Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se nëse nga protestat që po zhvillohen prej muajsh në vend do të dalë një kandidat që do të garojë në zgjedhjet lokale 2027 për Bashkinë Tiranë, atëherë sipas tij, PD do të dalë forcë e tretë ose e katërt në rezultate.
Komentet Spahiu i bëri në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ku tha se edhe nëse nga protestat do të dalë një kandidaturë për Tiranën, sërish PS do të fitojë zgjedhjet.
“Nëse protesta do prodhojë një kandidat për kryetar bashkie, unë sot ju parashikoj rezultatin e zgjedhjeve. E para del PS, e katërta del PD, vendi i dytë dhe i tretë luhet mes Arlind Qorit dhe kandidatit të protestuesve. Pse ndodh kjo? Sepse llogaria dhe matematika është shumë e thjeshtë. Në garën për Tiranën, PS ëndërron çdo mbrëmje që të ketë sa më shumë kandidatë. Dhe është dëshira më e madhe e PS që protesta të prodhojë një kandidat. Sepse PD nuk do pranojë kandidatin e protestës, për shkak se pretendon të ketë njeriun e saj. Nuk mund të mbështesë përfaqësuesin e një grupimi që kërkon ‘Rama n’burg, Berisha n’burg’. Dhe qartazi do kemi 4 kandidatë”, tha mes të tjerash Spahiu.
Për Spahiun, llogaria është e thjeshtë. PS do të marrë votat e saj tradicionale, ndërsa 3 kandidatët e tjerë, përfshi Arlind Qorin, do të ndajnë votat opozitare.
Kjo sipas Spahiut e bën të pamundur fitoren e kandidatit të dalë nga protestat dhe maksimumi që ai mund të arrijë, sipas tij, është në vendin e dytë, pra pas kandidatit të PS.
“Kandidati i PS merr votat që tashmë dihen dhe 3 kandidatët e tjerë do të ndajnë votat opozitare. Matematika është shumë e thjeshtë, që populli do të mbështesë protestën, një pjesë e madhe dhe mund ta çojë në numrin 2, por është e pamundur për të kapërcyer kufirin me PS-në, sepse janë PD dhe Arlind Qori rivalë. Unë kam bindje që protesta do prodhojë dhe duhet të prodhojë, edhe sikur të humbasë, pasi nuk mund të fitosh që në garën e parë, duhet patjetër që të dalë me listën e saj. Sepse në të kundërt do bjerë në hije dhe do asgjësohet”, shtoi Spahiu.








Komente
Komento