'Zgjedhorja', Bylykbashi: PS s'do identifikim biometrik! Gjiknuri: Debat artificial! Hajdari: Sistemi danez diskutohet mbledhjen tjetër

TIRANË-Ka zgjatur 4 orë mbledhja e Këshillit Politik që nisi në orën 17:00, ku palët kanë arritur të gjejnë konsensus për sistemin e monitorimit të kamerave dhe praninë e policisë në zgjedhje, ndërsa nuk u dakordësuan për identifikimin biometrik dhe emërimin e drejtorit të policisë së shtetit nga një qeveri kujdestare. Qeveria transitore është kusht i opozitës, por i refuzuar prerë nga kryeministri Rama se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. 

Debat të fortë ka pasur për identifikimin biometrik, ku sipas Oerd Bylykbashit dhe Rudina Hajdarit kjo nuk u pranua nga PS. Bylykbashi tha se identifikimi biometrik është garancia e vetme që vota nuk do të falsifikohet.

"Mazhoranca nuk është e gatshme të fusë identifikimin biometrik në qendrat e votimit të mos ketë votim familja,votim në emër te emigrantëve që s'kanë ardhur kurrë në Shqipëri dhe që komisionarët të mos mbushin kutitë me vota të rreme", tha Bylykbashi, ndërsa për Gjiknurin "debati në lidhje me përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje është artificial".

Ndonëse Rudina Hajdari u shpreh optimiste për ndryshim sistemi duke thënë se në takimin e radhës do të diskutohet për sistemin danez, mazhoranca e tha prerë që diçka e tillë nuk është prioritet.  

"Kur të miratojmë kodin zgjedhor do të merremi në një moment të dytë me sistemin zgjedhor" tha Gjiknuri.

Synimi i vendosur nga vetë palët politike për të përmbyllur reformën zgjedhore brenda 31 majit, por edhe rritja e presionit ndërkombëtar dhe sidomos SHBA që kjo reformë të mbyllet brenda muajit, ka intensifikuar takimet e Këshillit Politik. Takimi i radhës do të mbahet nesër në orën 11:00 ku pritet që diskutimi të fokusohet sërish në identifikim biometrik dhe sistemi danez të kërkuar nga Hajdari.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:14
Varhelyi bisedë me Hajdarin: Mbështes punën e saj, adresoni rekomandimet e ODIHR-it në reformën zgjedhore

Menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Politik për reformën zgjedhore, Rudina Hajdari ka pasur një bisedë me Komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi. Ka qenë vetë Varhelyi që ka bërë të ditur detajet e takimit ku ka theksuar se ka mbështetur punën e bërë në këtë këshill. Ai tha se adresimi i plotë i të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR është thelbësore për Shqipërinë dhe integrimin e saj.

"Pata një diskutim të mirë sonte me Rudina Hajdarin në rolin e saj si bashkëkryetare e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore për të shprehur mbështetje për punën në vazhdim. Reforma zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR janë thelbësore për Shqipërinë dhe përparimin e saj në integrimin në BE", shkruan Varhelyi.

Ora 21:47
Yuri Kim: Zgjedhorja po bën progres, besoj se palët politike do marrin vendime të zgjuara

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, ka reaguar me shpejtësi pas mbledhjes 4-orëshe të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore. Vetëm disa minuta pas fjalës së Damian Gjiknurit, i cili foli i fundit pas përfundimit të takimit, diplomatja amerikane reagoi në rrjetet sociale duke shprehur kënaqësinë se reforma po bën progres. Ajo tha se i ka takuar të gjithë përfaqësuesit e palëve në ulëset e tryezës dhe ka besim se ata do të marrin vendime të zgjuara. Në fund, Kim pati edhe një falenderim për Hajdarin, Gjiknurin, Bylykbashin dhe Vasilin.

"E lumtur të dëgjoj se Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore ka bërë më shumë progres. Kam takuar të gjithë anëtarët  dhe besoj se ata do të marrin vendime të zgjuara. Faleminderit që vendosët të ardhmen e Shqipërisë të parën!", ka shkruar Kim.

