'21 Janari' në SPAK, Braçe: U thye muri që pengonte hetimet, drejtësia të nxitojë për zbardhjen e krimit shtetëror! As Enveri s’ka vrarë në mes të ditës

Vendimin e Gjykatës së Lartë që 21 janarin ta hetojë SPAK, deputeti socialist Erion Braçe e cilëson produkt të rëndësishëm të reformës në Drejtësi. Në emisionin “Frontline Interview” në Report Tv, Braçe pret që prokuroria e Posaçme ta hetojë në mënyrë të plotë atë që ai e quan ngjarjen më të rëndë që pas vitit 1990, duke tejkaluar madje edhe aktet kriminale të ish-diktatorit Enver Hoxha.

"Sot u thye muri që nuk lejonte hetimin e 21 janarit. Vendimi i sotëm hap i parë për ta çuar deri në fund këtë hetim", nënizoi tha Braçe.

Në një intervistë me Marsela Karapançon deputeti u shpreh se ky është një moment i mirë për drejtësinë që ta hetojë këtë dosje që për vite me radhë sipas tij drejtësia e vjetër është munduar që ta mbyllë.

"Mbi të gjitha jam shumë i kënaqur që në portretin e gruas së Aleks Nikës pashë një grimë buzëqeshje. Portreti i babait të tij është i njëjti portret i njëjti shqetësim, e natyrisht të dy bashkë janë në të njëjtën betejë atë për drejtësi. Impresioni i parë është për atë familje që vazhdon të luftojë për drejtësi. Nga ana tjetër është një moment i mirë për drejtësi. Sot është thyer në mënyrë të qartë muri që ishte ngritur që 1 orë pas ngjarjes së 1 janarit e deri tani muri që nuk lejonte hetimin e kësaj çështje.

Që pas vendimit të Strasburgut gjithçka ku duhet të referohen është ai vendim. Ai vendim nuk thotë thjesht se kjo ngjarje nuk është hetuar por sesi ky hetim është penguar dhe dëmtuar me qëllim. Sesi drejtësia është penguar gjatë gjithë kësaj periudhe. Kjo ka sjellë mungesën e drejtësisë për pushkatimet e 21 janarit. Në vëmendjen e të gjithëve duhet të jetë vendimi i gjykatës së Strasburgut. Aspekti i dytë akoma më i rëndësishëm është i pengimit të drejtësisë një tjetër vepër shumë e rëndë që ngarkon me përgjegjësi maksimale qeverinë e Sali Berishës dhe të gjithë hierarkinë ekzekutive të asaj qeverie të angazhuar në pengimin e drejtësisë gjatë kohës që ishte në pushtet por edhe pasi ishte në pushtet."

Tashmë pas 13 vitesh. Braçe thotë se SPAK ka mundësinë ta hetojë çështjen në mënyrë të drejtë, të barabartë dhe efektive. Duke iu referuar edhe vendimit të Gjykatës së Strasburgut, Braçe thotë se drejtësia duhet të nxitojë që të zbardhë rolin e vërtetë të zinxhirit që nga Sali Berisha e deri te pushkatari i 4 personave. 

"Dëgjova sot të shqetësuar avokatin e Berishës të thoshte se vendimi i Strasburgut nuk është detyryar. Natyrisht që ai duhet të shqetësohet për klientin e tij ama vendimi i Gjykatës së të drejtave europiane është udhëzues. Për veprat penale të vrasjes me dashje, të përfshirjes së zinxhirit komandues, shkon te kryeministri, te ministri i brendshëm e me radhë…

Duhet të jetë hetimi që përcakton zinxhirin komandues. Jemi në momentin që spak ka të gjithë mundësinë ta hetojë këtë çështje në mënyrë të drejtë të barabartë. Unë u referohem dy vendimeve. Të Strasburgut dhe të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë. Duhet të nxitojnë, opinion publik është i ngarkuar tej mase me këtë histori e mbi të gjitha është i acaruar që për ngjarjen më të rëndë me katër të pushkatuar në mes të bulevardit nuk ka ndodhur as në kohën e fashizmit. As Enver hoxha s’ka vrarë në mes të ditës në bulevard. Për ngjarjen më të rëndë nuk ka pasur drejtësi".

