TIRANË- Saimir Tahiri përfundon në burg. Ish-ministri i Brendshëm erdhi në sallën e gjyqit të Apelit të GJKKO në këmbë si në dhjetëra seancat e kaluara, por këtë herë nuk u kthye me makinën e tij në shtëpi, por me pranga në duar u transferua në Drejtorinë e Policisë Tiranë e më pas u dërgua më godinën nr. 2 në burgun ‘313’ në Tiranë, ku do të vuaj dënimin. Pas një seance maratonë ditën e sotme, të nisur prej orës 09:00 të mëngjesit, Gjykata e dënoi Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 3 vite e 4 muaj burgim.  

Apeli i GJKKO la në fuqi kështu vendimin e Shkallës së Parë, duke e ‘shpëtuar’ ish-ministrin nga akuzat më të rënda “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’, por jo nga qelia! 3 gjyqtarët e Apelit prishën vetëm një nen të vendimit të kaluar, atë të kthimit të dënimit në ‘shërbim prove’ duke bërë që ish-ministri të parashikojë 40 muajt e ardhshëm në burg. Sigurisht ai ka 45 ditë afat për ta apeluar vendimin në Gjykatën e Lartë por ‘urdhri’ i Apelit është i formës së prerë dhe i zbatueshëm që në këto momente.

Në argumentimet e vendimit, Apeli i GJKKO nënvizon se rezulton se Tahiri ka lidhje me Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj dhe këto lidhje kanë ndikuar që grupi kriminal të infiltrohet në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit dhe kanë krijuar pasoja të drejtpërdrejta, vështirësi dhe pengesa në drejtim të luftimit të veprimtarie kriminale. Kjo ka ndikuar sipas gjykatës në vazhdimësinë dhe ushtrimin e suksesshëm të aktivitetit kriminal të trafikut të narkotikëve me Moisi Habilaj e të tjerë në kuadër të një organizmi kriminale me këtë veprimtari. Gjyqtarët kanë arritur në përfundimin se nuk janë marrë masat e duhura për ti dhënë efiçencë të plotë strukturave më të lartë drejtuese të drejtorisë vendore të policisë Vlorë për parandalimin dhe zbulimin e këtyre veprave penale të evidentuara dhe në kundërshtim me ligjin. Sipas Gjykatës Tahiri provohet se ka përfituar nga Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj për përfitime të padrejta dhe njëkohësisht shpërdorimi i detyrës duke dëmtuar interesat e shtetit.

Vendimi i sotëm ishte parashikuar që të shpallej që në orën 13.00 por gjyqtarëve iu deshën edhe 4 orë më shumë për të arritur në përfundim. Kujtojmë se në seancën e kaluar, më 31 janar, SPAK kërkoi 12 vite burg për Tahirin.

Tahiri u akuzua që prej fillimisht për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Akuza e argumentuar nga prokuroria ishte për përfshirjen e ish-ministrit në 4 episode trafikimi droge nga 2013-2015, por pa dhënë detaje për rolin konkret të tij. Vetë Tahiri reagoi me një postim në facebook pas dënimit duke e cilësuar të padrejtw dhe se i vinte keq që ndodhi në këtë mënyrë.

"Ju dua shumë të gjithëve! Më vjen keq që shkoi kështu. Jam moralisht i qetë, nuk kam shkelur kurrë ligjin, kam dashuruar çdo ditë të punës sime, jam i lumtur qe kam bërë detyrën siç më mirë munda. Është thjeshtë PADREJTESI", shkruan Tahiri.

Kujtojmë se vendimi më 28 shtator i Gjykatës së Lartë e rikthye për rigjykim çështjen me trupë të re drejtuese. Tahiri u dënua nga ish Gjykata e Krimeve të Rënda për 'shpërdorim detyre', por dënimin ia konvertoi 3 vite shërbim prove, ndërsa Apeli i posaçëm e prishi vendimin dhe e ktheu për rigjykim në Shkallën e Parë. Më pas ish ministri bëri rekurs dhe dhoma e këshillimit e Gjykatës së Lartë e ka pranuar për ta gjykuar duke e rikthyer në Apelin e GJKKO. 

Gjykata parashtron këto argumente për dënimin e Saimir Tahirit:

1.Në ngarkim të Saimir Tahirit rezulton lidhje e qëndrueshme në kohë dhe e dokumentuar me prova me të pandehurin Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj.

