Në kuadrin e luftësh shumëfrontëshe për të zaptuar çdo institucion të këtij shtetittonë pseudo-demokratik, një ndër betejat e mazhorancës qeverisëse është edhe ajo për zëvendësimin e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, brenda Nëntorit të vitit 2012. Arsyet për këtë betejë të iniciuar prej Kryeministrit për shkarkimin e kryeprokurores, të cilit po i mban ison edhe Presidenti Nishani, mund të thuhet janë politikisht banale dhe sigurisht shqetësuese, duke konsideruar dy fakte: së pari sepse Ina Rama u përzgjodh, u emërua dhe u mbështet fuqishëm nga vetë kryeministri dhe mazhoranca në vitin 2007, dhe së dyti pasi mandati kushtetues i Znj. Rama mbaron vetëm 5 muaj më vonë (në Maj 2013) dhe nuk ka asnjë shpjegim të logjikshëm se përse po nxitohet mazhoranca që ta heqë e ta zëvendësojë me ndonjë tjetër Silvia Konti apo komisar Katani. Kulisat e prapaskenat politike besoj se janë të parëndësishme, teksa duhet të konsiderojmë që shkarkimi i Znj. Rama është kryekëput i jashtëligjshëm dhe në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe normave ndërkombëtare të së drejtës.
 
Shkurtimisht duhet shpjeguar se kryeprokurorja u emërua në këtë pozicion në Nëntor të vitit 2007, në një moment kur Kushtetuta nuk parashikonte asnjë afat kohëzgjatjeje për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Me ndryshimet kushtetuese të cilat hynë në fuqi në Maj të vitit 2008, pozicioni i Prokurorit të Përgjithshëm u kufizua me mandat 5-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje. Ajo që mazhoranca thotë sot është se mandati i Ina Ramës si Prokurore e Përgjithshme duhet përllogaritur si i kufizuar (me 5 vjet) që prej Nëntorit 2007, duke pretenduar se ndryshimet kushtetuese të 2008-ës kanë një efekt prapaveprues, pra aplikohen duke udhëtuar prapa në kohë, ndonëse kjo nuk parashikohet në amendamentin kushtetues. Për këdo që merr sadopak erë nga ligji dhe parimet juridike është tejet i qartë fakti se prapaveprueshmëria e ligjeve nuk është e lejueshme a priori në sferat e juridiksionit penal, civil apo publik, me përjashtim të rastit kur dispozita me efekt prapaveprues sjell pasoja pozitive mbi shtetasit, pra subjektet e ligjit përfitojnë prej retroaktivitetit që ligji parashikon. Kuptueshëm, verdiktin final për çështjen në fjalë do ishte mirë ta jepte Gjykata Kushtetuese dhe jo juristët e qeverisë, duke pasur parasysh edhe që ndërkombëtarët kanë qënë konfuz apo të vagët në qëndrimet e tyre.

Arsyet për moslejimin e efekteve prapavepruese të legjislacionit janë lehtshëm të kuptueshme dhe shpjegueshme; në mënyrë që ligjet të kenë qëndrueshmëri, që sistemi ligjor të jetë i parashikueshëm, dhe që personat fizikë e juridikë të kenë mundësinë ta njohin, ta kuptojnë dhe ta zbatojnë ligjin, ky i fundit nuk mund të udhëtojë pas në kohë e të ketë efekt mbi ngjarje të cilat kanë ndodhur kur ky ligj nuk kishte hyrë në fuqi. Moslejimi i prapaveprueshmërisë së ligjit i pengon rrugën arbitraritetit shtetëror dhe i mundëson individit (apo institucionit kushtetues, në rastin tonë) që të ushtrojë liritë dhe të drejtat e veta, dhe ky parim është i rrënjosur thellë në revolucionin juridik që pasoi Rilindjen Europiane, dhe në elementët konceptualë të kontratës sociale prej nga e cila buron dhe vetë shteti ligjor. Vetëm sistemet totalitare (si për shembull Revolucioni Komunist Rus i 1917-ës apo Gjermania Naziste) kanë ndërmarrë nisma ligjore për të eleminuar parimin e mos-prapaveprimit të ligjit, kuptueshëm me synimin për të ndëshkuar kundërshtarët politikë të sistemeve respektive.

Ndërsa në epokën moderne, prej vitit 1945-së e më tej, të gjitha vendet e civilizuara e ndalojnë rreptësisht aplikimin ex post facto (pra, pasi fakti/ngjarja ka ndodhur) të dispozitave kushtetuese dhe normave të tjera juridike.

Në dukje, duke konsideruar morinë e shkeljeve që i bëhen ligjit në Shqipëri, sa më lart mund të konsiderohet si një gjë tepër e vogël, por në thelb është një kërcënim i hapur e i rëndë për rendin kushtetues dhe çdo individ e çdo institucion që pretendon të mbrohet prej dispozitave të Kushtetutës dhe ligjeve që rrjedhojnë prej saj. Me këtë makinë të kohës juridike në dorë, duke aplikuar logjikën prapavepruese, asgjë nuk e ndalon shumicën që NESËR të miratojë ligje që ndëshkojnë veprimtari të cilat SOT janë tërësisht të ligjshme, dhe shtrirja e potencialit abuzues nga një mazhorancë në këtë rast do të ishte e pafundme, duke pasur parasysh që ky kryeministër e kjo qeveri nuk ka komplekse dhe ka bërë e do bëjë ç'është e mundur për të intimiduar kundërshtarët, uzurpuar institucionet dhe për të ruajtur pushtetin.

(ad.ti/shqiptarja.com)