TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë u mbledh në seancën e radhës plenare, e cila nisi me debate për shkak të çështjes së Belinda Ballukut. Deputetët demokratë kërkuan që të mblidhet Këshilli i Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e saj, ndonëse kryeministri Edi Rama pas vendimit të Kushtetueses tha se nuk ka asnjë urgjencë për këtë kërkesë.

Situata u tensionua nga fjalori që përdori Sali Berisha në foltore, duke i thënë mazhorancës se “po mbrojnë vithet e Belindës”. Kjo frazë mjaftoi që kryetari i Kuvendit t’i ndërpresë fjalën për fjalor të papërshtatshëm, ndërsa deputetët demokratë bashkë me kryetarin e tyre bllokuan foltoren.  

“Kurrë ndonjëherë të dashur qytetarë nuk keni pasur në këtë sallë një grup njerëzish, të cilët shkelmojnë mbi interesat tuaja jetike për të mbrojtur, më falni, në pamje të parë vithet e Belindës, në të vërtetë Edi Ramën”, tha Berisha.

Kjo situatë bëri që seanca të ndërpritej për 5 minuta dhe të riniste sërish, ndërsa kreu i Grupit të PS, Taulant Balla i bëri thirrje Berishës që të lirojë foltoren duke i thënë se gjithë jetën i ka shërbyer Serbisë, si edhe i kujtuan dhunën në protestën e 10 shkurtit. 

“Dua t’i bëj një thirrje PD të distancohet nga dhuna e përsëritur nga protestat e thirrura. Duket qartë që personat e përfshirë janë të nxitur, të dyshuar të paguar për të nxitur dhunë”, tha Taulant Balla.

“Kush ju ka paguar që minorenët shqiptar t’i përdorni si mish për top e ti dërgoni në protesta”, pyeti Ardit Bido.

Mazhoranca ngriti zërin për policët e lënduar në protestë me molotovë e gurë, ndërsa opozita i akuzoi se u dhunuan të miturit.

“Je dhunues dhe porositës kronikë I derdhjes së gjakut. policët u dhunuan se urdhërove dhunë.. të ka dënuar historia, I ke fantazmat në dollap, s’ke marrë drejtësi deri më sot, por shpirtra që ke dhunuar ke vrarë nuk I shpëton dot, do të të përndjekin”, tha Koçiu.

“Gojëpërdalurave nuk duhet tu përgjigjesh kurrë. protestues paqësore në lule të ballit me plumb gome që mund të shpojë kafkën. Mos i prekni me dorë nxënësit, mos revoltoni rininë, se ajo pastaj nuk njeh kufi. Kryengritja jonë është paqësore”, vijoi Berisha.

Berishës dhe deputetëve të tij që folën për një polici të dhunshme, socialistët i kujtuan 21 janarin me 4 protestues të vrarë, në kohën kur drejtonte qeverinë e drejtonte ai.

“Më 21 janar, në një protestë të nisur paqësore dhe që mbaroi me 4 të vrarë, jo me ujë, po me plumb në lule të ballit... nuk mund të na thoni që gjuajtët me ujë dhe me plumba gome. Që ajo ngjarje do t’ju përndjekje derisa ai lartë t’ju marrë do ju përndjekë deri në fund por që në këtë vend do bëhet drejtësi, do bëhet drejtësi një ditë”, tha Erion Braçe.

“Jeni katandisur si një orkestër, doktor, bëni muzikë me një dajre të prodhuar 81 vite më parë. Snajperat i ke fiksim vite më parë, por më vjen keq për ata policë që janë lënduar nga protesta juaj paqësore me molotovë drejtuar trupave të policisë së shtetit”, tha Kiduina Zaka.

Tedi Blushi i Partisë të Ilir Metës kërkoi ballafaqim me ish-gardistin e asaj kohe, sot deputet i PS-së.

“Ja ku e keni komandantin e grupit të zjarrit, deputet i rilindjes, të na thotë kush urdhëroi të qëllohej me 21 janar”, tha Blushi.

