Juristi Kreshnik Spahiu thotë se qeveria shqiptare dhe strukturat në varësi të saj nuk mund të justifikojnë shembjen e rrugës Librazhd-Pogradec vetëm si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, pasi veprat infrastrukturore nuk mund të jenë kaq delikate.
I ftuar në emisionin "Repolitix" me gazetarin Denis Minga në Report Tv, Spahiu ironizoi qeveritë shqiptare të cilat sipas tij në verë justifikojnë zjarret me temperaturat e larta, ndërsa në dimër justifikojnë përmbytjet me reshjet e shiut.
"Duket tërësisht joprofesionale dhe e papërgjegjshme justifikimi që zyrtarë të shtetit në verë justifikohen me diellin dhe vapën kur bien zjarret, në dimër me shiun. Kjo qeveri e Shqipërisë duhet të përgatitet për fatkeqësi natyrore, alternativa dhe infrastrukturë. Gjithë situata është që ne kemi një shtet pa vizion. Është e pafalshme që ne dalim pas 4 dekadash nga sistemi komunist dhe Enver Hoxha të ketë ndërtuar më shumë porte, aeroporte, ura etj., krahasuar me qeveritë e Nanos, Metës, Berishës, Ramës. Zyrtarët e shtetit duhet të marrin përgjegjësi, sepse në vitin 2026 çdo aks kombëtar duhet të ketë rrugë dytësore. Janë katandisur si në kohën e Ahmet Zogut, kur në vitin 1937 kishte linjë ajrore Korçë-Tiranë",- tha Spahiu.
Përveç korrupsionit, një arsye tjetër e cilësisë së ulët të veprave infrastrukturore në Shqipëri, për Kreshnik Spahiun është edhe niveli i ulët i profesionalizmit dhe ekspertizës së kompanive shqiptare që i kryejnë ato.
I ftuar në emisionin "Repolitix" me gazetarin Denis Minga në Report Tv, Spahiu tha se raste ai i dëmtimit të bypassit të sapo ndërtuar, pas shembjes së rrugës Librazhd-Pogradec, tregon se ka ardhur koha që shteti shqiptar të paguajë kompani të huaja ndërkombëtare dhe të kualifikuara në ndërtimin e rrugëve dhe veprave të tjera insfrastrukturore.
Juristi shprehet i bindur se për interesin publik është më e leverdisshme kontraktimi i një kompanie të huaj që mund të ketë kosto të lartë shërbimi, por që ofron garanci me disa dekada të punës së saj, se sa ndërtimi i rrugëve nga kompanitë shqiptare, të cilat po ashtu janë të kushtueshme, dhe cilësia e puinës së tyre është e ulët.
"A është Shqipëria e përgatitur me gjithë burimet financiare, njerëzore, teknike për një infrastrukturë për t’iu përshtatur ndryshimeve klimatike në të ardhur? Pa dyshim, korrupsioni është baza e uljes së cilësisë së punimeve, transparencës, shpërdorimit të fondeve etj. Problemi është që Shqipëria ka ardhur momenti të bëjë një bilanc të aftësive të veta, Shqipëria ka mungesë të theksuar të aftësisë. Ne po tregojmë paaftësi të thellë në infrastrukturë. Nëse krahasohemi me vendet fqinje, janë të pakrahasueshme cilësia e punimeve në krahasim me Shqipërinë. Ka ardhur momenti për një ndryshim të kuadrit ligjor për tenderat. Disa kompani shqiptare duhet t’i bëjmë përjashtim nga tenderat. Ose për shkak të korrupsionit ose për shkak të paaftësisë. Nëse Shqipëria ka kosto të larta në ndërtimin e rrugëve, duhet të listojë një numër të lartë kompanish të huaja. Më mirë një kosto më e lartë me një garanci për dekada shumëvjeçare",- tha Spahiu.
Komente











