Egnatia, kampione e Shqipërisë dhe Dinamo si fituese e Kupës do përballen mbrëmjen e sotme në "Air Albania" për trofeun e Superkupës së Shqipërisë. Dy skuadra që kanë spikatur në sezonin aktual dhe në atë të kaluar do të zbresin në fushë me objektivin për të fituar trofeun dhe për ta përmbyllur vitin futbollistik me sukses. Superkupa nuk është thjesht një ndeshje finale, por një përballje prestigji dhe krenarie për të dy klubet.

Përpara ndeshjes folën disa nga protagonistët. Edlir Tetova, trajneri i Egnatias tha se shpreson që ndeshja të mbyllet brenda 90 minutave dhe trofeu të shkojë në Rrogozhinë.

"Shpresoj që ndeshja të vendoset brenda 90 minutave. Të dyja skuadrat kanë bërë një gjysmë kampionati të mirë. Kjo është kupë më vete. Ne kemi marrë masat tona, por mendoj më tepër te loja e bukur dhe e sigurt është që një ekip do fitojë. Në këtë ndeshje vijmë të plotë, skuadra është përgatitur mirë, presim që ta shijojmë", tha mes të tjerash Edlir Tetova.

Ndërkohë, mesfushori i Dinamos, Klevi Qefalija tha se ekipi vjen nga fitorja në derbin kundër Partizanit dhe shpresojnë që të marrin Superkupën.

"Atmosfera është shumë e mirë, vijmë nga fitorja në derbin me Partizanin. Është një atmosferë pozitive. Presim me padurim të luajmë në këtë finale dhe sigurisht që do japim më të mirën për të fituar ndeshjen. Egnatia është një skuadër cilësore, e ka treguar dhe me rezultatet që ka marrë. Është një skuadër e fortë, por dhe ne jemi të fortë", tha mesfushori i Dinamos.