“Grupi i zjarrit as nuk ekziston në asnjë strukturë por është shpikja që bëtë ju për të devijuar atë ngjarje. Kur unë pyetesha para prokurorisë kishim ndryshim, unë kam deklaruar që nëse 1 efektiv i imi nën komandën time ka gisht, unë jam përgjegjës bashkë me to, e kam të shkruar, po ju jeni përgjegjës për ngjarjet e 21 janarit”, iu përgjigj Agron Malaj.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:01
Çështja Balluku, Balla: Këshilli i Mandateve do të mblidhet dhe do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për arrestin

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se Këshilli i Mandateve do të mblidhet dhe do të shqyrtojë kërkesën për heqjen e imunitetit të Ballukut.

“Qëndrimi i grupit parlamentar të Partisë Socialiste është tërësisht në përputhje me Kuvendin. Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli ka një kohë të përcaktuar prej 3 muajsh. Vendimmarrja e marrë në Këshill qartazi ka thënë sesa kohë kishte një çështje ku palë e përfshirë ishte Kuvendi i Shqipërisë, natyrshëm që ishim të detyruar që të prisnim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Jemi në kushtet kur Gjykata Kushtetuese nuk ka pasur një vendim, edhe pse 8 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese i dhanë të drejtë palës kërkuese, kreyministrit që kishte ndërhyrje në kompetencat e Këshillit të Minisrave, parlamentit dhe presidentit. Nuk ka asnjë dyshim që Këshilli i Mandateve do të mblidhet dhe do të shqyrtojë kërkesën, ndërkohë që ne do të vijojmë me një proces adresimi të asaj që ka thënë Gjykata Kushtetuese. Na duhet ta marrim vendimin të zbardhur. I bëj thirrje që edhe pse nuk arritët dot të merrnin vendim, shpresoj shumë ta zbardhni vendimin dhe ta publikoni në fletoren zyrtare, Kuvendi i Shqipërisë, siç ka bërë në të gjitha rastet, edhe kur nuk është marrë jurisprudencë, na duhet ta lexojmë”,  tha Balla.

Ora 12:16
‘Grupin e zjarrit e shpikët ju’, ish-gardisti Agron Malaj drejton gishtin nga Berisha për 21 janarin: Përgjegjësit janë këtu në sallë (VIDEO)

Deputeti socialist Agron Malaj ka folur në Kuvend për 21 Janarin, për të cilin akuzohet si ish-komandant i “Grupit të zjarrit”.

Ai tha se kjo strukturë s’ka ekzistuar kurrë dhe është shpikje e atyre që janë përgjegjës për 21 janarin, duke drejtuar gushtin nga Sali Berisha. Malaj tha në Kuvend se përgjegjësit e 21 janarit janë në sallë.

“Agron Malaj : Shumë faleminderit zotit Blushi që pas 3 muajsh ma dha të drejtën të flas për 21 janarin, një ngjarje që është për turpin tuaj, të partisë së tuaj, Jozefinë mos fol se është turp për ty të përmendësh gardistët. Ka 15 vjet që ky grup flet për mua, për familjen time, për grupin e zjarrin. Grupi i zjarrit as nuk ekziston në asnjë strukturë por është shpikja që bëtë ju për të devijuar atë ngjarje. Ndaj meje, ndaj gardës, i baltosët pa të drejtë. E turpshme edhe për atë që sot del e flet për policinë. I them kolegëve dhe opinionit, nuk ka ekzistuar kurrë një grup zjarri, ata që e bënë 21 janarin, janë përgjegjës kryesor, janë pikërisht këta këtu, që me veprimet dhe mosveprimet e tyre krijuan një situatë të tillë që është turpi më i madh për ta. Ka 15 vjet që flitet kudo për 21 janarin. Kur unë pyetesha para prokurorisë kishim ndryshim, unë kam deklaruar që nëse 1 efektiv i imi nën komandën time ka gisht, unë jam përgjegjës bashkë me to, e kam të shkruar, po ju jeni përgjegjës për ngjarjet e 21 janarit, se ju kështu e keni. u morët me disa gardistët. Unë nuk kam qenë shef shtabi, unë kam marrë përgjegjësi për strukturën time. Asnjë nga efektivët e mi nuk ka pasur gisht në ngjarje më 21 janar. E baltosët gardën edhe sot vazhdoni pranë. Unë kam qenë gardist dhe e kam për nder, dhe oficer i FA, e kam kryer punën time me ndershmëri dhe përkushtim, 15 mijë shuplaka në Dibër erdhën kundër jush, dhe pas 15 vitesh e kthyem Dibrën në rrugën e drejtë. Vjedhjen e votës tregoja këtyre këtu”, tha Malaj.

