Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se protestuesit janë të papërgatitur për ndryshimin e sistemit dhe për nxjerrjen nga loja të kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Sali Berisha.

Në një lidhje për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, Spahiu tha se protestuesit nuk kanë një lider dhe një përfaqësi, që të mund të hynin në zgjedhjet e ardhshme.

Sipas Spahiut, i vetmi që përfiton nga rënia e Partisë Socialiste përmes protestave, është kryedemokrati Sali Berisha.

Teksa tha se një qeveri teknike nuk mund ta qeverisë vendin për një kohë të gjatë, Spahiu theksoi se protestuesit duhet të krijojnë partinë e tyre, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të kenë kandidatin e tyre për kryeministër.

“Dy partitë e para, që do të jenë në rezultat, do të jenë PS dhe PD. Në rast të një rënie të PS-së, sepse pas gjithë këtyre protestave padyshim që do të ketë rënie, e vetmja parti që përfiton është PD. Të gjithë ata që shpresojnë në një largim të Ramës apo në një rënie të socialistëve, duhet të jenë të ndërgjegjshëm që të kuptojnë që çdo lloj ndryshimi që do të ndodhë, do të duhet të hyjnë në koalicion me Sali Berishën. Se pushteti i ardhshëm do varet përsëri nga 2 njerëz. O do bësh aleancë për kryeministër Ramën, o aleancë për kryeministër Berishën.

Këta nuk nxjerrin parti. Këta nuk duan. Po rezistojnë që të mos bëjnë një forcë politike. Atëherë si do garojnë në zgjedhje? Se po dëgjoj disa përralla ‘qeveri teknike’. Shqipëria nuk mund të qeveriset me qeveri teknike. Qeveri teknike do të thotë të jesh i pazgjedhur. Duhet të jesh i manduatuar nga populli që të qeverisësh. Këta s’kanë një lider, një kryesi. Rama bën dorëheqjen. Gjen një vajzë bukuroshe e çon për 3 muaj në qeveri. Këta duhet të jenë të përgatitur të fitojnë jo një betejë, por luftën me qeverinë. S’po del dot askush në krye, sepse këta janë të gjithë kundër të gjithëve”, tha mes të tjerash Spahiu.


Lajmi kryesor:

Spahiu: Kush do e propozojë kryeministrin apo ministrat e qeverisë teknike dhe ku do votohen?