Postimi i Yuri Kim
Ora 21:36
Gjiknuri: Përfshirja e teknologjisë debat artificial! Asnjë vend në botë s'ka model policie vetëm për zgjedhje

Përfaqësuesi i mazhorancës në Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri pas mbledhjes prej 4 orësh tha se palët ranë dakord për vendosjen e kamerave, por ka akoma debat artificial për sa i përket përfshirjes së teknologjisë në zgjedhje. Ai ka theksuar se asnjë vend në botë nuk ka model policie për zgjedhje, pasi ai është një organ meritokratik.

“Sot kishim mbledhjen ku u trajtua roli i policisë, parandalimi i krimit zgjedhor, masat ekstreme që kërkon opozita përfshirë edhe kamerat. Kemi debat edhe për përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje. Ne kemi rënë dakord për votim elektronik në zgjedhje. Kërkohet identifikimi i zgjedhësve dhe përfshirja ku është e mundur të votimit dhe numërimit elektronik. Ne duam, por ODIHR thotë se teknologjia duhet të përfshihet gradualisht dhe në mënyrë të qartë. Nuk është çështje dëshire, por duhet parë. Jemi dakord për teknologjinë, por zgjedhjet nuk mund të vihen në diskutim, është apo jo teknologjia. Uroj që kjo të mos përdoret si sebep.Për praninë e policisë në zgjedhje, nuk ka model që të ketë drejtor policie për zgjedhje. Policia nuk është vetëm organ i përkohshëm për zgjedhje, ka misione të tjera, është organ meritokratik, ka misione ndërkombëtare. Kemi rënë dakord për hapje të kutive normalisht, monitorimi i qendrave të votimit me kamera etj. Por ne nuk kemi dhënë dot garanci 100%. ODIHR ka kthyer përgjigje e thotë se rekomandohet se teknologjia nuk duhet më shumë se 10% e duhet bërë shkallë shkallë. Por edhe votimi tradicional njihet nga ndërkombëtarët”, tha Gjiknuri.

Në lidhje me depolitizimin e zgjedhjeve, Gjiknuri u shpreh se maxhoranca ka rënë dakord për këtë pikë, por opozita kërkon përfaqësues politik.

“Ne jemi për depolitizim të administratës zgjedhore. Mirëpo, opozita u tërhoq, dispozitat janë gati. Ka vend edhe për propozimet që ka dhënë opozita. Besoj se kemi formulë alternative kompromisi. Por jo çdo dëshirë mund të kthehet në realitet. Hajdari e të tjerë kanë sjellë çështje të ndryshme. Ka një formulë alternative kompromisi, por jo çdo listë dëshirash do të kthehet në detyrë. Çështja e sistemit do të lihet pas miratimit të Kodit Zgjedhor. Megjithatë, nëse të gjitha partitë bien dakord për një sistem atëherë jemi dakord”, u shpreh Gjiknuri.

Ora 21:22
Hajdari: Kërkova të diskutonim për sistemin danez në takimin e radhës

Rudina Hajdari tha se ka kërkuar që në takimin e radhës të diskutohet sistemi danez.

"Nuk pati diçka konkrete pasi nuk bie dakord për numërimin biometrik dhe teknologjia e numërimit është i rëndësishëm. Mendojmë që neser do të nisim sërish me këtë pikë. Bëra një kërkesë ndaj ekspertëve dhe ODIHR që të bëjnë një pasqyrim të sistemit danez dhe patëm një konsensus për këtë. Ndryshimi i sistemit apo minimumi hapja e listave duhet të jetë çështja kryesore e reformës pasi të tjerat do të jenë arnime të vogla", tha Hajdari

Ora 21:21
Bylykbashi: PS nuk ra dakord me identifikimin biometrik, e vetmja që garanton votën

Përfaqësuesi i PD, Oerd Bylykbashi tha se nuk ka pasur dakordësi për dy çështje kryesore që garantojnë votën atë të identifikimit biometrik dhe sistemin pilot të votimit, që shmang votat e falsifikuara.