Ora 11:47
Opozita bllokon sërish foltoren, Balla: Fatkeqësi që PD është katandisur kështu sot, 5 minuta pushim! Po nuk reflektuat, do kalojmë në votim

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka kërkuar 5 minuta pushim pasi deputetët e PD-së me në krye Sali Berishën, bllokuan përsëri foltoren. Nëse opozita vijon të krijojë trazira, do të kalohet direkt në votim

“PD në këto 35 vite ka meritë në momente historike të rrugës evropiane por dhe gjatë pavarësisë së Kosovës. Këtë nuk mund ta mohoj është fatkeqësi që PD gjendet në këtë situatë dhe nuk di të ndajë interesin kombëtar me atë personal. Kërkoj 5 minuta pushim për të reflektuar, do të kalojmë në votim”, tha Balla.

Ora 11:35
Blushi: Ervin Hoxha çirak i Ergys Agasit, e ktheu në manual punë rrëmbimin e qytetarëve

Deputeti i Partisë së Lirisë Tedi Blushi i është drejtuar ish-ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha duke i thënë se është çirak i biznesmenit Ergys Agasi, i cili tashmë është në kërkim nga SPAK.

“Nëse ka një përfaqësues të denjë nj skllav të krimit, ai është Ervin Hoxha që i kujtoj të bëjë mirë te mbajë kokën ulur. Në qoftë se ka një ministër që e ktheu në manual pune rrëmbimin e qytetarëve, biznesmenëve, ai është çiraku i Ergys Agasit. Nuk duhet të ketë guximin të flakë këtu. Një ordiner. Meqë na foli dhe për rrugëtimin e tij në politikë, u zgjodhe deputet duke marrë votat në burgjet e sigurisë së lartë. Por ju e dini më mirë fundin tuaj dhe është i afërt. Meqë u përmend 21 janarit, ja ku e keni komandantin e grupit të zjarrit. Të dalë të thotë kush urdhëroi të qëllohet më plumb në 21 janar, e ke në grupin tënd Brace, kush e zgjodhi deputet? Dilni të dy aty, merr për veshi Ervin Hoxhën dhe Albana Koçiun”, tha Tedi Blushi.

Ora 11:19
Braçe: Ju vratë 4 protestues me plumb ballit më 21 janar, sot vini e thoni na keni gjuajtur me ujë! Ku janë ato që deshën të futen me molotovë në Kuvend?

Deputeti i PS Erion Braçe i është kthyer PD-së pas deklaratave se në protestë janë përdorur plumba gome. Braçe i kujtoi Sali Berishës protestën e 21 janarit, 4 protestues mbetën të vrarë në bulevard nga plumbat e lëshuar nga kryeministria kur Berisha në atë kohë shërbente si kryeministër.

“Para dy ditësh pashë deputetë për të hyrë me dhunë në Kuvend me motolovë në dorë, dhe sot nuk i shoh në sallë. Parlamenti nuk shërben për të ndryshuar faktet historike. Në 21 janar, në një protestë të nisur paqësore (zhurma nga PD), ja se po e rregulloj. Në një protestë që nisi paqësore dhe që mbaroi me 4 të vrarë jo me ujë, por me plumb në lule të ballit dhe me 14 të tjerë të plagosur me plumb po prap në trup dhe jo në këmbë. Janë sot gjallë fare kot, i shpëtoi zoti lart. Nuk mund të vihet këtu dh të na thuhet që gjuajtët me ujë dhe plumba gome. Që ajo ngjarje do  t’iu përndjekë deri sa ai lart t’ju marrë, patjetër që po, por që në këtë vend do të bëhet drejtësi një ditë, do të bëhet drejtësi një ditë”, tha Braçe.

Ora 11:16
“Jeni katandisur si orkestër me dajre 81-vjeçare”, Zaka për dhunën ndaj policëve në protestën e PD: Jeni askushi që t’i dëmtoni e vrisni!

 

Deputetja e PS, Kiduina Zaka kritikoi Ina Zhupën se po përkrah Berishën pas gjuhës që ai përdori për Ballukun. Më pas, u ndal te debati për dhunën në protestën e PD duke thënë se nuk beson që kjo është zgjedhja e popullit opozitar. Ajo u shpreh se si vajza e një ish-polici, e kupton dhimbjen e familjeve të efektivëve të lënduar prej protestës së opozitës.

