Përse një protestë lokale në Zvërnec ka vënë në lëvizje mediat, qeverinë dhe opozitën greke? Kjo është pyetja që ngriti të martën analisti Kreshnik Spahiu ndërsa lexonte reagimin e Athinës ndaj ngjarjeve në jug të Shqipërisë si shumë më tepër sesa një shqetësim për protestuesin e plagosur gjatë protestës së të shtunës.
I ftuar në emisionin “Studio Live” në Report TV, Spahiu argumentoi se pas alarmit të ngritur në Greqi fshihen interesa më të gjera politike, ekonomike dhe gjeopolitike që lidhen me rivierën shqiptare dhe investimin e planifikuar në Zvërnec.
Për Spahiun, shqetësues nuk është vetëm reagimi i Ministrisë së Jashtme greke, por mobilizimi i të gjithë spektrit politik dhe mediatik në Greqi rreth një proteste që ai e konsideron çështje të brendshme të Shqipërisë.
“Do të ishte e udhës që klasa politike shqiptare të kishte reaguar për një ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë. Mendoj se është e tepërt që Greqia të interferojë në një protestë, qoftë pro, qoftë kundër, dhe për më tepër që në këtë rast Greqia aludon edhe për pretendime territoriale. Është shumë e rëndë për Shqipërinë, që në vitin 2026, një shtet fqinj të marrë kurajon dhe të deklarohet për ngjarje politike që duhet të konsiderohet periferike. Është krejtësisht e papranueshme”, tha Spahiu.
Sipas tij, reagimi grek ka kaluar kufijtë e një deklarate diplomatike dhe është shndërruar në një qëndrim të koordinuar dhe arrogant të gjithë faktorëve politikë në vendin fqinj.
“Arroganca në të cilën është mobilizuar e gjithë klasa politike dhe e gjithë Greqia. E gjithë Greqia është në këmbë pro protestës së Zvërnecit, media është pro protestës, qeveria greke është pro protestës, opozita greke është pro protestës. Të gjithë faktorët politikë, përfshirë edhe Fredi Belerin, ngrenë pretendime për përgjakje të protestës apo minoritetit grek në një territor që ata pretendojnë se është i tyre. Kjo është e rëndë sepse është një ngjarje që nuk ka pse të frymëzohet dhe inspirohet nga Athina”, u shpreh ai.
Në analizën e tij, reagimi ndaj Zvërnecit nuk është një zhvillim i shkëputur, por vazhdimësi e tensioneve që kanë shoqëruar raportet mes Tiranës dhe Athinës në vitet e fundit, veçanërisht pas konfliktit politik për Himarën dhe arrestimit të Fredi Belerit.
“A është rastësi prononcimi i Greqisë për një ngjarje në Zvërnec? A është i rastësishëm iluminizmi që Greqia po i bën ngjarjeve që ndodhin nga Vlora e poshtë? Në politikë nuk ka rastësi. Kjo lidhet me tensionimin e konfliktit politik që ka qenë në Himarë në 5-6 vitet e fundit”, tha Spahiu.
Sipas tij, beteja për Himarën nuk kishte të bënte vetëm me drejtimin e një bashkie, por me kontrollin e një zone që ai e konsideron strategjike për të gjithë vijën bregdetare të jugut.
“Lufta për Himarën nuk ishte luftë për bashkinë por ishte një betejë për dominim perëndimor apo lindor, për një dominim gjeopolitik nga Vlora në Sarandë. Pse? Bashkia e Himarës, në ndarjen administrative, prek të gjithë bregdetin nga Vlora në Sarandë. Për këtë arsye, konflikti politik mes Shqipërisë dhe Athinës arriti kulmin në zgjedhjet në të cilat u arrestua Fredi Beleri”, deklaroi ai.
Spahiu lidhi reagimin ndaj protestës në Zvërnec edhe me investimin e planifikuar në zonë, ku janë përfshirë Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner.
Sipas tij, hyrja e një investimi amerikan në rivierën shqiptare ka ndryshuar interesat strategjike në rajon në një kohë që shërbimet inteligjente në rajon kanë shpenzuar miliona për të sabotuar zhvillimin e turizmit në Shqipëri
“Reaksioni ndaj Zvërnecit, ndaj investimit që ka ndërmjetës vajzën dhe dhëndrin e presidentit Trump, vjen sepse Greqisë i janë prerë shpresat njëherë e mirë. Në 35 vitet e fundit, shërbimet inteligjente rajonale që lidhen me Greqinë e Serbinë, kanë shpenzuar miliona euro për të sabotuar zhvillimin e turizmit në Shqipëri”, tha ai.
Analisti argumentoi se zhvillimi i turizmit shqiptar është kthyer në një faktor konkurrence rajonale dhe se pas investimeve në këtë sektor fshihen shpesh interesa më të gjera gjeopolitike.
“Zhvillimi i turizmit në Shqipëri është konkurrenca kryesore e Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe u kanë hyrë në pjesë. Shërbimet sekrete kineze, ruse apo serbe depërtojnë përmes investimeve në turizëm. Spiunazhi nuk vjen me kapele republike dhe syze të zeza. Spiunazhi, në 80% të rasteve vjen përmes investimeve turistike. Mesdheu është një pikë strategjike gjeopolitike për interesa të caktuara”, tha Spahiu.
Spahiu argumentoi se pikërisht hyrja e kapitalit amerikan në rivierën shqiptare është arsyeja kryesore pse protesta e Zvërnecit ka marrë jehonë kaq të madhe në Greqi.
“Futja e investimeve amerikane i pret shpresën e fundit këtyre shërbimeve në Adriatik dhe Jon. Prandaj Greqia ka qenë kaq e interesuar për ngjarjet e Zvërnecit”, përfundoi ai.
Komente