2. Lidhje të tilla të pashpjegueshme me ministrin e Brendshëm që janë të njohura në komunitetin e funksionarëve vendor dhe qendror kanë krijuar premisë më të favorshme për infiltrimin e grupit kriminal në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit me pasojë të drejtpërdrejtë vështirësi dhe pengesa në drejtim të luftimit të veprimtarie kriminale.

3.  Shoqëruar në të njëjtën periudhë edhe me bashkëpunimin në një shkallë të lartë të një numri punonjësish policisë së shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese

4. Shoqëruar në të njëjtën kohë me vazhdimësinë dhe ushtrimin e suksesshëm të aktivitetit kriminal të trafikut të narkotikëve me Moisi Habilaj e të tjerë në kuadër të një organizmi kriminale me këtë veprimtari.

5. Gjykata ka konstatuar dhe mban në vëmendje shkallën e lartë të veprimtarisë së aktiviteteve të paligjshme furnizues me lëndë narkotike që në vlerësimin e  gjykatës krijon lidhjen e drejtpërdrejtë të mosveprimit në mënyrë të paligjshme të autoritete shtetërore dhe pasojat kriminale të ardhura.

6. Gjykata ka konkluduar se nuk janë marrë masat e duhura për ti dhënë eficenses të plotë strukturave më të lartë drejtuese të drejtorisë vendore të policisë Vlorë për parandalimin dhe zbulimin e këtyre veprave penale të evidentuara dhe në kundërshtim me ligjin.

7. Gjykata ka konkluduar se i pandehuri Saimir Tahiri provohet se ka përfituar nga Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj për përfitime të padrejta dhe njëkohësisht shpërdorimi i detyrës duke dëmtuar interesat e shtetit

8. Për rrjedhojë Saimir Tahiri ka konsumuar elementë të veprën penale shpërdorimi i detyrës

Beteja 5 vjeçare e Tahirit me drejtësinë

Saimir Tahiri e nisi ‘betejën’ e tij me drejtësinë në vitin 2017, kur kishte 4 vite ministër i Brendshëm, si ministri më jetëgjatë në atë dikaster. Organet e drejtësisë e vunë në shënjestër pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj –të afërm të Tahirit.  Prokuroria e akuzoi Tahirin për ‘trafik të narkotikëve’ dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim dhe e sulmoi hetimin e prokurorisë si të njëanshëm. Në shtator 2019, Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi akuzën e prokurorisë për përfshirjen e Tahirit në trafik droge, por e dënoi atë me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, dënim i cili u konvertua me 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.  Tahiri e apeloi vendimin në Gjykatën e Apelit, e cila vendosi rikthimin e çështjes për rigjykim sërish në shkallë të parë për rishqyrtim. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dënoi me 5 vite burg ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, dënim i cili i konvertua në 3 vite shërbim prove. Gjithashtu për 5 vite nuk do të ushtronte asnjë funksion publik. Ranë kështu akuzat e rëndë. Më pas ish ministri bëri rekurs dhe dhoma e këshillimit e Gjykatës së Lartë e cila ka pranuar për ta gjykuar. Dosja u regjistrua në Gjykatën e Posaçme të Apelit për të ardhur te vendimi i sotëm.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:39
Tahiri dërgohet në burg, vendoset te godina e re e 313 në Tiranë

Saimir Tahiri është dorëzuar nga Drejtoria e Policisë Tiranë në burgun 313 në Tiranë ku do të vuaj dënimi prej 3 vitesh e 4 muaj në burg.

Tahiri u sistemua në godinën Nr.2, që është godina e re e burgut 313 të Tiranës.

Ora 20:43
Drejtësia vendos burg për Tahirin, qytetarët e mbeshtesin në Facebook: Je kampion, mbaje kokën lart

Drejtësia vendosi ta dënojë ish ministrin e brendshëm, Saimir Tahirin me 3 vite e 4 muaj burg për shpërdorim detyre. Vendimi u dha sot pas një beteje 5-vjeçare e nisur në 2017, ku Tahiri pretendonte pafajësinë, por sot gjykata vendosi ta lërë atë në burg. Pas vendimit Tahiri u shoqërua në Drejtorinë e Policisë Tiranë dhe më pas do të shkojë në vuaj dënimin në burgun 313 në Tiranë.

Por ky vendim ka lënë edhe shumë qytetarë të pakënaqur të cilët duket se e mbështesin në facebook duke i thënë të mos dorëzohet.

Ora 19:46
Pas dënimit, avokati i Tahirit kërkon cigare për ish-ministrin: O Viso, çoji dy paketa

Pas dënimit me burg të ish-ministrit Saimir Tahiri, avokati i tij Maks Haxhia u dëgjua që të kërkonte dy paketa cigare për ish-ministrin. “Për Saimirin kërkova dy paketa cigare, se unë nuk e pi cigaren” tha Maks Haxhia. Duket se gjendjen e tensionuar pasi ju vendosën prangat në gjykatë, ish-ministri Tahiri ka zgjedhur që ta shtyjë mërzinë duke pirë cigare.

Ora 19:29
Dënimi me burg i Tahirit, përfaqësues të ambasadës amerikanë ishin prezent në sallën e gjyqit

Përfaqësues të ambasadës amerikane në vendin tonë, ishin të pranishëm, në sallën e gjyqit të Apelit në GJKKO, kur u ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u shpall fajtor. Edhe më parë përfaqësues të ambasadës së SHBA-së, kanë qenë të pranishëm në seancat gjyqësore ndaj Saimir Tahirit. Pas një seance maratonë ditën e sotme, të nisur prej orës 09:00 të mëngjesit, Gjykata e dënoi Saimir Tahirin me 5 vite burg për 'Shpërdorim të detyrës', por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi ulet në 3.4 vite burgim. 

Ora 18:33
GJKKO lë në burg Jaeld Çelën, avokati: Do bëjmë rekurs, vendim i padrejtë dhe pa përmbajtje

GJKKO la sot në futi vendimin për ish drejtuesin e Policisë Vlorë, Jaeld Çela i dënuar me 3 vite e 4 muaj burg për shpërdorim detyre. Ai akuzohet nga gjykata se ka mbajtur lidhje me Moisi Habilajn dhe ka ndërhyrë në policinë Vlorë që drejtonte që të mos pengohej aktiviteti i kultivimit të kanabisit.

Ky vendim i GJKKO do të apelohet nga avokati i Jaeld Çelës, Genti Rumano, i cili tha se vendimi ishte i padrejtë dhe pa përmbajtje.

"Që nga momenti i parë i hetimit për këtë çështje tre gjëra duhet të merren në konsideratë për këtë proces 1. Standardi i ulët i provueshmërisë për sa i përket kësaj çështje për shtetin dhe gjyqësorin nuk është më e rëndësishme 17 vite karriere dhe suksese, por janë të rëndësishme 2 telefonata pa përmbajtje në 2016 që sot bëjnë faktor Çelën. 2. Nuk janë më të rëndësishme për gjykatën që në 20156 janë asgjësuar 220 mijë bime nga polica Vlore kur drejtohej nga Çela, përkundrazi janë të rëndësishme vetëm dy telefonat që vërtetojnë për gjykatën mbajtjen e lidhjeve të qëndrueshme më eksponentë të grupeve kriminale. Ka qenë 1 telefonatë dhe 1 sms dhe të dyja pa përgjigje dhe pa përmbajtje. sot për gjykatën duhet të jetë kushdo i rrezikuar nga një komunikim i tillë. Nuk duhet të jetë ky standardi, gjykata të këtë parasysh të gjithë veprimtarinë  e policisë Vlorë. Asnjëherë një oficer nuk mund të ketë dhe nuk ka patur kontakte me këtë grup kriminal, përkundrazi ai e ka kallëzuar penalisht në prokurorinë Vlorë këtë grup. Standardi i këtij hetimi dhe vendimi është i dobët dhe i pabazuar në prova. Do të bëjmë rekurs kundër këtij vendimi", tha avokati.

Argumentet e gjykatës për Jaeld Çelën

1. Është ekzekutuar episodi i trafikimit të lëndës narkotike prej 880 kg kanabis me peshkarexhën 'Fatima' në datat 5 dhe 6 maj 2015 ku ka pasur një përfshirje të lartë të policisë dhe funksionarëve shtetëror që kanë bashkëpunuar me të pandehurit në procedim të lidhur ku këto të fundit kanë vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal që merrej me këtë veprimtari.