“Jeni katandisur si një orkestër, doktor, bëni muzikë me një dajre të prodhuar 81 vite më parë, dhe veglat muzikore të opozitës tuaj vijojnë të njëjtën vijë melodike. Më vjen keq që koleget e opozitës në vend të kritikojnë gjuhën e përdorur, dalin të mbrojnë gjuhën seksiste ndaj kolegeve. Po me ty Ina e kam, (Zhupën). Sot duhej të kishit kritikuar drejtuesin tuaj madhështor. Snajperat i ke fiksim vite më parë, por më vjen keq për ata policë që janë lënduar nga protesta juaj paqësore me molotovë drejtuar trupave të Policisë Së Shtetit. Unë besoj që populli opozitar nuk është ai që bën këto protesta të dhunshme. Populli opozitar di të protestojë në mënyrë paqësore, jo me  dhunën që ju nxisni. Si bijë e një ish-polici, e di shumë mirë sesa e dhimbshme është për ato familje, nëna, fëmijë, që presin prindërit e tyre, bijtë e tyre të mbarojnë detyrën dhe të kthehen shëndoshë e mirë në shtëpi. Ju jeni askushi që t’i dëmtoni dhe t’i vrisni!”, tha Zaka.

Ora 11:12
‘Zonja adresë, do kesh fatin e Ervin Hoxhës’, Berisha replikon me Koçiun për protestën: Gojëpërdalurave nuk i përgjigjem

 

Sali Berisha iu përgjigj ministres së Brendshme, Albana Koçiu e cila akuzoi se porositi dhunën ndaj policëve. Ministrja i tha se shpirtrave të vrarë dhe të dhunuarve nuk u shpëton dot. Berisha vijoi me fjalorin e papërshtatshëm, duke thënë se gojëpërdalurave nuk u përgjigjet kurrë. Berisha e quajti ministren “zonja adresë”, duke thënë se do të ketë fatin e ish-ministrit Ervin Hoxha.

“Gojëpërdalurave nuk duhet tu përgjigjesh kurrë. Nuk i them turp se turpërohet fjala turp me të. Asnjë polic i lënduar dhe plagosur në spitalin e urgjencës, përkundrazi protestues paqësore në lule të ballit me plumb gome që mund të shpojë kafkën. Ju mor për të mbrojtur lubitë tuaja, kryehajdutin Edi Rama. Urdhëroni si thotë zonja adresë, se ai vetë i ka thënë je vetëm për adresa, fatin e atij do pësosh edhe ti, të atij Hoxhaj që foli. Ju mos bëni mbrojtjen e krimit, jeni skllevër. SI ndihesh e gënjen, trego, turp të kesh, plagët kanë fotografi, kanë emra, cilët janë, nxirrini? Dhe shkojnë dhe rrahin në komisariat...Mos i prekni me dorë nxënësit, mos revoltoni rininë, se ajo pastaj nuk njeh kufi. Respektojeni, ajo protestoi në mënyrë dinjitoze, paqësore, kryengritja jonë është paqësore. Hajduti ndiqet deri në vrimën e fundit, nuk kursehet, ju po mbroni hajdutët”, tha Berisha.

Ora 11:09
U sulmuan me molotov gjatë protestës/ Berisha: Asnjë polic nuk kishte në urgjencë, gënjeshtra

 

Sali Berisha vijoi me skenarët e tij se asnjë polic nuk u plagos gjatë protestës së dhunshme, ndoënse ndaj tyre u hodhën molotov.

“Asnjë polic në urgjencë, nxirrni një gërvishtje, një të plagosur, gënjeshtar. Përkundrazi, i gjuajtët me plumba gome në kokë. I gjuajtët me snajper protestuesit, kurse për të rinjtë janë tmerri juaj, prisni se është fillimi, ata do ju groposin ju, ju që i keqtrajtuat të rinjtë me urrejtje, prisni zemërimin e tyre se ju do pësoni atë që nuk e mendoni kurrë do merrni atë që meritoni nga të rinjtë,. Keni mbush qelinë me 12 adoleshentë, sepse sipas jush adoleshentët nuk duhet të protestojnë”, tha Berisha.  

