Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë u mblodhën sot të thirrura nga kryetari Sokol Sadushi për të riparë vendimin unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e saj. Mbledhja e gjyqtarëve vjen në një moment kur prej muajsh po zhvillohet një debat për numrin e lartë të paraburgimeve në vend dhe një politike penale që shumë e shohin si represive, duke mos aplikuar vendime alternative ndaj mbajtjes të të pandehurve në qeli.
Juristi Kreshnik Spahiu në një lidhje live për emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, komentoi kritikat e kryedemokratit Sali Berisha ndaj Gjykatës së Lartë dhe kreut të saj, Sokol Sadushi lidhur me këtë çështje.
“Sadushi del me vendimin që ata që janë në paraburgim pa vendim të prerë, të dalin. Nga ky vendim përfitojnë me dhjetëra bosë të drogës, krerë të organizatave kriminale”, deklaroi mes të tjerash Berisha më herët ditën e sotme, pas mbledhjes së Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
Spahiu tha se Berisha është në konflikt interesi, pasi është i pandehur dhe sipas tij, nuk është e moralshme që të dalë dhe të analizojë punën e një gjyqtari.
“Berisha është në konflikt interesi. Nuk mundet të dalë një i pandehur publikisht dhe të analizojë gjyqtarin. Është tërësisht jashtë moralit politik dhe ligjor kjo çështje”, tha mes të tjerash Spahiu.
Më tej Spahiu tha se në Shqipëri në qelitë e paraburgimit janë kryesisht të varfërit dhe ata që ai i cilësoi si 'hajdutë të xhepave'. Ndërsa ata që ai i cilësoi si ‘hajdutë të xhepave të shtetit’, sipas Spahiut qëndrojnë të lirë.
Spahiu shtoi se në Shqipëri ka shumë vepra penale që janë të pandëshkueshme, mes të cilave përmendi evazionin fiskal (që në shtetet e Europës sipas tij dënohet rëndë).
“E dyta, një praktikë e hapur nga Gjykata e Lartë, edhe unë mendoj se ndonëse mund të jetë në kohën e duhur, nuk mendoj se do të sjellë ndonjë përfitim, sesa do të ishte një precizion dhe një amendim i kodit të procedurës penale. Duke qenë se kemi gjyqtarë që janë shumë agresivë në masat e paarsyetuara, atëherë do të ishte mirë që ligjvënësi të kishte vullnet politik për ndryshime më të cilësuara, të specifikuara, për të mbyllur çdo lloj interpretimi të zgjeruar gjyqtarit. Është e vërtetë që burgjet dhe paraburgimet në Shqipëri janë mbushur me të varfër. Kjo do të thotë se të gjithë hajdutët e xhepave në Shqipëri janë në burg dhe të gjithë hajdutët e xhepave të shtetit janë të lirë. Çfarë do të thotë kjo? Ka disa vepra penale në Shqipëri që janë të pandëshkueshme, si evazioni fiskal”, tha mes të tjerash Spahiu.
Komente