"U diskutua një  çështje më të rëndësishme për fat të keq sot doli qartë se mazhoranca nuk është e gatshme të ecë në këtë drejtim të fusë identifikimin biometrik ne qendrat e votimit të mos ketë votim familjar, votim në emër te emigrantëve që s'kanë ardhur kurrë në Shqipëri dhe që komisionarët të mos mbushin kutitë me vota të rreme. Nesër në orën 11:00do të mblidhet sërish Këshilli Politik dhe shpresojmë që mazhoranca të vij me propozime konkrete të identifikimit biometrik dhe të ketë një sistem pilot për votimin dhe numërimin elektronik dhe kjo të dal si një detyrim për KQZ dhe qeverinë që të mos manipulohen zgjedhjet. Po nuk u bënë këto të dyja nuk kemi garanci që nuk do të ketë vota të falsifikuara në zgjedhje. Identifikimi biometrik është thelbësisht i lidhur me marrëveshjen e administratën zgjedhore ku zgjedhësi voton, vota  e tij numërohet dhe nuk ka manipulime. SPAK duhet të jetë institucioni i vetëm që heton korrupsionin zgjedhor, sigurisht që nuk patëm dakordësi për propozimin e  policisë. Identifikimi biometrik dhe sistemi pilot i votimit duhet të jenë të shkruara me garanci në kodin zgjedhor. Ne jemi të gatshëm që të qëndrojmë me orë të tëra për të përmbyllur reformën, por pa këto dy çështje nuk ka garanci", tha Bylykbashi.

Ora 20:16
Pas 3 orësh palët politike dakordësohen për praninë  e policisë në zgjedhje dhe vendosjen e kamerave

Në mbledhjen e Këshillit Politik duket se të gjitha palët janë dakordësuar  për praninë  e policisë në procesin zgjedhor dhe vendosjen e sistemit të monitorimit me kamera të gjitha qendrat e votimit. Sipas gazetares së Report Tv, Klesiana Omeri palët kanë bërë një pushim të shkurtër dhe janë rimbledhur sërish për të diskutuar në këtë pjesë të dytë rolin e prokurorisë në zgjedhje si dhe hetimin e krimeve zgjedhore nga SPAK.

Palët duket se kanë rënë dakord që të ketë prani të oficerëve të policisë gjatë gjithë procesit zgjedhor, por nuk kanë gjetur konsensus për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që për PD duhet të vendosjen e një ministri teknik 100 ditë para zgjedhjeve, që lidhet drejtpërdrejt me kushtin e saj për një qeveri transitore që do të organizojë zgjedhjet. Ky kusht është hedhur poshtë nga mazhoranca në mbledhje, por edhe nga veta kryeministri Rama në daljet e tij publike duke thënë se nuk do të pranohet.

Edhe vendosja e kamerave në qendrat e votimit dhe numërimit të votave është pranuara nga palët politike në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik për Zgjedhoren.

Ora 17:15
Mblidhet Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore! Hajdari, Gjiknuri, Bylykbashi e Vasili mbërrijnë në Pallatin e Kongreseve

Përfaqësuesja e opozitës parlamentare në Këshillin Politik të reformës zgjedhore, Rudina Hajdari, përfaqësuesi i mazhorancës Damian Gjiknuri dhe përfaqësuesit e PD-LSI, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili kanë mbërritur në pallatin e Kongreseve për të nisur takimin e radhës për diskutimin e reformës zgjedhore.

Ora 11:45
Varhelyi: Reforma zgjedhore duhet të përmbyllet pa vonesë, Basha: Vendimtar vullneti politik!

Rifillimi i punës për reformën zgjedhore, ku opozita u rikthye sërish në tryezë është përshëndetur edhe nga Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi. Në një status në në Twitter Varhelyi  thotë se ka folur me kreun e PD, Lulzim Basha, ku ka theksuar se përmbyllja pa vonesë e reformës zgjedhore është thelbësore për rrugën e Shqipërisë drejt BE.