Ora 11:06
Ish-ministri Hoxha: Çfarë ka PD me Policinë e Shtetit? Doni t’i digjni të gjallë, përdorni fëmijët për akte kriminale

 

Ish-ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka folur për protestën e zhvilluar më 10 shkurt nga Partia Demokratike. Hoxha thotë se është kriminale të përdorësh fëmijët për akte dhune ndërsa shtoi se PD kishte për qëllim të digjnin të gjallë policët.

“Çfarë ka opozita me policinë e shtetit? Është komplet brenda sferë kushtetuese. Polica është në detyrë dhe duhet të kemi mirënjohje për të gjithë sokolët që janë aje që mbajnë mbi kokë kapelën e Policisë së Shtetit. Sot dua të theksoj që hiqni dorë duke përdorur fëmijët se është ngjarje kriminale. Është e turpshme që merrni fëmijë që i izoloni gojën e fytyrën dhe i hidhni kundrejt policisë. Taktika e mëparshme ishte të godasim blindë, mjete e mburoja, tani i hidhni molotov, do t’i digjni të gjatë. Nuk është shqiptare. Keni marrë zotime të digjni sa më shumë policë”, tha Ervin Hoxha.

Ora 11:06
‘Akuzuan Belind Ballukun për protestën....’, Berisha bëhet lëmsh dhe ngatërron Këlliçin me Belinda Ballukun (VIDEO)

Sali Berisha ngatërroi Belind Këlliçin me Belinda Ballukun ndërsa po fliste në Kuvend për protestën. Akuzuan “Belind Ballukun”, u shpreh Berisha, duke iu referuar faktit që ndaj tij nisi hetim për organizimin e protestës së dhunshme.

“Akuzuan Belind Ballukun, akuzuan Belind Këllëçin se organizoi kryengritjen....Atë se akuzoni dot, se ajo ju bën petë juve, kur ngrihet ajo dhe më nxjerr rregulloren për një fjalë që unë përdora....”, tha Berisha.  

Ora 11:04
Efektivët e lënduar nga protesta e PD, Koçiu i përgjigjet Berishës: Gënjeshtar patologjik! Të kesh turp, shpirtrave të dhunuar e të vrarë nuk u shpëton dot!

Pas përsëritjes së Berishës se nuk pati asnjë efektiv të lënduar nga protesta e PD, kur në të vërtetë u raportua për 16 punonjës të lënduar, 3 prej të cilëve rëndë, ministrja e Brendshme Albana Koçiu reagoi e revoltuar.

Ajo i kujtoi Berishës gjestin e tij kur as nuk i përshëndeti policët në spital dhe tha se po mbyll sytë. Ministrja e quajti “gënjeshtar patologjik” dhe i tha se kjo është arsyeja pse e ka dënuar historia, teksa do e përndjekin shpirtrat e kujtdo që ka dhunuar e vrarë.

“Siç ishe zotrote në spital, edhe unë isha në spital, por ti zgjodhe të mos shohësh policët, ti zgjodhe të mbyllje sytë. Shko shikoji edhe sot policët që ishin të shtruar, morën shërbim dhe janë edhe sot. Je gënjeshtar patologjik! Përveçse je dhunues dhe porositës kronik i dhunës, i derdhjes së gjakut, e ke në gjen atë gjakun që do ta derdhësh me patjetër, përveç këtyre, mbyll edhe sytë dhe gënjen nga mëngjesi në darkë. Zor pak nuk ke? Pse nuk i takove policët? Policët u dhunuan sepse u porosit dhunë nga ajo protestë që organizove. Të kesh turp që në vend që të kërkosh ndjesë dhe të distancohesh nga dhuna që u ushtrua ndaj punonjësve të policisë, vjen e thua nuk u godit asnjë. Pak turp nuk ke? Prandaj të ka dënuar historia! I ke fantazmat aty, në dollap! Nuk ke marrë drejtësi deri më sot, por shpirtrave nuk u shpëton dot! Shpirtrave të të gjithë atyre që ke dhunuar, përgjakur, vrarë, nuk u shpëton dot, do të të ndjekin!”, tha Koçiu.