Bazuar edhe në vendimin e Strasburgut, deputeti socialist akuzoi se shteti asokohe dëmtoi me qëllim provat e ngjarjes së 21 janarit.

“Ata që vranë s’kanë bërë asnjë ditë burg. Audiopërgjimi dëshmon qartë urdhrin. Plumbi që doli nga koka e Aleks Nikës është dëmtuar në policinë shkencore të kohës.”

Drejtësi, Braçe pret edhe për Gërdecin, por sipas tij zvarritja e çështjes, është zhgënjyese.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:32
Negociatat PS-Rithemelimi, Braçe i prerë: Nuk votoj komisione hetimore për çështje në hetim nga SPAK

Gazment Bardhi në tryezën e konferencës së kryetarëve ka dakordësuar me mazhorancën në parim ngritjen e 2 komisioneve hetimore konkretisht për koncensionet në shëndetësi dhe për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi Tims në këmbim të shuarjes së kaosit.

Por deputeti i PS Erion Braçe i ftuar në “Frontline Interview” në Report Tv tha se nuk do të votojë në parlament për asnjë komision hetimor që është nën hetim nga SPAK.

“Komision hetimor parlamentar për çështje nën hetim nga SPAK, unë nuk votoj në sallën e Parlamentit. Për të tilla komisione parlamentare s'kam ndërmend të votoj. Nuk ka asnjë gjasë që Parlamenti të zëvendësojë rolin e SPAK. Ta harrojnë”, tha Braçe.

Ora 19:13
'21 Janari, krim i përbindshëm! ' Thirrja e Braçes: Eshtë momenti për të dorëzuar prova, besimi tek SPAK duhet të jetë maksimal

 

Foto: Erjon Braçe në studion e ‘Frontline Interview’

Nga studio e në ‘Frontline Interview’ në Report Tv deputeti socialist Erjon Braçe I drejtoi dhe një apel të gjithë atyre që kanë qenë dëshmitarë të 4 vrasjeve të 21 janarit 2011 të mos hezitojnë por të dorëzojnë provat tek SPAK.

“Tani është momenti për të dorëzuar prova. Ajo kaseta që qarkullon dëshmon qartë. Ka të tjerë që s’kanë pse mbajnë mbi kurriz barrën e përgjegjësisë së zhdukjes së provave. Një njeri që ka pastruar serverin nuk ka mbajtur provën e tij?! SPAK nuk është prokuroria e Tiranës por institucioni më i mbrojtur, më i mbështetur dhe më i financuar në Shqipëri. Pra nuk blihet fare lehtësisht nga politika. Është i monitoruar nga ndërkombëtarët për të mos lejuar cedimin. Besimi në SPAK duhet të jetë maskimal.

Braçe thotë se ndryshe nga drejtësia e vjetër që urdhërohej nga Berisha tani i takon SPAK dhe GJKKO-së të vendosë drejtësinë mbi atë që e quan krim të përbindshëm

Prokuroria e Tiranës është fakt që nuk ka bërë asgjë. Pse kjo s’ka bërë asgjë bëni përgjegjës mua dhe PS?! Ka tallur cdo gjë me ato letrat që I dërgonte lart e poshtë.. kur është fakt që plumbi që dol nga koka e Aleks Nikës është dëmtuar në policinë shkencore. Këtë ta thotë vendimi i Strasburgut. Gjyqtarët nuk janë më në kohën e Sali Berishës që pasi urdhëroi ai thanë që kjo është vrasje nga pakujdesia. Sa kohë që kërkon drejtësi të pavarur mos na bëni përgjegjës ne.

Janë këta zinxhiri komandues? Ta provojë gjykata e hetimi. Sot nuk ka vlerë gjykimi im politik por aktet juridike. Drejtësia të japë një vendim të pandikuar nga politika apo emocionet e të gjithëve. Të gjithë të jenë përgjegjës e të marrë fund pandëshkueshmëria për një krim të përbindshëm që është tentuar të fshihet në harkun e 13 viteve

Ora 19:07
'21 janari', Braçe: Në 13 vite drejtësia s’ka bërë asgjë për autorët e krimit shtetëror, të nxitojë! Hetimi t’i përcaktojë nga Berisha te pushkatarët

Deputeti i PS Erion Braçe në ‘Frontline Interview’ në Report Tv u shpreh se në 13 vite drejtësia s’ka bërë asgjë për të shkuar te autorët e 21 janarit. Tashmë që është e lirë të hetojë pas kaq shumë vitesh, Braçe tha se duhet të nxitojnë për të zbardhur autorët e krimit që ai e quan shtetëror.