2. Është evindetuar një shkallë mjaft e lartë e kultivimit të kanabisit në territorin e Policisë Vlorë. aktivitete këto të paligjshme dhe furnizuese të drejtpërdrejta lidhur me trafikun e lëndëve narkotike.

3. Gjykata konstaton se këto fakte janë shoqëruar në të njëjtën periudhë me mbajtjen e lidhjeve nga i pandehuri me personat e përfshirë në këto veprimtari si dhe mosmarrjen e masave të duhura për të parandaluar dhe zbuluar këto vepra penale

4. Për Jaeld Celën ka konsumuar veprën penale të "shpërdorimit të detyrës"

5. Lidhur me masën e dënimit të Jaeld Çelës gjykata e Apelit mban dënimin e gjykatës së shkallës së parë.

Ora 18:29
Avokati i Tahirit, Maks Haxhia: Vendim skandaloz, për të njollosur ish-ministrin! Nëse kjo është reforma si luftohet korrupsioni, politikanët të vishen trashë

Avokati Maks Haxhia tha se vendimi për të dënuar Saimir Tahirin ishte një vendim skandaloz. I tronditur nga vendimi i gjykatës siç tha dhe vetë, Hxhia u shpreh para gazetarëve se nëse dënimi i Tahirit do të kënaqë opinionin shqiptar le të quhet i përmbushur. Sipas Haxhisë, nëse kjo është forma sesi luftohet korrupsioni, duke futur Tahirin në burg, avokati paralajmëroi politikanët e tjerë, që të vishen trashë.

'Lidhur me këtë vendim, pavarësisht se jam avokat, ishte një vendim skandaloz. Dy gjëra dihet që janë të sigurta në këtë vend lindja dhe vdekja. Nëse dënimi i Tahirit do të kënaqë opinionin shqiptar le të quhet i përmbushur. Kjo gjykatë bëri atë që nuk mund të bëhet nga pikëpamja juridike. Sa për sqarim neni 59 nuk ka të bëjë me dënimin por është një formë e vuajtjes së dënimit, aplikimi i një formë të tillë është një formë hakmarrje dhe kënaqje të drejtësisë. shpërdorimi i detyrës nuk është në kompetencë të kësaj gjykate. Dënimi me 3 vite e katër muaj, ishte e papritur dhe non sense juridik që të hiqej pezullimi. Ky vendim ishte për të kënaqur. Ky vendim ka të bëjë me faktin, pavarësisht që na bën optimist i tremben pafajësisë në GJL. Nuk justifikohet vendimi. Sot Tahiri siç e patë i kishte mundësitë mos të vinte, kishte njerëz që i thanë ik, po ai tha se do të përballej më drejtësinë. Ky vendim ishte një vendim për të njollosur Tahirin. I kishim diskutuar edhe më parë vendimet. Nëse kjo është Reforma që të luftohet korrupsioni, duke futur në burg Tahirin të gjithë politikanët të vishen trashë.'- tha Haxhia.

Ora 17:39
Saimir Tahiri, ministri i dytë që dënohet me burg në historinë e Shqipërisë

1643991697_Sequence03.00214411.Still014.jpg

Saimir Tahiri është i dyti person që ka mbajtur më parë detyrën e ministrit që dënohet nga një vendim i formës së prere të një gjykate, që pas rënies së diktaturës në Shqipëri, por jo me burg. GJKKO e dënoi ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për shpërdorim detyre. Vendimi është 5 vite burg, por me gjykim të shkurtuar ulet në 3.4 vite burgim. I pari ish-ministër që u dënua ishte Spiro Ksera. Ish-ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale në qeverinë 'Berisha 2' u arrestua në 30 janar të 2016 dhe në 15 shtator po të atij viti u dënua me 1.8 vite burg pasi u akuzua se vodhi fondet, rreth 30 milionë lekë për aktivitete sociale për fëmijët në nevojë, romët dhe moshën e tretë, që nuk u realizuan kurrë.