Ora 11:01
Berisha i kthehet temës së “vitheve”, Mila: Nuk u lodhe duke djegur Shqipërinë për prapanicën tënde? (VIDEO)

 

Teksa Berisha sqaroi në foltore përdorimin e togfjalëshit “vithet e Ballukut”, deputetja e PS, Sara Mila, replikoi me kryetarin e PD.

“Si ka mundësi që vazhdon të djegësh Shqipërinë prej 30 vitesh vetëm për prapanicën tëndë, të familjes tënde, të njerëzve të tu dhe nuk u lodhe për atë prapanicë ti?”, tha ajo, ndërsa kryeparlamentari i tërhoqi vëmendjen për fjalorin.

Ora 10:58
Berisha i shkon deputetit të PS në foltore, tenton t’i bllokojë mikrofonët: Mbrojtës i Ballukut! Bido: Kush të pagoi për t’ia shitur naftën serbëve? (VIDEO)

 

Sapo deputeti i PS është ngritur në foltore për t’iu përgjigjur Sali Berishës, ky i fundit është çuar menjëherë në foltore së bashku me të tjerë demokratë duke tentuar bllokimin e mikrofonëve.

Berisha akuzoi Bidon si i paguar për të mbrojtur Belinda Ballukun, ndërsa deputeti ia ktheu duke e akuzuar Berishën për shitje të naftës tek serbët dhe përdorimin e të miturve në protestë për akte dhune.

“Është më mirë që ju kam afër se sa më shumë, Paguhem nga qytetarët për t’i përfaqësuar. T’ju pyes sy më sy, kush ju ka paguar që naftën t’ia jepni Serbisë? Kush ju ka paguar që minorenët shqiptar ti përdorni si mish për top e ti dërgoni në protesta?”, tha Bido.

“Je Ardit Gjipja. Ti je Ardit Gjipeja, je bërë avokat i Ballukut”, i tha Berisha.

Ora 10:48
Balla nuk ia kursen Berishës: Ti që i ke shërbyer gjithë jetën tënde Serbisë, liroje atë foltore se le nam (VIDEO)

 

Taulant Balla përsëriti gjatë fjalës në Kuvend thirrjen e tij kundrejt PD për t’u distancuar nga dhuna. Kreu i grupit parlamentar të PS tha se është e qartë se personat e përfshirë janë “të dyshuar të paguar për të nxitur dhunë”, ndërsa nxiti Kuvendin për mbrojtjen e efektivëve.

“Së pari, në emër të grupit parlamentar të PS dua t’i bëj një thirrje PD të distancohet nga dhuna e përsëritur nga protestat e thirrura. Çdo parti politike ka të drejtë legjitime të protestojë, por mban përgjegjësi për mbarëvajtjen  e protestave. Duket qartë që personat e përfshirë janë persona të nxitur, të dyshuar të paguar për të nxitur dhunë, PD duhet të distancohet nga këto akte dhune, ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë urgjent duhet të shprehet në mbrojtje të punonjësve të policisë për paprekshmërinë e tyre. Punonjësit e Policisë së Shtetit kanë derdhur gjak dhe vënë në rrezik jetën e tyre”, tha Balla.

Në fund, pasi propozoi edhe hartimin e një deklarate urgjente nga Kuvendi për të kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë në Hagë për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së, pati edhe një fjalë për Berishën.

“Ti që i ke shërbyer gjithë jetën tënde Serbisë, liroje atë foltore se le nam!”, tha kreu i grupit parlamentar të PS.
 

 

Ora 10:41
Redi Muçi i drejtohet PS: Jeni bërë të pamëshirshëm, jepni dorëheqjen dhe ftoni protestuesit në seancë! Ruhuni nga urrejtja e popullit

 

Deputeti i Lëvizja Bashkë, Redi Muçi kërkoi nga qeveria dorëheqjen dhe praninë e 3 grupeve protestues të mbledhur përpara Kuvendit për të marrë pjesë në seancë dhe për të shprehur qëndrimet e tyre.