Pyetje: Sa ka bërë drejtësia për 21 janarin në 13 vite?

Braçe: Për të shkuar te autorët e krimit shtetëror siç thotë gjykata e Strasburgut, drejtësia nuk ka bërë asgjë. Prokurorët janë investuar ta mbyllin këtë çështje e ta varrosin këtë çështje. Vendimi i sotëm hap i parë për ta çuar deri në fund këtë hetim. Asnjë institucion i së drejtës nuk është investuar për drejtësi por që ta mbyllin me sa më pak dëme. Unë pres të hetohet në mënyrë të plotë i gjithë krimi i 21 janarit.  Duhet të jetë hetimi që përcakton zinxhirin komandues. Hetimi t’i përcaktojë nga kryeministri deri te pushkatarët

 

Ora 18:55
Braçe: '21 janari' ngjarja më e rëndë në demokraci, kërkon një përgjigje të qartë nga drejtësia

21 janari është ngjarja më e rëndë në demokraci dhe kërkon një përgjigje të qartë nga drejtësia. Kështu deklaroi deputeti i PS Erion Braçe në ‘Frontline Interview’ në Report Tv.

“Ka pasi një  kallëzim, por dosja nuk ka qenë asnjëherë në SPAK. Prokuroria e krimeve të rënda e kaloi në prokurorinë e Tiranës. Kjo e fundit sipas Strasburgut s’ka bërë asgjë për ta hetuar këtë çështje nga a te zh. Tani gjykata e lartë urdhëron SPAK që të kryejë hetime të plota dhe gjithëpërfshirëse në referencë për atë ngjarje që është më e rënda në demokraci dhe që kërkon përgjigje të qartë nga institucionet e drejtësisë.”

Ora 18:54
'Na vranë!', Braçe tregon përjetimet nga 21 janari: Një miku im më mori në telefon, ndërkohë që dëgjoheshin krisma

 

Deputeti Erion Braçe tregoi në 'Fronltine Interview' përjetimet nga 21 janari, ku ai ishte në bulevard. Braçe tregoi se një miku i tij e mori në telefon dhe i tha se na vranë.

'Unë kam qenë përballë kryeministrisë. E kam mësuar në kohë reale vrasjen e protestuesve. Kam qenë me një grup burrash dhe djemsh nga Berati. Kishim ardhur 2000 njerëz nga Skrapari dhe Berati. Pa fund postblloqe rrugës . Edhe këtu në hyrje të Tiranës. Kemi hyrë ndër të fundit.

Dhe e kam marrë vesh kur një tjetër mik i imi më merr në telefon dhe më thotë na vranë. Ndërkohë që dëgjoheshin krisma. Kam qenë në vijë të drejtë me pemën ku u vra Hekuran Deda. Rrugës kur po vija gazetari i Top Channel, Marin Mema më thoshte të pres për intervistë pranë kryeministrisë. Dhe në atë moment më merr në telefon miku im dhe më tha që vranë Sokratin. Kishte një plumb në kraharor. I jam shumë mirënjohë doktor Kapidanit në QSUT që u mor me të dhe i shpëtoi jetën. Dhe disa persona të tjerë që u morën me sigurinë e tij.

Jam qetësuar të nesërmen kur Sokrat Gode u nis për Berat. Është ngjarja më e rëndë e jetës sime. Jo thjesht në politik, por edhe më gjerë. Edhe jam pafund i interesuar që për këtë ngjarje të bëhet drejtësi sa më parë. Është ngjarje e ndryshme nga 26 maji i 96’, kur ishte akti ndaj meje. Këtu kisha përgjegjësi ndaj 2000 njerëzve që kishin ardhur dhe kisha përgjegjësi t’i ktheja shëndosh e mirë. Dhe një javë më pas erdhën po aq në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ ata të katër që u pushkatuan pa gjyq.', tha Braçe.

B.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Or tej: 12/03/2024 23:30

    Enveri te varte ne shesh sapo ta kaloje ne mendje qe do kaperceje gardhin e kryeministrise or teeeejjjjj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë