Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se kauza kryesore për të cilën duhet të protestonte Partia Demokratike është rritja e çmimit të naftës.

Komentet Spahiu i bëri në një lidhje live për emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, ku tha se rritja e çmimit të naftës në Shqipëri, pavarësisht pasojave të luftës në Iran, është jashtë çdo logjike.

“Shqipëria ka nevojë për protestë. Tani vijmë se kush duhet të ishte kauza e parë që duhet të ishte për protestë. Çmimet. Në një kohë kur Shqipëria mban çmim rekord për naftën, a thua se në përplasje me Izraelin dhe Iranin ishte Shqipëria, apo sikur rubineti apo si ngushtica detare ishte në Sazan dhe jo në Iran. Dhe çmimi i parë që ngrihet, ngrihet në Shqipëri”, tha mes të tjerash Spahiu.

Më tej Spahiu tha se nëse opozita do të protestonte në bulevard për rritjen e çmimit të naftës, duhet të mbyllte makinat luksoze për 6 muaj dhe të lëviznin me biçikleta, në mënyrë që të sensibilizonin qytetarët.

“Por që kauza e opozitës të kishte mbështetje popullore për rritjen e çmimit të naftës, duhej që PD, liderët e saj, kryesia e saj, deputetët e saj, të mos dalin me makina 200 mijë euro para protestës, apo të mos shoqërohen në bulevard me bodyguardë, por ata të mbyllnin në mënyrë mediatike makinat për 6 muaj dhe të dilnin me biçikleta. Sepse shtëpitë e tyre janë 300 metra nga selia e PD-së apo 50 metra nga bulevardi. Cila është arsyeja që këta përdorin makina luksoze, kur është rritur çmimi i naftës 2-fish. Këta as në mënyrë simbolike nuk pranojnë”, vijoi më tej Spahiu.