“Dua të sjell në vëmendje se seanca e sotme ka nur me protestën e 3 grupimeve të ndryshme, të banorëve të Rrjollit që po u grabitet prona, të Durrësit që po u shkatërrohen shtëpitë dh të ish-minatorëve që janë aty për të protestuar për statusin e minatorit. Përfaqësuesit e tyre kërkojë të jenë në këtë seancë dhe të shprehin qëndrimet e tyre. Nuk ka ndodhur më parë që një qeveri të jetë kaq e delegjitimuar nga skandalet korruptive dhe të jetë kaq e dhunshme me qytetarët. Sa më shumë zhyteni në korrupsion aq më të pamëshirshëm bëheni për qytetarët, nëse nuk ju tremb molotovi, ruhuni nga urrejtja e popullit,. Propozimi im është që ta nisim këtë seancë me dorëheqjen e qeverisë tuaj, të dilni të kërkoni falje dhe të ftoni përfaqësuesit të shprehin qëndrimet e tyre”, tha Redi Muçi.

Ora 10:41
180 vite burg për ish-krerët e UÇK-së, miratohet menjëherë propozimi i Ballës: Deklaratë urgjente e Kuvendit kundër kërkesës së Prokurorisë!

 

 

 

Ndërsa mori fjalën në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla solli në vëmendje gjyqin që po mbahet në Hagë për ish-krerët e UÇK-së dhe kërkesën e prokurorisë për 180 vite burg për Veselin, Thaçin, Selimin dhe Krasniqin (45 vite secilit).

Balla propozoi ndërprerjen e punimeve të parlamentit, ngarkimin e dy përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës në Komisionin e Jashtëm me përgatitjen e një deklarate urgjente të Kuvendit për t’i shprehur revoltën Hagës ndaj kërkesës së Prokurorisë.

“Ditën e hënë jemi njohur me një aktakuzë të turpshme në kurriz të katër ish-krerëve të UÇK. 180 vjet burg janë kërkuar ndaj udhëheqësve të UÇK-së. Një aktakuzë e padëgjuar, ndërkohë që për asnjë nga personat e marrë përgjegjës penalë të ushtrisë serbe në Kosovë nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Kuuvendi i Shqipërisë të ndërpresë menjëherë punimet, të ngarkojmë Hasanin dhe Shehun në Komisionin e Politikës së Jashtme, të përgatisim me urgjencë një deklaratë të Kuvendit të Shqipërisë që duhet të gëzojë mbështetjen e të gjitha palëve në Kuvend, për t’i bërë të qartë Hagës dhe çdo aktori tjetër se populli shqiptar nuk mund ta hedhë një baltë të tillë të hedhur kundër një lufte çlirimtare sikurse ka qenë ajo e popullit shqiptar të Kosovës dhe UÇK. Kjo deklaratë duhet të publikohet menjëherë!”, tha Balla ndërsa propozimi u miratua pa asnjë kundërshtim.

Ora 10:33
‘Po mbroni vit*et e Belindës’, Peleshi i ndërpret fjalën Berishës, deputetët e PD bllokojnë foltoren (VIDEO)

Sali Berisha përdori fjalor të papërshtatshëm në Kuvend ndërsa po fliste për çështjen e Belinda Ballukut. Niko Peleshi i ndërpreu fjalën, ndërsa deputetët e opozitës bllokuan foltoren.

“Parlamenti është strofulla e mbrojtjes së hajdutëve. Këta që janë pas shpinës sime, edhe këta të këtij krahu, janë të gjithë maska e Lubisë dhe Edi Ramës. Këta janë maska. Kurrë ndonjëherë të dashur qytetarë nuk keni pasur në këtë sallë një grup njerëzish, të cilët shkelmojnë mbi interesat tuaja jetike për të mbrojtur, më falni, në pamje të parë vithet e Belindës, në të vërtetë Edi Ramën.

Ora 10:24
Shehaj: Keni fshehur dosjen e Ballukut, e kanë marrë një grusht deputetësh dhe po e mbroni

Deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj kërkoi dosjen e zv.kryeministres Belinda Balluku, duke akuzuar mazhorancën dhe opozitarët e tjerë se po e mbrojnë. Shehaj tha se e kanë kyçur dosjen dhe nuk ua kanë dhënë të gjithë deputetëve.

Por, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi tha se dosja është sekret hetimor dhe me urdhër të SPAK nuk lejohet shpërndarja, por atë e kanë marrë vetëm anëtarët e Këshillit të Mandatit.