Ora 17:39
Pasi u shpall fajtor, telefonata e parë e Tahirit sapo gjykata mori vendimin ta çoj në burg

Ish-ministri Brendshëm Saimir Tahiri është dënuar me 5 vite burg, por me gjykim të shkurtuar dënimi do t'i ulet në 3.4 vite burgim. Pasi gjykata e shpalli fajtor, Tahiri ka nxituar që në sallën e gjyqit të zhvillojë një telefonatë. Ish-ministri shihet teksa flet në telefon, ndërsa nuk pranoi që të bëjë asnjë koment për gazetarët. Tahiri u shfaq i qeshur para gazetarëve, megjithëse i tensionuar. Ish-ministri i Brendshëm do të shkojë në dhomat e paraburgimit te 313, ku do të vuajë dënimin me burg.

Ora 17:21
Tahiri del me pranga në duar nga salla e gjyqit, argumentet e gjykatës për ta dënuar me burg

Saimir Tahiri del me pranga ne duar nga salla e gjyqit. Ish-ministri i Brendshëm do të shkojë tashmë në dhomat e paraburgimit e 313, ku do të vuajë dënimin me burg.

Gjykata parashtron këto argumente për dënimin e Saimir Tahirit:

1.Në ngarkim të Saimir Tahirit rezulton lidhje e qëndrueshme në kohë dhe e dokumentuar me prova me të pandehurin Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj.

2. Lidhje të tilla të pashpjegueshme me ministrin e Brendshëm që janë të njohura në komunitetin e funksionarëve vendor dhe qendror kanë krijuar premisë më të favorshme për infiltrimin e grupit kriminal në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit me pasojë të drejtpërdrejtë vështirësi dhe pengesa në drejtim të luftimit të veprimtarie kriminale.

3.  Shoqëruar në të njëjtën periudhë edhe me bashkëpunimin në një shkallë të lartë të një numri punonjësish policisë së shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese

4. Shoqëruar në të njëjtën kohë me vazhdimësinë dhe ushtrimin e suksesshëm të aktivitetit kriminal të trafikut të narkotikëve me Moisi Habilaj e të tjerë në kuadër të një organizmi kriminale me këtë veprimtari.

5. Gjykata ka konstatuar dhe mban në vëmendje shkallën e lartë të veprimtarisë së aktiviteteve të paligjshme furnizues me lëndë narkotike që në vlerësimin e  gjykatës krijon lidhjen e drejtpërdrejtë të mosveprimit në mënyrë të paligjshme të autoritete shtetërore dhe pasojat kriminale të ardhura.

6. Gjykata ka konkluduar se nuk janë marrë masat e duhura për ti dhënë eficenses të plotë strukturave më të lartë drejtuese të drejtorisë vendore të policisë Vlorë për parandalimin dhe zbulimin e këtyre veprave penale të evidentuara dhe në kundërshtim me ligjin.

7. Gjykata ka konkluduar se i pandehuri Saimir Tahiri provohet se ka përfituar nga Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj për përfitime të padrejta dhe njëkohësisht shpërdorimi i detyrës duke dëmtuar interesat e shtetit

8. Për rrjedhojë Saimir Tahiri ka konsumuar elementë të veprën penale shpërdorimi i detyrës

Ora 17:20
GJKKO vendos 3.4 vite burg për Sajmir Tahirin

Ish ministri i brendshëm, Saimir Tahiri është dënuar me 5 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuaj 3.4 vite burg.

"Për shkak të kompleksitetit iu desh një kohë më e gjatë, gjykata vendosi pasi dëgjoi palët, lënien në fuqi të gjykatë së shkallës së parë burg për Saimir Tahirin me 3.4 vite burg", tha gjykata

Ora 17:09
FOTOLAJM/ Pritja me orë të tëra për vendimin nga GJKKO, Saimir Tahirin ‘nuk e zë vendi’! Lëvizjet para verdiktit final

Që prej orës 13:00, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe avokati i tij Maksim Haxhia janë në pritje të vendimit të Apelit të GJKKO-së. Këto janë fotot e ish-ministrit Tahiri, i cili është duke pritur në ambientet e jashtme të GJKKO-së.

Ai është fotografuar në këmbë teksa flet me avokatin e tij, po ashtu nuk ka lënë pas dore dhe komunikimin me efektivët e policisë që ruajnë godinën e SPAK dhe GJKKO.

Ora 12:58
Sot vendoset për fatin e tij, Saimir Tahiri mbërrin në GJKKO

 

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka mbërritur në Gjykatën e Posaçme, ku sot do të merret vendimi ndaj tij. SPAK ka kërkuar 12 vite burg për ish-ministrin.