"Bisedova për Lulzim Bashën sot, duke mirëpritur rifillimin e punës ndër-partiake për Reformën Zgjedhore në Këshillin Politik. Thelbësore për Shqipërinë dhe rrugën e saj drejt BE është që kjo reformë e rëndësishme të përmbyllet pa vonesë të mëtejshme, në përputhje me rekomandimet e marsit Këshillit të Europës", shkruan komisioneri në twitter.

Nga ana e tij, kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se vendimtare për përfundimin e reformës zgjedhore është vullneti politik.

"Bisedë shumë e frytshme me Komisionerin për Zgjerimin, OliverVarhelyi. E falënderova për mbështetjen e tij dhe theksova përpjekjet e Partisë Demokratike për të kontribuar për reformën zgjedhore. Nënvizova se vullneti politik është vendimtar si për ta përfunduar reformën, edhe për të garantuar zgjedhje demokratike, të lira nga shitblerja e votës dhe nga ndikimi i krimit të organizuar", shkruan Basha. 

Deri më tani palët kanë arritur konsensus për tre pika, për financimin e partive duke ulur financimin nga privati dhe rritur atë të shtetit, përfaqësimi gjinor ku 1 në 3 emrat në listë të jetë grua si dhe ndryshimi i periudhës zgjedhore.

Ora 11:38
OSBE kundër sistemit miks të depolitizimit të administratës zgjedhore? Borchardt: Kompromisi duhet të jetë konstruktiv, kujdes 7 pikat

TIRANE-Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt në prag të mbledhjes së sotme të Këshillit Politik kërkon nga palët që kompromisi që të gjejnë të jetë konstruktiv. Gjithashtu OSBE u rikujton edhe njëherë palëve në tryezë rekomandimet kryesore të ODIHR-it. Por përse vjen kjo deklaratë tani?

Një nga pikat kryesore të debatit politik është depolitizimi i administratës zgjedhore. PS-ja është pro depolitizimit të plotë, por PD-ja e kundërshton duke kërkuar një sistem miks, pasi akuzon se Edi Rama do të vendosë militantë. Kjo ka bërë që PS-ja të paralajmërojë lëshime. Damian Gjiknuri u shpreh dje se mund të lëshojë te pjesa e depolitizimit të administratës zgjedhore për të arritur konsensusin me PD-në.

Mund të ketë hapësirë për elementë shtesë kontrolli ku partitë që sot kanë akses në komision, të mund të kenë sy, vesh dhe të kenë të drejta të garantuara, gjë që besoj do ta mundësonte kompromisin” tha socialisti dje te Klan.

Paralajmërimi i arritjes së një konsensusi mbi këtë bazë, pra të një sistemi miks për depolitizimin duket se nuk i ka pëlqyer OSBE-së, që u ka kujtuar edhe njëherë palëve rekomandimet dhe faktin që duhet të ecin në rrugën e gjetjes së kompromiseve konstruktive.

Në fund të deklaratës, OSBE-ja thekson vijojmë të mbështesim dialogun për teknologjitë e reja të votimit dhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor, por këto dy cështje janë thuajse të pamundura, pasi palët përveç Rudina Hajdarit janë shprehur kundër ndryshimit të sistemit.

"Përgëzoj partitë politike shqiptare për rifillimin e dialogut për reformën zgjedhore dhe për marrëveshjet e arritura deri tani në Këshillin Politik, ku është vendosur dialog mes qeverisë, opozitës parlamentare dhe asaj jashtëparlamentare.

Ne po ndjekim me interes të veçantë përpjekjet e partive për kompromis për çështjet të cilat OSBE/ODIHR i ka vlerësuar si problematike për shumë vjet tashmë: depolitizimi i administratës zgjedhore, balanca gjinore në listat zgjedhore, ngritja e një strukture të posaçme për eliminimin e presionit ndaj administratës dhe të shpërdorimit të burimeve shtetërore, mekanizma më të fortë kundër krimit zgjedhor, kontrolli dhe transparenca e financimit të fushatës, transparenca e medias gjatë zgjedhjeve dhe dhënia fund e praktikës së të ashtuquajturave kaseta të gatshme. Njëkohësisht, reforma zgjedhore nuk duhet të dobësojë tërësinë e reformave të tjera të rëndësishme.