Shehaj: Ju kemi dërguar kërkesë në lidhje me dosjen e Belinda Ballukut, keni një muaj që keni marrë nga SPAK një dosje që iu është dhënë ta përcillini te deputetë se duhet të votojmë për heqjen e imunitetit. Këtë dosje e keni kyçur në kasafortë, e keni ndarë me një grup deputetësh, të cilët nuk kanë thënë asnjë fjalë në lidhje me këtë dosje. E keni zhdukur, e keni ndarë me njëri-tjetrin dhe po ndani një të akuzuar që ka abuzuar me fondet e shtetit shqiptar. Jeni i vemi kryetar Kuvendi që ka fshehur një dosje të zv.kryeministres. Është detyra juaj të bëni transparencë. Duhet të dinë qytetarët shqiptarë, me kë ka vjedhur, si ka vjedhur. Mjaft mbrojtët të korruptuarit.

Peleshi: Nuk është e vërtetë që janë kyçur materialet dhe provat, e kanë tërhequr sipas rregullit dhe ligjit kundrejt deklaratës për ruajtjen e sekretit hetimor, të paraqitur nga SPAK, të gjithë anëtarët e Këshillit të Mandateve. Është ky këshill që shqyrton materialet dhe i paraqet raportet seancës. Në raport përfshihen të gjitha opinionet. Juve votoni pasi dëgjoni raportin e përgatitur. Duhet të mos i nxjerrin se bëhet fjalë për një sekret hetimor. Ka urdhër për të mos publikuar materialet.

Ora 09:34
Banorët e Rrjollit dhe të Durrësit protestë përpara Kuvendit, kërkojnë mbrojtje nga deputetët për pronat e tyre! U bashkohen Shehaj dhe Muçi (VIDEO)

Banorët e Rrjollit dhe ato të Durrësit janë grumbulluar së bashku përpara Kuvendit të Shqipërisë, pak përpara nisjes së seancës, duke protestuar për pronat e tyre.

Qytetarët e Velipojës kundërshtojnë ndërtimin e resortit të kompanisë “Gener 2” të biznesmenit dhe botuesit Bashkim Ulaj, pasi sipas tyre ajo zonë është toka e tyre. Ata i janë drejtuar dhe Prokurorisë me dokumentet e pronës në duar, si dhe bashkisë së Shkodrës për të kërkuar llogari për lejen e ndërtimit të lëshuar për Ulajn.

Ndërkohë banorët e Durrësit protestojnë për projektin TID për jetëzimin e bulevardit historik ‘Edidamn’, kur për jetëzimin e këtij plani, parashikohet shpronësimi i 74 familjeve.

“Pjesëmarrësit këtu kanë të drejtën e tyre të kërkojnë pronën që është më e shtrenjtë. Askush nuk guxon të na përkulë kokën, të na vrasë apo nëpërkëmbë dinjitetin. Unë jam nga Tirana, dhe pronën na e vodhën. Këto janë të korruptuar deri në palcë. Kanë 35 vite që na vrasin e na grabisin. Ne nuk do dorëzohemi kurrë, kemi të drejtën tonë. Ky është parlamenti I krimit, I kanë mbushur xhepat duke vjedhur pronën shtetërore, pronën private, por ato nuk kanë guxuar të na vjedhin dinjitetin”, tha një banore.

Banorët kërkojnë nga shteti dhe bashkia e Durrësit vlerësim të saktë të pronës ose sigurimin e një banese po në Durrës, ndërsa protestojnë kundër bonusit të qirasë që bashkia ka parashikuar paraprakisht për ta.

Qytetarët kërkojnë mbrojtje nga deputetët, që ata të ngrenë zërin për problemet e tyre ndërsa akuzojnë qeverinë për vjedhje. Protestës së tyre i është bashkuar dhe deputeti Agron Shehaj dhe Redi Muçi.

“Kjo është një çështje në fakt politike sepse pronat nuk i vjedh vetëm oligarku, e vjedh oligarku me klasën e korruptuar politike që kemi në Parlament. Askush nuk ua vjedh dot pronat pa lejen e tyre, janë ortakë. Në lidhje me pronat njerëzit janë lodhur dhe mund të heqin dorë, por mos u dorëzoni. Ne do të na keni në krahë kurdo që të kërkoni të drejtën tuaj”, tha Shehaj.

 

 

K.B/A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 10 Shkurt, 10:30

    Haga kërkon dënimin me 180 vite burg për ish-krerët UÇK, si e vlerësoni?