrat për ta zhvilluar më tej.
Samiti do të shqyrtojë sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për të forcuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë në raport me kontekstin gjeopolitik që karakterizohet nga lufta agresore e Rusisë kundër Ukrainës, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe konkurrenca gjithnjë e më e ashpër globale.
Lajmi në përditësim...
Para nisjes së samitit BE-Ballkani Perëndimor, presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pritën një nga një liderët e rajonit. Me buzëqeshje, Von der Leyen e priti kryeministrin Edi Rama me një puthje dhe përqafim. Më pas, të tre liderët pozuan para kamerave, duke bashkuar duart njëri mbi tjetrin.

Mes pyetjeve të gazetarëve për kryeministrin Edi Rama në mbërritje në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel ishte edhe një për ambiciet tregtare të presidentit amerikan Donald Trump. Rama zgjodhi të fliste për synimin e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e tregut të vetëm europian. “Nuk di shumë për këtë çështje. Unë di për tregun e vetëm këtu në Europë dhe kjo është ajo që ne synojmë”, u përgjigj kryeministri.
Kryeministri Edi Rama u pyet edhe për çështjen e Belinda Ballukut në mbërritje në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel. Rama tha se lufta që Shqipëria po bën kundër korrupsionit është një nga arsyet pse vendi duhet të konsiderohet një kandidat serioz për anëtarësim në BE.
“ Ajo që Shqipëria po bën kundër korrupsionit është e paprecedentë në rajon dhe kjo është pikërisht arsyeja përse Shqipëria duhet të konsiderohet një vend kandidat shumë, shumë serioz. Nëse deri jo shumë kohë më parë Shqipëria portretizohej gjithmonë si një vend ku ishte ngulitur kultura e pandëshkueshmërisë dhe ku korrupsioni ishte vetë sistemi, sot Shqipëria është një vend ku sistemi po lufton fuqishëm korrupsionin. Natyrisht, çdo çështje duhet të kalojë përmes procesit të rregullt ligjor, por është shumë e qartë se në Shqipëri nuk ka më askënd mbi ligjin. Dhe pikërisht kjo është arsyeja përse Shqipëria duhet të shihet me një sy shumë pozitiv”, tha Rama.
I pyetur për mbylljen e kapitujve të rradhës, Rama u shpreh:
"Ne po punojmë shumë fort çdo ditë me Komisionin Evropian dhe le të shohim si do të dalin llogaritë. Por, me sa jam në dijeni, jemi në rrugën e duhur dhe sipas planifikimit. Nga ana tjetër, kjo nuk është një punë e njëanshme, por një punë me dy kahe. Për disa prej çështjeve, ne jemi ende në pritje që Komisioni të japë dritën jeshile, sepse, siç e di kushdo që është i përfshirë në këtë proces, Komisioni duhet t’i miratojë paraprakisht tekstet që ne i kemi përgatitur tashmë" tha ai.
Kryeministri Edi Rama, në mbërritje në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, kërkoi nga Bashkimi Europian të bëjë një hap të guximshëm drejt integrimit të mëtejshëm të vendeve kandidate, pa ndryshuar procesin e anëtarësimit të bazuar në meritë.
“Sigurisht, ky samit vjetor është ngjarja kryesore e vitit për të gjitha vendet kandidate. Ka rëndësinë e vet edhe për vendet anëtare. Është një moment për një bisedë të hapur dhe shumë konstruktive, për të shkëmbyer përshtypjet e vitit dhe idetë për të ardhmen. Është e rëndësishme të jemi këtu dhe pikërisht në samitin e këtij viti ka një arsye shumë të mirë për të ecur përpara drejt një integrimi më të madh. Mbetem i bindur se BE-ja duhet të ketë guximin të bëjë një hap të guximshëm përpara, duke sjellë të gjitha vendet kandidate rreth tryezës, pa ndryshuar procesin e bazuar në meritë për secilin vend, por duke u dhënë një sinjal të fortë qytetarëve tanë dhe botës”, tha Rama.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviç, në mbërritje në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, tha se vendi i tij synon të mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave brenda këtij viti.
“Shpresojmë të përfundojmë të gjithë kapitujt e negociatave deri në fund të këtij viti. Shpresojmë të bëhemi vendi i 28-të anëtar deri në vitin 2028. Kjo ka të bëjë me besueshmërinë e politikës së zgjerimit të BE-së. Është një sinjal pozitiv për vendet e tjera kandidate”, tha Millatoviç.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbërritje në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, kërkoi që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke theksuar se ky proces është vonuar prej kohësh.
“Jam shumë i lumtur që jam në Bruksel. Presim një shkëmbim konstruktiv idesh dhe mendimesh për rrugën përpara. Presim statusin e vendit kandidat për vendin tonë. Është vonuar prej kohësh. Kemi dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE dhe jemi i vetmi vend pa statusin e kandidatit. Nuk po kërkojmë favore, por njohjen e përparimit të Kosovës, të zhvillimit demokratik, sundimit të ligjit, të drejtave politike dhe luftës kundër korrupsionit. Statusi i vendit kandidat jo vetëm që është shumë i rëndësishëm, por është edhe çështje urgjente. Çdo muaj ka zgjedhje në kontinentin tonë dhe çdo gjë ka rëndësi. Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi për zgjerimin me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për t’i dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat mbi bazën e meritës, sepse e meritojmë”, tha Kurti.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në mbërritje në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, tha se pret një ndryshim të qasjes ndaj rajonit.
“Do të flasim më shumë për zgjerimin dhe buxhetin për vendet kandidate. Presim një ndryshim të qasjes ndaj Ballkanit Perëndimor. Ne jemi porta e Europës. Ju lutem, mos e nënvlerësoni potencialin e Ballkanit Perëndimor, që është porta e Europës. Vendi ynë është në Europë. Qytetarët tanë janë të frustruar sepse kanë pritur për shumë kohë në oborrin e pasmë. Duam ta meritojmë vendin tonë në tryezë, bazuar në parimin e meritës”, tha Mickoski.











Komente
Komento