Unë i nxit të gjitha partitë në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore të vijojnë të ecin në rrugën e gjetjes së kompromiseve konstruktive dhe ta finalizojnë reformën zgjedhore, në të mirë të Shqipërisë dhe të aspiratave të saj për integrim.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe ODIHR-i do të vijojnë të ofrojnë mbështetje për përmbylljen e kësaj reforme të rëndësishme sa më shpejt, idealisht brenda 31 majit, sikurse janë zotuar partitë politike. Po ashtu, ne do të vijojmë të mbështesim dialogun për teknologjitë e reja të votimit dhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor" mbyllet deklarata.

Ora 10:34
Ambasadorja e SHBA-së i shkon në zyrë, Ruçi si rrallëherë i buzëqeshur: Folëm për 'Zgjedhoren' dhe drejtësinë e re

Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim vijon takimet intensive për të mbyllur në kohë Reformën Zgjedhore. Pas takimeve me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e PD-së Lulzim Basha dy ditë më parë, mesditën e sotme Yuri Kim shkoi në Kryesinë e Kuvendit ku bisedoi për rreth 60 minuta me Gramoz Ruçin.

Zyra e shtypit të Kuvendit njofton se takimi ishte me kërkesë të ambasadores amerikane, ndërsa ka publikuar edhe disa foto, ku Gramoz Ruçi si rrallë herë shfaqet i buzëqeshur.

Po sipas njoftimit, gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e reformës zgjedhore, të reformës në drejtësi dhe të procesit të integrimit europian të Shqipërisë, pas vendimit për çeljen e negociatave nga Bashkimi Europian.

"Suksesi i reformës zgjedhore dhe i reformës në drejtësi është jetik për ecjen përpara të Shqipërisë, zhvillimin e vendit, konsolidimin e demokracisë dhe suksesin e proceseve integruese" mësohet se ka theksuar Ruçi.

Report Tv mëson se përveç Ruçit, Kim takoi edhe kryetarin e Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja. Dy ditë më parë në takimin me kreun e PD-së, Kim kërkoi që reforma zgjedhore të mbyllet brenda afatit që politika shqiptare vendosi vetë, 31 maj.

Takimi mes Gramoz Ruçit dhe Yuri Kim
B.K.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • BIMBASHI BYLYKBASH: 29/05/2020 13:44

    O bimbashi bylykbash po hik mor mbetje turkoshak se jeni bo bajat more fundrina hajdut e kriminel komplet plera. Vetëm dërdëllisni vidhni vritni e dilni nëpër medjen këllir njē medje katran që popullit trurin i shplan. O popull i dashur shikoni se kush e ka medjen gjith drogmenët kapter injorant e fundrina jan pronar. Po mund ta quash prostitutën eni vasili medje ap qenin qen peka o kuje zez o ZOT O ZOT.

    Përgjigju
  • UKU: 28/05/2020 10:28

    Ky i ashtuquajtur keshill eshte nje zgjatim i pisllekut korruptiv qe pushtetaret@politikanet kane sajuar per te penguar reformen ne drejtesi@zgjedhore dhe asgje tjeter. Shihe o popull! Degjoje o popull! Si ne rrastin e votimit ne naten e 21-22 korrikut 2016 kur 140 deputetet kodoshe votuan se skishin nga tja mbanin dhe sonte ne darke ky keshilli politik do votoje ndryshimin e kodit zgjedhor. Pra investimi i USA eshte konkret dhe shpetimtar per popullin e drobitur shqiptar. Klasa e degjeneruar politike eshte ne shkallaren e parafundit duke zbritur me theqafje.

    Përgjigju
    • UKU MOMLIT: 28/05/2020 11:35

      Te lutem redaksi mos shkruaj UKU MOMLIT dhe jo vetem UKU:

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë